Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë për historinë
tonë dhe me besim tek e ardhmja,
me vendosmërinë për të ndërtuar një
shtet të së drejtës, demokratik e social,
me synimin për të respektuar vlerat universale njerëzore,
me vendosmërinë për të garantuar të drejtat
dhe liritë themelore të njeriut,
me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës
fetare,
me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit
njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit,
drejt qëllimeve të paqes, mirëqenies, kulturës dhe
solidaritetit shoqëror, me aspiratën shekullore të
popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar,
me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi
ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta
të njerëzimit,
Vendosim këtë Kushtetutë:
PJESA E PARË: PARIME THEMELORE
Neni 1
1. Shqipëria është republikë parlamentare.
2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar.
3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira,
të barabarta, të përgjithshme e periodike.
Neni 2
1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket
popullit.
2. Populli e ushtron sovranitetin drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet
përfaqësuesve të tij.
3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtare,
Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në
një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji
të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve
të Kuvendit.
Neni 3
Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, si dhe bashkëjetesa fetare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë e mbrojë ato.
Neni 4
1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë
së shtetit.
2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën
e Shqipërisë.
3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti,
përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Neni 5
Republika e Shqipërisë respekton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.
Neni 6
Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë, rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç kur në të parashikohet ndryshe.
Neni 7
Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Neni 8
1. Republika e Shqipërisë njeh dhe mbron të drejtat kombëtare
të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të vet.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve
të saj me banim të përkohshëm ose të përhershëm
jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve
shqiptarë që jetojnë e punojnë në emigracion për
të ruajtur e zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore
kombëtare.
Neni 9
1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të
përputhet me parimet demokratike.
2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria
e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që
nxisin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike,
që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për
të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me
karakter të fshehtë, janë të ndaluara në përputhje
me ligjin.
3. Burimet financiare të partive si dhe shpenzimet e tyre bëhen
kurdoherë publike.
Neni 10
1. Republika e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet
e besimit dhe të ndërgjegjes si dhe garanton lirinë e shprehjes
së tyre në jetën publike.
3. Shteti garanton barazinë e komuniteteve fetare.
4. Shteti dhe komunitetet fetare respektojnë në mënyrë
të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit
dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe
të të gjithëve.
5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare
rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet
përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave.
Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.
6. Komunitetet fetare janë persona juridikë. Ata kanë
pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve,
rregullave dhe kanoneve të tyre.
Neni 11
1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet
në ekonominë e tregut, në lirinë e veprimtarisë
ekonomike, si dhe në pronën private e publike.
2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike
mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye
të rëndësishme publike.
Neni 12
1. Forcat e armatosura sigurojnë pavarësinë e vendit,
si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij
kushtetues.
2. Forcat e armatosura ruajnë asnjëanësinë në
çështjet politike dhe i nënshtrohen kontrollit civil.
3. Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të pranohet
në territorin shqiptar, përveçse me një ligj të
miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të
Kuvendit.
Neni 13
Qeverisja lokale në Republikën e Shqipërisë ushtrohet sipas parimit të decentralizmit të pushtetit publik.
Neni 14
1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është
shqipja.
2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë
të zezë dykrenore në mes.
3. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një
shqiponjë të zezë dykrenore, të vendosur mbi një
shqyt me fushë të kuqe. Në krye të stemës është
përkrenorja e Skënderbeut.
4. Himni kombëtar është “Përreth flamurit tonë
të bashkuar.”
5. Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë
është Dita e Flamurit, 28 Nëntori.
6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë është
Tirana.
PJESA E DYTË:
TË DREJTAT DHE LIRITË
THEMELORE TË NJERIUT
KREU I: PARIME TË PËRGJITHSHME
Neni 15
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë
të pandashme e të patjetërsueshme dhe qëndrojnë
në themel të të gjithë rendit juridik.
2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave
të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë
themelore, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
Neni 16
1. Të drejtat e liritë themelore si dhe detyrimet e parashikuara
në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj
edhe për të huajt e personat pa shtetësi në territorin
e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të
rasteve, kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme
ushtrimin e të drejtave e lirive të caktuara me shtetësinë
shqiptare.
2. Të drejtat e liritë themelore si dhe detyrimet e parashikuara
ne Kushtetutë vlejnë edhe për personat juridikë për
aq sa përputhen me qëllimet e përgjithshme të këtyre
personave dhe me thelbin e këtyre të drejtave, lirive dhe detyrimeve.
Neni 17
1. Kufizime të këtyre lirive dhe të drejtave mund të
vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për
mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi
duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka
diktuar atë.
2. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e
lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund
të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën
Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 18
1. Të gjithë janë të barabartë përpara
ligjit.
2. Askush nuk mund te diskriminohet padrejtësisht për shkaqe
të tilla si, gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare
a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia
prindore.
3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura
në paragrafin 2 nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme
dhe objektive.
Neni 19
1. Kushdo që lind qoftë edhe nga një prind me shtetësi
shqiptare e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia
shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara
me ligj.
2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë,
përveçse kur ai heq dorë prej saj.
Neni 20
1. Personat që u përkasin pakicave kombëtare kanë
të drejtë të ushtrojnë në barazi të plotë
para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre.
2. Ata kanë të drejtë të shprehin, ruajnë
dhe zhvillojnë lirisht identitetin e tyre etnik, kulturor, fetar,
gjuhësor, të mesojnë dhe të mësohen në gjuhën
e tyre amëtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata
për mbrojtjen e interesave dhe identitetit të tyre.
KREU II: LIRITË DHE TË DREJTAT PERSONALE
Neni 21
Jeta e çdo personi mbrohet me ligj.
Neni 22
1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, radios dhe e televizionit është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit masiv ndalohet.
4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit
për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit.
Neni 23
1. E drejta e informimit është e garantuar.
2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin,
të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore,
si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve
të zgjedhura kolektive.
Neni 24
1. Liria e ndërgjegjes dhe fesë eshtë e garantuar.
2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të
ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht
ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet
kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë
pjesë në një komunitet ose në praktikat fetare, si
dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.
Neni 25
Askush nuk mund t'i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
Neni 26
Askujt nuk mund t'i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që rrjedh nga një gjendje lufte, e jashtëzakonshme ose fatkeqësi natyrore që kërcënon jetën ose shëndetin e njerëzve.
Neni 27
1. Askujt nuk mund t’i hiqet liria përveçse në rastet
dhe sipas modaliteteve të parashikuara me ligj.
2. Asnjë ligj nuk mund të nxirret për t’i kufizuar lirinë
personit, përveç se në rastet e meposhtme:
a) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente;
b) për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të
gjykatës ose të ndonjë detyrimi të caktuar me ligj;
c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër
penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës
penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
d) për mbikqyrjen e të miturit për qëllime edukimi
ose shoqërimin e tij në organin kompetent;
e) kur personi është përhapës i një sëmundjeje
ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për
shoqërinë, alkoolist, toksikoman ose endacak;
f) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror
ose në rastet e dëbimit ose të ekstradimit.
3. Askujt nuk mund t'i hiqet liria vetëm për shkak se nuk
është në gjendje të përmbushë një detyrim
kontraktor.
Neni 28
1. Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të
njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton për
shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën që i bëhet.
Personi, të cilit i është hequr liria, duhet të njoftohet
se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë
dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë
me avokatin, si dhe t’i jepet mundësia për realizimin e të
drejtave të tij.
2. Personit të cilit i është hequr liria, sipas nenit
27 paragrafi 2, nënparagrafi “c”, duhet të dërgohet brenda
48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin
e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së
dokumentave për shqyrtim.
3. I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër
vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë të gjykohet
brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë
përkundrejt një shpërblimi.
4. Në të gjitha rastet e tjera, personi, të cilit i
hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t’i drejtohet
në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve
për ligjshmërinë e kësaj mase.
5. Çdo i burgosur ka të drejtën e trajtimit njerëzor
dhe të respektimit të dinjitetit të tij
Neni 29
1. Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për
një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj
në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim të veprave,
të cilat në kohën e kryerjes së tyre, sipas së
drejtës ndërkombëtare, përbëjnë krime të
luftës ose kundër njerëzimit.
2. Nuk mund të jepet një dënim më i rëndë
se ai që ka qënë parashikuar me ligj në kohën
e kryerjes së veprës penale.
3. Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese.
Neni 30
Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Neni 31
Gjatë procesit penal, kushdo ka të drejtë:
a) të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht
për akuzën që i bëhet, për të drejtat e tij,
si dhe t’i krijohet mundësia për të njoftuar familjen ose
të afërmit e tij;
b) të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme
për të përgatitur mbrojtjen e vet;
c) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi,
kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe;
d) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi
ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë lirisht dhe privatisht
me të, si dhe t'i sigurohet mbrojtja falas kur nuk ka mjete të
mjaftueshme;
e) t'u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm
dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të
ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët
mund të sqarojnë faktet.
Neni 32
1. Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër
vetvetes ose familjes dhe as të pohojë fajësinë e tij.
2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të
dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme.
Neni 33
1. Kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të
gjykohet.
2. Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë personi
që i fshihet drejtësisë.
Neni 34
Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë per të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
Neni 35
1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon
ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen
me personin e tij.
2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave
rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të
rasteve të parashikuara me ligj.
3. Kushdo ka të drejtë të njihet me të dhënat
e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara
me ligj.
4. Kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen
ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose të
paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin.
Neni 36
Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.
Neni 37
1. Paprekshmëria e banesës eshtë e garantuar.
2. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen
me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe mënyrat
e parashikuara me ligj.
3. Askujt nuk mund t'i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit
penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin
e shtetit dhe të daljes prej tij, ose për të mënjanuar
një rrezik që i kanoset sigurimit publik.
Neni 38
1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si
dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të
territorit të shtetit.
2. Secili mund të dalë lirisht jashtë shtetit.
Neni 39
1. Asnjë shtetas shqiptar nuk mund të debohet nga territori
i shtetit.
2. Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar
shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare, në
të cilat Republika e Shqipërisë është palë
dhe vetëm me vendim gjyqësor.
3. Ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve. Dëbimi i individëve
të huaj lejohet në kushtet e përcaktuara me ligj.
Neni 40
Të huajt kanë të drejtën e strehimit në Republikën e Shqipërisë sipas ligjit.
Neni 41
1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe
me ligj, nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt
ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave
të tij kushtetuese dhe ligjore, ose në rastin e akuzave të
ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të
drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga
një gjykatë e pavarur dhe e paanëshme të caktuar me
ligj.
Neni 42
Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.
Neni 43
Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të
zhdëmtohet në përputhje me ligjin në rast se është
dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi
të paligjshëm të organeve shtetërore.
KREU III: LIRITË DHE TË DREJTAT POLITIKE
Neni 44
1. Çdo shtetas, që ka mbushur tetëmbëdhjetë
vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën
të zgjedhë e të zgjidhet.
2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar
me vendim gjyqësor të formës së prerë si të
paaftë mendërisht.
3. Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin
me heqje të lirisë kanë vetëm të drejtën
për të zgjedhur.
4. Vota eshtë personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
Neni 45
1. Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për
çfarëdo qëllimi të ligjshëm.
2. Regjistrimi në gjykatë i organizatave ose i shoqatave
bëhet sipas procedurës së parashikuar me ligj.
3. Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese
janë të ndaluara në përputhje me ligjin.
Neni 46
1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes
në to është e garantuar.
2. Tubimet paqësore në sheshet dhe në vendet e kalimit
publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.
Neni 47
Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t'u
drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike,
të cilat janë të detyruara të përgjigjen në
afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.
KREU IV: LIRITË DHE TË DREJTAT EKONOMIKE, SOCIALE DHE KULTURORE
Neni 48
1. E drejta e pronës private është e garantuar.
2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje ose me çdo
mënyrë tjetër të parashikuar me Kodin Civil.
3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime
në ushtrimin e të drejtës së pronës vetëm
për interesa publike.
4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës
së pronës që barazohen me shpronësimin lejohen vetëm
përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit
mund të bëhet ankim në gjykatë.
Neni 49
1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës
së tij me punë të ligjshme që e ka zgjedhur ose pranuar
vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin,
vendin e punës si edhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes
shoqërore të punës.
Neni 50
Të punësuarit dhe punëdhënësit kanë të
drejtë të bashkohen lirisht në organizatat sindikale për
mbrojtjen e interesave të tyre të punës.
Neni 51
1. E drejta e punonjësve për grevë që ka të
bëjë me marrëdhëniet e punës është e
garantuar.
2. Kufizime për kategori të veçanta punonjësish
mund të vendosen me ligj për t'i siguruar shoqërisë
shërbimet e domosdoshme.
Neni 52
1. Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në
pleqëri ose kur është i paaftë për punë,
sipas një sistemi të caktuar me ligj.
2. Personat kur mbeten pa punë, për shkaqe të pavarura
nga vullneti i tyre dhe kur nuk kanë mjete të tjera jetese, kanë
të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.
Neni 53
1. Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë
familje.
2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë
të shtetit.
3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.
Neni 54
1. Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna
dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje
të veçantë nga shteti.
2. Fëmijet e lindur jashtë martese, kanë të drejta
të barabarta me të lindurit nga martesa.
3. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë
i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi
për punë, e veçanërisht nën moshën minimale
për punen e fëmijëve, që mund të dëmtojë
shëndetin ose moralin ose të rrezikojë jetën ose zhvillimin
e tij normal.
Neni 55
Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë kujdesin shëndetësor të shtetit.
Neni 56
Cilido ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij.
Neni 57
1. Kushdo ka të drejtën për arsim.
2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është
i hapur për të gjithë.
4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohen
vetëm nga kritere aftësie.
5. Arsimi në shkollat publike është falas.
6. Ligji mund të parashikojë pagesa për shërbime
që kryejnë institucionet e arsimit të lartë publik.
7. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe
në shkolla jo publike të të gjitha niveleve, të cilat
krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit.
8. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe
liria akademike janë të garantuara me ligj.
Neni 58
1. Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit shkencor, vënia
në përdorim si dhe përfitimi prej arritjeve të tyre
janë të garantuara për të gjithë.
2. E drejta e autorit mbrohet me ligj.
KREU V: OBJEKTIVAT SOCIALE
Neni 59
1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon
si dhe në plotësim të inisiativës dhe përgjegjësisë
private, synon:
a) punësimin në kushte të përshtatshme të
të gjithë personave të aftë për punë;
b) plotësimin e nevojave te strehimit të shtetasve;
c) mjekimin e nevojshëm të shtetasve;
d) edukimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve
dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë
me punë;
e) sigurimin e një mjedisi të përshtatshëm për
brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
f) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive rekreative;
g) riaftësimin shëndetsor, edukimin e specializuar dhe integrimin
në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin
në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës.
2. Objektivat sociale nuk janë te drejta, zbatimi i të cilave
mund të kërkohet drejtpërdrejt nga gjykata. Ligji përcakton
kushtet dhe masën, në të cilat mund të kërkohet
realizimi i këtyre objektivave.
KREU VI: AVOKATI I POPULLIT
Neni 60
1. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat
e ligjshme të shtetasve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme
e të parregullta të organeve të administratës publike.
2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e
detyrës së tij.
3. Avokati i Popullit ka buxhet të veçantë. Ai e propozon
buxhetin sipas ligjit.
Neni 61
1. Avokati i Popullit zgjidhet nga tre të pestat e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej
5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje.
2. Avokati i Popullit mund të jetë çdo shtetas shqiptar,
me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të
drejtave të njeriut.
3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës
së Lartë.
4. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në
asnjë parti politike, të kryejë veprimtari tjetër politike,
shtetërore ose profesionale, dhe as të marrë pjesë
në organizmat drejtuese të organizatave shoqerore, ekonomike
dhe tregtare.
Neni 62
1. Avokati i popullit mund të shkarkohet vetëm me kërkesë
te motivuar të jo më pak se një të tretës së
deputetëve.
2. Në këtë rast, Kuvendi vendos me tre të pestat
e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 63
1. Avokati i Popullit bën raport vjetor përpara Kuvendit.
2. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit kur i kërkohet
prej këtij, si dhe mund t’i kërkojë Kuvendit të dëgjohet
për çështje që ai i çmon të rëndësishme.
3. Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë
rekomandime dhe të propozojë masa kur konstaton shkelje të
të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike.
4. Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar
t’i paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentat dhe informacionet
e kërkuara prej tij.
PJESA E TRETË: KUVENDI
KREU I: ZGJEDHJA DHE AFATI
Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga jo më pak se 140 deputetë.
2. 100 deputetë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë
në zona zgjedhore njëemërore me numër te përafërt
zgjedhësish.
3. Mandatet shtesë kompensues u jepen partive ose koalicioneve
partiake nga listat shumemërore të tyre në përpjestim
me votat e fituara nga kandidatët përkatës në shkallë
vendi në raundin e parë.
4. Partitë dhe koalicionet e partive që marrin më pak
se 3% (4%) të votave të vlefshme në shkallë vendi,
nuk përfitojnë mandate shtesë.
Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.
2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen brenda 60 deri në 30
ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45
ditë pas shpërndarjes.
3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të
Kuvendit të ri. Në interval, Kuvendi nuk mund të nxjerrë
ligje ose të marrë vendime me përjashtim të rasteve
të ngutshme.
Neni 66
Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për
aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë,
ai rithirret vetiu.
Neni 67
1. Kuvendi i porsazgjedhur, thirret në mbledhjen e parë nga
Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi
i zgjedhjeve.
2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron ketë
kompetencë, Kuvendi mblidhet vetiu brenda 10 ditëve nga mbarimi
i afatit të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
KREU II: DEPUTETËT
Neni 68
1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm
nga partitë politike dhe votuesit.
2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë,
për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi
i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve,
rregullohen nga ligji për zgjedhjet.
Neni 69
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë,
pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të Sigurimit Kombëtar;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët
në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
e) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
f) Presidenti i Republikës, funksionarët e lartë të
Administratës shtetërore të parashikuar nga ligji, me përjashtim
të anëtarëve të Këshillit të Ministrave,
Avokati i Popullit, Kryetari dhe zëvendëskryetarët e Kontrollit
të Lartë të Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i
Radio-Televizionit.
2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të
këtij neni është i pavlefshëm.
Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen
me asnjë mandat detyrues.
2. Ata nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë
detyrë tjetër publike; deputeti mund të jetë anëtar
i Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë
caktohen me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari
fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit lokal
dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij
neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një
të dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi e
dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila
konstaton papajtueshmërinë.
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur
nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm,
sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë,
të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3.
d) kur mbaron mandati i Kuvendit;
e) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rrjesht në Kuvend.
Neni 72
Para fillimit të ushtrimit të mandatit, deputetët bëjnë betimin në Kuvend.
Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura
në Kuvend dhe votat e dhëna. Kjo dispozitë nuk zbatohet
në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizimin
e Kuvendit.
3. Ai mund të ndalohet ose të arrestohet në flagrancë
pa autorizim vetëm kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë
pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto
raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin,
i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për
heqjen e masës.
4. Për çështjet që parashikohen në paragrafet
2 dhe 3, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
KREU III: ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
Neni 74
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i
parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe
sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.
2. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm
kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, Kryeministri ose nga
një e pesta e deputetëve.
3. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit
në bazë të një rendi të përcaktuar.
Neni 75
1. Kuvendi zgjedh dhe shkarkon kryetarin e vet.
2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar
nga shumica e të gjithë anëtarëve.
Neni 76
1. Kryetari kryeson debatin, siguron respektimin e të drejtave
të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson
Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët.
2. Shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin e
Kuvendit kryhen nga nëpunës të tjerë, siç përcaktohet
në rregulloren e brendshme.
3. Nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit është
Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 77
1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme,
si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
2. Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të
një të katërtës së anëtarëve të
tij, është i detyruar të caktojë komisione hetimi për
të shqyrtuar një çështje të veçantë.
Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por
ato mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson ato sipas
procedurës ligjore.
3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së
parashikuar me ligj.
Neni 78
1. Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më
shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve
të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një
shumicë të cilësuar.
2. Mbledhjet e deputetëve, që mbahen pa u thirrur sipas rregullores,
nuk sjellin asnjë pasojë.
Neni 79
1. Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura.
2. Me kërkesën e Presidentit të Republikës, të
Kryeministrit ose një të pestës së deputetëve,
mbledhjet e Kuvendit mund të bëhen të mbyllura, kur për
këtë kanë votuar shumica e të gjithë anëtarëve
të tij.
Neni 80
1. Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit
të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave
dhe pyetjeve të deputetëve brenda tre javëve.
2. Anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë
të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të
komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë që e kërkon.
KREU IV: PROCESI LIGJVËNËS
Neni 81
1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli
i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë votues.
2. Miratohen me shumicën e kërkuar nga neni 87:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të
parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale;
d) ligji për referendumet;
e) kodet;
f) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
g) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
h) ligji për amnistinë;
i) ligji për ndarjen administrative të Republikës.
Neni 82
1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet
kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për
zbatimin e tij.
2. Asnjë projektligj joqeveritar, që bën të nevojshme
rritjen e buxhetit të shtetit ose që pakëson të ardhurat,
nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të
Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data
e marrjes së projektligjit.
3. Nëqoftëse Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda
afatit të mësipërm, projektligji kalon për shqyrtim
sipas procedurës.
Neni 83
1. Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen
dhe në tërësi.
2. Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave,
mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj
me procedurë të përshpejtuar, por jo më shpejt se një
javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit.
3. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e
projektligjeve të parashikuar në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim
të nënparagrafit “f.”
Neni 84
1. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve.
2. Ligji quhet i shpallur, nëqoftëse brenda 20 ditëve,
Presidenti i Republikës nuk e kthen ligjin për rishqyrtim në
Kuvend.
3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve
nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme, kur Kuvendi
vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti
i Republikës jep pëlqimin, ligji mund të hyjë në
fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht.
Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të
Fletores Zyrtare.
Neni 85
1. Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë
ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.
2. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji humbet
fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit.
KREU V: KËSHILLI I KUVENDIT
Neni 86
1. Këshilli është pjesë e Kuvendit të Republikës
së Shqipërisë. Ai përbehet nga 25 anëtarë.
2. Këshilli zgjidhet nga anëtarët e Kuvendit në
fillim të sesionit të parë.
3. Përfaqësimi në Këshill bëhet proporcionalisht
me numrin e vendeve të fituara në Kuvend. Partitë,
të cilat kalojnë kufirin minimal të parashikuar në
nenin 64, paragrafi 4, përfaqësohen në Këshill me jo
më pak se një anëtar.
4. Për projektligjet që shqyrtohen në Këshill,
anëtarët e tij nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet
e komisioneve të Kuvendit. Ata kanë të drejtë
të marrin pjesë dhe të votojnë në seancën
plenare të Kuvendit.
Neni 87
Këshilli i Kuvendit:
a) shqyrton paraprakisht projektligjet që parashikohen në
nenin 81, paragrafi 2 i Kushtetutës;
b) jep opinion për çështje të veçanta
kur ia kërkon Kuvendi.
Neni 88
1. Këshilli merr vendime me tre të pestat e të gjithë
anëtarëve të tij.
2. Në çdo rast vendimi i dërgohet për shqyrtim
Kuvendit brenda 3 ditëve. Kur Kuvendi është i një
mendimi me Këshillin, ai e miraton projektligjin me shumicën
e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast
të kundërt, Kuvendi mund të rrëzojë vendimin e
Këshillit me tre të pestat e të gjithë anëtarëve
të tij.
3. Kur Kuvendi nuk arrin shumicën e kërkuar, shqyrtimi i
projektligjit shtyhet për në sesionin e ardhshëm të
Kuvendit, i cili në këtë rast vendos me shumicën e
të gjithë anëtarëve të tij.
4. Kur Këshilli nuk arrin të marrë vendim, projektligji
i dërgohet Kuvendit, i cili mund ta miratojë atë me tre
të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.
Kur kjo shumicë nuk arrihet, zbatohet procedura e parashikuar në
paragrafin 3 të këtij neni.
5. Për rastet e parashikuara nga neni 87, paragrafi “b”, Këshilli
vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve të
tij.
PJESA E KATËRT: PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Neni 89
1. Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe
përfaqëson unitetin e popullit.
2. President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që
nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në
Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjec.
Neni 90
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup
prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet
të marrë pjesë në më shumë se një grup
propozues.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë
dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tre të pestave
të të gjithë anëtarëve të tij.
3. Kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda
7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një
votim i dytë.
4. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo
shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë.
5. Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjë prej
tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve,
bëhet një votim i katërt ndërmjet dy kandidatëve
që kanë marrë numrin më të madh të votave.
6. Në rast se edhe në votimin e katërt asnjëri
prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar,
bëhet një votim i pestë.
7. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë prej
dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, Kuvendi
shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja
të përgjithshme.
8. Kuvendi i ri zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën
e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 91
1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për
5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Zgjedhja e Presidentit bëhet jo më vonë se 30 ditë
para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës.
3. Presidenti fillon në detyrë zyrtarisht pasi bën betimin
para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati
i Presidentit që largohet. Presidenti bën këtë betim:
“Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit,
do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të
mbrojë pavarësinë e Republikës dhe do t'i shërbej
interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit
shqiptar.” Presidenti mund të shtojë: “Zoti më ndihmoftë!”
4. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit
të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale
që bëhet pas dorëheqjes së tij.
Neni 92
Presidenti i Republikës nuk mund të kryejë asnjë
veprimtari tjetër publike, të jetë anëtar partie dhe
as të kryejë veprimtari biznesi ose profesionale.
Neni 93
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për
aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje
të rëndë të Kushtetutës. Propozimi për
shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet
nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të
Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të
tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e
cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës,
deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Neni 94
1. Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi
të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose
vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron
kompetencat e tij. Në këtë rast, ai nuk mund të
ushtrojë kompetencat e parashikuara në nenin 85, nenin 95 - nënparagrafet
“a” dhe “j”, si dhe në nenin 162, paragrafi 1.
2. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën
për më shumë se 60 ditë, Kuvendi me dy të tretat
e të gjithë anëtarëve vendos dërgimin e çështjes
në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht
faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit
të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant.
Në një rast të tillë, zgjedhja e Presidentit të
ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
Neni 95
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
a) i drejton mesazhe Kuvendit;
b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit;
c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas
ligjit;
d) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
e) akordon gradën më të lartë ushtarake sipas ligjit;
f) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit
e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë
në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;
g) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve
diplomatike të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare
të akredituar pranë tij;
h) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit;
i) me propozim të Kryeministrit, emëron Drejtorin e Departamentit
të Sigurimit Kombëtar;
j) emëron rektorët e universiteteve me propozim të këshillave
të tyre përfaqësuese;
k) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet
e pushtetit lokal dhe për zhvillimin e referendumit;
l) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit
e institucioneve shtetërore për çështje që kanë
të bëjnë me detyrat e tyre.
Neni 96
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.
Neni 97
Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca
të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me
Kushtetutë dhe me ligje të nxjerra në pajtim me të.
PJESA E PESTË: KËSHILLI I MINISTRAVE
Neni 98
1. Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri
dhe ministrat.
2. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror,
i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve
të tjera shtetërore ose të qeverisjes lokale.
Neni 99
1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës,
si dhe në çdo rast kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant,
emëron Kryeministër kandidatin e paraqitur nga partia ose koalicioni
i partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
2. Kryeministri, brenda 10 ditëve nga emërimi, i paraqet
për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të
Ministrave, si dhe përbërjen e tij.
Neni 100
1. Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet,
Kuvendi zgjedh një Kryeministër të ri brenda 15 ditëve
nga votimi.
2. Në qoftë se zgjedhja nuk bëhet brenda këtij
afati, Kuvendi brenda 7 ditëve të ardhshme, bën një
zgjedhje të re të Kryeministrit.
3. Në qoftë se i zgjedhuri merr votat e shumicës së
të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Presidenti i
Republikës duhet ta emërojë atë brenda shtatë
ditëve.
4. Kur kjo shumicë nuk arrihet, Presidenti i Republikës brenda
shtatë ditëve shpërndan Kuvendin.
Neni 101
Kryeministri i zgjedhur sipas paragrafit 1 ose paragrafit 2 të nenit 100, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij.
Neni 102
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës,
me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2. Dekreti miratohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.
Neni 103
Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat, betohen para Presidentit të Republikës.
Neni 104
1. Kryeministri:
a) përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet
e tij;
b) koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës
së përgjithshme dhe përgjigjet për to;
c) siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të
miratuara nga Këshilli i Ministrave;
d) koordinon dhe kontrollon punën e anëtarëve të
Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera
të administratës qëndrore të shtetit;
e) kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë
e në ligje.
2. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave.
3. Kryeministri në zbatim të kompetencave të tij nxjerr
urdhëra.
4. Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së
përgjithshme, drejton nën përgjegjësinë e tij,
veprimtarinë që ka në kompetencën e vet. Ministri
nxjerr urdhëra dhe udhëzime.
Neni 105
1. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të
politikës së përgjithshme.
2. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit
ose të ministrit përkatës.
3. Mbledhjet e Këshillit të Ministrave bëhen të
mbyllura.
4. Aktet e Këshillit të Ministrave, janë të vlefshme
kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.
5. Këshilli i Ministrave nxjerr vendime dhe udhëzime.
Neni 106
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të miratojë akte normative që kanë fuqinë e ligjit. Këto akte, humbasin fuqinë që nga fillimi, nëse nuk ratifikohen brenda 45 ditëve nga Kuvendi.
Neni 107
1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë
për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër
shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve
të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë
imunitetin e deputetit.
Neni 108
1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet
nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit,
Kuvendi brenda 15 ditëve zgjedh një Kryeministër tjetër.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti
i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë
nga paraqitja e tij.
Neni 109
1. Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta
e deputëteve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve
të Kuvendit, Kuvendi brenda 15 ditëve zgjedh një Kryeministër
tjetër.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti
i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë
nga paraqitja e tij.
Neni 110
Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë
në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave
pasardhës.
PJESA E GJASHTË: QEVERISJA LOKALE
Neni 111
1. Njësitë e qeverisjes lokale janë komunat ose bashkitë
dhe rajonet. Njësi të tjera të qeverisjes lokale mund të
caktohen me ligj.
2. Ndarjet administrativo-territoriale të njësive të
qeverisjes lokale caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e interesave
të përbashkëta ekonomike dhe të traditës historike.
Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë me parë
mendimi i popullsisë që banon në to.
3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të vetëqeverisjes.
Ato kryejnë të gjitha detyrat vetqeverisese, me përjashtim
të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të
qeverisjes lokale.
4. Njësive të qeverisjes lokale mund t’u delegohen me ligj
kompetenca të administratës shtetërore. Shpenzimet që
kryhen në ushtrim të delegimit përballohen nga shteti.
Neni 112
1. Organet përfaqësuese të njësive bazë të
qeverisjes lokale janë këshillat, të cilat zgjidhen çdo
tre vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta
dhe me votim të fshehtë.
2. Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës është
Kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në mënyrën
e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Të drejtën e zgjedhjes në këshillat lokale dhe
si kryetar bashkie ose komune, e kanë vetëm shtetasit që
kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që kanë banim
të përhershëm në territorin e njësisë lokale
përkatëse.
Neni 113
1. Rajoni krijohet nga bashkimi i disa njësive bazë të
qeverisjes lokale mbi bazën e lidhjeve tradicionale, ekonomike e sociale
dhe të interesave të përbashkëta.
2. Rajoni është njësia ku ndërtohen e zbatohen
politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore.
3. Organi përfaqësues i rajonit është Këshilli
Rajonal, i cili përbëhet nga kryetarët e komunave e bashkive,
si dhe nga anëtarë të zgjedhur nga gjiri i këshillave
bashkiakë në proporcion me numrin e popullsisë që ato
përfaqësojnë.
4. Numri i përfaqësuesve të këshillave bashkiakë
në këshillin rajonal caktohet në proporcion me vendet që
kanë subjektet politike të përfaqësuar në këshillat
bashkiakë.
5. Këshilli Rajonal cakton organin e tij administrativ.
6. Këshilli Rajonal ka të drejtë të nxjerrë
urdhëresa dhe vendime me fuqi detyruese të përgjithshme
për rajonin.
Neni 114
1. Njësitë e qeverisjes lokale janë persona juridike.
2. Të drejtat për vetqeverisje të njësive të
qeverisjes lokale mbrohen në gjykatë.
3. Njësitë e qeverisjes lokale kanë buxhet të pavarur,
i cili krijohet në mënyrën e parashikuar me ligj.
Neni 115
1. Vetqeverisja në njësitë lokale ushtrohet nëpërmjet
organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve lokale.
2. Organeve të qeverisjes lokale mund t’u vihen detyrime vetëm
në përputhje me ligjin ose sipas marrëveshjeve që ato
lidhin. Shpenzimet që lidhen me detyrimet që u vihen me
ligj organeve të qeverisjes lokale, përballohen nga buxheti i
shtetit.
Neni 116
1. Këshillat komunale, bashkiake e rajonale:
a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë
të pavarur çështjet lokale brenda juridiksionit të
tyre;
b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë
në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si
dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike
dhe biznesi;
c) kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë
të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin
e funksioneve të tyre;
d) kanë të drejtë, në përputhje me ligjin,
të vendosin taksa lokale si dhe nivelin e tyre;
e) caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e
tyre në pajtim me ligjin;
f) krijojnë simbolet e qeverisjes lokale, si dhe titujt lokalë
të nderit;
g) ndërmarrin inisiativa për çështje lokale përpara
organeve të caktuara me ligj;
h) kanë të drejtë të formojnë bashkime dhe
institucione të përbashkëta me njëra-tjetrën për
përfaqësimin e interesave të tyre, të bashkëpunojnë
me njësitë lokale të vendeve të tjera, si dhe të
përfaqësohen në organizatat ndërkombëtare të
pushteteve lokale.
2. Organet e njësive të qeverisjes lokale nxjerrin urdhëresa,
vendime dhe urdhëra.
Neni 117
Këshilli i Ministrave cakton si përfaqësues të tij në çdo rajon prefektin. Kompetencat e tij caktohen me ligj.
Neni 118
1. Këshilli i Ministrave mund të pezullojë veprimtarinë
e një organi të zgjedhur të njësisë së qeverisjes
lokale për shkelje të rënda ose të përsëritura
të Kushtetutes ose të ligjeve.
2. Organi i pezulluar ka të drejte, brenda 15 ditëve, t’i
drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në rast se Gjykata Kushtetuese
lë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave, Presidenti
i Republikës cakton datën e zhvillimit të zgjedhjeve në
njësinë lokale përkatëse.
PJESA E SHTATË:
AKTET NORMATIVE DHE MARRËVESHJET
NDËRKOMBËTARE
KREU I: AKTET NORMATIVE
Neni 119
1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë
territorin e Republikës së Shqipërisë janë:
a) Kushtetuta;
b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara;
c) ligjet;
d) aktet normative të Këshillit të Ministrave.
2. Aktet që nxirren nga organet e pushtetit lokal kanë fuqi
vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto
organe.
3. Aktet normative të ministrave dhe të institucioneve të
tjera qëndrore të shtetit kanë fuqi në të gjithë
territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës
së juridiksionit të tyre.
Neni 120
1. Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave,
të ministrave, të institucioneve të tjera qëndrore
të shtetit, marrin fuqi juridike vetëm pasi shpallen dhe botohen
në Fletoren Zyrtare.
2. Shpallja dhe botimi i akteve të tjera normative bëhen
sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
3. Marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen me
ligj, shpallen dhe botohen sipas procedurave që parashikohen për
ligjet. Shpallja dhe botimi i marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare
bëhet sipas ligjit.
Neni 121
1. Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim
të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë.
2. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore,
të përcaktojë organin kompetent, çështjet që
duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave
nxirren këto akte.
3. Organi i autorizuar me ligj për të nxjerrë akte nënligjore,
siç specifikohet në paragrafin 2 të këtij neni, nuk
mund t’ia delegojë kompetencën e tij një organi tjetër.
Neni 122
1. Rregulloret e Këshillit te Ministrave, të ministrive e
të institucioneve të tjera qendrore të shtetit, si dhe urdhërat
e Kryeministrit, të ministrave e të drejtuesve të institucioneve
qëndrore kanë karakter të brendshëm dhe janë të
detyrueshme vetëm për njësitë administrative që
varen prej tyre.
2. Këto akte nxirren në bazë të ligjit dhe nuk
mund të shërbejnë si bazë për të marrë
vendime në lidhje me shtetasit, personat juridikë dhe subjektet
e tjerë.
3. Rregulloret dhe urdhrat nxirren në bazë dhe për zbatim
të akteve që kanë fuqi juridike të përgjithshme.
Neni 123
Parimet dhe procedurat për nxjerrjen e akteve juridike lokale parashikohen
me ligj.
KREU II: MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE
Neni 124
1. Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet
kur kanë të bëjnë me:
a) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
b) të drejtat dhe liritë e njeriut, si edhe detyrimet e shtetasve
siç parashikohen në Kushtetutë;
c) anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë
në organizatat ndërkombëtare;
d) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika
e Shqipërisë;
e) miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve.
2. Kuvendi, me shumicën e të gjithë anëtarëve,
mund të ratifikojë edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare
që nuk parashikohen në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kryeministri e njofton Kuvendin sa herë që Këshilli
i Ministrave do të nënshkruajë një marrëveshje
ndërkombëtare që nuk ratifikohet me ligj.
4. Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe denoncimin e marrëveshjeve
ndërkombëtare parashikohen me ligj.
Neni 125
1. Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve
ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare
kompetenca shtetërore për çështje të caktuara.
2. Ligji me të cilin ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare,
siç parashikohet në paragrafin e parë të këtij
neni, miratohet me shumicën e anëtarëve të Kuvendit.
3. Kuvendi mund të vendosë që ratifikimi i një
marrëveshjeje të tillë të bëhet me referendum.
Neni 126
1. Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar
përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik,
pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.
Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë,
përveç rasteve kur nuk është e vetzbatueshme dhe
zbatimi i saj varet nga nxjerrja e një ligji. Ndryshimi, plotësimi
dhe shfuqizimi i ligjeve të miratuara me shumicën e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit, për efekt të ratifikimit
të marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me të
njëjtën shumicë.
2. Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me
ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.
3. Kur në një marrëveshje për pjesëmarrjen
në një organizatë ndërkombëtare të ratifikuar
nga Republika e Shqipërisë parashikohet shprehimisht se normat
e nxjerra prej saj zbatohen drejtpërdrejt, ato kanë epërsi
mbi të drejtën e vendit në rast konflikti midis tyre.
PJESA E TETË
KREU I: GJYKATAT
Neni 127
1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe
nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të
cilat krijohen me ligj.
2. Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata për fusha
të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.
Neni 128
1. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë
emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë
zgjidhen për 7 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje.
3. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës,
me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
4. Gjyqtarë mund të zgjidhen vetëm shtetasit me arsim
të lartë juridik. Kushtet e tjera dhe procedura e zgjedhjes
caktohen me ligj.
Neni 129
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë mund të
ndiqen penalisht vetëm me miratim të Kuvendit. Ata shkarkohen
nga Kuvendi, kur me vendim gjyqësor të formës së prerë
vërtetohet se kanë kryer vepër penale siç parashikohet
me ligj.
2. Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm
me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 130
Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet si dhe paga e përfitimet e tjera nuk mund t’u ulen.
Neni 131
1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron
kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së
prerë për kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet në detyrë pa arsye për më shumë
se 6 muaj;
c) ka mbushur moshën 65 vjeç;
d) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet
i paaftë për të vepruar.
2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të
Gjykatës së Lartë.
Neni 132
1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues.
Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit
të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit
të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës
së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
2. Për unifikimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore,
Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për
shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara
gjyqësore.
Neni 133
1. Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara.
2. Gjykata e Lartë duhet t'i botojë vendimet e saj si dhe
opinionet e pakicës.
3. Organet e shtetit janë të detyruara për ekzekutimin
e vendimeve gjyqësore.
Neni 134
Qënia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private.
Neni 135
Gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë. Ato e propozojnë buxhetin e tyre sipas ligjit.
Neni 136
1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm
Kushtetutës dhe ligjeve.
2. Gjyqtarët nuk zbatojnë ligjet që vijnë në
kundërshtim me Kushtetutën. Në këtë rast,
ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen
Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë
të detyrueshme për të gjitha gjykatat.
3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose gjyqtarëve
passjell përgjegjësi sipas ligjit.
Neni 137
1. Gjykatat i japin vendimet e tyre në emër të Republikës.
2. Vendimet gjyqësore, në çdo rast shpallen publikisht.
KREU II
Neni 138
1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet
nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë,
3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë
të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca
gjyqësore kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë
në detyrë për 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje
të menjëhershme.
2. Presidenti i Republikës është Kryetar i Këshillit
të Lartë të Drejtësisë. Kur merr pjesë
ai kryeson mbledhjen.
3. Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të
Presidentit zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar.
Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e Këshillit
të Lartë të Drejtësisë, si dhe kryeson mbledhjet
e këtij në mungesë të Presidentit të Republikës.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për
përgjegjësinë disiplinore si dhe për transferimin e
gjyqtarëve sipas ligjit.
5. Transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin
e tyre, përveçse kur këtë e diktojnë nevojat
e riorganizimit të sistemit gjyqësor.
6. Gjyqtarët mund të hiqen nga detyra për shkelje të
Kushtetutës ose shkelje të rënda të ligjit, gjatë
ushtrimit të funksioneve të tyre, me vendim të Këshillit
të Lartë të Drejtësisë. Kundër këtij
vendimi, ata kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën
e Lartë, e cila në këtë rast, vendos me kolegje të
bashkuara.
PJESA E NËNTË: PROKURORIA
Neni 139
1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën
në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra
të tjera të caktuara me ligj.
2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë
pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.
3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre, prokurorët i
nënshtrohen vetëm ligjit si dhe urdhrave e udhëzimeve të
Prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 140
1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i
Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga detyra
për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të
rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të
tij, nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit
të Kuvendit.
3. Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti
i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.
PJESA E DHJETË: REFERENDUMI
Neni 141
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë
vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një
ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës
zhvillimin e referendumit për çështje të një
rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një të pestës
së deputetëve ose të Këshillit të Ministrave,
mund të vendosë që një çështje ose projektligj
i një rëndësie të veçantë të shtrohet
në referendum.
3. Referendumi është i vlefshëm kur në të
marrin pjesë më shumë se gjysma e votuesve.
4. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit parashikohen
me ligj.
Neni 142
1. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
2. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale
të Republikës së Shqipërisë, kufizimin e lirive
dhe të të drejtave themelore të njeriut, buxhetin, taksat,
detyrimet financiare të shtetit, vendosjen dhe heqjen e gjendjes së
jashtëzakonshme, deklarimin e luftës dhe të paqes, si dhe
amnistinë, nuk mund të shtrohen në referendum.
3. Referendumi për të njëjtën çështje
nuk mund të përsëritet përpara se të kenë
kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.
Neni 143
1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht çështjen e
shtruar për referendum sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit
141 dhe paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 142, për kushtetutshmërinë
e të cilave vendos brenda 60 ditëve.
2. Rëndësia e çështjeve të veçanta,
të parashikuara në paragrafet 1 dhe 2 të nenit 141, nuk
është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda
45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës
Kushtetuese ose pas kalimit te afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese
duhej të shprehej.
PJESA E NJËMBËDHJETË:
KOMISIONI QËNDROR I ZGJEDHJEVE
Neni 144
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është një trupë e përhershme që përgatit, mbikqyr, drejton dhe verifikon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet.
Neni 145
1. Komisioni përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët
zgjidhen për një mandat 7 vjeçar. Dy anëtarë
zgjidhen nga Kuvendi, 2 nga Presidenti i Republikës dhe 3 anëtarë
të tjerë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
2. Anëtarësia në Komision nuk pajtohet me asnjë
veprimtari tjetër shtetërore dhe politike.
3. Subjektet elektorale caktojnë përfaqësuesit e tyre
pranë Komisionit. Ata nuk kanë të drejtë vote.
4. Anëtari i Komisionit gëzon imunitetin e anëtarit
të Gjykatës së Lartë.
5. Komisioni ka buxhetin e vet.
PJESA E DYMBËDHJETË:
FINANCAT PUBLIKE
Neni 146
Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, si dhe lehtësimi ose përjashtimi i kategorive të caktuara të taksapaguesve prej tyre vendosen me ligj. Në këto raste, ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese.
Neni 147
Shteti mund të marrë hua dhe të garantojë kreditë financiare kur autorizohet me ligj.
Neni 148
1. Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti i shtetit dhe buxhetet
lokale.
2. Buxheti i shtetit krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej
taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të
ardhura të tjera të pronës publike. Ai përfshin
të gjitha shpenzimet e shtetit.
3. Organet lokale caktojnë dhe mbledhin taksa dhe detyrime të
tjera siç përcaktohet me ligj.
4. Organet shtetërore dhe ato lokale janë të detyruara
t’i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.
Neni 149
1. Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave,
i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin në fillim të
sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të mbyllet pa e miratuar
atë.
2. Në qoftë se projektligji nuk arrin të miratohet deri
në fillim të vitit të ardhshëm financiar, Këshilli
i Ministrave zbaton çdo muaj, një të dymbëdhjetën
e buxhetit të vitit paraardhës, derisa të miratohet buxheti
i ri.
3. Në qoftë se Kuvendi nuk miraton buxhetin e ri brenda tre
muajve nga dita e mbarimit të vitit të kaluar financiar, Presidenti
i Republikës mund të shpërndajë Kuvendin.
4. Qeveria është e detyruar t'i paraqesë raport Kuvendit
lidhur me zbatimin e buxhetit dhe borxhin shtetëror për vitin
e kaluar.
5. Kuvendi vendos përfundimisht pasi ka dëgjuar edhe raportin
e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Neni 150
1. Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime
në buxhet.
2. Ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurës së
parashikuar për hartimin dhe miratimin e vetë buxhetit.
3. Shpenzimet e parashikuara me ligje të tjera nuk mund të
ulen sa kohë që këto ligje janë në fuqi.
Neni 151
Parimet dhe procedurat për hartimin e projektbuxhetit, si dhe për zbatimin e buxhetit përcaktohen me ligj.
Neni 152
1. Banka Qëndrore e shtetit është Banka e Shqipërisë.
Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit
të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të
politikës monetare, si dhe të mbajtjes dhe administrimit të
rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë.
2. Banka e Shqipërisë drejtohet nga Bordi i saj, i cili kryesohet
nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të
Presidentit të Republikës për 7 vjet.
PJESA E TREMBËDHJETË:
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
Neni 153
1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më
i lartë i kontrollit ekonomik financiar. Ai i nështrohet
vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet
dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës.
Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë
rizgjedhjeje.
Neni 154
Kontrolli i Lartë i Shtetit mbikqyr:
a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore
e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërorë;
c) përdorimin e fondeve shtetërorë të transferuara
organeve të qeverisjes lokale;
d) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në
të cilat shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve
ose të aksioneve të tij, ose kur huatë, kreditë dhe
detyrimet e të cilave garantohen nga shteti.
Neni 155
1. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit:
a) raport mbi zbatimin e buxhetit të shtetit;
b) mendim për raportin e Këshilllit të Ministrave mbi
shpenzimet e vitit të kaluar financiar para se të miratohet nga
Kuvendi;
c) informacion për rezultatet e kontrolleve sa herë që
kërkohet nga Kuvendi.
2. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor
të veprimtarisë së tij.
Neni 156
1. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të
ftohet të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhjet
e Këshillit të Ministrave kur shqyrtohen çështjet
që lidhen me funksionet e tij.
2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin
e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
PJESA E KATËRMBËDHJETË:
FORCAT E ARMATOSURA
Neni 157
1. Shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin
pjesë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë,
siç parashikohet në ligj.
2. Shtetasi, që për arsye fetare, refuzon shërbimin
me armë në forcat e armatosura, eshtë i detyruar të
kryejë një shërbim alternativ, siç parashikohet në
ligj.
Neni 158
1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen
ose të emërohen në detyra të tjera dhe as të marrin
pjesë në parti ose në veprimtari politike.
2. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që
kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha
të drejtat dhe liritë kushtëtuese, përveç rasteve
kur ligji parashikon ndryshe.
3. Të drejtat dhe liritë e parashikuara në nenet 17,
18, 19, 20, 22, 23, 24, 25, 28, 29, 32, 34, 35, 36, 391, 41, 43, 47, 48,
55, 57, 58, nuk mund të kufizohen.
Neni 159
1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë
përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.
2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm
i Forcave të Armatosura.
3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshëllimor
i Presidentit të Republikës.
Neni 160
1. Presidenti i Republikës në kohë paqeje ushtron drejtimin
e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit
të Mbrojtjes.
2. Presidenti i Republikës në kohe lufte emëron dhe
shkarkon Kryekomandantin e Forcave të Armatosura me propozim të
Kryeministrit.
3. Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit emëron
dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe me
propozim të Ministrit të Mbrojtjes emëron dhe shkarkon komandantët
e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
4. Kompetencat e Presidentit të Republikës, si Komandant
i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të Kryekomandantit
të Forcave të Armatosura, varësia e tyre nga organet kushtetuese,
caktohen me ligj.
PJESA E PESËMBËDHJETË:
MASAT E JASHTËZAKONSHME
Neni 161
1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak
të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme
ose të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjasin
për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
2. Parimet e veprimtarisë së organeve publike si dhe shkalla
e kufizimit të të drejtave dhë lirive të njeriut gjatë
gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që
kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen
me ligj.
3. Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën
e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit
të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të
jashtëzakonshme.
4. Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave
të jashtëzakonshme duhet të jenë në përpjestim
me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen
sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin
normal të shtetit.
5. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave
të jashtëzakonshme, asnjë prej akteve të mëposhtme
nuk mund të ndryshohet: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për
Kuvendin dhe organet e pushtetit lokal, si dhe ligjet për masat e
jashtëzakonshme.
6. Gjatë periudhës së zbatimit të masave të
jashtëzakonshme, nuk mund të zhvillohen zgjedhje lokale, nuk
mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një
President i ri i Republikës. Zgjedhjet lokale mund të bëhen
vetëm në ato vende ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.
Neni 162
1. Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës
së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë
të Këshillit të Ministrave, mund të shpallë gjendjen
e luftës.
2. Në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi
për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje
ndërkombëtare, Kuvendi, me propozim të Presidentit të
Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit
dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të
pjesshëm.
Neni 163
1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë
publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave,
mund të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme në një
pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, e cila
zgjat për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje, por jo më shumë
se 60 ditë.
2. Në rast se vendoset një gjendje e tillë, ndërhyrja
e forcave të armatosura mund të urdhërohet vetëm kur
forcat e policisë nuk janë në gjendje për të rivendosur
rendin.
3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund
të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo
30 ditë, për një periudhë jo më shumë se
90 ditë.
Neni 164
1. Në rastin e paragrafit 1 të nenit 162, Presidenti i Republikës
i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës
brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të
drejtat që kufizohen.
2. Kuvendi, me shumicën e të gjithë anëtarëve,
merr në shqyrtim dhe vendos menjëherë për dekretin
e Presidentit.
Neni 165
1. Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një
fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave
mund të vendosë për një periudhë jo më të
gjatë se 30 ditore, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në
një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.
2. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të
bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.
Neni 166
1. Gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme
nuk mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara
nga nenet: 15, 18, 19, 20, 21, 24, 25, 29, 30, 31, 32, 34, 41, 42, 47,
54, 55.
2. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund
të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet:
37, 38, 48 paragrafet 3 dhe 4, 49, 51.
3. Aktet për shpalljen e gjendjes së luftës ose të
gjendjes së jashtëzakonshme duhet të cilësojnë
të drejtat dhe liritë që kufizohen sipas paragrafeve 1 dhe
2 të këtij neni.
Neni 167
Kur Kuvendi nuk mund të mblidhet gjatë gjendjes së luftës,
me propozim të Këshillit të Ministrave, Presidenti i Republikës
ka të drejtë të nxjerrë akte që kanë fuqinë
e ligjit, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi në mbledhjen
e tij më të parë.
PJESA E GJASHTËMBËDHJETË:
GJYKATA KUSHTETUESE
Neni 168
1. Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën
interpretimin përfundimtar të saj.
2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Neni 169
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të
cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin
e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet pa të drejtë
riemërimi nga rradhët e juristëve me kualifikim të
lartë dhe përvojë pune jo më pak se 15 vjet në
profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet
çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës
së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët
e anëtarëve të saj, nga Presidenti i Republikës me
pëlqimin e Kuvendit për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë
deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.
Neni 170
1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht
pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Në rast refuzimi, ndjekja
penale shuhet përgjithmonë.
2. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të arrestohet vetëm
në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një
krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent
njofton menjëherë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Kur Gjykata nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin
në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent
është i detyruar ta lirojë atë.
3. Gjykata në rastet e paragrafeve 1 dhe 2 të këtij
neni vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve.
Neni 171
1. Mandati i gjyqtarit mbaron kur:
a) dënohet me vendim të formës së prerë për
kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë
se 6 muaj;
c) ka mbushur moshën 65 vjec;
d) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet
i paaftë për të vepruar.
2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të
Gjykatës Kushtetuese.
3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës
me pëlqimin e Kuvendit emëron një gjyqtar të ri, i
cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit
të gjyqtarit të larguar.
Neni 172
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.
Neni 173
Qënia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private.
Neni 174
Gjykata Kushtetuese vendos për:
a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet
ndërkombëtare siç parashikohet në nenin 126;
b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare
me Kushtetutën, para ratifikimit të tyre;
c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qëndrore
dhe lokale me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;
d) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve,
si dhe ndërmjet pushtetit qëndror dhe qeverisjes lokale;
e) kushtetutshmërinë e partive dhe organizatave të tjera
politike si dhe të veprimtarisë së tyre sipas nenit 9 të
Kushtetutës;
f) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës
dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve
të tij;
g) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë
dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të
Presidentit të Republikës dhe të deputetëve si dhe
me verifikimin e zgjedhjes së tyre;
h) kushtetutshmerinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve
të tij.
i) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve
për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese, pasi të
jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e
këtyre të drejtave.
Neni 175
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të
përgjithshme dhe janë përfundimtare. Gjykata Kushtetuese
ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që
shqyrton.
2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën
e botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të
vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet
në një datë tjetër. Opinionet e pakicës
botohen bashkë me vendimin.
Neni 176
1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër
gjyqtarësh siç përcaktohet me ligj.
2. Gjykata Kushtetuese vendos me shumicën e të gjithë
anëtarëve të saj.
Neni 177
1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë
të:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;
d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
e) çdo gjykate sipas nenit 136 të Kushtetutës;
f) Avokatit të Popullit;
g) organeve të qeverisjes lokale;
h) organeve të komuniteteve fetare;
i) partive politike dhe organizatave të tjera;
j) individëve.
2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafet “f”, “g”, “h”, “i”
dhe “j” të paragrafit 1 mund të bëjnë kërkesë
vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
PJESA E SHTATËMBËDHJETË:
RISHIKIMI I KUSHTETUTËS
Neni 178
1. Inisiativa për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret
nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret
gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
3. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës votohet 2 herë.
Koha nga njeri votim në tjetrin nuk duhet të jetë më
e shkurtër se 30 ditë.
4. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të
gjithë anëtarëve të Kuvendit.
5. Një e pesta e anëtarëve të Kuvendit ka të
drejtë ta shtrojë në referendum amendamentin e miratuar.
6. Kuvendi mund të vendosë rishikimin e Kushtetutës
në referendum me dy të tretat e të gjithë anëtarëve
të tij. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në
fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë
se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
7. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë t’a kthejë
për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e
Kushtetutës.
8. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës
dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë
ligj.
9. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën
çështje nuk mund të bëhet përpara se të
ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit
në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar
3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.
PJESA E TETËMBËDHJETË:
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË
FUNDIT
Neni 179
1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës
së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen
deri atëhere sa nuk janë shfuqizuar.
2. Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit projektligjet e nevojshme
për vënien në zbatim të Kushtetutës.
Neni 180
Mandati i organeve kushtetuese dhe i personave të zgjedhur ose të emëruar para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, mbaron në afatin e parashikuar në dispozitat që kanë qenë në fuqi në kohën e zgjedhjes ose emërimit të tyre.
Neni 181
1. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga
Republika e Shqipërise para hyrjes në fuqi të Kushtetutës
konsiderohen të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute.
2. Këshilli i Ministrave i paraqet Gjykatës Kushtetuese marrëveshjet
ndërkombëtare të cilat përmbajnë dispozita që
vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.
Neni 182
Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 48.
Neni 183
Ligji nr.7491 datë 29.04.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”
si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën e hyrjes në
fu qi të kësaj Kushtetute.