Forumi i Katert i OJQ-ve:
“Çeshtje te Kushtetutes--Ekzekutivi”

Prezantuar dhe Sponsorizuar nga Qëndra Administrative për
Koordinimin e Asistencës dhe Pjesëmarrjen e Publikut
(QAKAPP) pranë Prezencës së OSBE-së
 

Raport për Komisionin Parlamentar Kushtetues
Prezantuar nga QAKAPP

Tiranë, 18 Mars 1998

Informacion mbi Rezultatet e: “Forumit të Katërt të OJQ-ve, Çështje të
Kushtetutës--Ekzekutivi”
 

Më 12 Mars 1998, përfaqësues të organizatave të ndryshme jo-qeveritare morrën pjesë në
“Forumin e Katërt të OJQ-ve Shqiptare, Çështje të Kushtetutës--Ekzekutivi”.  Ky forum u
organizua në vazhdën e 3 forumeve të mëparëshme të organizuara nga OJQ-të Shqiptare
mbi Gjyqësorin, Legjislativin dhe Të Drejtat e Njeriut.  Forumi u hap me referime mbi disa
nga çështjet kryesore të Ekzekutivit të përgatitura nga  specialistë të kësaj fushe.  Pas kësaj,
për të arritur një komunikim ndërveprues u përdor metoda e “brainstorming” (vënia e
mendjes në lëvizje), nën drejtimin e moderatorëve shqiptarë dhe të huaj.  Ky proces
identifikoi çështjet më të rëndësishme për të cilat  pjesëmarrësit menduan se duhet të
përfshihen në kushtetutën e re.  Këto çështje do të adresohen në Diskutimet e Fokusuara në
Grupe, seminare, artikuj dhe emisione të medias.  Pjesëmarrësit i ngritën këto çështje që ato
të mund të merren në konsideratë nga hartuesit e Kushtetutës.

Çështjet e renditura më poshtë u identifikuan si çështjet më të rëndësishme nga pjesëmarrësit
nëpërmjet një procesi votimi.  Këto çështje përmbajnë dhe disa komente të bëra gjatë
diskutimeve të tyre.
 

Ky forum u organizua dhe sponsorizua nga Qëndra Administrative për Koordinimin e
Asistencës dhe Pjesëmarrjes së Publikut, (QAKAPP) në bashkëpunim me Organizatën për
Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, (OSBE).


Çështje të Kushtetutës mbi Ekzekutivin
 

Zgjedhja e Presidentit

Shumë nga diskutantët në Forum e zgjodhën këtë çështje si një nga çështjet e rëndësishme.
Gjatë diskutimit u ngritën probleme dhe shqetësime si; mënyra e votimit për Presidentin;
procedura e shkarkimit; mosha; anëtarësia në parti politike; dhe marrëdhënia e tij me partitë
politike në përgjithësi.  Shumë prej tyre ishin të mendimit që nga momenti i zgjedhjes në
postin e Presidentit, personi duhet të ndalojë funksionet partiake dhe të distancohet nga
partitë politike.

Funksionet dhe Kompetencat e Presidentit

Kjo çështje u diskutua gjërësisht pothuajse nga të gjithë pjesëmarrësit në Forum.  Ata
diskutuan për probleme të tilla; si papajtueshmëria e funksionit të Presidentit me funksione të
tjera; heqja e Presidentit; marrëdhëniet e tij me pushtetet e tjera; kompetencat ekzekutive të
Presidentit--në emërimin e kuadrit të lartë ushtarak, kompetencat mbi forcat e armatosura,
raporti i kompetencave të Presidentit me ato të Kryeministrit; kompetencat e vetos etj.  Një
nga çështjet e rëndësishme për pjesëmarrësit ishte edhe përcaktimi i rasteve dhe i ushtrimit
të kompetencave të emergjencës nga Presidenti.  Gjithashtu pjesëmarrësit diskutuan
gjërësisht edhe për rolin dhe kompetencat e Presidentit në lidhje me çështjet e sigurisë
kombëtare dhe të shërbimit sekret.

Zgjedhja e një Sistemi Qeverisës

U morrën në konsideratë zgjedhja midis sistemeve Parlamentar, Gjysëm-Presidencial,
Presidencial ose Monarkik.  Disa prej pjesëmarrësve sugjeruan që një çështje e tillë duhet të
jetë një nga çështjet e referendumit për kushtetutën.

Roli i Ekzekutivit në Kohë Krizash Qeveritare: Mekanizma për një Kalim Paqësor

Pjesëmarrësit identifikuan si të rëndësishme edhe përcaktimin e procedurave që duhet të
ndiqen në rastet e krizave qeveritare.  Dispozitat kushtetuese duhet të ndihmojnë në arritjen
e një kalimi paqësor të pushtetit duke shmangur konflikte që mund të jenë në dëm të shtetit
dhe të mirëqënies së shoqërisë në përgjithësi.

Ushtrimi i së Drejtës Ligjvënëse nga Ekzekutivi

Për këtë çështje, diskutantë në Forum, u shprehën se Kabinetit i duhet njohur e drejta
ligjvënëse, por kjo vetëm në ato raste kur legjislativi nuk është në gjëndje t’a bëjë një gjë të
tillë dhe kur kjo është një domosdoshmëri për rrethanat përkatëse.

Struktura, Funksioni, Roli dhe Kompetencat e Këshillit të Ministrave


Shumë nga pjesëmarrësit diskutuan për problemin në fjalë si një nga më të rëndësishmit për
çështjet e Ekzekutivit.  Brenda kësaj kornize ata diskutuan për përbërjen e Kabinetit dhe
kriteret politike për emërimin e anëtarëve të tij si dhe të administratës shtetërore në
përgjithësi.  Gjithashtu ata përmendën edhe rishikimin e marrëdhënieve që Kabineti duhet të
ketë me publikun dhe me organizatat jo-qeveritare në veçanti.  E rëndësishme për ata ishte
edhe raporti që duhet të ketë midis konfidencialitetit të Kabinetit me Interesin Publik.  Disa
nga pjesëmarrësit diskutuan edhe për nevojën e një strukture të caktuar të Kabinetit
qeveritar me dispozita të kushtetutës.

Zgjedhja dhe Kompetencat e Funksionit të Kryeministrit

Pjesëmarrësit ishin të shqetësuar mbi mënyrën dhe procedurën e zgjedhjes së Kryeministrit.
Gjithashtu, ata diskutuan edhe për raportin që kompetencat e këtij funksionari
(Kryeministrit) duhet të kenë me ato të Presidentit të vendit.  Disa prej tyre theksuan që në
mënyrë të veçantë këto kompetenca duhet të rregullohen për kushtet e gjëndjes së
jashtëzakonshme.

Raporti i Qeverisë Qëndrore me Pushtetin Lokal

Diskutantët ngritën probleme të ndryshme në lidhje me këtë çështje por ranë dakort për
nevojën e forcimit të kompetencave të pushtetit lokal.  Në mënyrë të veçantë pjesëmarrësit
theksuan që autoritetet lokale duhet që të kenë kompetenca mbi tatimet.

Marrëdhëniet Midis Funksionarëve Politikë dhe Atyre të Shërbimit Civil

Në këtë kuadër, diskutantët ngritën shqetësimin e tyre mbi nevojën e përmirësimit të
legjislacionit ekzistues me synim qartësimin e kësaj marrëdhënie.  Nëpunësit shqiptar --
theksuan shumica prej diskutantëve -- duhet të jenë të mbrojtur në kryerjen e detyrave të
tyre.  Një përkufizim më i qartë e përgjegjësive të ministrave dhe nëpunësve civil është i
nevojshëm.  Brenda kësaj çështje pjesëmarrësit diskutuan rreth përkatësisë politike dhe
anëtarësisë në Kabinet.  Ata gjithashtu ngritën edhe çështjen e kritereve profesionale të
kualifikimit që duhet të zbatohen dhe se çfarë lloj imuniteti duhet ose nuk duhet të zbatohet
për veprimet e marra.
 

Hosted by www.Geocities.ws

1