Çfarë Kompetencash do t’i Garantohen Pushtetit Lokal?
 

I.  Kompetencat e Pushtetit Lokal

Kushtetuta e re e Shqipërisë mund të përfshijë dispozita që do të qartësojnë kompetencat
e organeve të pushtetit lokal siç janë Këshillat Bashkiake, Zyrat e Kryetarëve të Bashkive
dhe Zyrat e Kryetarëve të Komunave.  Në qoftë se kompetencat e pushtetit lokal do të
përcaktohen në Kushtetutë, këto kompetenca do të jenë të garantuara dhe nuk mund t’i
hiqen atij nga qeveria, Parlamenti apo edhe nga vetë gjykatat.  Kjo do t’i japë pushtetit
lokal një pavarësi të qëndrueshme nga pushteti qëndror.  Në qoftë se kompetencat e
pushtetit lokal nuk do të jenë të specifikuara në Kushtetutë do t’i mbetet vetëm
Parlamentit të vendosë nëse do t’i japë pushtetit lokal ndonjë kompetencë për të vepruar.
Çdo Parlament i ri mund të tundohet të ndryshojë, kufizojë apo edhe të eleminojë
kompetencat e pushtetit lokal.

Aktualisht në Shqipëri, shumë njerëz janë të paqartë për sa u përket kompetencave që
kanë organizmat e pushtetit lokal.  Nuk është e qartë nëse pushteti lokal ka kompetenca
qeverisëse të veçanta si për shembull kompetenca për të rritur të ardhurat, për të
administruar buxhetin e pushtetit lokal, ose për të dekretuar rregullime lokale.  Në qoftë
se kushtetuta nuk do të parashikojë asgjë mbi këtë problem, nuk do të jetë gjithashtu e
qartë nëse organet e pushtetit lokal kanë kompetenca për të kryer detyra të thjeshta si
për shembull mbajtjen e llogarive bankare dhe lidhjen e kontratave.  Kushtetuta e re
shqiptare duhet të parashikojë dhe t’u garantojë në mënyrë specifike të gjitha ose të
paktën disa nga këto kompetenca organeve të pushtetit lokal.

Kompetencat e pushtetit lokal janë diskutuar në mënyrë të detajuar në dy seksionet e
mëposhtme: “Kompetencat e Personit Juridik” dhe “Kompetenca Specifike Qeverisëse”.

A.  Kompetencat e Personit Juridik

Kushtetuta e re e Shqipërisë mund t’u japë organeve të pushtetit lokal kompetencat e
personit juridik.  Kompetenca e personit juridik është thjesht kompetenca për të kryer
detyrat e përgjithshme që mund t’i kryejë çdo person privat dhe çdo shoqëri.  Për
shembull, qytetarët privatë dhe shoqëritë kanë kompetencën për të patur llogari bankare,
për të blerë e për të shitur mallra, për të lidhur kontrata, për të dhënë me qera toka ose
prona të tjera, për të formuar entitete ligjore e të tjera si këto.  Ne i quajmë këto
kompetenca, kompetenca të personit juridik sepse të gjithë personat juridikë mund t’i
kryejnë këto detyra.  Në qoftë se pushtetit lokal nuk i jepen kompetencat e personit
juridik, atëherë ai do të ketë shumë pak autoritet qoftë edhe për të kryer detyra shumë të
thjeshta.

B.  Kompetenca Specifike Qeverisëse

Përveç kompetencave të personit juridik, pjesa më e madhe e pushteteve lokale kanë
kompetenca specifike për të përmbushur disa detyra qeverisëse.  Në qoftë se Kushtetuta
e re shqiptare do t’u japë organeve të pushtetit lokal kompetenca specifike, këto
kompetenca do të jenë të garantuara për pushtetin lokal dhe nuk mund t’i hiqen atij prej
pushtetit qëndror, Parlamentit ose gjykatave.  Këto kompetenca specifike mund të
përfshijnë kompetencën për të vendosur taksa lokale, për të rritur të ardhurat duke
hedhur në qarkullim obligacione; kompetencën për të administruar buxhetin e

 

5

pushtetit lokal dhe për të shpenzuar fondet e pushtetit lokal; kompetencën për të
ndërmarrë programe arsimore dhe kulturore; kompetencën për të ndarë, planifikuar dhe
administruar komunitetet; kompetencën për të dekretuar ligje dhe rregullore lokale; dhe
kompetencën për të zbatuar ligje dhe rregullore lokale nëpërmjet organeve të policisë
lokale.  Secila nga këto kompetenca specifike është diskutuar shkurtimisht më poshtë.

Kompetenca për të Vendosur Taksa Lokale.  Pushteti lokal ka nevojë për
fonde me te cilat do të paguajë projektet e tij.  Në shumë shtete, organet e
pushtetit lokal kanë kompetencën që i lejon të vendosin taksa lokale.  Këto
taksa mund të vendosen mbi të ardhurat, mbi shitjen e mallrave, mbi vlerën e
pasurise së paluajtshme, mbi përdorimin e rrugëve apo të tjera si këto.  Duke
mos patur këtë kompetencë, pushtetit lokal do t’i duhet të mbeshtetet vetëm
në fondet që do t’i vijnë nga pushteti qëndror.  Kjo do ta bëjë pushtetin lokal
të varur nga pushteti qëndror.

Kompetenca për të Hedhur në Qarkullim Obligacione.  Një rrugë tjetër që
pushteti lokal mund të ndjekë për të rritur fondet është ajo e hedhjes në
qarkullim të obligacioneve.  Ashtu siç bën edhe pushteti qëndror në Shqipëri,
pushteti lokal në disa shtete u shet obligacione individëve për të ndihmuar në
financimin e projekteve të tyre.  Kur pushteti lokal shet obligacione duhet t’i
paguajë investitorit shumën së bashku me interesat.  Pushteti lokal do të
paguajë obligacionet dhe interesat me paratë që mblidhen nga vjelja e taksave
dhe nga të ardhurat e tjera që siguron.

Kompetenca për të Administruar Buxhetin e Pushtetit Lokal dhe për të
Shpenzuar Fondet.  Kushtetuta mund të specifikojë se pushteti lokal ka
kompetencën dhe pavarësinë për të vendosur mënyrën e shpenzimit të
fondeve të tij.  Në mungesë të kësaj dispozite, pushteti qëndror mund të
përpiqet t’i diktojë pushtetit lokal mënyrën e shpenzimit të fondeve të tij.  Në
qoftë se kjo ndodh, pushteti lokal mund të bëhet thjesht një kukull në duart e
pushtetit qëndror.

Kompetenca për të Ndërmarrë Programe Arsimore e Kulturore.  Kushtetuta
mund të specifikojë gjithashtu faktin që pushteti lokal ka kompetencën të
ndërmarrë programe arsimore e kulturore.  Në qoftë se pushteti lokal ka
pavarësi të vërtetë në shpenzimin e fondeve të tij, atëherë mundet që pushteti
lokal t’i përdorë këto fonde për programe arsimore ose për çdo arsye tjetër
të ligjshme.

Kompetenca për të Ndarë, Planifikuar dhe Administruar Komunitetet.
Organet lokale janë zakonisht më të përshtatshme për të planifikuar rritjen dhe
zhvillimin e komuniteteve.  Ne Shqipëri ashtu si edhe në vende të tjera, toka
mund të planifikohet për një mënyrë të veçantë përdorimi--si për shembull
përdorim për bujqësi, për biznese, për ndërtime rezidenciale ose për
përdorime të tjera.  Kushtetuta, në mënyrë specifike, mund të vendosë nëse
organet e pushtetit lokal kanë kompetenca për të ndarë, planifikuar dhe
administruar komunitetet.


Kompetenca për të Dekretuar Ligje, Rregullore dhe Urdhëresa Lokale.   Në
shumë vende, pushteti lokal ka kompetencat e nevojshme për të dekretuar ligje,
rregullore dhe urdhëresa lokale.  Këto zakonisht kanë një karakter shumë lokal
dhe trajtojnë çështje të tilla si--kufizimet në parkimin e makinave, rregullimi i
ndarjes, planifikimit dhe administrimit të komuniteteve që u diskutua më sipër,
urdhëresa që kanë të bëjnë me zhurmën, e të tjera si këto.  Megjithatë,
kompetenca për të dekretuar ligje lokale nuk është e pakufizuar.  Në qoftë se një
ligj lokal bie ndesh me një ligj të vlefshëm për të gjithë territorin e Republikës
atëherë zakonisht ligji lokal konsiderohet i pavlefshëm.

Kompetenca për të Imponuar Zbatimin e Ligjeve dhe Rregulloreve Lokale dhe
për të Imponuar Zbatimin e disa Ligjeve Kombëtare.  Në qoftë se pushteti lokal
ka kompetencën e dekretimit të ligjeve e rregulloreve lokale, nevojitet që të ketë
dhe kompetencën për t’i vënë ato në zbatim.  Përndryshe, ato do të egzistonin
vetëm nëpër libra dhe nuk do të ndiqeshin e zbatoheshin.  Përveç kësaj, pushteti
lokal mund ta shikojë të arsyeshme nevojën e një zbatimi më efektiv të ligjeve
kombëtare.  Për shembull, një pushtet lokal mund ta shohë të nevojshme
imponimin e zbatimit të disa ligjeve mbi çështje penale në mënyrë që komuniteti të
ndjehet më i sigurtë.  Kushtetuta mund t’u japë organeve të pushtetit lokal
kompetencën për të formuar organe lokale të tilla si:  repart policie, gjykatë lokale
dhe mekanizma të tjerë që imponojnë zbatimin e ligjit.  Në qoftë se pushteti lokal
nuk e ka kompetencën për të imponuar zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve, këto
dy të fundit mund të injorohen lehtësisht nga individët ose nga pushteti lokal.

II.  Konkluzion

Gjatë proçesit të projektimit dhe adoptimit të Kushtetutës, populli shqiptar ka të drejtën
të vendosë nëse organet e pushtetit lokal duhet t’i kenë të garantuara këto të drejta
qeverisëse specifike si edhe kompetencat e personit juridik.

Përgatitur nga Specialisti Ligjor Robert A. Pulver, Esq.
Organizata e Juristëve Amerikanë (ABA) Iniciativa Ligjore për Europën Qëndrore e
Lindore (CEELI)
Rr. Ismail Qemali, Pall. 34, Ap.2
Tiranë, Shqipëri
Tel:  355 42 34624
Fax:  355 42 33197
E-mail:  [email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1