KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
(Miratuar nga Kuvendi Popullor më 21 tetor 1998)
_______________________________
Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë
dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me
përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose
te vlera të tjera universale,
me vendosmërinë
për të ndërtuar një shtet të së drejtës,
demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë
themelore të njeriut,
me frymën e tolerancës
dhe të bashkëjetesës fetare,
me zotimin për mbrojtjen
e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për
prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien,
kulturën dhe solidaritetin shoqëror,
me aspiratën shekullore
të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar,
me bindjen e thellë se
drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve
janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit,
Vendosim këtë Kushtetutë:
PJESA E PARË: PARIME THEMELORE
Neni 1
1. Shqipëria është republikë
parlamentare.
2. Republika e Shqipërisë është
shtet unitar dhe i pandashëm.
3. Qeverisja bazohet në një sistem
zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e
periodike.
Neni 2
1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë
i përket popullit.
2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet
përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.
3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave
kombëtarë, Republika e Shqipërisë mund të marrë
pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë
të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit.
Neni 3
Pavarësia e shtetit dhe tërësia
e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë
e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti
kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare,
si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat
janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i
respektojë dhe t'i mbrojë.
Neni 4
1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë
e veprimtarisë së shtetit.
2. Kushtetuta është ligji më i
lartë në Republikën e Shqipërisë.
3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti,
përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Neni 5
Republika e Shqipërisë zbaton të
drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.
Neni 6
Organizimi dhe funksionimi i organeve të
parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet
e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë
parashikohet ndryshe.
Neni 7
Sistemi i qeverisjes në Republikën
e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet
pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Neni 8
1. Republika e Shqipërisë mbron të
drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë
kufijve të saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të
drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm
ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron
ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë
jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar
lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
Neni 9
1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi
i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.
2. Partitë politike dhe organizatat e tjera,
programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda
totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare,
krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen
e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore,
si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara
sipas ligjit.
3. Burimet financiare të partive, si dhe
shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.
Neni 10
1. Në Republikën e Shqipërisë
nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në
çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton
lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
3. Shteti njeh barazinë e bashkësive
fetare.
4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë
në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë
e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë
të secilit dhe të të gjithëve.
5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit
dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve
të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe
Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen
në Kuvend.
6. Bashkësitë fetare janë
persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin
e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të
tyre, për sa nuk cënohen interesat e të tretëve.
Neni 11
1. Sistemi ekonomik i Republikës së
Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si
dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë
ekonomike.
2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj
me ligj.
3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë
ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për
arsye të rëndësishme publike.
Neni 12
1. Forcat e armatosura sigurojnë pavarësinë
e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe
rendin e tij kushtetues.
2. Forcat e armatosura ruajnë asnjanësinë
në çështjet politike dhe i nënshtrohen kontrollit
civil.
3. Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk
mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar,
si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet
jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me
shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 13
Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë
ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të
pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.
Neni 14
1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë
është shqipja.
2. Flamuri kombëtar është i kuq
me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
3. Stema e Republikës së Shqipërisë
paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë
të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit,
me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja
e Skënderbeut.
4. Himni kombëtar është ARreth
Flamurit të Përbashkuar@.
5. Festa Kombëtare e Republikës së
Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori.
6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë
është Tirana.
7. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare,
përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi
i tyre rregullohen me ligj.
PJESA E DYTË: TË DREJTAT DHE LIRITË THEMELORE TË NJERIUT
KREU I: PARIME TË PËRGJITHSHME
Neni 15
1. Të drejtat dhe liritë themelore
të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme
e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të
gjithë rendit juridik.
2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje
të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat
dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë
në realizimin e tyre.
Neni 16
1. Të drejtat e liritë themelore, si
dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit
shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për
personat pa shtetësi në territorin e Republikës së
Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta
e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë
shqiptare ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara.
2. Të drejtat dhe liritë themelore,
si dhe detyrimet e parashikuara ne Kushtetutë vlejnë edhe për
personat juridikë, për aq sa përputhen me qëllimet
e përgjithshme të këtyre personave dhe me thelbin e këtyre
të drejtave, lirive dhe detyrimeve.
Neni 17
1. Kufizime të të drejtave dhe lirive
të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të
vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për
mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet
të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka
diktuar atë.
2. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 18
1. Të gjithë janë të barabartë
përpara ligjit.
2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht
për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet
politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose
përkatësia prindërore.
3. Askush nuk mund të diskriminohet për
shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston
një përligjje e arsyeshme dhe objektive.
Neni 19
1. Kushdo që lind duke pasur qoftë
edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton
vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet
edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.
2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë
shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.
Neni 20
1. Personat që u përkasin pakicave
kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit
të drejtat dhe liritë e tyre.
2. Ata kanë të drejtë të
shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë
e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Ata kanë të
drejtë t'i ruajnë e zhvillojnë ato, të mësojnë
dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të
bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave
dhe të identitetit të tyre.
KREU II: LIRITË DHE TË DREJTAT VETJAKE
Neni 21
Jeta e personit mbrohet me ligj.
Neni 22
1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit
është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit
ndalohet.
4. Ligji mund të kërkojë dhënien
e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të
televizionit.
Neni 23
1. E drejta e informimit është e garantuar.
2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje
me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e
organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë
funksione shtetërore.
3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë
mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.
Neni 24
1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë eshtë
e garantuar.
2. Secili është i lirë të
zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t=i
shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në
jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose
kryerjes së riteve.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të
ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare
ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike
bindjet ose besimin e tij.
Neni 25
Askush nuk mund t'i nënshtrohet torturës,
dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
Neni 26
Askujt nuk mund t'i kërkohet të kryejë
një punë të detyruar, përveçse në rastet
e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të kryerjes
së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që
rrjedh nga një gjendje lufte, nga një gjendje e jashtëzakonshme
ose nga një fatkeqësi natyrore, që kërcënon jetën
ose shëndetin e njerëzve.
Neni 27
1. Askujt nuk mund t'i hiqet liria, përveçse
në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj.
2. Liria e personit nuk mund të kufizohet,
përveçse në rastet e mëposhtme:
a) kur është dënuar me burgim
nga gjykata kompetente;
b) për moszbatim të urdhrave të
ligjshëm të gjykatës ose për moszbatim të ndonjë
detyrimi të caktuar me ligj;
c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer
një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej
tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së
saj;
ç) për mbikëqyrjen e të
miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij
në organin kompetent;
d) kur personi është përhapës
i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht
dhe i rrezikshëm për shoqërinë;
dh) për hyrje të paligjshme në
kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose të
ekstradimit.
3. Askujt nuk mund t'i hiqet liria vetëm
për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë
një detyrim kontraktor.
Neni 28
1. Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të
drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që
ai kupton, për shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën
që i bëhet. Personi, të cilit i është hequr liria,
duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë
ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë
menjëherë me avokatin, si dhe t=i jepet mundësia për
realizimin e të drejtave të tij.
2. Personi, të cilit i është hequr
liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi c, duhet të dërgohet
brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin
ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti
i marrjes së dokumenteve për shqyrtim.
3. I paraburgosuri ka të drejtë të
ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë
të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të
procedohet i lirë përkundrejt një garancie pasurore sipas
ligjit.
4. Në të gjitha rastet e tjera, personi,
të cilit i hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore,
mund t=i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos
brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase.
5. Çdo person, të cilit i është
hequr liria sipas nenit 27, ka të drejtën e trajtimit njerëzor
dhe të respektimit të dinjitetit të tij.
Neni 29
1. Askush nuk mund të akuzohet ose të
deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej
e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim
të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre,
përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas
së drejtës ndërkombëtare.
2. Nuk mund të jepet një dënim
më i rëndë se ai që ka qenë parashikuar me ligj
në kohën e kryerjes së veprës penale.
3. Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese.
Neni 30
Kushdo quhet i pafajshëm përderisa
nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të
formës së prerë.
Neni 31
Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë:
a) të vihet në dijeni menjëherë
dhe hollësisht për akuzën që i bëhet, për
të drejtat e tij, si dhe t=i krijohet mundësia për të
njoftuar familjen ose të afërmit e tij;
b) të ketë kohën dhe lehtësitë
e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
c) të ketë ndihmën pa pagesë
të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën
shqipe;
ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën
e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë
lirisht dhe privatisht me të, si dhe t'i sigurohet mbrojtja falas,
kur nuk ka mjete të mjaftueshme;
d) tu bëjë pyetje dëshmitarëve
të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve,
të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të
cilët mund të sqarojnë faktet.
Neni 32
1. Askush nuk mund të detyrohet të
dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as
të pohojë fajësinë e tij.
2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor
mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë
të paligjshme.
Neni 33
1. Kushdo ka të drejtë të dëgjohet
para se të gjykohet.
2. Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë
personi që i fshihet drejtësisë.
Neni 34
Askush nuk mund të dënohet më
shumë se një herë për të njëjtën vepër
penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të
rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga
një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së
parashikuar me ligj.
Neni 35
1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse
kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna
që lidhen me personin e tij.
2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike
e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij,
me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
3. Kushdo ka të drejtë të njihet
me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të
rasteve të parashikuara me ligj.
4. Kushdo ka të drejtë të kërkojë
ndreqjen ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose
të paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin.
Neni 36
Liria dhe fshehtësia e korrespondencës
ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të
garantuara.
Neni 37
1. Paprekshmëria e banesës është
e garantuar.
2. Kontrollet e banesës, si dhe të
mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm
në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
3. Askujt nuk mund t=i bëhet kontroll vetjak
jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të
hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për
të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.
Neni 38
1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë
vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo
pjesë të territorit të shtetit.
2. Askush nuk mund të pengohet të dalë
lirisht jashtë shtetit.
Neni 39
1. Asnjë shtetas shqiptar nuk mund të
dëbohet nga territori i shtetit.
2. Ekstradimi mund të lejohet vetëm
kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet
ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë
është palë, dhe vetëm me vendim gjyqësor.
3. Ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve.
Dëbimi i individëve të huaj lejohet në kushtet e përcaktuara
me ligj.
Neni 40
Të huajt kanë të drejtën
e strehimit në Republikën e Shqipërisë sipas ligjit.
Neni 41
1. E drejta e pronës private është
e garantuar.
2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi,
me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të
parashikuar në Kodin Civil.
3. Ligji mund të parashikojë shpronësime
ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës
vetëm për interesa publikë.
4. Shpronësimet ose ato kufizime të
së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin,
lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën
e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.
Neni 42
1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura
me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cënohen pa një
proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave,
të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë,
ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të
drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një
afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e
paanshme e caktuar me ligj.
Neni 43
Kushdo ka të drejtë të ankohet
kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë
më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë
parashikohet ndryshe.
Neni 44
Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet
dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në
rast se është dëmtuar për shkak të një akti,
veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.
KREU III: LIRITË DHE TË DREJTAT POLITIKE
Neni 45
1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë
vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën
të zgjedhë dhe të zgjidhet.
2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes
shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së
prerë si të paaftë mendërisht.
3. Të dënuarit që janë duke
vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm
të drejtën për të zgjedhur.
4. Vota është vetjake, e barabartë,
e lirë dhe e fshehtë.
Neni 46
1. Kushdo ka të drejtë të organizohet
kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm.
2. Regjistrimi në gjykatë i organizatave
ose i shoqatave bëhet sipas procedurës së parashikuar me
ligj.
3. Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime
antikushtetuese janë të ndaluara sipas ligjit.
Neni 47
1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë,
si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.
2. Tubimet paqësore në sheshe dhe në
vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara
me ligj.
Neni 48
Kushdo, vetë ose së bashku me të
tjerë, mund t=u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje
organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen
në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.
KREU IV: LIRITË DHE TË DREJTAT EKONOMIKE, SOCIALE DHE KULTURORE
Neni 49
1. Secili ka të drejtë të fitojë
mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që
e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të
zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit
të vet profesional.
2. Të punësuarit kanë të
drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.
Neni 50
Të punësuarit kanë të drejtë
të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen
e interesave të tyre të punës.
Neni 51
1. E drejta e të punësuarit për
grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet
e punës, është e garantuar.
2. Kufizime për kategori të veçanta
të punësuarish mund të vendosen me ligj për t=i siguruar
shoqërisë shërbimet e domosdoshme.
Neni 52
1. Kushdo ka të drejtën e sigurimeve
shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë
për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj.
2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe
të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera
jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara
me ligj.
Neni 53
1. Kushdo ka të drejtë të martohet
dhe të ketë familje.
2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen
e veçantë të shtetit.
3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen
me ligj.
Neni 54
1. Fëmijët, të rinjtë, gratë
shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një
mbrojtjeje të veçantë nga shteti.
2. Fëmijët e lindur jashtë martese
kanë të drejta të barabarta me të lindurit nga martesa.
3. Çdo fëmijë ka të drejtë
të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe
përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën
minimale për punën e fëmijëve, që mund të
dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën
a zhvillimin e tij normal.
Neni 55
1. Shtetasit gëzojnë në mënyrë
të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor
nga shteti.
2. Kushdo ka të drejtë për sigurim
shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj.
Neni 56
Kushdo ka të drejtë të informohet
për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.
Neni 57
1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.
2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet
me ligj.
3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm
publik është i hapur për të gjithë.
4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë
mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i
mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është
falas.
6. Nxënësit dhe studentët
mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha
niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë
të ligjit.
7. Autonomia e institucioneve të
arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara
me ligj.
Neni 58
1. Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit
shkencor, vënia në përdorim si dhe përfitimi prej arritjeve
të tyre janë të garantuara për të gjithë.
2. E drejta e autorit mbrohet me ligj.
KREU V: OBJEKTIVAT SOCIALË
Neni 59
1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe
mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës
dhe të përgjegjësisë private, synon:
a) punësimin në kushte të përshtatshme
të të gjithë personave të aftë për punë;
b) plotësimin e nevojave të shtetasve
për strehim;
c) standardin më të lartë shëndetësor,
fizik e mendor, të mundshëm;
ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive
të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave
të pazënë me punë;
d) një mjedis të shëndetshëm
dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm
dhe të ardhshëm;
dh) shfrytëzimin racional të pyjeve,
ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën
e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
e) përkujdesjen dhe ndihmën për
të moshuarit, jetimët dhe invalidët;
ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive
ripërtëritëse;
f) riaftësimin shëndetësor, edukimin
e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve,
si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve
të tyre të jetesës;
g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare
kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.
2. Përmbushja e objektivave socialë
nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë.
Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund
të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.
KREU VI: AVOKATI I POPULLIT
Neni 60
1. Avokati i Popullit mbron të drejtat,
liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet
ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të
administratës publike.
2. Avokati i Popullit është i pavarur
në ushtrimin e detyrës së tij.
3. Avokati i Popullit ka buxhet të veçantë,
të cilin e administron vetë. Ai e propozon buxhetin sipas ligjit.
Neni 61
1. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të
pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për
një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje.
2. Avokati i Popullit mund të jetë
çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe
veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të
njeriut dhe të ligjit.
3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e
gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
4. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë
pjesë në asnjë parti politike, nuk mund të kryejë
veprimtari tjetër politike, shtetërore ose profesionale dhe as
të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave
shoqërore, ekonomike dhe tregtare.
Neni 62
1. Avokati i Popullit mund të shkarkohet
vetëm me kërkesë të motivuar të jo më pak
se një së tretës së deputetëve.
2. Në këtë rast Kuvendi vendos
me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të
tij.
Neni 63
1. Avokati i Popullit paraqet raport vjetor përpara
Kuvendit.
2. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit
kur i kërkohet prej këtij, si dhe mund t=i kërkojë
Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai
i çmon të rëndësishme.
3. Avokati i Popullit ka të drejtë
të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur
vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut
nga administrata publike.
4. Organet dhe funksionarët publikë
janë të detyruar t=i paraqesin Avokatit të Popullit të
gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij.
PJESA E TRETË: KUVENDI
KREU I: ZGJEDHJA DHE AFATI
Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë.
100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore
me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë
zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve
të partive sipas renditjes në to.
2. Numri i përgjithshëm i deputetëve
të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në
raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra
prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë
të zgjedhjeve.
3. Partitë që marrin më pak se
2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak
se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë
vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë
nga listat shumemërore përkatëse.
Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.
2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60
deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më
vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen
e parë të Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë
Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime,
me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të
jashtëzakonshme.
Neni 66
Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në
rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është
i shpërndarë, ai rithirret vetiu.
Neni 67
1. Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen
e parë nga Presidenti i Republikës jo më vonë se 20
ditë nga përfundimi i zgjedhjeve.
2. Në rast se Presidenti i Republikës
nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi duhet të mblidhet
vetë brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të parashikuar
në paragrafin 1 të këtij neni.
KREU II: DEPUTETËT
Neni 68
1. Kandidatët për deputetë mund
të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet
e partive, si dhe nga zgjedhësit.
2. Rregullat për caktimin e kandidatëve
për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve,
si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë
së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet.
Neni 69
1. Nuk mund të kandidojnë e as të
zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të
sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave,
si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve
të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët
e lartë të administratës shtetërore të parashikuar
nga ligji.
2. Mandati i fituar në kundërshtim
me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.
Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë
popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë
njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore,
përveç asaj të anëtarit të Këshillit të
Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen
me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë
asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit
ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit
3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit
ose të një së dhjetës së anëtarëve të
tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në
Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që
ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është
i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e
pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara
në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në
Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor
të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Neni 72
Para fillimit të ushtrimit të mandatit
deputetët bëjnë betimin në Kuvend.
Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për
mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej
tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht
pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin
kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të
arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë
pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto
raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin,
i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për
heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët
2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
KREU III: ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
Neni 74
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në
dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë
të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë
të shtatorit.
2. Kuvendi mblidhet në sesion të
jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës,
nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.
3. Sesionet e jashtëzakonshme
thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi
dite të përcaktuar.
Neni 75
1. Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet.
2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores
së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.
Neni 76
1. Kryetari kryeson debatin, drejton punimet,
siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve
të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet
me të tjerët.
2. Nëpunësi më i lartë
civil i Kuvendit është sekretari i përgjithshëm.
3. Shërbimet e tjera të nevojshme
për funksionimin e Kuvendit kryhen nga nëpunës të tjerë,
siç përcaktohet në rregulloren e brendshme.
Neni 77
1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të
përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë
të një së katërtës së të gjithë
anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë
komision hetimi për të shqyrtuar një çështje
të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese
për gjykatat, por mund t=i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson
sipas procedurës ligjore.
3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës
së parashikuar me ligj.
Neni 78
1. Kuvendi vendos me shumicën e votave,
në prani të më shumë se gjysmës së të
gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve
kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar.
2. Mbledhjet e deputetëve që mbahen
pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë.
Neni 79
1. Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura.
2. Me kërkesën e Presidentit të
Republikës, të Kryeministrit ose të një së pestës
së deputetëve mbledhjet e Kuvendit mund të bëhen të
mbyllura, kur për këtë kanë votuar shumica e të
gjithë anëtarëve të tij.
Neni 80
1. Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër
i Këshillit të Ministrave është i detyruar t=u përgjigjet
interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.
2. Anëtari i Këshillit të Ministrave
ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet
e Kuvendit ose të komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë
që e kërkon.
3. Drejtuesit e institucioneve shtetërore,
me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime
dhe informojnë për çështje të ndryshme të
veprimtarisë së tyre për sa e lejon ligji.
KREU IV: PROCESI LIGJVËNËS
Neni 81
1. Të drejtën për të propozuar
ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë
zgjedhës.
2. Miratohen me tri të pestat e të
gjithë anëtarëve të Kuvendit:
A) ligjet për organizimin dhe funksionimin
e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
C) ligji për zgjedhjet e përgjithshme
dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
D) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
E) ligji për statusin e funksionarëve
publikë;
ë) ligji për amnistinë;
F) ligji për ndarjen administrative të
Republikës.
Neni 82
1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti,
duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj
shpenzimet financiare për zbatimin e tij.
2. Asnjë projektligj joqeveritar që
bën të nevojshme rritjen e shpenzimeve të buxhetit të
shtetit ose që pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet
pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet
të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit.
3. Në qoftë se Këshilli i Ministrave
nuk shprehet brenda afatit të mësipërm, projektligji kalon
për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme.
Neni 83
1. Projektligji votohet tri herë: në
parim, nen për nen dhe në tërësi.
2. Kuvendi, me kërkesë të Këshillit
të Ministrave ose të një së pestës së të
gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë
një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo
më parë se një javë nga fillimi i procedurës
së shqyrtimit.
3. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet
për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin
81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit dh.
Neni 84
1. Presidenti i Republikës shpall ligjin
e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.
2. Ligji quhet i shpallur, në qoftë
se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara
në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të
nenit 85.
3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më
pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme,
si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën
e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës
jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm
pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet
në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
Neni 85
1. Presidenti i Republikës ka të drejtë
ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.
2. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin
e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë
shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
PJESA E KATËRT: PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Neni 86
1. Presidenti i Republikës është
Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.
2. President mund të zgjidhet vetëm
shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se
10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën
40 vjeç.
Neni 87
1. Kandidati për President i propozohet
Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.
Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më
shumë se një grup propozues.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim
të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë
prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve
të tij.
3. Kur në votimin e parë nuk arrihet
kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë
bëhet një votim i dytë.
4. Në rast se edhe në votimin e dytë
nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një
votim i tretë.
5. Kur ka më shumë se dy kandidatë
dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar,
brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt ndërmjet
dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të
madh të votave.
6. Në rast se edhe në votimin e katërt
asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e
kërkuar, bëhet një votim i pestë.
7. Në rast se edhe pas votimit të pestë
asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e
kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen
zgjedhjet e reja të përgjithshme.
8. Kuvendi i ri zgjedh Presidentin sipas procedurës
së parashikuar nga paragrafët 1 deri në 7 të
këtij neni. Në rast se edhe Kuvendi i ri nuk e zgjedh Presidentin,
ai shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhje të
reja të përgjithshme.
9. Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin
e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve
të tij.
Neni 88
1. Presidenti i Republikës, në çdo
rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm
një herë.
2. Procedura për zgjedhjen e Presidentit
fillon jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit
presidencial paraardhës.
3. Presidenti fillon në detyrë pasi
bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë
mbaruar mandati i Presidentit që largohet. Presidenti bën këtë
betim:
ABetohem se do t'i bindem Kushtetutës
dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë
e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së
Shqipërisë dhe do t'i shërbej interesit të përgjithshëm
dhe përparimit të Popullit Shqiptar. Presidenti mund të
shtojë edhe: Zoti më ndihmoftë!
4. Presidenti që jep dorëheqjen para
mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë
në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes
së tij.
Neni 89
Presidenti i Republikës nuk mund të
mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të
jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër
private.
Neni 90
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi
për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
2. Presidenti i Republikës mund të
shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës
dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi
për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të
bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve
të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se
dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës
Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit
të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Neni 91
1. Kur Presidenti i Republikës është
në pamundësi të përkohshme për të ushtruar
funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit
zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
2. Në rast se Presidenti nuk mund të
ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë,
Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve,
vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese,
e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë.
Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi
i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon
brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
Neni 92
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
a) i drejton mesazhe Kuvendit;
b) ushtron të drejtën e faljes sipas
ligjit;
c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon
lënien e saj sipas ligjit;
ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
d) jep gradat më të larta ushtarake
sipas ligjit;
dh) me propozim të Kryeministrit, emëron
dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës
së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat
ndërkombëtare;
e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen
e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera
dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në
Republikën e Shqipërisë;
ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare
sipas ligjit;
f) me propozim të Kryeministrit, emëron
drejtorin e shërbimit informativ të shtetit;
g) emëron Kryetarin e Akademisë
së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;
gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin,
për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;
h) kërkon mendim dhe të dhëna
me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje
që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.
Neni 93
Presidenti i Republikës, në zbatim
të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.
Neni 94
Presidenti i Republikës nuk mund të
ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që
i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të
nxjerra në pajtim me të.
PJESA E PESTË: KËSHILLI I MINISTRAVE
Neni 95
1. Këshilli i Ministrave përbëhet
nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.
2. Këshilli i Ministrave ushtron çdo
funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve
të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes
vendore.
Neni 96
1. Presidenti i Republikës, në
fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet
vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë
ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në
Kuvend.
2. Në qoftë se Kryeministri i
emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një
Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.
3. Në qoftë se edhe Kryeministri
i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve
Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë
rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë
Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
Neni 97
Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit
104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve,
programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku
me përbërjen e tij.
Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti
i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga
Kuvendi.
Neni 99
Para fillimit të detyrës, Kryeministri,
zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të
Republikës.
Neni 100
1. Këshilli i Ministrave përcakton
drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore.
2. Këshilli i Ministrave merr vendime me
propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.
3. Mbledhjet e Këshillit të Ministrave
bëhen të mbyllura.
4. Aktet e Këshillit të Ministrave
janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri
propozues.
5. Këshilli i Ministrave nxjerr vendime
dhe udhëzime.
Neni 101
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje
dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të
nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për
marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen
menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve
nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin
fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga
Kuvendi brenda 45 ditëve.
Neni 102
1. Kryeministri:
a) përfaqëson Këshillin e Ministrave
dhe kryeson mbledhjet e tij;
b) koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të
politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet
për to;
c) siguron zbatimin e legjislacionit dhe të
politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
ç) bashkërendon dhe kontrollon
punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave
dhe të institucioneve të tjera të administratës
qëndrore të shtetit;
d) kryen detyra të tjera të parashikuara
në Kushtetutë e në ligje.
2. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet
ministrave.
3. Kryeministri, në zbatim të kompetencave
të tij, nxjerr urdhra.
4. Ministri, brenda drejtimeve
kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore,
drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që
ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave
të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.
Neni 103
1. Ministër mund të caktohet kushdo
që ka cilësitë për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë
asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë
drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të
Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Neni 104
1. Në rast se mocioni i besimit
i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh
një Kryeministër tjetër. Në këtë rast
Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të
zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan
Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të
bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.
Neni 105
1. Në rast se mocioni i mosbesimit
i paraqitur nga një e pesta e deputetëve miratohet nga shumica
e të gjithë anëtarëve e të Kuvendit, Kuvendi,
brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër.
Në këtë rast President emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të
zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan
Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të
bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.
Neni 106
Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.
Neni 107
1. Nëpunësit publikë zbatojnë
ligjin edhe janë në shërbim të popullit.
2. Nëpunësit në administratën
publike caktohen me konkurs, me përjashtim të rasteve të
parashikuara nga ligji.
3. Garancitë e qëndrimit në
detyrë dhe trajtimi ligjor i nëpunësve publikë rregullohen
me ligj.
PJESA E GJASHTË: QEVERISJA VENDORE
Neni 108
1. Njësitë e qeverisjes vendore janë
komunat ose bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të
qeverisjes vendore rregullohen me ligj.
2. Ndarjet administrative-territoriale të
njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën
e nevojave e të interesave të përbashkët ekonomikë
dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të
ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë
që banon në to.
3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë
të qeverisjes vendore. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese,
me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të
tjera të qeverisjes vendore.
4. Vetëqeverisja në njësitë
vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese
dhe referendumeve vendore. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e
referendumit vendor parashikohen me ligj në përputhje edhe me
nenin 151 paragrafi 2.
Neni 109
1. Organet përfaqësuese të njësive
bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të
cilët zgjidhen çdo tre vjet me zgjedhje të përgjithshme,
të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.
2. Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës
është kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli
në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1 të këtij
neni.
3. Të drejtën e zgjedhjes në këshillat
vendorë dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit
që janë me banim të përhershëm në territorin
e njësisë vendore përkatëse.
4. Organet e njësive të qeverisjes
vendore kanë të drejtë të formojnë bashkime dhe
institucione të përbashkëta me njëri-tjetrin për
përfaqësimin e interesave të tyre, të bashkëpunojnë
me njësitë vendore të vendeve të tjera, si dhe të
përfaqësohen në organizatat ndërkombëtare të
pushteteve vendore.
Neni 110
1. Qarku përbëhet nga disa njësi
bazë të qeverisjes vendore me lidhje tradicionale, ekonomike
e sociale dhe të interesave të përbashkët.
2. Qarku është njësia ku ndërtohen
e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën
shtetërore.
3. Organi përfaqësues i qarkut është
këshilli i qarkut. Bashkitë dhe komunat delegojnë anëtarë
në këshillin e qarkut në përpjesëtim me popullsinë
e tyre, por për çdo rast të paktën një anëtar.
Kryetarët e komunave dhe të bashkive janë kurdoherë
anëtarë të këshillit të qarkut. Anëtarët
e tjerë të tij zgjidhen me lista përpjesëtimore ndër
këshilltarët bashkiakë ose komunalë nga këshillat
përkatës.
4. Këshilli i qarkut ka
të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime me
fuqi detyruese të përgjithshme për qarkun.
Neni 111
1. Njësitë e qeverisjes vendore janë
persona juridikë.
2. Njësitë e qeverisjes
vendore kanë buxhet të pavarur, i cili krijohet në mënyrën
e parashikuar me ligj.
Neni 112
1. Njësive të qeverisjes vendore
mund t=u delegohen me ligj kompetenca të administratës shtetërore.
Shpenzimet që kryhen për ushtrimin e delegimit, përballohen
nga shteti.
2. Organeve të qeverisjes vendore
mund t=u vihen detyrime vetëm në përputhje me ligjin ose
sipas marrëveshjeve që ato lidhin. Shpenzimet që lidhen
me detyrimet që u vihen me ligj organeve të qeverisjes vendore
përballohen nga buxheti i shtetit.
Neni 113
1. Këshillat komunalë, bashkiakë
dhe të qarkut:
a) rregullojnë dhe administrojnë në
mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit
të tyre;
b) ushtrojnë të drejtat e pronës,
administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat
e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë
veprimtari ekonomike;
c) kanë të drejtë të mbledhin
dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të
domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre;
ç) kanë të drejtë të
vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin
e tyre;
d) caktojnë rregullat për organizimin
dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin;
dh) krijojnë simbolet e qeverisjes vendore,
si dhe titujt vendorë të nderit;
e) ndërmarrin nisma për çështje
vendore përpara organeve të caktuara me ligj.
2. Organet e njësive të qeverisjes
vendore nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra.
3. Të drejtat për vetëqeverisje
të njësive të qeverisjes vendore mbrohen në gjykatë.
Neni 114
Këshilli i Ministrave cakton prefektin si
përfaqësues të tij në çdo qark. Kompetencat
e prefektit caktohen me ligj.
Neni 115
1. Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë
qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet
nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të
Kushtetutës ose të ligjeve.
2. Organi i shpërndarë ose i
shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda
15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit
të Ministrave pezullohet.
3. Në rastin e mosushtrimit të së
drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin
e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të
Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton
datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.
PJESA E SHTATË: AKTET NORMATIVE DHE MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE
KREU I: AKTET NORMATIVE
Neni 116
1. Aktet normative që kanë fuqi në
të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë
janë:
a) Kushtetuta;
b) marrëveshjet ndërkombëtare
të ratifikuara;
c) ligjet;
ç) aktet normative të Këshillit
të Ministrave.
2. Aktet që nxirren nga organet e pushtetit
vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që
ushtrojnë këto organe.
3. Aktet normative të ministrave dhe të
organeve drejtuese të institucioneve të tjera qëndrore kanë
fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë
brenda sferës së juridiksionit të tyre.
Neni 117
1. Ligjet, aktet normative të Këshillit
të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të
tjera qëndrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në
Fletoren Zyrtare.
2. Shpallja dhe botimi i akteve të tjera
normative bëhet sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
3. Marrëveshjet ndërkombëtare
që ratifikohen me ligj, shpallen dhe botohen sipas procedurave që
parashikohen për ligjet. Shpallja dhe botimi i marrëveshjeve
të tjera ndërkombëtare bëhet sipas ligjit.
Neni 118
1. Aktet nënligjore nxirren në bazë
dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në
Kushtetutë.
2. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen
e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent,
çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë
të të cilave nxirren këto akte.
3. Organi i autorizuar me ligj për të
nxjerrë akte nënligjore, siç specifikohet në paragrafin
2 të këtij neni, nuk mund t'ia delegojë kompetencën
e tij një organi tjetër.
Neni 119
1. Rregulloret e Këshillit të Ministrave,
të ministrive e të institucioneve të tjera qëndrore,
si dhe urdhrat e Kryeministrit, të ministrave e të drejtuesve
të institucioneve qëndrore kanë karakter të brendshëm
dhe janë të detyrueshme vetëm për njësitë
administrative që varen prej tyre.
2. Këto akte nxirren në bazë të
ligjit dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për të
marrë vendime në lidhje me individët dhe subjektet e tjera.
3. Rregulloret dhe urdhrat nxirren në bazë
dhe për zbatim të akteve që kanë fuqi juridike të
përgjithshme.
Neni 120
Parimet dhe procedurat për nxjerrjen e akteve
juridike vendore parashikohen me ligj.
KREU II: MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE
Neni 121
1. Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve
ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet
me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me:
a) territorin, paqen, aleancat, çështjet
politike dhe ushtarake;
b) të drejtat dhe liritë e njeriut,
si edhe detyrimet e shtetasve, siç parashikohen në Kushtetutë;
c) anëtarësimin e Republikës së
Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare;
ç) marrjen përsipër të
detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë;
d) miratimin, ndryshimin, plotësimin ose
shfuqizimin e ligjeve.
2. Kuvendi, me shumicën e të gjithë
anëtarëve, mund të ratifikojë edhe marrëveshje
të tjera ndërkombëtare që nuk parashikohen në
paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kryeministri e njofton Kuvendin sa herë
që Këshilli i Ministrave nënshkruan një marrëveshje
ndërkombëtare që nuk ratifikohet me ligj.
4. Parimet dhe procedurat për ratifikimin
dhe denoncimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashikohen
me ligj.
Neni 122
1. Çdo marrëveshje ndërkombëtare
e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm
juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së
Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë,
përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme
dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji. Ndryshimi,
plotësimi dhe shfuqizimi i ligjeve të miratuara me shumicën
e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për efekt
të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare
bëhet me të njëjtën shumicë.
2. Një marrëveshje ndërkombëtare
e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen
me të.
3. Normat e nxjerra prej një organizate
ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti,
mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar
nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në
atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë
i normave të nxjerra prej asaj.
Neni 123
1. Republika e Shqipërisë, në bazë
të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave
ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje
të caktuara.
2. Ligji me të cilin ratifikohet një
marrëveshje ndërkombëtare, siç parashikohet në
paragrafin 1 të këtij neni, miratohet me shumicën e të
gjithë anëtarëve të Kuvendit.
3. Kuvendi mund të vendosë që
ratifikimi i një marrëveshjeje të tillë të bëhet
me referendum.
PJESA E TETË: GJYKATA KUSHTETUESE
Neni 124
1. Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e
Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.
2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm
Kushtetutës.
Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga
9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i
Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet,
pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve
me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më
pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese
përtërihet çdo tre vjet në një të tretën
e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet
nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës,
me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon
në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të
tij.
Neni 126
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund
të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet ose të
arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër
të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij.
Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese.
Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve
për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar,
organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Neni 127
1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës
Kushtetuese mbaron kur:
a) dënohet me vendim të formës
së prerë për kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet pa arsye në detyrë
për më shumë se 6 muaj;
c) mbush moshën 70 vjeç;
ç) jep dorëheqjen;
4) me vendim gjyqësor të formës
së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.
2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet
me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant,
Presidenti i Republikës emëron, me pëlqimin e Kuvendit,
një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri
në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.
Neni 128
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Neni 129
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.
Neni 130
Qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private.
Neni 131
Gjykata Kushtetuese vendos për:
a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën
ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet
në nenin 122;
b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve
ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
c) pajtueshmërinë e akteve normative
të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet
ndërkombëtare;
ç) mosmarrëveshjet e kompetencës
ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes
vendore;
d) kushtetutshmërinë e
partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të
veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj
Kushtetute;
dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit
të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së
ushtrimit të funksioneve të tij;
e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë
dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të
Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe
me verifikimin e zgjedhjes së tyre;
ë) kushtetutshmerinë
e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
f) gjykimin përfundimtar të ankesave
të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre
kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të
jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e
këtyre të drejtave.
Neni 132
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë
fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare.
Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të
akteve që shqyrton.
2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë
në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata
Kushtetuese mund të vendosë që ligji ose akti tjetër
normativ të shfuqizohet në një datë tjetër. Mendimi
i pakicës botohet bashkë me vendimin.
Neni 133
1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset
nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me
ligj.
2. Gjykata Kushtetuese vendos me shumicën
e të gjithë anëtarëve të saj.
Neni 134
1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje
vetëm me kërkesë të:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një së pestës
së deputetëve;
ç) Kryetarit të Kontrollit të
Lartë të Shtetit;
d) çdo gjykate sipas rastit të nenit
145 pika 2 të kësaj Kushtetute;
dh) Avokatit të Popullit;
e) organeve të qeverisjes vendore;
ë) organeve të bashkësive fetare;
f) partive politike dhe organizatave të
tjera;
g) individëve.
2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët
dh, e, ë, f dhe g të paragrafit 1 të këtij neni mund
të bëjnë kërkesë vetëm për çështje
që lidhen me interesat e tyre.
PJESA E NËNTË: GJYKATAT
Neni 135
1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata
e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së
parë, të cilat krijohen me ligj.
2. Kuvendi mund të krijojë me ligj
gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast
gjykata të jashtëzakonshme.
Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së
Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin
e Kuvendit.
2. Njëri nga anëtarët emërohet
Kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1
të këtij neni.
3. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës
së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet
pa të drejtë riemërimi.
4. Gjyqtarët e tjerë emërohen
nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të
Lartë të Drejtësisë.
5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm
shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura
e zgjedhjes caktohen me ligj.
Neni 137
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë
mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.
2. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë
mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë
se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë
pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë
Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin
brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të
gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar
ta lirojë atë.
3. Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen
penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë
të Drejtësisë.
4. Gjyqtari mund të ndalohet ose të
arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër
të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij.
Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë
të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i
Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve
për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar,
organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Neni 138
Koha e qëndrimit të gjyqtarëve
në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet
e tjera të tyre nuk mund të ulen.
Neni 139
1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës
së Lartë mbaron kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të
formës së prerë për kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet në detyrë pa arsye
për më shumë se 6 muaj;
c) mbush moshën 65 vjeç;
ç) jep dorëheqjen;
d) deklarohet i paaftë për të
vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet
me vendim të Gjykatës së Lartë.
Neni 140
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund
të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë
anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës,
për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike
dhe për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë
pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet
nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një
nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Neni 141
1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar
dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale
kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve
të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve
të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës
Kushtetuese.
2. Për njësimin ose ndryshimin e praktikës
gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë
për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të
caktuara gjyqësore.
Neni 142
1. Vendimet gjyqësore duhet të jenë
të arsyetuara.
2. Gjykata e Lartë duhet t=i botojë
vendimet e saj, si dhe mendimet e pakicës.
3. Organet e shtetit janë të detyruara
të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.
Neni 143
Qënia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë
veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private.
Neni 144
Gjykatat kanë buxhet të veçantë,
të cilin e administrojnë vetë. Ato e propozojnë
buxhetin e tyre sipas ligjit.
Neni 145
1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe
u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
2. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet
vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë
ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë
çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës
Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.
3. Ndërhyrja në veprimtarinë e
gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas
ligjit.
Neni 146
1. Gjykatat i japin vendimet në emër
të Republikës.
2. Vendimet gjyqësore shpallen publikisht
në çdo rast.
Neni 147
1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë
përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës
së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë
të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha
niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.
Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për
5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.
2. Presidenti i Republikës është
Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
3. Këshilli i Lartë i Drejtësisë,
me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një
zëvendëskryetar. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë
e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe
kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Presidentit të
Republikës.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë
vendos për transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë
e tyre disiplinore sipas ligjit.
5. Transferimi i gjyqtarëve nuk mund të
bëhet pa pëlqimin e tyre, përveçse kur këtë
e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor.
6. Gjyqtari mund të shkarkohet nga Këshilli
i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e një krimi,
për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që
diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën
e gjyqtarit ose për pamjaftueshmëri profesionale. Kundër
këtij vendimi gjyqtari ka të drejtë të ankohet në
Gjykatën e Lartë, e cila në këtë rast, vendos
me kolegje të bashkuara.
PJESA E DHJETË: PROKURORIA
Neni 148
1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe
përfaqëson akuzën në gjyq në emër të
shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me
ligj.
2. Prokurorët janë të organizuar
dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ
i centralizuar.
3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre
prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve.
Neni 149
1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet
nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Prokurori i Përgjithshëm mund të
shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit,
për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të
rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të
tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që
diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit.
3. Prokurorët e tjerë emërohen
dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit
të Përgjithshëm.
4. Prokurori i Përgjithshëm informon
herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit.
PJESA E NJËMBËDHJETË:
REFERENDUMI
Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë
shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit
për shfuqizimin e një ligji, si dhe t=i kërkojë Presidentit
të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje
të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se
një së pestës së deputetëve ose me propozimin
e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që
një çështje ose një projektligj i një rëndësie
të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin
e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
Neni 151
1. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga
Presidenti i Republikës.
2. Çështjet që lidhen me tërësinë
territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin
e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat
e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes
së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes
dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
3. Referendumi për të njëjtën
çështje nuk mund të përsëritet përpara
se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.
Neni 152
1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht
kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për
referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët
2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
2. Rëndësia e çështjeve
të veçanta, të parashikuara në nenin 150 paragrafët
1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti
i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit
pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit
brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë
vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë.
PJESA E DYMBËDHJETË: KOMISIONI
QENDROR I ZGJEDHJEVE
Neni 153
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është
një organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr,
drejton dhe verifikon të gjitha aspektet që kanë të
bëjnë me zgjedhjet dhe me referendumet dhe shpall rezultatet
e tyre.
Neni 154
1. Komisioni përbëhet nga 7 anëtarë,
të cilët zgjidhen për një mandat 7-vjeçar. Dy
anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, 2 nga Presidenti i Republikës
dhe 3 anëtarë të tjerë nga Këshilli i Lartë
i Drejtësisë.
2. Përbërja e Komisionit Qëndror
të Zgjedhjeve përtërihet çdo tre vjet sipas procedurës
së përcaktuar me ligj.
3. Anëtarësia në Komision nuk
pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe politike.
4. Subjektet elektorale caktojnë përfaqësuesit
e tyre pranë Komisionit. Ata nuk kanë të drejtë vote.
5. Anëtari i Komisionit gëzon imunitetin
e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
6. Komisioni ka buxhetin e vet.
PJESA E TREMBËDHJETË: FINANCAT
PUBLIKE
Neni 155
Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare
e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të
caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre
caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t=i jepet
fuqi prapavepruese.
Neni 156
Shteti mund të marrë e të garantojë
hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj.
Neni 157
1. Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti
i shtetit dhe nga buxhetet vendore.
2. Buxheti i shtetit krijohet nga të ardhurat
e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare,
si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin
të gjitha shpenzimet e shtetit.
3. Organet vendore caktojnë dhe mbledhin
taksa dhe detyrime të tjera siç përcaktohet me ligj.
4. Organet shtetërore dhe ato vendore janë
të detyruara t=i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.
Neni 158
1. Kryeministri, në emër të Këshillit
të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin
e shtetit gjatë sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të
mbyllet pa e miratuar atë.
2. Në qoftë se projektligji nuk arrin
të miratohet deri në fillim të vitit të ardhshëm
financiar, Këshilli i Ministrave zbaton çdo muaj një të
dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraardhës, derisa
të miratohet buxheti i ri.
3. Kuvendi miraton buxhetin e ri brenda 3 muajve
nga dita e mbarimit të vitit të kaluar financiar, përveçse
në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
4. Këshilli i Ministrave është
i detyruar t'i paraqesë raport Kuvendit lidhur me zbatimin e buxhetit
dhe me borxhin shtetëror për vitin e kaluar.
5. Kuvendi vendos përfundimisht pasi dëgjon
edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Neni 159
Parimet dhe procedurat për hartimin e projektbuxhetit, si dhe për zbatimin e buxhetit përcaktohen me ligj.
Neni 160
1. Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të
bëjë ndryshime në buxhet.
2. Ndryshimet në buxhet bëhen sipas
procedurës së parashikuar për hartimin dhe miratimin e vetë
buxhetit.
3. Shpenzimet e parashikuara me ligje të
tjera nuk mund të ulen sa kohë që këto ligje janë
në fuqi.
Neni 161
1. Banka Qendrore e shtetit është Banka
e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të
nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të
zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes
e të administrimit të rezervave valutore të Republikës
së Shqipërisë.
2. Banka e Shqipërisë drejtohet
nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori
zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës
për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
PJESA E KATËRMBËDHJETË: KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
Neni 162
1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është
institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar.
Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
2. Kryetari i Kontrollit të Lartë
të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të
Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë
për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Neni 163
Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:
a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve
shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore
nga organet e pushtetit qëndror dhe atij vendor;
c) veprimtarinë
ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti
ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve,
ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.
Neni 164
1. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet
Kuvendit:
a) raport për zbatimin e buxhetit
të shtetit;
b) mendim për raportin e Këshillit
të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar
para se të miratohet nga Kuvendi;
c) informacion për rezultatet e kontrolleve
sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
2. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet
Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij.
Neni 165
1. Kryetari i Kontrollit të Lartë të
Shtetit mund të ftohet të marrë pjesë dhe të flasë
në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, kur shqyrtohen çështje
që lidhen me funksionet e tij.
2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të
Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
PJESA E PESËMBËDHJETË:
FORCAT E ARMATOSURA
Neni 166
1. Shtetasit shqiptarë kanë për
detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e Republikës
së Shqipërisë, siç parashikohet në ligj.
2. Shtetasi që, për arsye ndërgjegjeje,
nuk pranon shërbimin me armë në forcat e armatosura, është
i detyruar të kryejë një shërbim alternativ, siç
parashikohet në ligj.
Neni 167
1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk
mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të
tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose
në veprimtari politike.
2. Pjesëtarët e forcave të armatosura
ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë
të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese, përveç
rasteve kur ligji parashikon ndryshe.
Neni 168
1. Forcat e Armatosura të Republikës
së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore,
detare dhe ajrore.
2. Presidenti i Republikës është
Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është
organ këshillimor i Presidentit të Republikës.
Neni 169
1. Presidenti i Republikës, në kohë
paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet
Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.
2. Presidenti i Republikës, në kohe
lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura
me propozim të Kryeministrit.
3. Presidenti i Republikës, me propozim
të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të
Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes,
emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare
dhe ajrore.
4. Kompetencat e Presidentit të Republikës
si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe
ato të Komandantit të Forcave të Armatosura dhe varësia
e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj.
PJESA E GJASHTËMBËDHJETË:
MASAT E JASHTËZAKONSHME
Neni 170
1. Masat e jashtëzakonshme mund të
vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes
së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë
natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto
gjendje.
2. Parimet e veprimtarisë së organeve
publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të
njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës
së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme,
përcaktohen me ligj.
3. Ligji duhet të përcaktojë parimet,
fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë
si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë
marrjes së masave të jashtëzakonshme.
4. Aktet që ndërmerren si pasojë
e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë
në përpjestim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë
rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin
normal të shtetit.
5. Gjatë gjendjeve që kërkojnë
marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet
asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet
për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet
për masat e jashtëzakonshme.
6. Gjatë periudhës së zbatimit
të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen
zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund
të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet
vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e
jashtëzakonshme.
Neni 171
1. Në rast agresioni të armatosur kundër
Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës,
me kërkesë të Këshillit të Ministrave, shpall
gjendjen e luftës.
2. Në rast kërcënimesh të
jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët
buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi, me
propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e
luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit
të përgjithshëm ose të pjesshëm.
Neni 172
1. Në rastin e nenit 171 paragrafi 1, Presidenti
i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes
së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke
specifikuar të drejtat që kufizohen.
2. Kuvendi merr në shqyrtim menjëherë
dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve për
dekretin e Presidentit.
Neni 173
1. Në rast rreziku për rendin kushtetues
dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të
Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një
pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen
e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku,
por jo më shumë se 60 ditë.
2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme
ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të
Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në
gjendje të rivendosin rendin.
3. Zgjatja e afatit të gjendjes së
jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim
të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë
jo më shumë se 90 ditë.
Neni 174
1. Për parandalimin ose mënjanimin
e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik,
Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një
periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e
fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në
të gjithë territorin e shtetit.
2. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë
natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.
Neni 175
1. Gjatë gjendjes së luftës
ose gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të kufizohen të
drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 15, 18, 19, 20, 21, 24,
25, 29, 30, 31, 32, 34, 39 paragrafi 1, 41 paragrafët 1, 2, 3 dhe
5, 42, 43, 48, 54, 55.
2. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë
natyrore mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara
nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51.
3. Aktet për shpalljen e gjendjes
së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose të
gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të cilësojnë
të drejtat dhe liritë që kufizohen sipas paragrafëve
1 dhe 2 të këtij neni.
Neni 176
Kur Kuvendi nuk mund të mblidhet gjatë
gjendjes së luftës, Presidenti i Republikës, me propozim
të Këshillit të Ministrave, ka të drejtë të
nxjerrë akte që kanë fuqinë e ligjit, të cilat
duhet të miratohen nga Kuvendi në mbledhjen e tij më të
parë.
PJESA E SHTATËMBËDHJETË:
RISHIKIMI I KUSHTETUTËS
Neni 177
1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës
mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve
të Kuvendit.
2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk
mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur
masat e jashtëzakonshme.
3. Projekti miratohet nga jo më pak se dy
të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Kuvendi mund të vendosë, me dy të
tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet
kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin
e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili
bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në
Kuvend.
5. Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet
referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të
gjithë anëtarëve të Kuvendit.
6. Presidenti i Republikës nuk ka të
drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi
për rishikimin e Kushtetutës.
7. Ligji i miratuar në referendum shpallet
nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën
e parashikuar në këtë ligj.
8. Rishikimi i Kushtetutës për të
njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara
se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të
projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë
kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.
PJESA E TETËMBËDHJETË:
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 178
1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të
miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj
Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
2. Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit
projektligjet e nevojshme për vënien në zbatim të kësaj
Kushtetute.
Neni 179
1. Mandati i organeve kushtetuese që do
të ekzistojnë me hyrjen në fuqi të kësaj Kushtetute
mbaron me afatet e parashikuara në ligjin nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me ndryshimet dhe plotësimet
përkatëse.
2. Anëtarët e Gjykatës së
Kasacionit vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë
të Gjykatës së Lartë, sipas mandatit të mëparshëm.
3. Anëtarët e Këshillit të
Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga radhët
e prokurorëve zëvendësohen me anëtarë të
rinj të zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve.
4. Organet e pushtetit vendor vazhdojnë
veprimtarinë deri në mbarim të mandatit të tyre.
Neni 180
1. Marrëveshjet ndërkombëtare
të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë para hyrjes në
fuqi të kësaj Kushtetute konsiderohen të ratifikuara sipas
kësaj Kushtetute.
2. Këshilli i Ministrave i paraqet Gjykatës
Kushtetuese marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat përmbajnë
dispozita që vijnë në kundërshtim me këtë
Kushtetutë.
Neni 181
1. Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga
hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin
e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen
me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj
Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41.
2. Ligjet dhe aktet e tjera normative të
miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj
Kushtetute dhe që kanë të bëjnë me shpronësimet
dhe konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim
me të.
Neni 182
Ligji nr.7491, datë 29.4.1991 APër dispozitat kryesore kushtetuese@, si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.
Neni 183
Kjo Kushtetutë hyn në fuqi me shpalljen
nga Presidenti i Republikës.