Skenaristet


Peçi Dado(27 mars 1935 – 24 maj 1981)

Paci Dado

U lind në fshatin Ogren, të rrethit të Përmetit. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në Tiranë, filloi punën si redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe mbas një viti u emërua shef sektori. Gjatë kësaj periudhe të karrierës në gazetari boton një numër të madh reportazhesh dhe tregimesh artistike që vlerësohen me çmime Kombëtare. Në vitin 1960 fillon studimet e larta për kino-dramaturgji në Moskë të cilat për rrethanat e kohës i vazhdon në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë. Punimi i tij i Diplomës, i pari i këtij lloji në vend, do të jetë mbi dramaturgjinë e filmit. Pas diplomimit fillon punën si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e re”. Më vonë do të jetë edhe Drejtor i Drejtorisë së Skenarit pranë Kinostudios. Të shumtë kanë qenë filmat artistikë për të cilat ai ka shkruar skenarët. Disa nga këto janë vlerësuar edhe me çmimin e Republikës. Peçi Dado ndahet nga jeta në 24 Maj 1981 gjatë përgatitjeve të xhirimit të filmit “Qortimet e vjeshtës” duke lënë disa dorëshkrime skenarësh që do të realizohen pas vdekjes së tij.




Kiço Blushi

Kico Blushi

U lind në qytetin e Korçës në 23 Gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion "Shqipëria e Re". Skenari i tij i parë ishte ai i filmit "çifti i lumtur" në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit "Beni ecën vetë" në vitin 1975 u vlerësua me çmimin e Republikës së Klasit të III-të. Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë. Në 20 Shkurt të vitit 1991 thirret nga Presidenti Ramiz Alia që të bëjë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qënë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste. Me dorëheqjen nga posti Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive. Aktualisht Kiço Blushi është Kryetar i Bordit Drejtues të Qëndrës Kombëtare të Kulturës.






Vath Koreshi (7 maj 1936 – 2008)

Vath Koreshi

U lind në qytetin e Lushnjës. Diplomohet në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Tiranës më 1964. Pas diplomimit fillon punën si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe më pas në gazetën “Drita”. Në vitin 1974 fillon bashkëpunimi i tij si skenarist me Kinostudion "Shqipëria e Re". Të shumta do jenë skenarët që ai do të shkruaj duke filluar që nga skenari i tij i parë në vitin 1974 tek filmi “Rrugë të bardha” e më pas në filma të tjerë si p.sh.: “Gjeneral gramafoni” në vitin 1978 me të cilin fiton edhe Kupën e Festivalit të Filmit si “Skenari më i mirë”, “Liri a vdekje” në vitin 1979, “Në kufi të dy legjendave” në vitin 1981, “Besa e kuqe” në vitin 1982, “Nata e parë e lirisë” në vitin 1987, “Botë e padukshme” në vitin 1987 etj. Një nga skenarët e tij të fundit, ai i filmit “Syri Magjik” në vitin 1995, do të marrë çmimin “Saadeddin Wahbaa” për “Skenarin më të mirë” Cairo International Film Festival në vitin 2005. Në fushën e letërsisë ka shkruar edhe shumë libra si p.sh.:përmbledhjet me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës”, “Toka në hijen e shtëpive”, “Ndërrimi i qiejve”, novelat “Dasma e Sakos”,

“Balada e Kurbinit” mbi bazën e të cilave ka shkruar edhe skenarët filmave me të njëjtin titull,romanet “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mars”, “Mali mbi kënetë” etj. Nga viti 1987 e deri në vitin 1991 ai ishte Drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të kaluar më pas në postin e Ministrit të kësaj Ministrie post që do ta lejë në vitin 1992. Po në këtë vit bëhet Drejtor i revistës "Art" deri në vitin 1995 për të kaluar në të njëjtin post në Shtëpisë Botuese “Onufri”. Ka qenë deputet për Partinë Socialiste në legjislaturën e XVI-të nga viti 2001 deri në vitin 2005.Ndahet nga jeta dhe familja e tij në Itali në vitin 2006. Për meritat e tij të veçanta artistike Vath Koreshi është vlerësuar në 19 Maj 2008 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, duke i akorduar (pas vdekjes), një nga Urdhrat më të lartë të Republikës së Shqipërisë, Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitet i shquar i kulturës kombëtare, me kontribut shumë të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore dhe në kinematografinë shqiptare, në zhvillimin dhe pasurimin e tyre me vepra elitare”. Bashkia e Tiranës në vitin 2006 ka titulluar njërën prej rrugëve të Kryeqytetit me emrin e tij në nderim të veprës së këtij shkrimtari.


Natasha Lako

Natasha Lako

U lind në Korçë, më 1948. Ajo është shkrimtare, skenariste e një sërë filmash shqiptarë, publiciste. Dy here deputete e PD ne Parlamentin e pare pluralist.Ka botuar disa libra me poezi, si: "Marsi brenda nesh", 1972, "E para fjalë e botës", 1979, "Këmisha e pranverës", Prishtinë 1984, "Yllësia e fjalëve", Tiranë 1986, "Natyrë e qetë", Tiranë 1990, "Thesi me pëllumba", Tiranë 1995, Këmbë dhe duar 1998, Perkthim Tomas Transtromer "Perandoria e barit" 2002, Lëkura e ujit 2005, Ribotim Tomas Transtromer-ripermbledhje" Qielli i lene pergjysem" 2011 Ese Energjia filmike 2006, romanin "Stinët e jetës" etj. skenare filmash: “Mësonjtorja”, “Një emër mes njerëzve”, “Fjalë pa fund”, “Muri i gjallë”, “Partizani i vogël Velo”, “Rruga e lirisë”, “Një vit i gjatë”, “Plumba perandorit”, “I paharruari”, “Fletë të bardha”, “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Përcjellja”, “Shkronjat e pavarsisë”. E perfshire ne antologji boterore te poezise dhe ne disa permbledhje nderkombetare poetike.






Kujtim Gjonaj

Kujtim Gjonaj

është skenarist, regjisor i filmave dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues shqiptar. Kujtim Gjonaj ka lindur në 13 Nëntor të vitit 1946 në qytetin e Tiranës. Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë – Letërsi dhe po atë vit fillon punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vitin 1974 kalon si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë duke shkruar edhe shumë nga skenarët e këtyre filmave. Përmendim këtu disa nga filmat dokumentarë me të cilat është vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1982 do të nderohet me çmimin II në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik për Skenarin për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, në vitin 1986 filmi “Më e madhja dashuri” do të vlerësohej si filmi më i mirë i vitit, në 23 Prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin VIII të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” do të vlerësohej me çmimin e I në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo

(Palermo Film Festival), në vitin 1998 do të vlerësohej gjithashtu me çmimin I në Konkursin V Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo). Në filmin artistik ai ka shkruar katër skenarë, përmendim këtu skenarin e filmit “Thirrja” që do të ishte dhe skenari i tij i parë në filmin artistik në vitin 1976, filmat “Ata ishin katër” dhe “Cirku në fshat” në vitin 1977, filmin “Këshilltarët” në vitin 1979. Pas viteve 90’ Kujtim Gjonaj ka qenë për një kohë Drejtor i Alba Filmit dhe më pas krijoi një shtëpi prodhuese filmike, “Bota Shqiptare”, ndërmjet të cilës vazhdon krijimtarinë e tij profesionale.