Diskutimi i Fokusuar në Grup Nr.1 Për
Çështje të Kushtetutës--Gjyqësori
 
 Sugjerime të Dala nga Diskutimi i Fokusuar në Grup mbi
Çështje të Kushtetutës të Ngritura nga forumi i OJQ-ve
Mbajtur më 19 Janar 1998
 

I. Një Gjyqësor i Paanshëm:  Papajtueshmëria e Detyrës së Gjyqtarit me
Detyra të Tjera dhe me Përkatësinë në Partitë Politike. 

Pjesëmarrësit diskutuan rolin e Kushtetutës në përkrahjen e një gjyqësori të paanshëm.  Ata
vunë në dukje nevojën për një gjyqësor të paanshëm sidomos në lidhje me çështjet që kanë
të bëjnë me partitë politike.  Pjesëmarrësit ishin të mendimit se për të përkrahur paanësinë e
gjyqësorit, hartuesit duhet të kenë në konsideratë faktin nëse gjyqtarët duhet të ushtrojnë
ose jo funksione të tjera apo të kenë përkatësi politike.  Në mënyrë të veçantë ata ngritën
pyetjen nëse gjyqtarët duhet të mbajnë ose jo pozicione në degë të tjera të qeverisë duke
shërbyer si profesorë të Fakultetit të Drejtësisë apo të Shkollës së Magjistraturës, duke
ushtruar profesionin e lirë si avokatë privatë apo duke patur një pozicion aktiv në një parti
politike.  (Disa pjesëmarrës mendonin se pozicioni i profesorit në fushën e drejtësisë ishte i
pajtueshëm me pozicionin e gjyqtarit).

Pjesëmarrësit komentuan mbi kriteret që duhet të vendosen në mënyrë që të rritet sa
më shumë pa-anshmëria e gjyqtarit.  Në bazë të diskutimeve, pjesëmarrësit
sugjeruan:
që gjyqtari s’duhet të jetë anëtar i ndonjë dege tjetër të qeverisjes;
nuk duhet të jetë as nëpunës në sektorin privat dhe publik;
nuk duhet të jetë prokuror apo hetues në të njëjtën kohë;
por, gjyqtari mund te jetë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë ose në Shkollën
e Magjistraturës.

Gjyqtari nuk mund të jetë president i një shoqërie aksionere, por a mund të jetë
anëtar i kësaj shoqërie?  Nëse Gjyqtari mund të jetë anëtar, deri në çfarë shkalle
mund të jetë i përfshirë ai.  A mund të rregullohen kritere të tilla me Kushtetutë apo
nëpërmjet një ligji tjetër?  Në lidhje me këtë çështje pjesëmarrësit nuk patën ndonjë
sugjerim konkret përveçse sugjerimit që një gjë e tillë mund të rregullohet ndoshta me
një ligj të veçantë nëse flitet për shkallën e anëtarësisë apo të përfshirjes së gjyqtarit
në një shoqëri aksionere, pasi kushtetuta mund të mos përcaktojë detaje kaq të
shumta.  Ndoshta kjo mund të sjellë si nevojë ndryshimin e ligjit “Mbi Organizimin e
Lartë të Drejtësisë” vetëm në atë pikë që duhet të bëjë klasifikimin e përfshirjes së
gjyqtarit në një shoqëri aksionere.

Pjesëmarrësit u shprehën që gjyqtari mund të jetë pronar apo bashkëpronar i një
pasurie të paluajtshme (pa përjashtuar këtu pasurinë e luajtshme), por ai nuk mund
ta administrojë atë pasuri.  Gjyqtari mund t’ja delegojë pushtetin e administrimit të
pasurisë së tij një tjetri dhe të heqë dorë nga administrimi i saj.  Ai nuk mund të heqë
dorë asnjëherë nga pronësia e tij.
 


U sugjerua që kushtetuta të shprehet qartë se çfarë i lejohet gjyqtarit të bëjë dhe
çfarë nuk i lejohet.  Kushtetuta duhet të shprehë gjithashtu në mënyrë të qartë se
gjyqtari duhet të heqë

dorë nga ato çështje të cilat kanë të bëjnë me konflikt të interesave të tij dhe
ato të çështjes që ai ka të bëjë.
 

II. Emërimi, Përzgjedhja dhe Disiplinimi i Gjyqtarëve--Roli i Këshillit të Lartë
të Drejtësisë ose Organeve të Tjera Përgjegjëse

Pjesëmarrësit diskutuan për sa i përket sistemit të emërimit, zgjedhjes, disiplinimit dhe
lëvizjes nga detyra të gjyqtarëve.  Ata ishin të një mendjeje për sa i përket faktit se
Kushtetuta duhet të specifikojë organet që do të përfshihen në këtë proçes dhe proçedurat
që mund të ndiqen.  Pjesëmarrësit i identifikuan këto çështje si të rëndësishme në proçesin e
ndarjes së pushteteve,  dhe të rëndësishme për integritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Pjesëmarrësit vunë në dukje faktin që përzgjedhja ose sistemi i emërimit do të varen
nga kompetencat që do t’i jepen gjyqësorit nga kushtetuta.  Për sa i përket sistemeve
të emërimit të gjyqtarëve u sugjeruan dy versione sistemesh:
Sistemi i balancimit që ndihmon për një zgjidhje politike sa më efektive dhe në
këtë rast ekzekutivi do të ketë të drejtë të thotë fjalën e tij dhe;
Sistemi korporativ që nuk lejon që pushtetet e tjera të kenë fjalën e tyre në
këtë çështje.  Ekzistenca e një organi korporativ do të jetë një mundësi që të
bëjë përzgjedhjen dhe seleksionimin e kandidatëve dhe më pas emërimi i
kandidatëve të bëhet nga populli me anë të zgjedhjeve.

Një nënçështje tjetër që u diskutua ishte se cilido nga këto dy sisteme të përdoret,
(megjithëse pjesëmarrësit theksuan si më të përshtatshëm sistemin korporativ) një
seleksionim i kandidatëve për gjyqtar duhet të bëhet me anë të vendosjes së disa
kritereve të tilla:
Si në bazë të shqyrtimit të Curriculum Vitae;
Duke ndjekur dhe zbatuar kriteret e praktikës ndërkombëtare;
Përfshirjen sa më të madhe të komunitetit ligjor;
Kualifikimi nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës;
Përgatitja e një testi seleksionues për të gjithë kandidatët.

Për shqyrtimin e një sërë kriteresh dhe diskutimin e aftësive profesionale, morale dhe
etike të kandidatëve për gjyqtar si dhe të vetë gjyqtarëve u sugjerua që Kushtetuta të
rregullojë shprehimisht krijimin e këtyre organeve të mundshme që mund të bëjnë
përzgjedhjen dhe më pas të bëhet emërimi i gjyqtarëve.  Organet e sugjeruara mund
të jenë:
Këshilli i Lartë i Drejtësisë;
Konferenca Gjyqësore;
Komuniteti i Juristëve ku përfshihen të gjitha organizatat profesionale;
Asnjë organ, por vetë populli.


Përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve si një listë në tërësi mund të jetë një proces
i brendshëm i gjyqësorit duke lënë si finalistë në dhënien e vendimit ekzekutivin dhe
legjislativin duke u përpjekur që të respektohet parimi “checks and balances”.

Disiplinimi i gjyqtarëve është një moment tjetër që u diskutua në lidhje me
përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve.  Disa pjesëmarrës sugjeruan që organi që do
t’i emërojë mund të jetë organi që do të bëjë dhe disiplinimin e gjyqtarëve.
Pjesëmarrës të tjerë menduan që një gjë e tillë mund të sjellë si pasojë shkeljen e
pavarësisë së gjyqtarëve, prandaj këto pjesmarrës sugjeruan që Kushtetuta mund të
rregullojë krijimin e një organi tjetër që të merret me disiplinimin e gjyqtarëve dhe të
prokurorëve.  Si rezultat i këtyre dy sugjerimeve të ndryshme pjesëmarrësit listuan
idetë e mëposhtme:
Këshilli i Lartë i Drejtësisë (K.L.D) të ketë të drejtë vetëm të pezullojë
gjyqtarët, por jo t’i shkarkojë ato.  Duhet të jetë një organ tjetër që të merret
me shqyrtimin e procedurës së shkarkimit të gjyqtarëve apo të prokurorëve;
Nëse do të pranohet ekzistenca e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duhet të
merret parsysh që K.L.D., duhet të merret vetëm me politikat gjyqësore;
Organi disiplinues për sistemin gjyqësor duhet të jetë një organ gjyqësor ose
quasi-gjyqësor, por t’i vihet një rëndësi e veçantë të drejtës së apelimit ndaj
një mase (vendim gjyqësor) disiplinore, psh., në Gjykatën e Shkallës më të
lartë (Kasacioni ose Supreme).
Procesi disiplinor i gjyqtarëve të ndahet nga procesi disiplinor i prokurorit.

Administrimi dhe ekzekutimi i anës financiare të gjyqësorit është një çështje delikate
dhe në pikëpyetje nëse do t’i lihet ekzekutivit apo K.L.D.?  U sugjerua që të krijohet
një organ administrativ i pavarur brënda hallkës gjyqësore që të merret direkt me një
procedurë të tillë financiare dhe buxhetore për gjyqësorin.  U vu në dukje që nuk ka
dhe nuk mund të ketë një gjyqësor të pavarur e të pastër nëse buxhetin e ka në dorë
shteti apo K.L.D për t’u administruar.

Duhet rishikuar përshtatshmëria e Ligjit Mbi Shkollën e Magjistraturës, e Ligjit Mbi
Organizimin e Lartë të Drejtësisë në bazë të parimeve të Kushtetutës së re, pasi
kriteret e seleksionimit, përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve
duhet të jenë të unifikuara dhe jo konfuze.  Megjithatë, momentalisht ligji për
Shkollën e Magjistraturës bie ndesh me parimin e përzgjedhjes nga organizatat
profesionale ashtu u sugjerua pasi kandidati për magistrat e fiton këtë status sapo
hyn në Shkollën e Magjistraturës.  Pra është një përzgjedhje në një formë tjetër.

Një nënçështje tjetër është se kush do të jetë ai organ që do të përgatisë dhe të
përcaktojë raportin e nevojave të gjyqtarëve në tërësi në të gjithë republikën.  Deri
tani një punë të tillë e ka bërë Ministria e Drejtësisë.  Por gjithashtu edhe Ligji për
Shkollën e Magjistraturës i referohet përcaktimit të nevojave për gjyqtarë si një
kompetencë e K.L.D.  Një gjë e tillë ka nevojë për një përcaktim më rigoroz dhe të
qartë në bazë të sistemit të ri që do të krijohet me Kushtetutën.
 

III. Shqyrtimi Gjyqësor Kushtetues dhe Identifikimi i Organit (Organeve) që do
të Kryejë Këtë Shqyrtim:  Gjykatë Kushtetuese, një Gjykatë e Lartë e Vetme apo
Sisteme të Tjera

Pjesëmarrësit diskutuan për sisteme të ndryshme të shqyrtimit gjyqësor kushtetues.  Ata
identifikuan organe të ndryshme--të tilla si një gjykatë kushtetuese, një gjykatë të lartë të
vetme ose një këshill shtetëror--që mund të përcaktohet në kushtetutë për të drejtuar
shqyrtimin gjyqësor kushtetues.  Pjesëmarrësit komentuan gjithashtu polemikën aktuale
midis Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Shqyrtimi gjyqësor kushtetues duhet të ekzistojë dhe të parashikohet nga kushtetuta e
re patjetër dhe vetëm priori dhe jo posterior.  Shqyrtimi konkret sugjerohet të bëhet
brënda sistemit gjyqësor të unifikuar.  Megjithatë, ekziston pyetja se atribut i kujt
duhet të jetë:  i Gjykatës së shkallës së parë, Gjykatës së Kasacionit, apo i një
Gjykate të Lartë?  Pjesëmarrësit sugjeruan që mund të krijohet një Gjykatë e Lartë e
cila mund të ketë atribute të tilla.

Një pjesë tjetër e tyre theksuan që ky mund të jetë atribut i të gjithë gjyqtarëve që
nga shkalla e parë.

Pjesëmarrësit diskutuan veçanërisht çështjen se a duhet të ketë një kontroll të
kushtetueshmërisë së ligjeve.  Ato sugjeruan që një kontroll i tillë është i nevojshëm
patjetër dhe mund të bëhet nga Këshilli Kushtetues (jo organ gjyqësor) i cili futet në
procesin legjislativ para se ligji të aprovohet nga parlamenti.  Kështu që Këshilli
mund të bëjë vërejtjet dhe sugjerimet dhe më pas ligjet të kalohen me më shumë se
2/3 e votave.

Një problem tjetër shumë sensitiv i ngritur nga pjesëmarrësit është se kush do të
shqyrtojë konfliktet midis ligjeve dhe konfliktet midis shtetasve dhe shtetit.  Këto
konflikte duhet të shqyrtohen nga instanca të ndryshme dhe jo nga e njëjta instancë.
Pjesëmarrës të tjerë sugjeruan që kjo mund të krijohet me anë të një sistemi hibrid.
Të drejtat kushtetuese të individit mund të shqyrtohen nga të tre instancat e
gjykatave.  Ndërsa konfliktet midis institucioneve mund të drejtohen vetëm në
Gjykatën e Lartë nëse do të ketë një gjykatë të tillë në të ardhmen.  Prandaj problemi
qëndron nëse do të ketë Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatë të Lartë, pasi i tërë sistemi
varet nga ekzistenca e njërës prej tyre.

Nëse në rastet e konflikteve midis dy juridiksioneve, cili interpretim do të ketë
prioritet?
Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë apo vendimi i Gjykatës Kushtetuese
ose Këshillit Kushtetues?  Për shembull, nëse Gjykata thotë jo për një ligj dhe
parlamenti e miraton atë si do të zgjidhet konflikti?  Pjesëmarrësit menduan
se Gjykata është organi kompetent që duhet të thotë fjalën e fundit.  Dhe për
këtë duhet një gjykatë e vetme që të ushtrojë të gjithë pushtetin juridik.
Vendimet e saj duhet të jenë të detyrueshme në lidhje me legjislativin.

Gjithashtu pjesëmarrësit dolën me sugjerimin e dy organeve të mundshme për
shqyrtimin gjyqësor:
Këshilli Kushtetues
Të jetë përpara procesit legjislativ dhe të japë mendimin ligjor në
lidhje me projek-ligjet   të cilat më pas duhet të kalohen
me një shumicë votash më shumë se 2/3 e votave.  Një këshill i tillë
mund të ketë nën juridiksion mosmarrëveshjet midis organeve
qëndrore dhe organeve lokale.
Gjykata e Lartë
Kjo Gjykatë mund të shqyrtojë çdo ankesë që është rezultat i konfliktit
midis institucioneve dhe shtetasve.  Gjjthashtu, kjo gjykatë mund të
shqyrtojë çdo ankesë të shtetasve në lidhje me të në rastet e shkeljes së
drejtave të tyre kushtetuese.
 

IV. Sistemi Anglo-Sakson (Common Law) Përkundrejt Sistemit të së Drejtës
Civile (Roman Law)


Pjesëmarrësit diskutuan mbi avantazhet dhe disavantazhet e sistemit anglo-sakson
përkundrejt atij të së drejtës civile.  Ndryshimet përfshijnë përdorimin e vendimeve
gjyqësore si precedentë dhe  gjykimi i çështjeve penale nga një juri e përbërë prej
personave që nuk janë pjesë e komunitetit të juristëve.

Anët e mira që ka sistemi “Common Law” në lidhje me traditën dhe shqyrtimin e
praktikës së mëparshme të vendimeve të Gjykatës së Lartë.  Lidhur me këtë ndoshta
përdorimi i precedentit gjyqësor do të jetë një ndihmesë më e madhe për sistemin
gjyqësor në Shqipëri nëpërmjet vënies në zbatim të një sistemi të tillë ku vendimet e
Gjykatës së Kasacionit të jenë vendime orientuese për gjykatat e shkallëve më të ulta
gjatë procesit të tyre në marrjen e vendimeve.  Kjo praktikë mund të përdoret me
qëllimin e mirë për të vendosur një praktikë gjyqësore të qëndrueshme dhe të drejtë.

Një moment tjetër që u paraqit në diskutim është që cili do të jetë pozicioni i
Vendimeve Gjyqësore Ndërkombëtare duke u parë nga këndvështrimi i zbatimit të
këtyre vendimeve nga gjykata shqiptare apo përdorimi i tyre si precedentë në dhënien
e vendimeve të mëvonshme nga këto gjykata në çështje të ngjashme.  Ndoshta një
situatë e tillë mund të sjellë nevojën e institucionalizimit të përdorimit të precedentit
gjyqësor në sistemin gjyqësor shqiptar.

Gjithashtu konvergimi i këtyre dy sistemeve do sjell si nevojë riorganizimin e sistemit
gjyqësor në varësi të rolit që do të kenë gjykatat:  gjykata do bëjë ligje apo do të
zbatojë ligjet (statutet).
 
Kush do të jetë organi apo organet gjyqësore që do të kenë fuqinë për interpretimin e
kushtetutës?  Disa pjesëmarrës patën sugjerime që të jetë vetëm Gjykata
Kushtetuese.  Disa të tjerë sugjeruan që të gjitha gjykatat duke filluar që nga gjykata
e shkallës së parë ta kenë këtë fuqi.

Disa pjesëmarrës komentuan mbi mundësinë e krijimit të një gjykate të lartë që të
jetë i vetmi organ gjyqësor që mund të ketë fuqinë e interpretimit të kushtetutës.

Lista e Pjesëmarrësve në
Diskutimin e Fokusuar në Grup Nr. 1 për
Çështje të Kushtetutës--Gjyqësori
Mbajtur më 19 Janar 1998
 

1. Thimio Kondi  Ministria e Drejtësisë
2. Artan Hajdari  Ministria e Drejtësisë
3. Vjollca Prroni  Ministria e Drejtësisë
4. Rustem Gjata  Gjykata Kushtetuese
5. Sokol Berberi  Kryesia e Kuvendit Popullor
6. Avni Shehu  Gjykata e Kasacionit
7. Perikli Zaharia  Gjykata e Kasacionit
8. Petrit Plloçi  Gjykata e Kasacionit
9. Ylli Manjani  Fondacioni SOROS (përfaqësues i OJQ-ve)
10. Naim Isufi  Shoqata e Juristëve të Rinj (përfaqësues i OJQ-ve)
11. Luljeta Xhixho Shoqata e Grave Juriste (përfaqësues i OJQ-ve)
12. Krenar Loloçi  Kabineti i Kryeministrit
13. Arben Imami  Ministria e Reformës Ligjore dhe për Marrëdhëniet me Parlamentin
14. Kristaq Traja  Kabineti i Ministrit për Reformë Ligjore dhe Marrëdhëniet me Parlamentin
15. Jonuz Bega  Parliamenti Shqiptar
16. Ariana Fullani Shoqata e Grave Ligjore dhe Klinikë Ligjore e Grave (përfaqësues i OJQ-ve)
17. Flutura Laknori Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste (përfaqësues i OJQ-ve)
 

Hosted by www.Geocities.ws

1