Diskutim i Fokusuar në Grup No. 1 Për
Çështje të Kushtetutës--Legjislativit
 
Sugjerime të Dala nga Diskutimi i Fokusuar në Grup mbi
Çështje të Kushtetutës të Ngritura nga Forumi i OJQ-ve
Mbajtur më 19 Mars 1998
 

I. Struktura e Parlamentit--Një apo Dydhomësh?

Pjesëmarrësit diskutuan rreth strukturës së Parlamentit dhe nëse do të ishte më i
përshtatshëm një parlament bikameral apo unikameral. Në veçanti, diskutimi përfshiu një
vështrim të gjërë të meritave dhe kufizimeve të bikameralizmit.

Argumentat e sugjeruara në favor të bikameralizmit ishin: mundëson një
përfaqësim më të arsyeshëm dhe ofron elementë të cilët nuk mund të paraqiten në
një sistem unikameral sepse qeveria (Ekzekutivi) mund të ndihmohet dhe
mbështetet nga një dhomë e dytë; bikameralizmi siguron më shumë qëndrueshmëri,
veçanërisht në një vend, i cili përjeton ndryshime të shpejta; siguron një punë më të
mirë legjislative dhe mund të konsiderohet si një zbatim i idesë së ndarjes së
pushteteve brenda në parlament, duke dhënë garanci për shmangien e despotizmit
legjislativ -- siç mund të jetë rasti kur qeveria (ekzekutivi) ka pak pushtet ndaj
asamblesë me një dhomë.

Argumentat e sugjeruara kundër bikameralizmit ishin: nevoja e përfaqësimit
unikameral duhet të ketë si karakteristikë sovranitetin e popullit i shprehur dhe
zbatuar mjaft thjeshtë nëpërmjet një kuvendi të vetëm; rreziku i ndërlikimit më të
madh të marrëdhënies ndërmjet parlamentit dhe qeverisë;  vështirësinë në
zgjidhjen e konflikteve që mund të lindin ndërmjet dy dhomave; në demokracitë
moderne bikameralizmi nuk është i preferuar, sepse mund të krijojë grupime
politike tërësisht kontradiktor, p.sh., mund  të ketë një dhomë të lartë konservatore
dhe një dhomë të ulët liberale; apo në mënyrë alternative ato mund të jenë
plotësisht të njëjta dhe dublikuese; bikameralizmi është karakteristikë e shtetit
federal dhe jo i nevojshëm për një shtet unitar.

Një pjesëmarrës shprehu shqetësimin se parlamenti bikameral mund të ngadalësojë
procesin e demokratizimit dhe të ndikojë negativisht në vend gjatë tranzicionit
dinamik të tij dhe kalimit të shpejtë të fazave të evolucionit shoqëror; pjesëmarrësi
shqetësohej se caktimi i kompetencave të çdo dhome do të kërkonte shumë kohë
dhe se konsesusi mbi këtë çështje mund të mos arrihej. Për këtë arsye, pjesëmarrësi
mbështeti idenë e ruajtjes së strukturës ekzistuese unikamerale.
 
 

II. Numri, Përbërja, dhe Organizimi i Brendshëm i Parlamentit

Pjesëmarrësit folën rreth organizimit të Parlamentit, e veçanërisht rreth funksionimit dhe
strukturës së udhëheqjes së saj [Kryetari dhe Nën-kryetari(ët)] si dhe numrin e
deputetëve. Diskutimi u përqëndrua edhe mbi ndikimin e migrimit të brendshëm në
përfaqësimin. U pohua se vendit i mungonte tradita e duhur rreth funksioneve praktike të
strukturës së një parlamenti. Një përfaqësues solli shembuj të jashtëm të cilët i japin
shumë autoritet dhe përgjegjësi të përhershme Kryetarit të Parlamentit.

U sugjerua që udhëheqja ekzistuese e një Kryetari dhe dy Nën-kryetarëve në
parlament ishte funksionale-- megjithëse këto pozicione duhet të paguhen me
shkallë të ndryshme pagese. Një tjetër pjesëmarrës pohoi se pozicioni i Kryetarit
duhet të përcaktohet qartë në rregulloret e parlamentit, në mënyrë që t’i japë
Kryetarit detyra të përhershme brenda kompetencave të dhëna.

Në lidhje me numrin e deputetëve, u sugjerua që, ashtu si në vendet e tjera, numri i
përfaqësuesve duhet të bazohet në kritere të lidhura me numrin e personave që
banojnë në një zonë të vençantë.  Por në të njëtën kohë, u theksua nga një
pjesëmarrës që banonte jashtë kryeqytetit se popullata po zhvendoset jashtë mase
si rezultat i migrimit urban dhe ndërsa një deputet mund të fillojë me një mandat
nga një popullsi e përcaktuar, nga fundi i mandatit të tij, ai mund të mos
përfaqësojë të njëjtin numër zgjedhësish dhe të njëjtin lloj çështjesh për zgjedhësit.
Një problem tjetër që doli ishte largimi i deputetit nga zgjedhësit e tij sapo ai fillon
të banojë në Tiranë.
 

III. Përcaktimi i Afateve Legjislative

Pjesëmarrësit e OJQ-ve paraqitën problemin e përcaktimit të afateve legjislative për
anëtarët e parlamentit dhe për vetë parlamentin në përgjithësi.  Ata theksuan se zgjedhjet
e fundit parlamentare ishin të parakohshme dhe kështu ato shërbyen si shembuj të afateve
të shkurtëra legjislative.  Për më tepër, pjesëmarrësit në përgjithësi nuk e mbështetën
përdorimin e mekanizmave të tillë në baza rutine.

Pjesëmarrësit diskutuan se afatet e shkurtëra kanë ndikim negativ për arsyet e
mëposhtme: shpenzime për zgjedhjet për buxhetin e shtetit dhe partitë politike;
ndikimin e zgjedhjeve të reja në stabilitetin e kombit, aftësinë e politikanëve për t’u
përkushtuar, dhe në jetën e përditshme normale të qytetarëve. Megjithatë, një
pjesëmarrës vuri në dukje se tensioni nuk krijohet nga afatet legjislative, por nga
partitë politike, pjekuria e të cilave është akoma në fazën e maturimit.

U sugjerua se ruajtja e legjislaturës ekzistuese katër-vjeçare ishte në përputhje me
shembujt e huaj dhe përvojën e demokracive të qëndrueshme, dhe se kjo do të sillte
stabilitetin për të përgatitur politika dhe një klasë më të sofistikuar politikanësh.
Megjithatë, disa pjesëmarrës theksuan se afatet e shkurtëra mund të aplikohen dhe
se ndryshimi politik mund të ketë efekte përfituese.
 

Pjesëmarrësit diskutuan disa shqetësime lidhur me faktin nëse duhet të ekzistojnë në
Kushtetutë data fikse për të mbledhur Parlamentin e sapo zgjedhur.

Një nga pjesëmarrësit sugjeroi se duhet të ekzistojë një Komision i Përgjithshëm
Parlamentar, dhe e drejta për t’u “vetë-mbledhur” duhet të sanksionohet për të
shmangur konfrontimin në formën e vetos nga kryetarët e shtetit -- siç ndodhte në
të kaluarën e Republikës sonë.

Një tjetër vuri në dukje se ka një ndryshim ndërmjet thirrjes së legjislaturës dhe
thirrjes së sesionit. Kjo e fundit është e fiksuar, dhe duhet të parashikohet një limit
kohe në fund të të cilit parlamenti nxjerr një “vetë-thirrje”.
 

IV. Krijimi i Komisioneve Teknike në Parlament

Pjesëmarrësit diskutuan strukturat e komisioneve parlamentare. Ata theksuan se
komisionet mund të jenë të një natyre të përkohshme dhe të përhershme.

Një përfaqësues i OJQ-ve përmendi nevojën për komisione teknike të përhershme
për çështje të tilla si bujqësia, dhe sipas nevojës krijimin e komisioneve provizore
për të adresuar nevoja urgjente.

Një pjesëmarrës vuri në dukje se komisionet teknike duhet të ekzistojnë sepse çdo
fushë ka specialistët e vet. Një pjesëmarrës tjetër mendonte se krijimi i
komisioneve teknike nuk përbën një çështje kushtetuese, por është një çështje e
Rregullores së Parlamentit. Ndërsa një tjetër pohoi se si rregull kur krijohen
komisionet teknike ato i tejkalojnë pushtetet e tyre. Kështu që, pushtetet e tyre
duhet të përcaktohen qartësisht, sapo krijohen.
 

V. Pajtueshmëria e Mandatit të Deputetit me Postin e Ministrit

Pjesëmarrësit adresuan çështjen nëse mandati i një deputeti ishte i pajtueshëm me
mbajtjen e postit të ministrit. Disa nga pjesëmarrësit nuk mendonin se pozicionet ishin të
pajtueshme sepse ato zvogëlonin pavarësinë e ndarjes së pushteteve dhe krijojnë konflikt
interesi për përfaqësuesin e qeverisë që mban dy pozicione. Një pjesëmarrës mbështeti
idenë e mbajtjes së dy pozicioneve, duke pohuar se në një republikë parlamentare, nuk
ka asnjë papajtueshmëri konceptuale.

Një ekspert  konstitucionalist dha shembuj nga vende të ndryshme, që pranonin
sistemin e dy pozicioneve, p.sh: Anglia, dhe të atyre që mendonin se pozicionet ishin
të papajtueshme, p.sh: Franca. I njëjti pjesëmarrës vuri në dukje gjithashtu se
alternativa e dy-pozicioneve pranohej njësoj në të dy draftet kushtetuese të 1994 --
ndonëse ishin hartuar nga dy parti me ide të kundërta.

Një tjetër pjesëmarrës shtoi se ishte urgjente që Kushtetuta të specifikonte një
alternativë të veçantë dhe të mos e linte të hapur për partitë politike sepse do të
ishte një pikë kritike për debat. Një pozicion i vetëm duhet të përfshihet në
Kushtetutë në rast se qeveria do të jetë nën kontrollin e parlamentit.

U theksua gjithashtu edhe ndryshimi në imunitetin e një ministri dhe një deputeti, si
dhe fakti se një person i vetëm nuk mund t’i gëzojë të dyja llojet e imuniteteve.

Një pjesëmarrës prezantoi gjithashtu edhe çështjen e statutit të tre pozicioneve të
Kryeministrit dhe se pozicione të tilla janë një barrë e rëndë për një person, duke
mos e lejuar atë të përmbushë mirë asnjë prej tyre.

Një pjesëmarrës ngriti çështjen se ata anëtarë të Parlamentit të zgjedhur direkt
nga zgjedhësit e tyre do të injoronin këto vota në rast se do të braktisnin mandatin
e tyre.
 

VI. E Drejta e Iniciativës Legjislative

Pjesëmarrësit diskutuan gjatë rreth çështjes se sa e gjërë duhet të jetë iniciativa
legjislative. Përfaqësuesit e OJQ-ve mbështetën fuqimisht idenë se subjektet ekzistuese
që kanë të drejtën e iniciativës legjislative (deputeti i Parlamentit, Këshilli i Ministrave,
Presidenti, dhe 20.000 votues) duhet të zgjerohen duke përfshirë të drejtën e OJQ-ve
për të paraqitur ligje në Parlament. OJQ-të janë një realitet i ri në shoqërinë shqiptare. Në
një demokraci funksionale, ato shërbejnë si ndërmjetës midis qeveritarëve dhe elektoratit
të tyre, dhe pjesëmarrësit diskutuan nëse duhej reflektuar në Kushtetutë e drejta e
OJQ-ve për iniciativë ligjore apo jo.

Pjesëmarrësit u përqëndruan në faktin se Kushtetuta duhet të sanksionojë të
drejtën e OJQ-ve për t’u dëgjuar, dhe mund të jetë e mjaftueshme përfshirja e
detajeve në Rregulloret e Komisioneve Parlamentare mbi të drejtën e OJQ-ve për
të shprehur mendimin e tyre dhe për t’u dëgjuar në rastin e paraqitjes së
projekt-ligjeve.

Një pjesëmarrës vuri në dukje faktin se në rast se një OJQ ka 20,000 anëtarë,
duhet të gëzojë të drejtën e iniciativës ligjore; ndërsa të tjerët pranuan se përvojat
e kaluara kanë treguar se grumbullimi i 20,000 firmave është një punë
jashtëzakonisht e vështirë, dhe se OJQ duhet të kenë një rrugë më të lehtë për në
Parlament.

Të tjerët theksuan se roli i OJQ-ve duhet të jetë promocional, dhe se ato duhet të
luajnë vetëm një rol lobimi për të bindur ata që gëzojnë të drejtën e iniciativës për
të prezantuar një projekt-ligj. U përmend një mënyrë më e thjeshtë për OJQ për të
prezantuar projekt-ligjet e tyre nëpëmjet sigurimit të mbështjetjes nga një deputet.
Kështu që, e drejta e iniciativës së deputetit duhet të ruhet dhe do ti shërbejë OJQ
në grumbullimin e alternativave mbi politikat.

Një argument kundërshtues ishte shqetësimi se paraqitja e ligjeve në Parlament
nga çdo OJQ mund të krijojë një situatë kaotike; në të njëtën kohë, pjesëmarrësi
sugjeroi të kufizohej edhe e drejta e Presidentit për iniciativë.

Të tjerët mbështetën idenë e ruajtjes së të drejtave ekzistuese të iniciativës
legjislative.
 
 

VII. Proçedurat për Hartimin e Ligjeve dhe e Drejta e Qytetarëve për të
Ngritur Çështje  në Parlament

Kjo çështje shkaktoi debat jo vetëm për sa i përket çështjes direkt, por edhe se sa e
detajuar ajo duhet të jetë në Kushtetutë. Pjesëmarrësit mbështetën të drejtën e qytetarëve
për t’u dëgjuar në rastin e prezantimit të një projekt-ligji, në dy nivele: 1) e drejta
konstitucionale e publikut për t’u dëgjuar; dhe 2) e drejta për t’u dëgjuar (që nënkupton
transparencë në Parlament) që rrjedh nga Rregulloret e Parlamentit. Të tjerët debatuan
nëse shqiptarët duhet të “institucionalizojnë” ligjin - a duhet të përfshihen  në Kushtetutë të
gjitha procedurat e mundshme të ligjit. Një person  theksoi se kjo çështje duhet  të gjejë
patjetër zgjidhje në Kushtetutë dhe se të drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar duhet t’i
jepet vendi i duhur në Kapitullin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. U shtua gjithashtu se,
pjesëmarrja e OJQ-ve duhet konsideruar brenda kuadrit të së drejtës së qytetarëve për
t’u dëgjuar.
 

VIII. Organizimi dhe Shpallja e Referendumit

Pjesmarrësit debatuan për nevojën e referendumit, statusin e tij krahasuar me ligjet e tjera
dhe kriteret mbi të cilat ai duhet përdorur. Shumica e pjesëmarrësve ranë dakort që
refendumi duhet të përdoret vetëm për zgjidhjen e cështjeve madhore dhe për rastin e
Kushtetutës.

Pjesëmarrësit theksuan se Kushtetuta duhet të përcaktojë qartë kur, mbi cilat
çështje dhe kush ka të drejtën të thërrasë një referendum. Të tjerët theksuan se në
Kushtetutë duhet të jepen vetëm kriteret e referendumit dhe jo specifikimi i
çështjeve.

Disa pjesëmarrës mbështetën nevojën për të përcaktuar rolin prioritar të
referendumit, dhe fuqinë e duhur të tij për të parandaluar Parlamentin të
mbështesë një ligj që është në kundërshtim më rezultatet e referendumit.

Të tjerët sugjeruan se referendumi duhet të luajë vetëm një rol këshillimor, duke
nënvizuar se referendumet përmbajnë gjithmonë rrezikun e populizmit nga
politikanët. U pranua se në një shtet parlamentar ligji është i pari dhe pas tij vjen
referendumi, duke pasur një karakter këshillimor.  Për shembull, ai mund të
përdoret në rolin e këshilluesit për të adresuar konfliktet e shfaqura, siç është
forma e regjimit që u trajtua në Qershor 1997.

Pjesëmarrësit gjithashtu diskutuan nevojën e përcaktimit qartë nëse referendumi
do të ketë një efekt detyrues apo këshillimor dhe kush do t’i japi refendumit fuqi
efektive, si në rastin kur vendimi merret nga parlamenti dhe shpallja e tij bëhet nga
Presidenti.
 

IX. Aprovimi dhe Amendimi i Kushtetutës

Pjesëmarrësit diskutuan procedurat për të adoptuar dhe amenduar Kushtetutën. Shumica
e ekspertëve ranë dakort se projekt Kushtetuta aktuale duhet të miratohet nga Komisioni
Parlamentar për Kushtetutën dhe pastaj të kalojë në referendum.
 

Me qëllim që të shtojë jetëgjatësinë, pjesëmarrësit ata diskutuan nëse ajo duhet të
aprovohet nga palamenti pasardhës me shumicë të thjeshtë votash (50% +1), apo
jo.  Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin se Parlamenti i ardhshëm mund të përpiqet
më vonë të ngushtojë të drejtat në Kushtetutë.  Të tjerët kishin të njëjtën frikë dhe
sugjeruan që kushtetuta në mënyrë eksplicite duhet të përcaktojë se asnjë ndryshim
në drejtim të zvogëlimit të të drejtave nuk duhet lejuar.

Një përfaqësues OJQ sugjeroi se Kushtetuta nuk duhet të mbahet peng: partia në
pushtet dhe opozita duhet të ulen dhe të diskutojnë rreth disa çështjeve të veçanta,
përndryshe në qoftë se konsensusi nuk arrihet ajo të kalojë në referendum. Një
tjetër sugjeroi se duhet të ekzistojnë opsione të tjera që kanë të bëjnë me
përdorimin e testeve të publikut në rastet kur politikanët nuk gjejnë zgjidhje të
përshtatshme.
 

X. Sovraniteti

Pjesëmarrësit ranë dakort se çështja e sovranitetit ishte e rëndësishme në lidhje me
ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Shqipërisë.  Pjesëmarrësit ranë
dakort se Kushtetuta duhet të adresojë çështjen nëse duhet njohur supremacia e
marrëveshjeve dhe ligjeve  ndërkombëtare dhe nevoja për të miratuar legjislacion zbatues
kur kjo kërkohet nga ligji ndërkombëtar.

Pjesëmarrësit njohën rëndësinë e detyrimeve ligjore ndërkombëtare dhe nevojën
për të përbushur standartet ndërkombëtare të vendeve të zhvilluara. Një
pjesëmarrës paraqiti problemin e vakumit legjislativ--siç është rasti i Gjykatës
Kushtetuese që vepron pa ligjin përkatës megjithëse kërkohet në Kushtetutë.
Veprimi i Këshillit të Ministrave u përmend gjithashtu se nuk zotëron një ligj të
detajuar ndonëse parashikohet në Kushtetutë.

Një sërë të drejtash të siguruara me Kushtetutë nuk trajtohen në akte të tjera
ligjore. Pjesëmarrësit përmendën se në qoftë se Shqipëria do që t’i përmbahet
konventave, duhet që jo vetëm t’i nënshkruajë ato por duhet të sigurojë edhe
zbatimin përkatës të tyre.
 

 Pjesëmarrësit në Grupet e Diskutimit të Fokusuar  Çështje të Pushtetit Legjislativit
 Tiranë, 19-20 Mars, 1998
 

Përfaqësues OJQ-sh
 
1.  Fondacioni për Pajtimin e Mosmarrëveshjeve
    Tomi Treska/ Pedagog dhe Jurist

2.  Shoqata e Juristëve te Rinj
     Naim Isufi/Jurist

3.  Bashkimi Kombetar i Fermereve te Shqiperise
     Nesti Zoi/Agronom

4.  Bashkimi i Intelektualëve të Vlorës
     Ylli Lalo/Inxhinier Nafte
     Dhionis Andoni/Oficer Marine
     Mihallaq Argjiri/Inxhinier Nafte

5. Qëndra e Asistencës së Shoqatave të Biznesit/Korcë
    Kostika Roco

6. Akuarius
   Adrian Vaso/Manaxher

7.  Komiteti Shqiptar i Helsinkit
     Arben Puto / Historian

8. Qëndra për Studime Ekonomike dhe Sociale
    Ilir Gëdeshi / Ekonomist
    Ejonta Pashaj/Ekonomiste
    Etleva Dashi / Ekonomiste

9. Fondacioni “Për Kulturë Juridike”
    Ilir Dhima/Drejtor Ekzekutiv

Specialistë

10. Luan Omari
     Jurist / E Drejta Publike
     (Fondacioni për Kulturë Juridike)

11. Jusuf Alibali
      Jurist / Histori e Shtetit dhe e së Drejtës
     (Studio Legale e Jusuf Alibalit)

12.  Ylvi Myrtja
     Jurist / Civilist
     (Sekretar i Dhomës Kombëtare të Avokatëve)

13.  Njazi Jaho
      Jurist / Penalist
      (Komiteti Shqiptar i Helsinkit)

14.  Vjollca Mecaj
       Juriste/Notere
       (Shoq. e Grave Juriste)

15.  Arta Mandro
       Juriste / Pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Juridik

16.  Paskal Haxhi
       Ministria e Drejtësisë, I ngarkuar me botimin “Drejtësia”

17.  Artan Hoxha
       Konsulent në Ekonomi
       Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Bashkëkohore
 
18.  Elio Mazreku
       Jurist / Ambjenti & e Drejta Penale, Shoq. “Akuarius”
 
19. Teuta Dilo
      Rektore e Universitetit të
      Elbasanit

20. Banush Mezini
      Rektor i Universitetit të Gjirokastrës

21. Aurela Anastasi
      Juriste/Pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Juridik

22. Vladimir Molla
      Gjyqtar/Gjykata e Korcës

23. Blerta Kraja
     Juriste/Gazetare

24. Arta Mandro
     Juriste/Pedagoge

Qeveritarë

25. Kristaq Traja
      Stafi Teknik për Hartimin e Kushtetutës

26. Genti Ibrahimi
      Këshilltar Ligjor në Ministrinë e Ref. Legjislative

27. Andrea Lako
      Këshilltar Ligjor në Ministrinë e Ref. Legjislative

28. Sokol Berberi
      Jurist pranë Parlamentit Shqiptar

Përfaqësues të Partive Politike

29. Petrit Kalakula
      Partia e Djathtë Demokratike

Vëzhgues

30. Këshilli i Evropës
      Giovani Favilli

31. Instituti Ndërkombëtar Republikan
      Eric Heighberger
 

Hosted by www.Geocities.ws

1