_________________________________________________________________________
   Informacion mbi Procesin e Hartimit te Kushtetutes ne Shqiperi Janar 1998
_____________________________________________________________________________________
 
 

Forumi mbi Gjyqësorin, i Organizuar nga CEELI-GTZ

Në 18 dhjetor 1997, me financimin dhe
asistencën e Shoqërisë Gjermane për
Asistencë Teknike (GTZ), Iniciativa Ligjore
për Vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore, program
i  Organizatës së Juristëve Amerikanë (ABA/CEELI),
organizoi Forumin e parë për Kushtetutën.  Forumi -- i
përqëndruar në pushtetin gjyqësor--nisi fazën e
pjesmarrjes së publikut në procesin e hartimit të
kushtetutës dhe edukimit të publikut.  Gjatë forumit,
qytetarë dhe grupe qytetarësh shqiptarë, identifikuan
çështje të lidhura me gjyqësorin, që sipas tyre duhet të
përfshihen në kushtetutën e re shqiptare.  Në forum
morën pjesë rreth dyzetepesë persona, përfaqësues të
OJQ-ve, sistemit gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë,
Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës dhe
të Shkollës së Magjistraturës.  Në një ushtrim
"brainstorming" të kontrolluar, drejtuar nga lehtësues
shqiptarë dhe të huaj, pjesmarrësit u inkurajuan të
ngrinin lirisht çështje që ata i mendonin si të
rëndësishme për kushtetutën.  Pasi diskutuan çështjet e
ngritura, pjesmarrësit votuan për të identifikuar më të
rëndësishmet prej tyre.  Raportues për secilin grup,
ndanë rezultatet e arritura në një seancë plenare të
mëvonshme.

Pas forumit, CEELI i kombinoi rezultatet e secilit nga
katër grupet në një listë të vetme çështjesh, dhe ia
paraqiti atë Komisionit Kushtetues të Parlamentit.  Pas
kësaj, CEELI dhe QAKAPP-i ia shpërndanë këtë listë
shtypit shqiptar.  Kjo listë çështjesh shpresohet që të
përfshihet në diskutimet e përqëndruara në grupe,
seminare, dhe në ngjarjet e medias; dhe së fundmi do
t'i drejtohet hartuesve të kushtetutës shqiptare.
 
Forumi përbën një shembull bashkëpunimi dhe
koordinimi midis shumë grupe donatorësh vendas dhe
të huaj që u përfshinë në të.  Ky forum u organizua dhe
u paraqit nga ABA/CEELI dhe GTZ.  Si lehtësues për
grupet e diskutimit shërbyen përfaqësues nga Ministria
e Drejtësisë, OSBE-ja, Komisioni i Venecias i
Këshillit të Evropës, Qendra Administrative për
Koordinimin e Asistencës dhe Pjesëmarrjen e Publikut
(QAKAPP), dhe nga ABA/CEELI.  Shkolla Shqiptare
e Magjistraturës, siguroi vendin e zhvillimit të forumit.
Dhe së fundi, Ministria e Reformës Institucionale dhe
e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe QAKAPP-i,
siguruan një mbështetje dhe asistencë organizative
shumë të vlefshme.

Rezultatet e forumit po jepen më poshtë.  Çështjet e
identifikuara nga pjesmarrësit, janë rradhitur në listë
sipas numrit të votave që morrën gjatë forumit.
Megjithëse shumë pjesëmarrës shprehën mendimet për
zgjidhjet e mundshme të disa prej këtyre çështjeve,
qëllimi i këtij forumi të parë ishte të ngrinte probleme,
dhe jo t'i zgjidhte ato.

Një Gjyqësor i Paanshëm:  Papajtueshmëria e Detyrës
së Gjyqtarit me Detyra të Tjera dhe me Përkatësinë
Partiake.

Pjesëmarrësit diskutuan rolin e Kushtetutës në
përkrahjen e një gjyqësori të paanshëm.  Ata vunë në
dukje nevojën për një gjyqësor të paanshëm sidomos
në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me partitë
politike.  Pjesëmarrësit ishin të mendimit se për të
përkrahur paanësinë e gjyqësorit, hartuesit duhet të
kenë në konsideratë faktin nëse gjyqtarët duhet të
ushtrojnë ose jo funksione të tjera apo të kenë
përkatësi politike.  Në mënyrë të veçantë ata ngritën
pyetjen nëse gjyqtarët duhet të mbajnë ose jo pozicione
në degë të tjera të qeverisë duke shërbyer si profesorë
të Fakultetit të Drejtësisë apo të Shkollës së
Magjistraturës, duke ushtruar profesionin e lirë si
avokatë privatë apo duke patur një pozicion aktiv në
një parti politike.  (Disa pjesëmarrës mendonin se
pozicioni i profesorit të  drejtësisë ishte i pajtueshëm
me pozicionin e gjyqtarit).

Emërimi, Përzgjedhja dhe Disiplinimi i Gjyqtarëve--Roli i Këshillit
 të Lartë të Drejtësisë ose Organeve të Tjera Përgjegjëse

Pjesëmarrësit diskutuan për sa i përket sistemit të
emërimit, zgjedhjes, disiplinimit dhe lëvizjes nga
detyra të gjyqtarëve.  Ata ishin të një mendjeje për sa
i përket faktit se Kushtetuta duhet të specifikojë
organet që do të përfshihen në këtë proces dhe
procedurat që mund të ndiqen.  Pjesëmarrësit i
identifikuan kët
o çështje si të rëndësishme për  ndarjen
e pushteteve, dhe për integritetin dhe pavarësinë e
gjyqësorit.

Shqyrtimi Gjyqësor i Kushtetueshmërisë dhe
Identifikimi i Organit (Organeve) që do të Kryejë Këtë
Shqyrtim:  Gjykatë Kushtetuese, një Gjykatë e Lartë e
Vetme apo Sisteme të Tjera

Pjesëmarrësit diskutuan për sisteme të ndryshme të
shqyrtimit gjyqësor te kushtetueshmerise. Ata
identifikuan organe të ndryshme--të tilla si një gjykatë
kushtetuese, një gjykatë të lartë të vetme ose një këshill
shteti--që mund të përcaktohet në kushtetutë për të
drejtuar shqyrtimin gjyqësor te kushtetueshmerise.
Pjesëmarrësit komentuan gjithashtu mosmarrëveshjen
aktuale midis Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësia e Gjyqësorit

Pjesëmarrësit ranë dakort me faktin se Kushtetuta duhet
të përmbajë garanci për të përkrahur pavarësine e
gjyqësorit.  Pjesëmarrësit e disa grupeve diskutuan për
çështje të veçanta si pavarësia politike, administrative
dhe financiare e gjykatave.

Pavarësia Financiare e Gjyqësorit

Pjesëmarrësit diskutuan për rolin e pavarësisë
financiare në përkrahje të integritetit të gjyqësorit dhe
të ndarjes së pushteteve.

Sistemi Anglo-Amerikan (Common Law) vs. Sistemit të
së Drejtës Civile (Civil Law)

Pjesëmarrësit diskutuan mbi avantazhet dhe
dizavantazhet e sistemit anglo-amerikan përkundrejt
atij të së drejtës civile.  Ndryshimet përfshijnë
përdorimin e vendimeve gjyqësore si precedentë dhe se
gjykimi i çështjeve penale nga një juri e përbërë prej
personave që nuk janë pjesë e komunitetit të juristëve.

Gjykat/Gjyqtarët e Specializuar

Disa pjesëmarrës sugjeruan se hartuesit e Kushtetutës
duhet të konsiderojnë faktin nëse Kushtetuta do të
vendosë për ekzistencën e gjykatave apo gjyqtarëve të
specializuar, për shembull për çështjet e falimentimit
apo për çështje që kanë të bëjnë me të miturit etj.
Pjesëmarrës të tjerë mendonin se kjo çështje mund të
trajtohej më mirë në një ligj të veçantë sesa në
Kushtetutë.

Trainimi/Kualifikimi Gjyqësor

Pjesëmarrësit identifikuan si çështje e një rëndësie të
veçantë,  çështjen e trainimit/kualifikimit gjyqësor.
Ata vunë në dukje situatën aktuale në Shqipëri ku
pozicioni i gjyqtarëve mbulohet edhe nga persona që
kanë kryer vetëm një trainim 6-mujor në fushën e
drejtësisë.  Disa nga pjesëmarrësit sugjeruan se kjo
çështje mund të trajtohet më mirë nga një ligj i veçantë
sesa nga Kushtetuta.

Pagat e Gjyqësorit

Pjesëmarrësit komentuan mbi rëndësinë që kanë pagat
e gjyqtarëve për sa i përket rritjes së integritetit të
gjyqësorit.

A Duhet të Jenë Prokurorët Pjesë e Gjyqësorit apo e
Ekzekutivit?

Pjesëmarrësit mendonin që hartuesit e Kushtetutës
duhet të adresojnë në Kushtetutë çështjen nëse
prokurorët duhet të jenë pjesë e gjyqësorit apo e
ekzekutivit.

Organizimi i Gjyqësorit

Pjesëmarrësit theksuan se një pjesë e rëndësishme e
Kushtetutës duhet të merret me organizimin e
gjyqësorit duke përfshirë këtu edhe hierarkinë e
gjykatave.

Kohëzgjatja e Procesit Penal

Pjesëmarrësit shprehën mendimin se Kushtetuta mund
të adresojë çështjen e kohëzgjatjes së procesit penal.
Pjesëmarrësit diskutuan në mënyrë të veçantë për
periudhën e kohës midis arrestimit dhe gjykimit të të
pandehurit.

Roli i Opinioneve të Gjykatave Ndërkombëtare në
Sistemin Ligjor Shqiptar

Pjesëmarrësit diskutuan për përqasjet e ndryshme për
sa i përket trajtimit të opinioneve të gjykatave
ndërkombëtare në gjykatat shqiptare.  Disa
pjesëmarrës hodhën idenë se kjo çështje duhej adresuar
në seksionin e Kushtetutës së re që ka të bëjë me të
Drejtat e Njeriut.
 

E Drejta e Publikut për të Kërkuar Shqyrtim Gjyqësor
të Kushtetueshmerise të Ligjeve

Pjesëmarrësit diskutuan mbi modele të ndryshme të
përfshirjes së publikut në procesin e shqyrtimit
gjyqësor të kushtetueshmërisë së ligjeve.  Përveç
çështjeve të tjera u diskutua edhe problemi nëse duhet
të ndalohet dhënia e "opinioneve këshilluese të
gjykatës", në lidhje me çështje kushtetuese ose të tjera.

Punuar nga Robert Pulver, ABA CEELI

Informacioni për kontaktim:

ABA CEELI
Rr. "Ismail Qemali," P. 34, Ap. 2
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355-42-34624
Fax:  355-42-33197
E-mail: [email protected]
Specialist për Zhvillimin Ligjor:Robert A. Pulver
E-mail: [email protected]
Koordinator: John Kelley

ABA CEELI
740 15th St., N.W., 8th Floor
Washington, D.C. 20005-1009
Tel: (202) 662-1950
Fax: (202) 662-1597
E-mail: [email protected]
Drejtuese e Programit: Lisa Dickieson, Esq.
http://www.abanet.org/ceeli

Projekti i Legjislacionit Ekonomik në Shqipëri GTZ
Ministria e Financave
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355-42-30414
Fax:  355-42-30417
E-mail: [email protected]
Drejtor i Projektit: Michael Blecher
 
 

Pjesëmarrja e Publikut - Diskutohet në Mbledhjen Koordinuese

Më 11 dhjetor 1997, QAKAPP-i paraqiti një
status-raport në mbledhjen mujore
koordinuese të OSBE-së.  Ambasadori i ri
i OSBE-së, Daan Everts, kryesoi mbledhjen dhe
shprehu entuziazmin e tij për punën e QAKAPP-it,
duke nënvizuar rolin e tij qëndror në koordinimin e
asistencës ndërkombëtare në procesin e hartimit të
kushtetutës.  Koordinatorët, Ardita Abdiu, Erinda
Ballanca, dhe Scott Carlson, paraqitën planin fillestar
për nxitjen e pjesëmarrjes së publikut në procesin e
hartimit të kushtetutës, duke nënvizuar detajet e
forumeve/mbledhjeve të vëna në axhendën e javës
pasardhëse.  Ky plan ishte përpunuar në konsultimet
midis QAKAPP-it dhe Ministrisë së Reformës
Institucionale dhe Marrëdhënieve me Parlamentin, e
përshkruar në numrin e parë të Koordinatorit
Kushtetues.  Ky është thjesht një plan fillestar, që merr
përsipër një sërë veprimtarish shtesë, dhe QAKAPP-i
inkurajon sugjerimet dhe ofertat për asistencë.

Ky plan fillestar fillon me Forumet e OJQ-ve dhe
ndiqet nga Grupet e Përqëndruara të Diskutimit, të
mbajtura në Tiranë.  Këto aktivitete do të organizohen
rreth pesë fushave kryesore: pushteti legjislativ,
pushteti gjyqësor, pushteti ekzekutiv, pushteti lokal,
dhe të drejtat e njeriut.  Për të siguruar pjesëmarrjen e
publikut në të gjithë Shqipërinë, është planifikuar të
përqëndrohet me vone jashtë Tiranës, duke organizuar
diskutime në rajone të ndryshme që mishërojnë të
pesta subjektet.  Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve,
është parashikuar që të identifikohen një numër
çështjesh të rëndësishme për publikun shqiptar.  Këto
çështje do t'i prezantohen më pas ekspertëve shqiptarë
dhe të huaj për komente në një seminar për Pushtetet
Kryesore, që do të mbahet në Tiranë.

Forumet e OJQ-ve do të jenë forumet fillestare të
problemeve të organizuar nga donatorë që punojnë me
OJQ-te shqiptare.  Ato janë të përcaktuara të ofrojnë
diskutime të strukturuara në secilën prej pesë fushave
më të rëndësishme.  Këto forume do të fillojnë me një
seancë të shkurtër plenare ku do të nënvizohen
procedurat, dhe më pas do të ndahen pjesmarrësit dhe
do të procedohet me punën në grupe të vogla duke
përdorur teknikat moderne të "brainstorming" për të
përcaktuar rekomandime dhe për të identifikuar çështje
që kanë nevojë për diskutime më të detajuara.  Së
fundi, ata do të mbyllen me një seancë plenare në të
cilën të gjitha grupet e diskutimit do të paraqesin
çështjet që ata konsiderojnë si të rëndësishme për
diskutim të mëtejshëm.

Pas marrjes së rezultateve të këtyre forumeve,
donatorët do të organizojnë Grupe Diskutimi të
Përqëndruara.  Këto diskutime do të konsistojnë në
faktin që një moderator do të udhëheqë një diskutim,
ku përfaqësues të OJQ-ve do t'i paraqesin ekspertëve
vendas e të huaj (nëse do jetë e mundur), dhe
politikanëve, çështjet e identifikuara në Forumet e
OJQ-ve.  Rezultatet e diskutimeve do të dokumentohen
nga një raportues.  Të ftuar do të jenë edhe përfaqësues
të partive politike, të cilët mund të kenë një rol aktiv.

Pas marrjes së rezultateve të pesë Forumeve të OJQ-ve,
të shoqëruara nga Grupet e Diskutimit të Përqëndruar,
donatorët do të organizojnë diskutime në rajone.  Këto
Grupe Diskutimi Rajonale do të dokumentohen nga
raportues, dhe këto veprimtari duhet të përqëndrohen
në pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të politikanëve
rajonalë.

Në mbyllje të këtij grupi fillestar veprimtarish, do të
jetë një seminar për Pushtetet Kryesore, që do të
mbulojë fushat legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
Workshopi do të jetë një mundësi për publikun shqiptar
të dëgjojë komentet dhe sugjerimet e ekspertëve
shqiptarë dhe të huaj për çështjet e identifikuara si
interesante dhe/ose të diskutueshme gjatë veprimtarive
të përmendura më sipër.
 

Komisioni i Venecias Viziton Shqipërinë

nga Giovanni Favilli, Komisioni i Venecias

Me kërkesë të bashkëkryetarëve të
Komisionit Kushtetues të  Parlamentit,
Arben Imami dhe Sabri Godo, Antonio La
Pergola, Kryetar i Komisionit Evropian për Demokraci
nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), vizitoi
Tiranën nga 8 deri më 10 janar 1998.

Qëllimi i këtij misioni ishte të shprehej edhe një herë,
gadishmëria e Komisionit të Venecias për të ndihmuar
Shqipërinë, në procesin e hartimit të kushtetutës dhe
për të mbledhur më shumë informacion mbi situatën
politike dhe ligjore.  Siç e theksoi edhe Ambasadori
Italian në Tiranë, Z. Marcello Spatafora, vizita ishte
pjesë e përpjekjeve evropiane në procesin e ndërtimit
të institucioneve në vendet e Ballkanit.  Presidenti i
Komisionit të Venecias ishte shumë i qartë në
përcaktimin e rolit të tij ligjor dhe teknik.  Do të jetë
detyrë e organizatave të tjera, të gjejnë rrugët për të
përfshirë opozitën në këtë proces.

Z. La Pergola pati takime me autoritetet më të larta të
vendit dhe me të gjithë autoritetet e përfshirë në
procesin e hartimit.  Ai takoi gjithashtu një numër
anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese dhe një delegacion
të gjyqëtarëve që janë në grevë urie.

Gjatë vizitës së tij, Z. La Pergola i kujtoi
bashkëbiseduesve të tij se Komisioni i Venecias do të
japë asistencën e tij ligjore, vetëm nëse kjo do të
kërkohet nga autoritetet shqiptare, duke respektuar si
zakonisht, sovranitetin e organizmave legjislativë
kombëtarë.  Këshillat e tij nuk janë të detyrueshme.
Komisioni i Venecias mund të japë gjithashtu
kontributin e tij në rritjen e ndërgjegjësimit ligjor dhe
përgatitjen e gjyqtarëve kushtetues dhe anëtarëve të
komisionit parlamentar në disa çështje teknike të
caktuara, nëpërmjet seminareve ad hoc, tryezave të
rrumbullakta dhe konferencave.  Ambasadori Italian
shtoi se qeveria e tij do të ishte e gatshme të siguronte
fonde për këtë qëllim.

Ai theksoi gjithashtu se për të bërë të mundur që
kushtetutat të qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe t'i
mbijetojnë rotacionit të partive të ndryshme në pushtet,
kanë nevojë për një konsensus dhe pjesëmarrje të gjerë
të të gjitha forcave politike.  Sipas mendimit të Z. La
Pergola, kushtetuta e ardhshme e Shqipërisë, duhet të
jetë një garanci e pavarur dhe neutrale për të gjitha
partitë.  Ajo duhet të garantojë qeverinë, opozitën,
autoritetet lokale, gjyqësorin dhe të drejtat e njeriut të
qytetarëve.  Në asnjë mënyrë ajo nuk duhet të jetë një
diktat i shumicës.  Ajo duhet të shmangë përqëndrimin
e pushtetit në duart e një personi apo organi të vetëm,
dhe të sigurojë një Gjykatë Kushtetuese efiçente, por
të vetëkontrolluar.  Ajo duhet të jetë e aftë të
kombinojë demokracinë me efiçencën.

Pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë shprehën
nevojën urgjente për një kushtetutë si një mjet
themelor për të siguruar stabilitet për vendin dhe besim
tek investitorët e huaj.  Sipas tyre, Shqipëria është tani,
i vetmi vend në Evropë pa kushtetutë.  Z. La Pergola e
pranoi këtë pikëpamje.  Për të arritur një siguri ligjore
dhe një funksionim të mirëfilltë të ligjit, ai e
konsideroi si të nevojshme pasjen e një legjislacioni të
qartë dhe të arsyeshëm, dhe mbi të gjitha të një teksti
themelor.  Sidoqoftë, ai theksoi gjithashtu nevojën  për
më shumë  politikanë me vullnet të mirë, respekt për
institucionet shtetërore, dhe gadishmëri për të bërë
kompromise politike.  Në këtë drejtim ai theksoi se do
të ishte një gabim përcaktimi i afateve fikse apo ngutja
e shumtë për hartimin e kushtetutës--në mënyrë të
veçantë, sepse Shqipëria nuk është në një vakum
institucional, duke qenë se ka një paketë dispozitash të
përkohshme kushtetuese, të miratuara në vitin 1991.

Z. La Pergola njohu qëndrimin e moderuar të shumicës
dhe dëshirën e saj për të pritur të gjithë opozitën, të
bashkohet në procesin e hartimit të kushtetutës.  Ai
shprehu pikëpamjet e tij mbi procedurat e ndjekura nga
qeveria e sotme në hartimin e kushtetutës dhe i gjeti ato
në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese në fuqi.
Në mënyrë të veçantë, ai theksoi se fakti që Ligji Nr.
7491 i datës 29 Prill 1991, "Mbi dispozitat kryesore
kushtetuese", që zëvendëson kushtetutën deri sa ajo të
përshtatet, shënohet në Nenin 44, të Kapitullit IX
(Dispozitat Përfundimtare):

         "Dispozitat e këtij ligji veprojnë deri në përshtatjen e
     Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, projekti i së
     cilës do të përgatitet nga një Komision Special i caktuar
     nga Kuvendi Popullor.
         Anëtarët e komisionit dhe afati i përgatitjes së projekt
     kushtetutës duhet të përcaktohet nga një vendim i veçantë
     i Kuvendit Popullor".

Qeveria e sotme, ka marrë vendimin special të
përmendur në Nenin 44, më datë 9 Shtator 1997 (No.
339).  Komisioni përbëhet prej 21 anëtarësh, 12 prej të
cilëve janë nga shumica dhe 9 nga opozita.
Për më tepër, Kryetari i Komisionit të Venecias,
mendon se përfaqësimi i forcave të ndryshme politike
në komisionin parlamentar është mëse i ndershëm,
përderisa i jep partive të pakicës një ndarje vendesh më
të konsiderueshme sesa përqindja e tyre në Parlament.
Edhe nëse sistemi elektoral është i lidhur me llogaritjen
e votave sipas sistemit proporcional, është e mundshme
që të demostrohet se shumica është ende e përfaqësuar
më pak në komision dhe të gjitha grupet e pakicës,
duke përfshirë edhe Bashkimin për Demokraci, janë të
mbipërfaqësuara me shtrirje të ndryshme.

Z. La Pergola morri gjithashtu parasysh faktin se ideja
e hedhjes së kushtetutës për referendum, e ka origjinën
në projektin e vitit 1994.  Nuk ka bazë kushtetuese, por
ka qenë gjithmonë e ndjeshme për sistemin politik
shqiptar që kushtetuta e re të ketë firmën dhe
miratimin popullor.

Z. La Pergola tërhoqi vëmendjen se një mundësi i
bazuar në një rrugë të ndryshme nga ajo që po ndiqet
aktualisht (komisioni parlamentar, parlament,
referendum), siç është ajo e Asamblesë Parlamentare,
nuk mund të përjashtohet në parim.  Sidoqoftë, ajo do
të kërkojë një ndryshim kushtetues.  Partitë politike
duhet të jenë të hapura për zgjidhje me imagjinatë për
të mënjanuar dështimin e procesit.

Procedurat e votimit në komisionin parlamentar nuk
janë vendosur ende.  Propozimi i dy bashkëkryetarëve,
Z. Godo dhe Z. Imami, sipas të cilëve vendimet duhet
të merren me 2/3 e shumicës së cilësuar, nuk është
miratuar ende.  (Shiko artikullin mbi Mbledhjet e
Komisionit në Koordinatorin Kushtetues).

Idea e hartimit të një kushtetute të re nëpërmjet
asamblesë kushtetuese është mbështetur nga Partia
Demokratike që drejton Bashkimin për Demokraci.
Kryetari i Komisionit të Venecias, pati një mbledhje të
gjatë me drejtuesin e këtij grupimi, Z. Sali Berisha, të
cilin ai e kishte takuar kur politikani shqiptar ishte
President i Republikës.

Z. Berisha përsëriti akuzat e tij të zakonshme kundër
qeverisë së sotme: përfitim nga zgjedhje të
pandershme, mosrespektim i marrëveshjeve, shkelje e
pavarësisë së gjyqësorit e kështu me rradhë.  Përsa i
përket kushtetutës, ai tha se partia e tij është gati të
diskutojë në një tryezë të rrumbullakët, por mënyra më
e mirë për të arritur në një tekst bazë, duhet të jetë
nëpërmjet një Asambleje Kushtetuese, që do të dalë
nga zgjedhjet e reja. Sipas mendimit të tij, Parlamenti
i sotëm, nuk e ka autoritetin moral për të hartuar një
kushtetutë të përhershme.

Partitë që nuk i përkasin Bashkimit për Demokraci,
dhe komuniteti ndërkombëtar, janë krejtësisht kundër
idesë së zgjedhjeve të reja në një vend ku nuk është
rivendosur ende ligji dhe rregulli i plotë.  Z. La Pergola
nënvizoi se një rrezik i tillë mund të vijë nga mbajtja
e referendumit për kushtetutën.

Z. Berisha, si dhe pjesa më e madhe e personaliteteve
me të cilët u takua Presidenti i Komisionit të Venecias,
shprehën pikpamjen se marrëveshja mbi përmbajtjen
e kushtetutës së ardhshme nuk do të jetë një problem.
Shumica e spektrit politik është dakord me idenë e një
republike parlamentare dhe mendon se mosmarrveshjet
ekzistojnë vetëm për çështje proceduriale.

Z. La Pergola ishte skeptik për këtë pikë.  Ai tha se
transformimi i dispozitave kryesore kushtetuese të
sotme në një kushtetutë reale mund të lindë disa
probleme.  Së pari, duhet të përcaktohet se cilat pjesë
të teksteve ekzistuese duhet të ruhen dhe se cilat duhen
ndryshuar.  Së dyti, do të jetë e nevojshme që
kushtetuta të garantohet nga një sistem rishqyrtimi
gjyqësor të kushtetueshmërisë.  E lidhur me këtë është
problemi i dhënies së pavarësisë gjyqësorit.  Së treti, ka
shumë lloje republikash parlamentare.  Zgjedhja më e
mirë për Shqipërinë do të varej gjithashtu nga sistemi
elektoral.

Probleme të tjera të ngritura nga procesi aktual, i
hartimit, mund të përfshijnë rregulloren e mocioneve të
mosbesimit, opsionin e dydhomëshit, kompetencat e
Presidentit të Republikës, ndarja e pushteteve midis
pushtetit qëndror dhe atij lokal, dhe roli i traktateve
ndërkombëtare.  Për të gjitha këto pika, Z. La Pergola
mendoi se duhet të verifikohet identiteti i përgjithshëm
i deklaruar i pikëpamjeve.

Misioni qe i sukseshëm në mbledhjen e informacionit
mbi situatën politike dhe ligjore në Shqipëri, jo vetëm
përsa i përket kushtetutës, por edhe në legjislacionin e
paradokohshëm mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe
organizimin e gjyqësorit.  Misioni do të shërbejë
gjtihashtu për të vendosur një bazë për punën e
ardhshme të Komisionit të Venecias, i cili gëzon një
reputacion shumë të lartë në spektrin politik dhe në
qarqet ligjore.  Mendimi i përhapur - që padyshim
duhet vërtetuar në praktikë - se nuk ekziston konflikt
faktik rreth përmbajtjes së kushtetutës së ardhshme, jep
shpresa për mundësinë që në të ardhmen Shqipëria do
të ketë më në fund një ligj themelor përfundimtar, në
një të ardhme jo shumë të largët.

Informacion për kontaktim:

Venice Commission
Council of Europe
F-67075 Strasbourg Cedex
France

Tel: +33 3 8841 20 00 (Switchboard)
Tel: +33 3 8841 30 48 (Direct line)
Fax: + 33 3 8841 37 38
E-mail: [email protected]
 
 

Mbledhja e Dytë e Komisionit Kushtetues

Në 8 dhjetor 1997 u mblodh Komisioni
Kushtetues i Parlamentit Shqiptar, për të
diskutuar një projekt të Rregullores së
Brendshme.  Me rreth 14 nga 21 anëtarë të pranishëm
u vendos që diskutimi mbi projektin duhet të vazhdojë
në terma të përgjithshme, por që vendimi përfundimtar
duhet të priste për mbledhjet e mëvonshme ku mund të
ishin të pranishëm të gjithë anëtarët.  Anëtarët e grupit
opozitar Bashkimi për Demokraci refuzuan të marrin
pjesë, dhe mungesa e tyre u vu re nga bashkëkryetarët
e komisionit Sabri Godo dhe Arben Imami, të cilët
shprehën shpresën se opozita do të marrë pjesë në një
të ardhme të afërt.  Mbledhja u mbyll me një raport
nga ana e Përfaqësuesve të QAKAPP-it, e cila shpjegoi
planin fillestar për nxitjen e pjesëmarrjes së publikut
në procesin e hartimit të kushtetutës.
 

Mbledhja e Tretë e Komisionit Kushtetues

Komisioni Kushtetues i Parlamentit Shqiptar
Parlamentar për Hartimin e Kushtetutës,
zhvilloi mbledhjen e tij të tretë në 22 dhjetor
1997.  Komisioni Parlamentar, me katërmbëdhjetë
anëtarë, kishte si rend dite çështjet e mëposhtme:

     Shqyrtimi i projektit të Rregullores së
     Brendshme të Komisionit;
     Shqyrtimi i kandidatëve të Stafit Tenik të
     Kushtetutës;
     Raport i QAKAPP-it dhe ABA/CEELI-it për
     rezultatet e Forumit të parë të OJQ-ve.

Komisioni shqyrtoi një për një dispozitat e Projekt -
Rregullores së Brendshme.  Këto projekt-rregulla nuk
u votuan, dhe u vendos që të diskutohet përsëri në
mbledhjen e ardhshme të Komisionit që do të mbahet
më 22 Janar 1998.

Në këtë mbledhje, parlamentarëve iu bë një
përmbledhje lidhur me aktivitetin e parë që përfshiu
pjesëmarrjen e publikut në diskutimin e çështjeve
kryesore kushtetuese.  Ky aktivitet ishte Forumi i Parë
i OJQ-ve, i zhvilluar në mënyrë të sukseshme më 18
dhjetor 1997.  Parlamentarëve, iu bë një përmbledhje
e shkurtër e procedurave organizative dhe e rezultateve
të Forumit, nga Specialisti Ligjor i ABA/CEELI-it
Robert A. Pulver, dhe Ardita N. Abdiu, Koordinatore
e QAKAPP-it.  Gjithashtu, parlamentarëve iu shpërnda
një kopje e raportit që përfshinte të gjitha
rekomandimet dhe çështjet e ngritura nga pjesëmarrësit
në Forum, lidhur me problemet e pushtetit gjyqësor.

Gjatë këtij prezantimi, parlamentarët e vlerësuan
raportin, dhe pas kësaj, shprehën interesin e tyre për
marrjen e vazhdueshme të raporteve të tilla mbi
forumet e pjesëmarrjes së publikut, si dhe për aktivitete
të tjera.  QAKAPP-i dhe donatorët e mundshëm, si dhe
grupet e tjera që japin asistencë, do të vazhdojnë të
informojnë Komisionin Parlamentar mbi aktivitete të
tilla.
 

QAKAPP-i Përgatit Udhëzues për Workshop

Në rolin e tij si koordinues, QAKAPP-i,
përgatiti Udhëzues për Workshop për të
ndihmuar OJQ-të shqiptare dhe të huaja në
organizimin e forumeve publike dhe mbledhjeve.  Këta
udhëzues, të cilët janë tani të disponueshëm për
publikun në shqip dhe anglisht, ofrojnë një vëzhgim të
gjerë të detajeve të përfshira në planifikimin dhe
ekzekutimin e një forumi/mbledhjeje moderne dhe me
një pjesëmarrje të gjerë.  Udhëzuesit janë praktikë dhe
përfshijnë probleme të dala nga pjesë të buxhetit të
bazuara në eksperiencën lokale dhe kostot (në U.S. $)
deri te një shpjegim i procesit të "brainstorming".
Ndërsa Udhëzuesit janë vetëm sugjerime dhe nuk kanë
për qëllim të japin një format të veçantë, ato sigurojnë
disa parime të përgjithshme dhe mjete, të cilat nëse
vihen në jetë, mund të sigurojnë uniformitet dhe lehtësi
në mbledhjen e mendimeve të pjesmarrësve.
 

QAKAPP Inkurajon Komunitetin Ligjor të Shkruajë "Materiale Konceptuese"

Në nëntor, QAKAPP-i filloi kontaktimin e
përfaqësuesve të komunitetit ligjor shqiptar
dhe të huaj për të marrë prej tyre angazhimin
për të shkruar "Materiale Konceptuese".  Siç është
diskutuar në numrin e fundit të Koordinatorit
Kushtetues, këto materiale synojnë të sigurojnë
shpjegime bazë të çështjeve kushtetuese (në shqip).
Qysh prej nëntorit, QAKAPP-i morri angazhimin e
juristëve shqiptarë dhe të huaj për të shkruar Materiale
Konceptuese të ndryshme mbi çështjet kushtetuese.
Këto Materiale Konceptuese do të shërbejnë kryesisht
si materiale bazë për diskutimet publike të organizuara
nëpërmjet Forumeve të OJQ-ve dhe Grupeve të
Diskutimit të Përqëndruar.

Në Forumin e organizuar nga CEELI - GTZ, u
përdorën dhjetë materiale konceptuese mbi sistemin
gjyqësor.  Deri tani, QAKAPP-i ka marrë materiale
konceptuese dhe angazhime për të tjera nga: CEELI në
Tiranë, Robert A. Pulver, John Kelley, dhe Ardita N.
Abdiu; nga grupe ekspertësh të CELLI-t në Të Drejtën
Kushtetuese; Christopher Shields i OSBE/ODHIR;
Giovanni Favilli dhe Dimitri Girotto, të Komisionit të
Venecias/Këshilli i Evropës; Douglas B. Rutzen, e
Qendrës Ndërkombëtare e së Drejtës Jofitimprurëse;
nga Scott Carlson, Erinda Ballanca dhe Shkëlzen
Zeneli të  QAKAPP-it; nga Irena Reso, avokate e lirë;
nga Perikli Zaharia i Gjykatës Kasacionit të
Shqipërisë.

QAKAPP-i po punon për mbledhjen e më shumë
materialeve konceptuese, me qëllim që çdo Forum i
OJQ-ve të ketë materiale konceptuese që trajtojnë
çështje të lidhura me të.  Këto materiale u provuan si
shumë të nevojshme dhe të dobishme në Forumin e
fundit të OJQ-ve.  Pjesëmarrësit vlerësuan mënyrën e
shkrimit dhe të konceptimit të këtyre Materialeve
Konceptuese.  Shpresohet, që kjo pritje e favorshme të
nxisë më shumë juristë në të ardhmen, për të shkruar
Materiale Konceptuese mbi këto çështje të
rëndësishme kushtetuese për Shqipërinë.
 

Kryebashkiakët Shqiptarë Diskutojnë Kushtetutën

Në 13-14 janar, u mbajt në mjediset e Hotel
Tirana, një Konferencë e Kryebashkiakëve
shqiptarë.  Kjo konferencë u organizua nga
Projekti - PAPA, Shoqata e Bashkive Hollandeze
(VNG-SLGCP) dhe Instituti Urban.  Një çështje
qëndrore e ngritur në këtë konferencë, ishte problemi
i autonomisë së pushtetit lokal.  Njëri nga drejtuesit e
konferencës, Hugh Nichols, theksoi se hartimi i
kushtetutës, duhet ta përfshijë këtë çështje të
rëndësishme dhe të mbrojë nevojat e pushtetit lokal.
QAKAPP-i shpërndau materiale, duke i informuar
kryetarët e bashkive mbi aktivitetet e procesit të
hartimit të kushtetutës.

Gjatë konferencës, organizuasit shpërndanë një pyetsor,
të përgatitur në konsultim me QAKAPP-in.  Një nga
pyetjet e shtruara ishte: Cilat janë tri çështjet më të
rëndësishme që duhet të mbulohen nga kushtetuta e re
e Shqipërisë, në lidhje me rolin e autoriteteve lokale në
administrimin publik?  Tri përgjigjet më të përhapura
të pjesëmarrësve ishin:

1.   Decentralizimi dhe pavarësia financiare dhe
     fiskale e pushtetit lokal;
2.   Vendosja e strukturave ekzekutive të pushtetit
     lokal, duke përfshirë policinë bashkiake;
3.   Ndarja e pasurive bashkiake nga pasuritë e
     shtetit dhe ato private.

Rezultatet e plota të pyetsorit do të botohen në numrin
e ardhshëm të Koordinatorit Kushtetues.

Informacion për Kontaktim:

Projekti i Administrimit Publik, USAID
Tirana International Hotel, Sheshi "Skënderbej"
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355 42 325 24
Fax: 355 42 341 88
E-mail: [email protected]
Këshilltar për Zhvillimin Ekonomik: Bart Kennedy

Instituti Urban
Ministria e Transportit dhe Administrimit Publik
Tiranë, Shqipëri
Tel./Fax:  355 42 27945
E-mail: [email protected]
Këshilltar Rezident për Infrastrukturën: Steven M.
Swanson

Shoqata e Bashkive të Hollandës VNG-SLGCP
Rr. Vilave Gjermane, N.8/b
P.O. Box 1735
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355 42 288 73
Fax: 355 42 352 35
E-mail: [email protected]
Manaxher i Projektit: Erik Boven
 
 

Konkurs i QAKAPP-it për Materialet Konceptuese

Siç është thënë në numrin e parë të
Koordinatorit Kushtetues, QAKAPP-i shpalli
një konkurs mbi Materialin më të mirë
Konceptues në Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës dhe
në Shkollën e Magjistraturës. Çështjet e zgjedhura nga
studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkollës së
Magjistraturës ishin të ndryshme.  U tregua  një interes
i madh, si nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë, edhe
nga ata të Shkollës së Magjistraturës.  Megjithëse
çështjet ishin relativisht komplekse dhe jo
domosdoshmërisht të thjeshta, studentët pjesëmarrës
bënë një punë të mirë.

Në rreth 12 materiale të përgatitura nga studentët e
Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, çështjet kryesore
përfshinin kompetencat e presidentit të republikës,
shqyrtimin gjyqësor të kushtetueshmërisë së ligjeve,
pushtetin gjyqësor, parlamentin, të drejtat e njeriut etj.
Këto materiale janë duke u kontrolluar nga një grup
juristësh, dhe në janar do të organizohet një ceremoni,
ku do të shpallen dy materialet më të mira.  Në këtë
ceremoni do të jenë të pranishëm Dekani dhe profesorë
të Fakultetit të Drejtësisë dhe do të shpërndahen
çmime.

Në Shkollën e Magjistraturës, pjesëmarrja në konkurs
ishte e detyrueshme.  Të gjitha materialet ishin
paraqitur brenda javës së dytë të dhjetorit. Ato ishin
përqëndruar kryesisht në çështjet gjyqësore.  Çmimet
u ndanë gjatë Mbrëmjes së Krishtlindjeve, të
organizuar nga Shkolla e Magjistraturës, në 25 dhjetor.
Vlejnë të përmenden materialet e përgatitura nga Evis
Kotini mbi Procesin Gjyqësor - Vendimet; Albert
Meca mbi Institucionin e Presidentit të Republikës;
Monika Zeqo mbi Shqyrtimin Gjyqësor të
Kushtetueshmërisë së Ligjeve; Marcela Balili mbi
Çështje të Kabinetit Qeveritar; dhe Eduart Halimi mbi
Emërimin, Përzgjedhjen dhe Disiplinimin e
Gjykatësve.  Vendin e dytë e zuri Sandër Simoni me
materialin e tij mbi Emërimin, Përzgjedhjen dhe
Disiplinimin e Gjykatësve, dhe vendin e parë e fitoi
Enkelejd Alibeaj, me materialin mbi Institucionet
Legjislative të Demokracisë Direkte dhe Indirekte.
Shërbimi i Informimit të Shteteve të Bashkuara
(USIS), sponsorizoi çmimet.  Çmimi i dytë ishte një
Fjalor American Heritage, dhe Çmimi i Parë një Fjalor
Black's Law.
 

Përfaqësues i Komisionit të Venecias Vendoset në Tiranë

Këshilli i Evropës po mban një rol aktiv në
procesin e hartimit të kushtetutës nëpërmjet
Komisionit Evropian për Demokraci
Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias). Menjëherë
pas krijimit të një grupi pune për Shqipërinë në tetor
1997, Komisioni i Venecias caktoi një përfaqësues
rezident në Shqipëri, i cili po merr pjesë në të gjitha
aktivitetet e organizuara për procesin e hartimit të
kushtetutës.

Giovanni Favilli, përfaqësues i Komisionit të Venecias
në Shqipëri në dhjetor 1997, ndihmoi në përgatitjen e
materialeve konceptuese si autor dhe bashkëautor.
Gjithashtu, Z. Favilli, ishte shumë aktiv në Forumin e
parë të organizuar mbi çështjet gjyqësore.  Në këtë
Forum, të organizuar nga CEELI - GTZ, Z. Favilli
shërbeu si moderator i diskutimit të një grupi, duke
dhënë një kontribut kyç në suksesin e Forumit.

Në janar, Z. Favilli u kthye në Tiranë, për të vazhduar
të asistojë në procesin e hartimit të Kushtetutës.  Ai, do
të koordinojë vizitat e delegacioneve të Këshillit të
Evropës gjatë këtij muaji.   Përveç kësaj, Z. Favilli do
të vazhdojë të kontribuojë në përgatitjen e materialeve
konceptuese, të japë asistencë teknike, dhe të ndihmojë
në kryerjen e forumeve të tjera.

Aktivitetet e Ardhshme në Kalendarin e QAKAPP-it

Për të siguruar koordinimin e aktiviteteve të
ardhshme kushtetuese, QAKAPP-i kërkon që
të gjithë të interesuarit të japin detaje për të
gjitha aktivitetet e planifikuara.  QAKAPP-i kërkoi që
të gjithë sponsorizuesit të paraqisin emrat e tyre,
organizatën së cilës i përkasin, adresën, numrin e
telefonit dhe të fax-it, dhe adresën e e-mail, së bashku
me kërkesën për aktivitetin e ardhshëm.

     19 janar - Diskutim i Përqëndruar mbi Çështje
     të Gjyqësorit--CEELI
     21 janar - Forum i OJQ-ve mbi Çështje të
     Legjislativit--ORT Rrjeti i Demokracisë
     22-23 janar - Delegacion i Parlamentarëve
     Evropianë--KE, BE, dhe OSBE
     11 shkurt - Forum i OJQ-ve mbi Çështje të të
     Drejtave të Njeriut--Këshilli i Evropës dhe
     Qendra e Shqiptare e Dokumentacionit për të
     Drejtat e Njeriut
     Prill - Workshop mbi Pushtetet Kryesore--CEELI

 
Hosted by www.Geocities.ws

1