1. Zgjedhja e Presidentit
Shumë nga diskutantët në Forum e zgjodhën këtë
çështje si një nga më të rëndësishmet.
Gjatë diskutimit u ngritën probleme dhe shqetësime të
ndryshme si: mënyra e votimit për Presidentin,
procedura e shkarkimit të tij, mosha, anëtarësia në
parti politike dhe marrëdhënia e tij me partitë politike
në përgjithësi. Shumë prej tyre ishin të
mendimit që nga momenti i zgjedhjes në postin e Presidentit,
personi duhet të ndalojë funksionet partiake dhe të distancohet
nga partitë politike.
- Pjesëmarrësit në diskutim përmendën
rëndësinë e përcaktimit qartë të procedurave
për
zgjedhjen e Presidentit si dhe të kritereve të nevojshme
për kandidatët, përmes dispozitave
kushtetuese. Në mënyrë të veçantë
u diskutua për mënyrën e votimit. Duke mbajtur parasysh
parimin që pushteti buron nga populli dhe i përket atij,
disa nga pjesëmarrësit theksuan që ky
parim duhet të reflektohet veçanërisht në mënyrën
e zgjedhjes së Presidentit si personi që
përfaqëson unitetin kombëtar. Për këtë
pjesëmarrësit sugjeruan:
- Mënyra e zgjedhjes së Presidentit të jetë
ajo e votimit të drejtpërdrejtë nga populli. Për
këtë,
theksuan disa prej tyre, mund të merren si shembuj edhe rastet
e disa prej vendeve të Europës
Lindore ku kjo mënyrë votimi kalon nëpër dy faza:
miratimi nga Parlamenti dhe më pas hedhja
në referendum.
- Procedura e shkarkimit të Presidentit të përcaktohet
në mënyrë të veçantë nga kushtetuta.
- Për kriteret dhe cilësitë e kandidatit disa prej
diskutantëve sugjeruan:
- President i Republikës mund të zgjidhet çdo
shtetas shqiptar me kombësi shqiptare dhe i
lindur në Shqipëri.
- Kandidati të jetë mbi 40 vjeç dhe me të
drejtën e votës.
- Kandidati për President mund të mos jetë politikan
ose deputet.
- Për sa i përket raportit që Presidenti duhet
të ketë me partitë politike, disa nga pjesëmarrësit
ishin të mendimit se shkëputja nga partitë politike
nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Kjo gjë
ka
më shumë karakterin e një akti solemn. Të
tjerë ishin të mendimit se një gjë e tillë është
e
nevojshme pasi do të ndihmonte pozitivisht në rritjen e autoritetit
të figurës së tij si përfaqësues i unitetit kombëtar.
2. Funksionet dhe Kompetencat e Presidentit
Kjo çështje u diskutua gjërësisht pothuajse nga
të gjithë pjesëmarrësit në Forum. Ata diskutuan
për probleme të tilla: si papajtueshmëria e funksionit të
Presidentit me funksione të tjerë,
shkarkimi i Presidentit, marrëdhëniet e tij me pushtetet
e tjera, kompetencat ekzekutive të
Presidentit në emërimin e kuadrit të lartë ushtarak,
kompetencat mbi forcat e armatosura,
raporti i kompetencave të Presidentit me ato të Kryeministrit,
kompetencat e vetos etj. Një nga
çështjet më të rëndësishme për
pjesëmarrësit, ishte edhe përcaktimi i rasteve të emergjencës
dhe kompetencave të Presidentit në lidhje me çështjet
e sigurisë kombëtare dhe ato të
shërbimit sekret.
- Në lidhje me këtë çështje pjesëmarrësit
shprehën mendime të ndryshme. Disa prej tyre
theksuan lidhjen e ngushtë që ka njohja e kompetencave të
funksionit të Presidentit me
përcaktimin e sistemit qeverisës. Lidhur me kompetencat
që Presidenti duhet të ketë mbi
organet e sigurimit të shtetit, disa nga pjesëmarrësit
theksuan se një përgjegjësi e tillë duhet
ndarë me Kryeministrin. Disa të tjerë e vunë
theksin në ruajtjen e kompetencave aktuale të
Presidentit. Presidenti duhet të jetë ai i cili të
zgjedhë edhe kryetarin e organit të sigurimit të
shtetit.
- Lidhur me çështjen e kompetencave ekzekutive të
Presidentit, pjesëmarrësit shprehën
mendime të ndryshme. Disa prej tyre theksuan si të
domosdoshme që kompetencat aktuale
ekzekutive të Presidentit, jo vetëm të ruhen por edhe
të forcohen. Presidenti nuk duhet shikuar
thjesht si një figurë honorifike por në të njëjtën
kohë edhe si kreu i ekzekutivit. Të tjerë
theksuan që një gjë e tillë lidhet ngushtë
edhe me zgjedhjen e sistemit qeverisës. Në qoftë se
do të vendoset për një Republikë Parlamentare,
një gjë e tillë duhet të reflektohet edhe në
përcaktimin e kompetencave të Presidentit. Diskutantë
të tjerë u shprehën edhe për nevojën e
ndryshimit të mënyrës sipas së cilës Presidenti
miraton ndryshimet e mundshme në Kabinetit
qeveritar. Për sa i përket kësaj, ata theksuan
nevojën dhe rëndësinë e përcaktimit të afateve
dhe procedurave të sakta. Një nga diskutantët
propozoi që ky afat të jetë 10 ditë nga dita kur
Kryeministri i paraqet propozimin e tij Presidentit për dekretim.
- Në lidhje me kompetencat legjislative të Presidentit,
disa nga pjesëmarrësit theksuan se
Presidenti duhet të ruajë kompetencat aktuale që ai
ka në lidhje me nxjerrjen e dekreteve.
Lidhur me të drejtën e vetos, disa prej tyre u shprehën
që një gjë e tillë mund të kthehet në një
pengesë për ushtrimin e kompetencave të pushtetit legjislativ.
- Përsa i përket kompetencave dhe marrëdhënieve
të Presidentit me gjyqësorin, disa nga
pjesëmarrësit ishin të mendimit që roli i Presidentit
duhet të jetë kontrollues. Ai duhet të
shërbejë si një garanci për sistemin e nevojshëm
të kontrollit dhe të balancimit të pushteteve.
- Në lidhje me çështjen e papajtueshmërisë
së funksionit të Presidentit me funksione të tjerë,
pothuajse të gjithë diskutantët ishin të mendimit
që ai është i papajtueshëm me çdo funksion
tjetër.
3. Zgjedhja e një Sistemi Qeverisës
U mor në konsideratë zgjedhja midis sistemeve Parlamentar,
Gjysëm-Presidencial, Presidencial
dhe Monarkik. Disa nga pjesëmarrësit sugjeruan që
një çështje e tillë duhet të jetë një
nga
çështjet e referendumit për kushtetutën.
- Kjo çështje u konsiderua si shumë e rëndësishme
nga diskutantët të cilët shprehën mendime
të ndryshme. Disa prej tyre theksuan që për formën
e qeverisjes, populli u shpreh për një
Republikë Parlamentare në referendumin e ‘97-ës,.
Disa të tjerë mendonin që në referendumin që do
të zhvillohet për miratimin e kushtetutës të votohet
edhe për formën e qeverisjes duke
përmendur sistemin Parlametar, Presidencial, Gjysëm Presidencial
dhe atë Monarkik.
Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin e tyre edhe
për kompleksitetin e çështjes në fjalë.
Disa
prej tyre theksuan që votimi për sistemin qeverisës
duhet të rezultojë në një shtyrje të miratimit
të kushtetutës pasi dhe drafti aktual është konceptuar
kryesisht për një sistem Republike
Parlamentare.
4. Roli i Ekzekutivit në Kohë Krizash Qeveritare: Mekanizma për një Kalim Paqësor
Pjesëmarrësit identifikuan si të rëndësishme
edhe përcaktimin e procedurave që duhet të
ndiqen në raste krizash qeveritare. Dispozitat kushtetuese
duhet të ndihmojnë në arritjen e një
kalimi paqësor të pushtetit, duke shmangur konfliktet që
mund të jenë në dëm të shtetit dhe të
mirëqënies së shoqërisë.
- Shumica e diskutantëve menduan që për këtë
çështje duhen bërë dy dallime kryesore:
Procedurat për zgjidhjen e krizave qeveritare dhe procedurat për
zgjidhjen e krizave
parlamentare. Shumica e tyre theksuan që një dallim
i tillë është i rëndësishme të bëhet,
sepse
edhe procedurat që mund të ndiqen në secilin prej rasteve
duhet të jenë të ndryshme. Për
shembull, në rastin e krizave qeveritare të shkaktuara kryesisht
nga puna e dobët e Kabinetit
qeveritar, nuk është e domosdoshme thirrja e zgjedhjeve të
reja të përgjithshme si një mënyrë
për zgjidhjen e tyre. Një gjë e tillë mund
të bëhet përmes ndryshimeve përkatëse në
Kabinetin
qeveritar. Ndërsa në rastin e krizave të shkaktuara
si rezultat i humbjes së mbështetjes së
qeverisë në Parlament, thirrja e zgjedhjeve të reja
të përgjithshme edhe mund të shikohet si një
zgjidhje për krizën përkatëse, por një gjë
e tillë të bëhet vetëm pasi të jenë përdorur
të gjitha
mjetet e tjera të ligjshme politike, si p.sh.: tryezat e partive
politike dhe konsultimet mes tyre.
Për këto çështje diskutantët sugjeruan:
- Parashikimin përmes dispozitave kushtetuese të kompetencave
që organet përkatëse si
Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti duhet të kenë në
situata të tilla.
- Presidenti i Republikës, si përfaqësues i unitetit
kombëtar mund të thërrasë në konsultime
përfaqësues të partive politike të përfaqësuara
në qeveri, në mënyrë që të arrihet një
zgjidhje e
përshtatshme.
- Marrëdhëniet dhe kompetencat e Kryeministrit dhe
të Presidentit të Republikës si krerë të
Ekzekutivit duhet të jenë të qarta përmes parashikimit
dhe rregullimit të tyre ligjor.
- Përsa i përket kalimit paqësor të pushtetit
diskutantët përmendën eksperiencat e hidhura prej të
cilave populli shqiptar provoi në kurriz të tij dëme të
mëdha. Ata theksuan që në një
demokraci të brishtë që sapo ka filluar të konsolidohet,
shqiptarët duhet të mësohen se pushteti nuk i përket
pafundësisht vetëm një force politike. Parimi universal
që pushteti buron nga
populli dhe i përket vetëm atij, duhet të mbahet parasysh
nga politikanët shqiptarë. Për këtë
çështje diskutantë të shumtë sugjeruan që:
- Ndonëse parashikimi që legjislacioni shqiptar bën
për arritjen e një kalimi paqësor të pushtetit
nga njëra forcë politike në tjetrën ka vend për
përmirësime, duhet të ruhet. Megjithatë ajo që
duhet të forcohet më tej, është zbatimi dhe respektimi
korrekt i këtyre dispozitave.
- Një rol të veçantë për arritjen
e një mirëkuptimi të përgjithshëm midis forcave
politike duhet të
luajë Presidenti i Republikës në rolin e tij si ruajtës
i ekuilibrit midis pushteteve.
5. Ushtrimi i së Drejtës Ligjvënëse nga Ekzekutivi
Për këtë çështje, diskutantë në
Forum u shprehën se Kabinetit i duhet njohur e drejta
ligjvënëse, por kjo vetëm në ato raste kur legjislativi
nuk është në gjëndje t’a bëjë një gjë
të tillë
dhe kur kjo është një domosdoshmëri për rrethanat
përkatëse.
- Për këtë çështje pjesëmarrësit
nuk ishin të mendimit që Kabinetit qeveritar i duhet njohur e
drejta ligjvënëse, pasi kjo do të rezultonte në
marrjen qoftë edhe përkohësisht të kompetencave që
në mënyrë universale u janë njohur organeve të
tjera të shtetit. Megjithatë – u shprehën
disa prej tyre – në një farë mënyre kjo e drejtë
i është njohur Ekzekutivit përmes kompetencave
që i janë dhënë me ligj Presidentit të Republikës.
Brenda këtij kuadri, diskutantët theksuan rolin e rëndësishëm
që duhet të luajë Kabineti qeveritar në drejtim të
iniciativës ligjvënëse e cila
kurrsesi nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën
ligjvënëse. Eshtë Kuvendi Popullor, organi i cili
duhet të bëjë shqyrtimin e këtyre iniciativave
dhe aprovimin e ligjeve. Për sa më sipër ata
sugjeruan:
- Presidentit të Republikës duhet t’i ruhet e drejta
për nxjerrjen e akteve normative. Kjo e drejtë merr një
rëndësi të veçantë në rastet e emergjencës
dhe kur organi ligjvënës, Parlamenti, nuk
është i mbledhur dhe në gjendje që në varësi
të këtyre situatave të kryejë funksionet e tij
ligjvënëse.
- Roli i Kabinetit qeveritar brenda këtij kuadri nuk mund
të kalojë atë të iniciativës ligjore.
Kryeministri, theksuan disa nga diskutantët, nuk duhet të
ketë të drejtën e nxjerrjes së akteve
normative.
6. Struktura, Funksioni, Roli dhe Kompetencat e Këshillit të Ministrave
Shumë nga pjesëmarrësit diskutuan për problemin
në fjalë si një nga më të rëndësishmit
për
çështjet e Ekzekutivit. Ata diskutuan për përbërjen
e Kabinetit dhe kriteret politike për emërimin
e anëtarëve të tij si dhe të administratës
shtetërore. Gjithashtu ata përmendën edhe rishikimin
e marrëdhënieve që Kabineti duhet të ketë
me publikun dhe në veçanti me organizatat
jo-qeveritare. Pjesëmarrësit konsideruan balancën
midis transparencës dhe konfidencialitetit të Kabinetit të
një rëndësie të madhe për publikun. Disa
nga pjesëmarrësit diskutuan edhe për
nevojën e përcaktimit të një strukture të
Kabinetit qeveritar me dispozita kushtetuese.
- Në lidhje me këtë çështje pjesëmarrësit
patën mendime të ndryshme. Për shembull, disa prej
tyre theksuan që struktura e Kabinetit qeveritar nuk ka pse të
përcaktohet nga dispozitat
kushtetuese, sepse ajo mund të ndryshojë në varësi
të ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore
në vend. Aq më tepër për ndryshimin e Kushtetutës,
si dokumenti themelor i një shteti, ndiqet
një procedurë e ndryshme nga ajo e ligjeve të zakonshme.
- Diskutantë të tjerë ishin të mendimit se
dispozitat kushtetuese duhet të shprehen në mënyrë
specifike për strukturën e Kabinetit qeveritar.
- Pjesëmarrësit ishin të mendimit se marrëdhëniet
e Kabinetit qeveritar me publikun e sidomos
me OJQ-të, duhet të përmirësohen. Gjithashtu,
pjesëmarrësit diskutuan edhe për përbërjen e
Kabinetit dhe kriteret për emërimin e anëtarëve
të tij. Për sa më sipër pjesëmarrësit
sugjeruan:
- Anëtarët e Kabinetit qeveritar, të mos zgjidhen
vetëm për meritat e tyre politike por edhe për
ato profesionale.
- Një ndër funksionet kryesore të qeverisë
të jetë menaxhimi i pasurisë publike.
- Anëtarët e Kabinetit qeveritar, kur është
rasti, duhet të heqin dorë nga mandati i deputetit.
Kjo gjë do të ndihmonte më shumë edhe në respektimin
e parimit të ndarjes së pushteteve.
7. Zgjedhja dhe Kompetencat e Kryeministrit
Pjesëmarrësit ishin të shqetësuar për mënyrën
dhe procedurën e zgjedhjes së Kryeministrit.
Gjithashtu, ata diskutuan edhe për raportin që kompetencat
e këtij funksionari (Kryeministrit)
duhet të kenë me ato të Presidentit të vendit.
Disa prej tyre theksuan që në mënyrë të veçantë
këto kompetenca duhet të rregullohen për kushtet e gjëndjes
së jashtëzakonshme.
- Në lidhje me këtë çështje diskutantët
u shprehën se është e rëndësishme që kushtetuta
të
përcaktojë në mënyrë të detajuar procedurat
e zgjedhjes së Kryeministrit dhe kompetencat e
këtij funksioni.
- Disa nga pjesëmarrësit sugjeruan që kryeministri
duhet të zgjidhet nga ajo forcë apo koalicion
politik që fiton mazhorancën në zgjedhjet parlamentare.
Megjithatë, brenda këtij kuadri,
diskutantë të tjerë u shprehën që nuk është
e domosdoshme që kandidati të jetë kryetar i
partisë fituese.
- Lidhur me emërimin e kryeministrit, disa nga pjesëmarrësit
ishin të mendimit që një gjë e tillë
duhet t’i njihet si kompetencë Presidentit të vendit, i cili
duhet të marrë parasysh mazhorancën
Parlamentare.
- Në lidhje me çështjen e marrëdhënieve
ekzistuese midis kryeministrit dhe Presidentit në rastet e gjëndjes
së jashtëzakonshme, disa nga pjesëmarrësit ishin të
mendimit që ato duhen ruajtur
por në të njëjtën kohë duhet treguar kujdes
për të mos patur dualizëm të kompetencave.
8. Raporti i Qeverisë Qëndrore me Pushtetin Lokal
Diskutantët ngritën probleme të ndryshme në lidhje
me këtë çështje, por ranë dakort për
nevojën e forcimit të kompetencave të pushtetit lokal.
Në mënyrë të veçantë pjesëmarrësit
theksuan që autoritetet lokale duhet që të kenë
kompetenca mbi tatimet.
- Lidhur me këtë çështje, disa nga pjesëmarrësit
vunë në dukje se raporti i vetëm midis
qeverisë qëndrore dhe pushtetit lokal është ligji.
Kushtetuta - theksuan disa të tjerë - duhet të
përcaktojë cilat janë organet lokale dhe marrëdhëniet
e tyre me qeverinë qëndrore.
- Disa nga pjesëmarrësit shprehën shqetësimin
e tyre në lidhje me termin që duhet të përdoret
kur flitet për këtë çështje. Disa
argumentuan që fjala pavarësi e pushtetit lokal nuk është
shumë e përshtatshme. Pushteti lokal ka autonomi dhe
jo pavarësi të plotë. Ndërkohë, të
tjerë
argumentuan se një gjë e tillë nuk përbën
ndonjë problem përderisa është e qartë që
bëhet
fjalë për pavarësi financiare nga qeveria qëndrore.
- Pjesëmarrësit diskutuan edhe për detyrat, kompetencat
dhe imunitetin e funksionarëve të
pushtetit lokal. Disa prej tyre shprehën shqetësimin
në lidhje me procedurat ekzistuese të
shkarkimit të funksionarëve lokalë. Presidenti
- u shpreh njëri prej diskutantëve - nuk duhet të
ketë kompetencën e shkarkimit të funksionarëve
të pushtetit lokal.
- Diskutantë të tjerë, pasi vunë në dukje
që kushtetuta nuk mund të trajtojë gjithçka në
detaje,
folën për rëndësinë e sqarimit dhe përcaktimit
të saktë të kompetencave të pushtetit lokal.
Në
këtë kuadër, ata theksuan nevojën e zgjerimit të
kompetencave aktuale të pushtetit lokal
(sidomos në drejtim të mbledhjes dhe përdorimit të
taksave) që mund të arrihet përmes
ngushtimit të kompetencave të qeverisë qëndrore.
9. Marrëdhëniet Midis Funksionarëve Politikë dhe Atyre të Shërbimit Civil
Në këtë kuadër, diskutantët ngritën shqetësimin
e tyre mbi nevojën e përmirësimit të
legjislacionit ekzistues për qartësimin e kësaj marrëdhënie.
Nëpunësit shqiptar -- theksuan
shumica prej diskutantëve -- duhet të jenë të mbrojtur
në kryerjen e detyrave të tyre. Një
përkufizim më i qartë i përgjegjësive të
ministrave dhe nëpunësve civilë është i nevojshëm.
Brenda kësaj çështje, pjesëmarrësit diskutuan
rreth përkatësisë politike dhe anëtarësisë
në
Kabinet. Ata gjithashtu ngritën edhe çështjen
e zbatimit të kritereve profesionale të kualifikimit
dhe çfarë lloj imuniteti duhet ose jo të zbatohet
për veprimet e marra.
- Pjesëmarrësit komentuan mbi problemet e shumta që
duhet të përballojë administrata
shqiptare dhe në mënyrë të veçantë
nëpunësi shqiptar. Disa prej tyre vunë në dukje
që është i
nevojshëm një përmirësim i legjislacionit ekzistues
në mënyrë që nëpunësi shqiptar të jetë
i
mbrojtur e të mos preket nga ndryshimet e forcave politike që
vijnë në pushtet. Për këtë, disa
nga pjesëmarrësit sugjeruan që:
- Kushtetuta të përcaktojë se cilat janë
funksionet dhe funksionarët politikë (p.sh., në kabinetin
qeveritar; kryeministri, ministrat dhe zëvendësit e tyre).
- Statusi i nënpunësit civil dhe marrëdhëniet
e tij me funksionarët politik në kryerjen e detyrës të
rregullohen me ligj të veçantë.
- Të përcaktohet pajtueshmëria ose jo e funksionit
të ministrit me atë të deputetit.
- Në lidhje me kriteret e përzgjedhjes së nëpunësve
civilë, diskutantët që morën fjalën theksuan
se një gjë e tillë duhet mbështetur plotësisht
mbi bazën e aftësive profesionale dhe të
konkurseve që detyrimisht duhet të jenë transparentë.
LISTA E PJESËMARRËSVE
NË DISKUTIMIN E FOKUSUAR NË GRUP NR. 1 & 2
ÇËSHTJE TË
KUSHTETUTËS--EKZEKUTIVI MBAJTUR MË 14 DHE 22 PRILL
1. Arben Imami Ministria e Ref. Legj.
2. Thimio Kondi Ministria e Drejtësisë
3. Artan Hoxha Ministria e Drejtësisë
4. Violanda Theodhori Ministria e Drejtësisë
5. Vjollca Prroni Ministria e Drejtësisë
6. Tetis Lubonja Ministria e Drejtësisë
7. Avni Shehu Gjykata e Kasacionit
8. Sokol Berberi Kuvendi Popullor
9. Nejla Osmani Ministria e Ref. Legj.
10. Enton Lita Ministria e Ref. Legj.
11. Andrea Lako Ministria e Ref. Legj.
12. Ylvi Myrtja Zv/Prokuror i Përgjithshëm
13. Arben Puto Komiteti Shqiptar i Helsinkit
14. Njazi Jaho Komiteti Shqiptar i Helsinkit
15. Andi Nano Ministria e Treg. dhe Bashk. me Jashtë
16. Miranda Gaçe Shoqata për Kulturë Demokratike
17. Vladimir Vata Shoqata për Kulturë Demokratike
18. Ritvan Shehu Shoqata e të Shpronësuarve “Pronësi
me Drejtësi”
19. Ahmet Sulstarova Shoqata e të Shpronësuarve “Pronësi
me Drejtësi”
20. Gëzim Boçari Shoqata e Mjekëve Ambjentalistë
21. Valbona Vladi Shoqata e Studentëve të Fakultetit
të Drejtësisë
22. Irena Reso Avokate
23. Ylli Manjani Qendra Ligjore e Fondacionit Soros
24. Bledar Doracaj Shoqata e ELSA-s
25. Dritan Mishto Shoqata e JESA-s
26. Ahmedie Daci Shoqata “Ligji dhe e Drejta e Gruas”
27. Mrike Cara Shoqata “Ligji dhe e Drejta e Gruas”
28. Nesti Zoi Shoqata e B.K.F.SH-së
29. Mirela Bogdani Fakulteti i Drejtësisë
30. Hasan Metuku Fakulteti i Drejtësisë
31. Edlira Kalemi Fakulteti i Drejtësisë
32. Edit Lako Shoqata në Dobi të Gruas
33. Kastriot Selita Fakulteti i Drejtësisë
34. Afrim Shehu Fakulteti i Drejtësisë
35. Alban Qafa Fakulteti i Drejtësisë
36. Edmond Xheleshi Fakulteti i Drejtësisë
37. Fatmir Ajrali Fakulteti i Drejtësisë
38. Rezarta Bitri Fakulteti i Drejtësisë
39. Nevila Dalipi Fakulteti i Drejtësisë
40. Ditmir Bushati Fakulteti i Drejtësisë
41. Sokol Gjoshi Fakulteti i Drejtësisë
42. Eriona Haxhia Fakulteti i Drejtësisë
43. Shkëlzen Çuni Fakulteti i Drejtësisë
44. Naim Isufi Shoqata “Juristët e Rinj”
45. Altin Shkurti Shkolla e Magjistraturës