The Life Journey of a Muslim
About My Islam, My Life, and about What I see in this world.
Entry for July, 2006
Ti njohim dijetarët e Sunnetit- Shejkh Muhamed Aman el-Xhami

 

Shejkh Dr. Muhamed Aman el-Xhami u lind në vitin 1349 H (1927 E.K.), sikurse tregohet nga dokumentat e tij zyrtare. U rrit në një fshat me emrin Tuga Tab në Habesh, aty ku studioi edhe Kur’anin Fisnik. Pasi e përfundoi Kur’anin, ai filloi të studiojë librat e Fik’hut të medh’hebit Shafi’i. Ai studioi gjithashtu në këtë fshat gjuhën Arabe me Shejkh Muhamed Amin el-Hurari. Pastaj ai u largua nga fshati i tij për të shkuar në një tjetër, ku takoi një tjetër student, Shejkh Abdul-Kerim, me të cilin më vonë do të bënte hixhret për në Arabinë Saudite. Pastaj të dy vazhduan me Shejkh Musa, me të cilin studiuan veprën Nudhumu-Zuhd të Ibn Raslan, dhe pastaj studiuan Metenul-Minhaxh me Shejkh Abadir, duke përfshirë këtu edhe shumë fusha të tjera të dijes.



Ai dëshironte të udhëtonte për në Tokën e Shenjtë të Mekkes për të kërkuar dije dhe për të kryer haxhin, kështu që të dy studentët u larguan nga Habeshi (Etiopia – Eritrea) dhe udhëtuan drejt Somalisë. Aty ata hipën në një anije që shkonte në Aden, Jemen, dhe gjatë kësaj kohe ata u përballën me shumë vështirësi qoftë në det apo në tokë. Ata udhëtuan në këmbë, dhe në këtë gjendje agjëruan edhe Muajin e Ramazanit, derisa mbërritën në Arabinë Saudite.



Ata kaluan në Samitah, Subija dhe Ebij Arijsh, derisa u lejuan që të hynin në Mekke, gjithnjë duke udhëtuar në këmbë.



Pasi kreu haxhin më 1369 H, ai filloi të kërkojë dije në mexhliset e dijes që mbaheshin në Mesxhidul-Haram, prej tyre, mexhliset e Shejkh Abdu-Rrezak Hamzah, Allahu e mëshiroftë, Shejkh Abdul-Hak el-Hashimi, Allahu e mëshiroftë, Shejkh Muhamed Abdullah es-Sumali …etj.



Ai u njoh me Shejkh Abdul-Azijz Ibn Baz ndërkohë që ishte në Mekke, ku më pas e shoqëroi atë në udhëtimin e tij për në Rijad, kur u hap Instituti i Rijadit. Kjo ka ndodhur në fillim të vitit 1370 H (1970 E.K.).



Gjatë kohës që Shejkh Muhamed Aman el-Xhami studionte në Institut, ai u shoqërua me Shejkhun e nderuar Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr dhe Shejkhun e nderuar Ali Ibn Mahna, i cili më vonë do të bëhej gjykatës në Gjykatën e Lartë të Sheriatit në Medine.



Ai mori pjesë në shumë mexhlise të dijes gjatë kohës që ishte në Rijad.



Ai përfitoi dhe ishte i influencuar nga shkëlqesia e tij, Myftiu, Fekijhu, Shejkh Muhamed Ibn Ibrahim Ali-Shejkh, Allahu e mëshiroftë.



Gjithashtu ai u ngjit pas Shejkhut të nderuar Abdu-Rrahman el-Afijfi, Allahu e mëshiroftë, ashtu sikurse veproi edhe me shkëlqesinë e tij, Shejkh Abdul-Azijz Ibn Baz, gjë me të cilën ai përfitoi shumë nga dija e gjerë dhe sjelljet dhe tiparet fisnike të Shejkhut. Po ashtu, gjatë kohës që ai ishte në Rijad, ai përfitoi dije nga Shejkhu i nderuar Muhamed el-Emin el-Xheknij esh-Shenkijti, Allahu e mëshiroftë, dhe nga Shejkhu i nderuar, Muhadithi Hammad el-Ensari, Allahu e mëshiroftë, dhe nga Shejkhu i nderuar Abdu-Rrezak el-Afijfi, nga i cili u ndikua shumë nga metodat e tij të mësimdhënies. Po kështu, ai ishte nën ndikimin e Shejkhu të nderuar Abdu-Rrahman es-Sa’dij, Allahu e mëshiroftë, me të cilin edhe pse nuk studioi, mbante lidhje duke i shkruar njëri-tjetrit. Ai studioi gjjithashtu me Shejkhun e nderuar Muhamed Khalil Harras, Allahu e mëshiroftë, dhe me Shejkhun e nderuar Abdullah el-Kara’uij, Allahu e mëshiroftë.



Pasi u diplomua në Institutin e Rijadit, ai vazhdoi më tej në Fakultetin e Sheriatit, në të cilin u diplomua në vitin 1380 H. Pastaj mori gradën Master në Sheriat nga Universiteti i Punxhabit në vitin 1974 (E.K.), dhe pastaj Doktoraturën në Darul-Ulum në Kajro.



Shejkhu arriti një konsideratë të lartë mes njerëzve të dijes pasi ai ishte orator dhe shumë i besueshëm, aq sa Shejkh Ibni Bazi ndërmjetësoi vetë tek Shejkh Muhamed Ibrahim (Ali-Shejkh) që ta caktonte atë si mësues në Institutin e Samitas, në krahinën e Xhezanit. Për më tepër, gjë që dëshmon dijen e tij të gjerë dhe Akijden e tij dhe respektin që gëzonte ai mes njerëzve të dijes është se kur u hap Universiteti Islamik i Medines, ai u transferua atje për të dhënë mësim, pasiqë u zgjodh nga Shejkh Ibni Bazi.



Dihet që Universiteti Islamik i Medines u ngrit që të propagandonte Akijden e saktë të Selefëve tanë të Mirë dhe Universiteti e caktoi Shejkhun në detyrën e mësuesit të Akijdes dhe më vonë në Fakultetin e sheriatit, për shkak të dijes së tij të fuqishme në Akijde.



Me vdekjen e tij, Shejkh Ibni Bazi shkruajti:

“Ai njihej tek unë për dijen e tij të fuqishme dhe Akijden e tij të saktë dhe aktivizimin e tij në fushën e daues (thirrjes) për tek Allahu Subhanehu ue Te'ala, dhe paralajmërimin kundra bidateve dhe devijimit. Allahu e faltë atë dhe i dhëntë atij një vendbanim në Xhenet dhe i nderoftë pasardhësit e tij, dhe na bashkoftë të gjithëve në Shtëpinë e Tij Fisnike (Xhenet). Vërtet, Ai është Gjithëdëgjues dhe i Afërt (me Dijen eTij).” 1/9/1418 H



Shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr ka thënë:

“E kam njohur Shejkh Muhamed Aman Ibn Ali el-Xhami si student në Institutin në Rijad, dhe pastaj në Fakultetin e Sheriatit në Rijad, dhe pastaj si mësues në Universitetin Islamik të Medines, dhe pastaj në Fakultetin e Sheriatit. E njihja atë që kishte Akijde të saktë dhe largpamësi të mprehtë, dhe ai u përpoq duke ftuar për tek Akijdeja e Selefëve tanë të Mirë, dhe duke paralajmëruar kundër bidatit, dhe kjo qe nëpërmjet mësimeve dhe mexhliseve të tija dhe librave të tij kundra bidatit. Allahu e faltë atë dhe pastë mëshirë ndaj tij dhe e shpërbleftë atë me të mira.”



Shejkh Salih el-Feuzan shkruan:

“Shejkh Muhamed Aman me sa e kam njohur unë: Vërtet profesorët që disponojnë diploma të një edukimi të lartë janë të shumtë, megjithatë, pak ka prej atyre të cilëve mund të t’u kërkohet dija e dobishme. Shejkh Muhamed Aman el-Xhami, ai është prej atyre dijetarëve që janë përpjekur fort me dijen e tyre në dobi të Muslimanëve dhe për udhëzimin e tyre në dauen (thirrjen) për tek Allahu me dije (të saktë) nëpërmjet mësimeve të tija në Universitetin Islamik dhe Xhaminë e Profetit, dhe nëpërmjet udhëtimeve të tija brenda dhe jashtë Mbretërisë, duke dhënë mësime e ligjërata, duke thirrur për në Teuhijd dhe duke propaganduar akijden e saktë, duke e udhëzuar rininë e Umetit tek Menhexhi i Selefëve tanë të Mirë, dhe duke paralajmëruar kundra bidateve dhe devijimit.

Dhe kushdo që nuk e njeh atë pesonalisht, atëherë ai do ta njohë atë nëpërmjet librave të tij të dobishëm dhe shumë prej kasetave që përmbajnë një bollëk me dije dhe dobi të pamasë.



Ai ishte i qëndrueshëm në punët e tij të mira derisa vdiq, dhe ai ka lënë pas dije me të cilën dobia kërkohet, tek studentët e tij dhe librat e tij. Allahu pastë mëshirë ndaj tij dhe e faltë atë, dhe e shpërbleftë për atë që ai dinte dhe punoi sipas saj me shumë të mira, dhe salati dhe selami i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed dhe mbi familjen dhe shokët e tij.”



Prej studentëve të tij janë:



Shejkhu i nderuar Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij

Shejkhu i nderuar Zejd Ibn Hadij el-Medkhalij

Shejkhu i nderuar Ali Ibn Nasir el-Fekijhi

Shejkhu i nderuar Muhamed Ibn Hamud el-Ua’ili

Shejkhu i nderuar Abdul-Kadir Ibn Habibullah es-Sindi

Shejkhu i nderuar Salih Ibn Sa’d es-Suhejmi

Shejkhu i nderuar Salih er-Rifa’i

Shejkhu i nderuar Falah Isma’il

Shejkhu i nderuar Falah Ibn Thanij

Shejkhu i nderuar Ibrahim Ibn Amir er-Ruhejli

…e shumë të tjerë.



Shejkhu njihej se njeri që shumë pak përzihej me njerëzit, përveç se në atë gjë që kishte mirësi. Ai njihej si një njeri që kohën më të madhe apo ditët e tija i kishte të programuara sipas axhendës së tij. Nëse do të dilte nga shtëpia për të shkuar në punë në Universitet, pasi të mbaronte aty do të kthehej në shtëpi dhe më vonë do të shkonte në Xhaminë e Profetit që të jepte mësim pas namazit të Ikindisë, dhe pastaj pas namazit të Akshamit, dhe më vonë pas namazait të Jacisë, dhe më vonë pas namazit të Sabahut. Ai vazhdoi kështu derisa u shtri në shtratin e tij për shkak të sëmundjes së tij të rëndë.



Shejkhu ishte gjithashtu shumë i kujdesshëm me gjuhën e tij dhe nuk përgojonte e nuk fliste keq për asnjeri, saqë ai nuk lejonte askënd që ishte në shoqërinë e tij që të fliste keq për ndonjë tjetër dhe për më tepër, ai nuk lejonte që të përhapeshin tek ai fjalët e kota apo gabimet e njerëzve.



Nëse ndonjë prej studentëve të tij do të gabonte, ai do të kërkonte kasetën apo librin (në të cilin është regjistruar gabimi) dhe do ta dëgjonte ose do ta lexonte, nëse do t’i bëhej e qartë që është bërë një gabim, do ta takonte personin që kish gabuar në mënyrën më të mirë e do ta këshillonte atë.



Pak kishte prej atyre që e mallkonin dhe e shanin atë, porse ai thjesht ua bënte hallall atyre dhe thoshte: “Shpresoj që Allahu të mos e fusi askënd në Zjarr për shkakun tim.”



Ai thoshte në mexhliset dhe tubimet e tija (të dijes) se ja ua ka bërë hallall çdokujt dhe u kërkonte të pranishmëve që ta përhapnin këtë fjalë.



Shejkhu ishte gjithashtu i interesuar për studentët e tij, jo vetëm gjatë orës së mësimit, porse ai merrte pjesë në mbledhjet e tyre dhe i pyeste ata për gjendjen në të cilën ndodheshin dhe i ndihmonte ata duke i këshilluar apo edhe nga ana financiare.



Gjatë fundit të jetës së tij, Shejkhu u sëmur rëndë dhe qëndroi në këtë gjendje, i shtrirë në krevatin e tij, për afro një vit, i duruar për atë që i kishte rënë.



Në mëngjesin e ditës së enjte, 26 Shaban, 1416 H, Shejkhu u nda nga kjo jetë. Namazi i xhenazes u fal pas namazit të Drekës të së njëjtës ditë dhe u varros në varrezat el-Bekij el-Garkad në Medine. Shumë veta morën pjesë në xhenazen e tij, midis tyre dijetarë, gjykatës, studentë e të tjerë.



Me vdekjen e tij, Umeti humbi një prej atyre dijetarëve që punuan me dijen e tyre të pastër. Nga fjalët e fundit që kujtojnë nxënësit e tij kur ai ishte i shtrirë në shtrat ishin këshillat për kujdesin ndaj Akijdes së pastër të kësaj feje. Ne i lutemi Allahut Subhanehu ue Te'ala që ta fali atë dhe të ketë mëshirë ndaj tij, dhe i lutemi Atij që t’i sjellë këtij Umeti të tjerë dijetarë që punojnë me dijen e tyre të pastër.



[Përkthim i përmbledhur: Fatwa-online.com]



Keto texte i ka perkthyer vella Alban Malaj dhe i ka publikuar ne Mburoja Forum me date Sun Mar 12, 2006 6:44 pm    
2006-07-22 18:02:37 GMT
     


Hosted by www.Geocities.ws

1