Ndalimi i Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve
të Tjera jo-Njerëzore dhe Poshtëruese
 

I.  Pikëpamje Historike dhe Përkufizime

Të kuptosh të drejtat e njeriut është e rëndësishme për shkak të ndikimit që ato kanë në
jetën e përditshme.  Çështja e të drejtave të njeriut është trajtuar nga shumë filozofë dhe
akademikë të shquar.  Njëri prej tyre, Jacques Maritain, ka argumentuar në mënyrë të
suksesshme që të drejtat e njeriut nuk janë as të blera dhe as të krijuara nga ndonjë
mardhënie kontraktore.  Në ditët e sotme, është pranuar në mënyrë të përgjithshme, që të
drejtat e njeriut i përkasin atij për faktin e thjeshtë që ai është një qënie njerëzore.
Gjithashtu, është pranuar se njeriu i gëzon këto të drejta edhe në qoftë se ligjet e vendit të
tij nuk i njohin apo mbrojnë ato.

Një nga të drejtat më themelore të njeriut është e drejta e mos torturimit.  Të gjitha
dokumentet e të drejtave të njeriut theksojnë që njeriu ka të drejtën të mos torturohet apo
nënshtrohet trajtimeve dhe dënimeve jo-njerëzore dhe poshtëruese.  Këto dokumenta e
ngrenë në një nivel domosdoshmërie për shtetet, nevojën e ndalimit të këtyre veprimeve.
Logjikisht, dalin shumë çështje dhe probleme që duhen zgjidhur si p.sh: njohja dhe zbatimi
i dispozitave të dokumentave ndërkombëtarë nga legjislacioni kombëtar; niveli i njohjes
dhe zbatimit të tyre; (a duhet të përfshihen këto dispozita në ligjin themelor të një shteti,
d.m.th në kushtetutë dhe nëse po deri në ç’masë); interpretimi i kuptimit të fjalëve të
përdorura nga këto dispozita; dhe nevoja e krijimit të një mekanizmi për ndalimin e
abuzimeve etj.

Eshtë e rëndësishme të japim një përkufizim të fjalëve të përdorura nga dokumentat mbi
të drejtat e njeriut.  Në këtë mënyrë, trajtimi dhe kuptimi i çështjeve të tjera bëhet më i
thjesht.  Përkufizimet e dhëna më poshtë, janë ato të pranuar nga dokumentat dhe
organizatat ndërkombëtare.

Tortura  është përkufizuar si një veprim i kryer me qëllim, ose me urdhër, apo
pëlqim të  një zyrtari publik, apo personi që vepron me kapacitetin e një personi
të tillë, dhe që shkakton dhimbje apo vuajtje të rënda, fizike ose mendore, mbi
një person, në mënyrë që:
të marrë një informacion ose një rrëfim
të dënojë
të friksojë ose shtrëngojë
të përdoret për çdo qëllim tjetër që bazohet mbi diskriminimin.
Tortura është forma më e rëndë e trajtimit ose dënimit jo-njerëzor dhe
poshtërues.

Një Dënim Mizor është ai që synon të shkaktojë vuajtje të panevojshme.
Përkufizimi i tij varet nga një sërë rrethanash.  Për shembull, një veprim që synon
t’i heqë një personi mundësin e përdorimit të shqisave të natyrës si shikimin,
dëgjimin apo orientimin për kohën do të konsiderohet një dënim mizor.  I tillë
mund të konsiderohet edhe heqja e kombësisë së një personi.

 

5

Trajtimi ose Dënimi jo-njerëzor duhet të arrijë një nivel minimal ndëshkimi në
mënyrë që të konsiderohet i tillë.  Për shembull një veprim që synon shkaktimin e
një stresi të rëndë fizik ose mendor, siç është izolimi ose mbajtja pa gjumë për një
kohë të gjatë.

Trajtimi poshtërues është një trajtim që poshtëron rëndë ose detyron një individ
që të veprojë në kundërshtim me vullnetin dhe ndërgjegjen e tij.  Nuk është e
domosdoshme që një veprim i tillë të jetë fizik apo publik.  Për të poshtëruar dikë,
është e mjaftueshme që një veprim i tillë thjesht të kryhet në praninë e tij.  Për
shembull, rrahja me kamxhik nuk poshtëron vetëm personin ndaj të cilit kryhet kjo
gjë, por në të njëjtën kohë ajo poshtëron edhe të tjerët që shikojnë apo marrin
pjesë në kryerjen e këtij veprimi.

II.  Ç’lidhje kam unë me këtë?

Secili prej nesh - në një mënyrë apo tjetër - mund të bëhet objekt apo të ndjehet i lidhur
me veprime të tilla si tortura dhe trajtimet apo dënimet jo-njerëzore dhe poshtëruese.
Ndikimi i këtyre veprimeve është real edhe pse mund të mos jemi ne ata që i kryejnë apo
vuajnë direkt pasojat e tyre.  Mund të jepen shumë shembuj nga jeta e përditshme për ta
vërtetuar një gjë të tillë:

Për shembull, kur bëhet një arrestim, njerëzit mund të përballen me hetime apo pyetsorë
të kryer nga ana e policisë.  Ndonjëherë, ky hetim mund ti kalojë caqet.  Ka pasur raste
kur njerëz të pafajshëm kanë rrëfyer dhe pranuar të kenë kryer krime, vetëm për shkak të
një hetimi të rëndë apo të torturave  të ushtruara ndaj tyre.  Në asnjë mënyrë nuk mund të
detyrohet një person  për të bërë një rrëfim.  Ka patur raste kur ndoshta secili prej nesh,
ka menduar se një hetim i ashpër mund të jetë e vetmja mënyrë për të zbuluar të vërtetën
apo krime të tjera.  A është ndonjëherë e justifikueshme shkelja e të drejtës njerëzore për
të mos u torturuar?  Marrim për shembull rastin e një të akuzuari;
Asnjë njeri nuk mund të quhet fajtor pa marrjen e një vendimi gjykate.  I akuzuari -sipas
ligjit- është një person i pafajshëm deri sa ti provohet fajësia.  Rrjedhimisht, asnjë person
-fajtor ose jo- nuk mund të torturohet.

Tortura apo veprime të tjera të ngjashme po përdoren gjithmonë e më shumë në ditët e
sotme kundër grave, fëmijve ashtu si dhe burrave.  Ndërkohë që më shumë gra
angazhohen në jetën shoqërore të vendeve të tyre, ato bëhen objekt i torturave apo
veprimeve të tjera të ngjashme.  Këto veprime mund të jenë në formën e përdhunimeve,
apo të ngacmimeve seksuale nga ana e zyrtarëve të tyre.  Objekt i këtyre veprimeve
mund të bëhen gjithashtu edhe studentët, të cilët konsiderohen nga qeveri të ndryshme si
shumë aktivë në jetën shoqërore të vendeve te tyre.  Disa herë ndodh që edhe fëmijët të
detyrohen të shikojn prindërit e tyre ndërkohë që ato torturohen.

Çdo veprim ose ndëshkim që shkel standartet bazë të të drejtave të njeriut është i
papranueshëm dhe i pajustifikueshëm.  Eshtë e rëndësishme, dhe diçka që pritet nga të
gjitha shoqëritë demokratike, marrja e masave për ndalimin e veprimeve të tilla, dhe
garantimin e të drejtave njerëzore bazë për qytetarët e tyre.

III.  Si mund të realizohet ndalimi i torturës dhe trajtimeve apo dënimeve të tjera
jo-njerëzore dhe poshtëruese?

Ka një numër vështirësish për të provuar shkeljen e të drejtës së njeriut për të mos u
torturuar.  Njëra prej tyre mund të jetë fakti që zakonisht nuk ka asnjë dëshmitar, apo që
viktima ka frikë nga ndëshkime të ndryshme që mund ti bëhen atij apo anëtarëve të
familjes së tij.  Mund të jetë edhe nga mungesa e dëshirës së autoriteteve për të pranuar
shkeljen e ligjit nga ana e agjensive të tyre, apo për të organizuar kryerjen e një hetimi për
këtë çështje.  Fakti që tortura apo trajtimi ose dënimi jo-njerëzor dhe poshtërues nuk ka
lënë asnjë gjurmë të dukshme, mund të jetë një tjetër vështirësi për të provuar shkeljen e
një të drejte të tillë.

Hapi i parë për ndalimin e këtyre veprimeve është futja e të drejtave themelore të njeriut,
në legjislacionin kombëtar.  Parashikimi i tyre në një nga kapitujt e Kushtetutës, do të
thotë që të ndryshosh apo shtosh të gjithë legjislacionin kombëtar në përputhje me këtë
dokument.  Megjithatë, thjesht futja e kësaj të drejte në ligjet e vendit, nuk është e
mjaftueshme për të realizuar parandalimin e trajtimeve apo ndëshkimeve të tilla.  Shteti
duhet të sigurojë një mbrojtje efektive, nëpërmjet një mekanizmi kontrolli.  Dokumentat
dhe organizatat ndërkombëtare kanë rekomanduar një sërë masash dhe sugjerimesh për
të bërë realitet ndalimin e torturës dhe të shkeljeve të tjera të ngjashme.  Disa prej tyre
janë:

Ndalimi i torturës me ligj duke e konsideruar atë një vepër penale,
Ndjekje penale për të gjithë torturuesit,
Dhënia e udhëzimeve zyrtarëve dhe nëpunësve, për të refuzuar një urdhër
që u është dhënë për të torturuar dikë,
Mospërdorimi i deklaratave të nxjerra përmes torturës,
Kryerje të hetimeve të pavarura për raportimet e bëra në lidhje me
torturën,
Kufizime për kryerjen e arrestimeve të pakomunikuara, etj.

IV.  Përfundime

E drejta për të mos u torturuar është një nga të drejtat themelore të njeriut.  Ajo është një
e drejtë e PATJETERSUESHME dhe nuk mund të pezullohet për asnjë lloj arsye.
Ndalimi i torturës dhe trajtimeve ose dënimeve jo-njerëzore dhe poshtëruese është një
çështje delikate dhe një proçes i ndërlikuar.  Parashikimi i kësaj të drejte nga legjislacioni
kombëtar, është vetëm hapi i parë dhe nuk mund të mjaftojë për të ndaluar trajtime të
tilla.  Eshtë e nevojshme  marrja e masave të mëtejshme, siç është për shembull krijimi i
një mekanizmi kontrolli.

Punuar nga Shkëlzen Zeneli
accapp/qakapp
Rr. Donika Kastrioti, Vila Nr.6
Tiranë, Shqipëri
Tel:  355-42-40672
Fax:  355-42-40673
E-mail: [email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1