Disiplinimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve
 

I.  Hyrje

Mbrojtja e pavarësisë së gjyqësorit është një nga qëllimet e rëndësishme të Kushtetutës,
por është gjithashtu e rëndësishme që të egzistojnë mekanizma për disiplinën dhe
shkarkimin e gjyqtarëve nga detyra në rrethana të caktuara.  Për shembull, duhet të
egzistojë një organ që ka kompetencën të shkarkojë nga detyra gjyqtarët që pranojnë
rryshfete ose që në mënyra të tjera korruptohen gjatë kryerjes të detyrës së tyre.  Ky
organ duhet të ketë gjithashtu autoritetin për të ndërmarrë sanksione më të lehta për
dhunime më pak të rëndësishme të standarteve etike të gjyqtarëve.  Në qoftë se ky organ
mund të marrë sanksione më të lehta, ai mund të jetë më efektiv në përkrahjen e
integritetit gjyqësor.

Megjithatë është shumë e rëndësishme që organi i cili ka përgjegjësinë e disiplinimit dhe
lëvizjes nga detyra të gjyqtarëve, të ushtrojë kompetencat e tij duke u bazuar në faktet
aktuale dhe i lirë nga presioni politik.  Në disa sisteme, gjyqtarët shkarkohen nga detyra
për motive thjesht politike.  Për shembull, gjyqtarët e emëruar nga qeveria e një partie
politike shkarkohen kur një parti tjetër vjen në pushtet.  Në pushtetet totalitariste të tipit
sovietik, gjyqtarët të cilët nuk vepronin sipas urdhërave të partisë ose qeverisë
shkarkoheshin nga detyra dhe përfundonin edhe më keq.  Kushtetuta e re e Shqipërisë
mund të sigurojë emërimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve nëpërmjet një proçesi të drejtë, të
hapur, të paanshëm dhe të bazuar në fakte--në vend të një proçesi të mbyllur që është i
bazuar në përkatësitë politike ose në disa raste të veçanta i bazuar në vendimin e gjyqtarit
për të vepruar kundër dëshirave të qeverisë.

II.  Roli i Kushtetutës në Sigurimin e Emërimit, Disiplinimit dhe Lëvizjes nga
Detyra të Gjyqtarëve

Sipas Ligjit Nr. 7491 për “Dispozitat Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, aktualisht
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kompetencën për të emëruar dhe lëvizur nga detyra
gjyqtarët dhe prokurorët.  Kushtetuta e re do të përcaktojë përsëri se cili organ e ka këtë
kompetencë.  Gjithashtu, me sa duket Kushtetuta do të specifikojë deri në një farë mase
proçesin dhe proçedurat që do të zbatohen në mënyrë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë (ose
organi tjetër) të përmbushë detyrën e tij.  Duke adresuar këto çështje, shpresohet se
hartuesit e Kushtetutës do të mbajnë parasysh parimet themelore të renditura më poshtë
në mënyrë që të sigurojë një proçes emërimi dhe disiplinimi të drejtë, të hapur, të
paanshëm dhe të bazuar në fakte.


A.  Cili Organ/Organe do të Jenë Përgjegjës për Disiplinimin dhe Shkarkimin
nga Detyra të Gjyqtarëve--Pavarësia dhe Ekuilibri:  Eshtë e rëndësishme që proçesi
i emërimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve të mos kontrollohet nga një pushtet i vetëm.  Për
shembull, organi që aktualisht është përgjegjës për emërimin dhe shkarkimin nga detyra të
gjyqtarëve dhe prokurorëve--Këshilli i Lartë i Drejtësisë--përbëhet nga Presidenti i
Republikës, Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Ministri i Drejtësisë, Prokurori i
Përgjithshëm dhe nga nëntë juristë të tjerë të përgatitur që kanë specialitete të ndryshme.
Në këtë mënyrë Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i ekuilibruar dhe nuk mund të
dominohet lehtësisht prej asnjërit nga pushtetet, ose prej ndonjë personaliteti të fortë.  Në
sisteme të tjera, njëri prej pushteteve mund të emërojë një gjyqtar, ndërsa pushteti tjetër
është përgjegjës për konfirmimin dhe/ose kundërshtimin e kandidaturës së gjyqtarit.  Në
këto sisteme, legjislativi dhe ekzekutivi--si dy pushtete të pavarura--punojnë së bashku
për të kontrolluar gjyqësorin.  Nuk ka rëndësi se cilin sistem duan të kenë qytetarët e
Shqipërisë, e rëndësishme është të kemi parasysh se parimet e pavarësisë dhe ekuilibrit
janë thelbësore në sigurimin e një proçesi të ndershëm e të paanshëm.

B.  Mundësia për të Paraqitur Prova dhe e Drejta për t’u Këshilluar:
Hetimi sekret i gjyqtarëve mund të bëhet ashtu sikurse bëhet dhe hetimi penal.  Megjithatë
është e rëndësishme që në një moment të caktuar pas konkluzionit rreth hetimit, gjyqtari i
akuzuar duhet të njoftohet para se të fillojë proçedimi formal kundër tij.  Gjyqtari i
akuzuar duhet të ketë më pas të drejtën për të paraqitur dëshmitarë, prova të
dokumentuara dhe të drejtën për të paraqitur argumente të ligjshme gjatë proçedimit.  Për
më tepër, gjyqtarëve mund t’u garantohen e drejta për të patur avokatë që t’i përfaqësojë
ata në proçedimet disiplinore apo ato të shkarkimit nga detyra.

C.  E Drejta për Seanca Dëgjimore Publike:  Kushtetuta e re gjithashtu mund të
specifikojë që proçedimet lidhur me disiplinimin apo shkarkimin e gjyqtarëve nga detyra
të bëhen të hapura dhe publike.  Në këtë mënyrë, njerëzit do të ketë mundësinë që të
shohin nëse organi përgjegjës për shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve vepron me
integritet.  Në qoftë se seancat dëgjimore bëhen të mbyllyra do të ishte shumë më e lehtë
për organin përgjegjës të merrte vendim duke u bazuar tek atmosfera politike apo mbi
baza të tjera jo të përshtatshme.

D.  Vendimi Bazuar në Fakte/Kriteri i Vendimit të Shkruar:  Në mënyrë të
ngjashme, është shumë e rëndësishme që vendimi për të hequr nga detyra gjyqtarin duhet
të bazohet në prova të mohueshme, e jo thjesht në thashetheme.  Si rrjedhim, vendimi për
shkarkimin nga detyra të gjyqtarit duhet të bazohet në dëshminë e dëshmitarëve (me të
drejtën e gjyqtarit për t’i drejtuar pyetje dëshmitarit) dhe mbi prova të dokumentuara.
Për më tepër, Kushtetuta mund të specifikojë që vendimet për të hequr nga detyra apo
disiplinuar një gjyqtar duhet të shkruhen me një renditje të plotë të fakteve dhe analizave
juridike mbi të cilat është bazuar.  Kjo gjithashtu do të ndihmojë që vendimi të bazohet
mbi faktet dhe është i hapur për informimin e publikut.


E.  E Drejta për të Apeluar tek një Organ më i Lartë:   Një dispozitë tjetër që mund
të ndihmojë në sigurimin e integritetit të vendimeve të marra nga organi përgjegjës që
vendos disiplinimin apo shkarkimin nga detyra të gjyqtarit është e drejta e apelimit të
këtyre vendimeve.  Një gjyqtari ndaj të cilit janë marrë masa disiplinore mund t’i jepet e
drejta të kërkojë rishikimin e vendimit nga i njëjti organ përgjegjës që ka marrë këtë
vendim.  Gjyqtarit mund t’i jepet gjithashtu e drejta që të apelojë vendimin e pafavorshëm
në një forum tjetër si Parlamenti ose ndonjë organ tjetër gyqësor.  E drejta për një apelim
përfundimtar tek një organ tjetër do të ishte e dobishme në qoftë se vetë organi
përgjegjës bën një proçes të ndershëm apelimi dhe merr vendimet me integritet dhe jo
mbi baza politike.  Një mënyrë tjetër për të kufizuar pushtetin e organit përgjegjës,
vendimi i të cilit u apelua, do të ishte që të parashikohej se vetëm vendimet e heqjes nga
detyra apo të disiplinimit të gjyqtarit mund të apelohen.  (Me fjalë të tjera vendimet që
nuk lidhen me disiplinimin e gjyqtarit nuk mund të apelohen).  Një mënyrë tjetër e
efektshme për të kufizuar pushtetin e organit apelues është që ky i fundit ka vetëm
pushtetin të afirmojë vendimin apo t’ia kthejë vendimin një organi më të ulët për një
proçedim të ri.

III.  Konkluzion

Kushtetuta e re do të vendosi se cili organ do të emërojë dhe heqë nga detyra gjyqtarët
dhe prokurorët; si do të zgjidhen antarët e këtij organi; dhe së paku deri në njëfarë mase
çfarë proçedurash do të zbatojë ky organ.  Për më tepër, në rastin e heqjes nga detyra të
një gjyqtari Kushtetuta mund t’i japë Këshillit të Lartë të Drejtësisë (ose ndonjë organi
tjetër) kompetencën të ndërhyjë me metoda sanksioni ndërmjetësuese për shkelje më të
lehta.  Për t’u siguruar që organi i ngarkuar me këtë funksion vepron ndershmërisht dhe
paanësisht, Kushtetuta mund të përfshijë mbrojtje proçeduriale të listuara më lart--dhe të
tjera që sugjerohen nga ekspertë dhe populli shqiptar gjatë proçesit të hartimit të
Kushtetutës.

Punuar nga Specialisti Ligjor i ABA/CEELI-it Robert A. Pulver Esq.
Organizata e Juristëve Amerikanë (ABA) Iniciativa Ligjore për Vendet e Europës
Qëndrore dhe Lindore (CEELI)
Rr. Ismail Qemali, Pall. 34, Ap. 2
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355 42 346 24
Fax: 355 42 331 97
E-mail: [email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1