Kushtetuta e Shqipërisë: Elementet Bazë të Strukturës Legjislative
 

Hyrje

Ky punim konceptues do të marrë në konsideratë strukturën themelore të legjislaturës,
duke vënë një theks të veçantë në ndryshimet që egzistojnë midis legjislaturës
një-dhomëshe dhe asaj dy-dhomëshe.

Kuptimi Praktik i Problemit

Legjislativi është dega më e rëndësishme e shtetit në një republikë në bazën e së cilës
qëndron e drejta.  Kur ligji qeveris çështjet e legjislativit, janë të rëndësishme sepse  ato
bëjnë ligjet.  Dilema më e madhe për hartuesit e të gjitha kushtetutave republikane (të
republikave) ka qëndruar gjithmonë në faktin se si mund të krijohet një legjislaturë e cila
do të aprovojë ligje të drejta, duke ecur përpara dhe në të njëjtën kohë duke mbrojtur të
mirën e përbashkët pra atë të të gjithë qytetarëve të republikës.  Legjislaturat që nuk i
shërbejnë të mirës së përgjithshme korruptojnë qëllimet e qeverisjes së shtetit, duke
mbrojtur interesat e tyre, në kurriz  të popullit si një i tërë.

Kushtetutat Republikane

Në fillim të këtij diskutimi le të supozojmë se ju doni të vendosni sistemin republikan, pra
të shpallni republikën.  Me fjalën “republikë” kam parasysh një shtet që është i dedikuar
ndaj së mirës së përbashkët (“res publica”) për të gjithë qytetarët e vet.  Të gjitha
republikat janë demokraci sepse pa zgjedhje të rregullta, elitat qeverisëse do të ishin
jashtë kontrollit dhe do të drejtonin gjithmonë në favor të interesave të veta.  Shumica
demokratike mund të abuzojë me pozitën e saj ashtu si edhe çdo grup tjetër që është në
pushtet.  Qeverisja e nje republike duhet të mbështetet në të drejtën në mënyrë që të
kontrollojë ekseset e ekzekutivit dhe gjyqësorit, por gjithashtu, qeverisja e saj duhet të
mbështetet edhe në një bazë ligjore të projektuar mirë që të drejtojë dhe rregullojë
demokracinë.

Duke analizuar natyrën njerëzore mund të themi se çdo individ ose grup personash të cilit
i jepet pushtet dhe kompetenca të pakontrolluara do të abuzojë me to.  Kjo do të thotë
që në një  republikë secila prej degëve qeverisëse duhet të kontrollohet nga të tjerat.
Madje, edhe duke folur për një legjislaturë, ashtu siç po bëj unë në këtë diskutim,
pranojmë ndryshimin ndërmjet tre pushteteve, “legjislativit”, “ekzekutivit” dhe
“gjyqësorit”, të cilat u zhvilluan nga politikanët në republika të ndryshme për të kufizuar
pushtetin e zyrtarëve shtetërorë.

Struktura e Legjislaturës


Legjislaturat dy-dhomëshe kontrollojnë e kufizojnë pushtetin e zyrtarëve shtetërorë më
mirë se legjislaturat një-dhomëshe sepse të parat e ndajnë degën më të rëndësishme të
qeverisjes në dy pjesë, në mënyrë që të parandalojë abuzimin e pushtetit të qeverisjes.
Natyrisht, asambletë legjislative zhvillojnë një identitet të përbashkët të tyre, i cili i ndan
ata nga populli.  Çdo grup burokratësh ose zyrtarësh, në mënyrë të pashmangshme, do të
bëjnë gjithmonë të njëjtën gjë.  Duke krijuar dy grupe të tilla në legjislaturë, republikat
dy-dhomëshe e vënë secilën dhomë nën mbikqyrjen e tjetrës.  Konflikti që rezulton nga
një gjë e tillë bën që secila nga dhomat të tregojë ndershmëri më të madhe.  Legjislaturat
dy-dhomëshe, në të cilat konkurrenca e të dyja dhomave është e nevojshme për të
përgatitur projekt-ligjet, nxisin debatin publik për sa i përket problemeve publike duke
detyruar dy degët e legjislaturës të kapërcejnë ndryshimet që egzistojnë midis tyre.  Ky
proçes edukon publikun duke u dhënë ligjvënësve një nxitje për t’u shpjeguar zgjedhësve
qëndrimet e tyre.

Avantazhi parësor e qeverisjes dy-dhomëshe është se ajo kufizon korrupsionin dhe
mbron pakicat.  Ndërsa, dizavantazhi kryesor qëndron në faktin se proçesi legjislativ
mund të ngadalsohet për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy dhomave.  Qeverisja
një-dhomëshe ka avantazhin e aftësisë për të vepruar shpejt, por ka edhe dizavantazhin e
të qënurit i paqëndrueshëm, despotik dhe i korruptuar.

Përbërja e Legjislaturës

Gjithmonë, legjislaturat më efektive kanë qënë të përbëra nga përfaqësues të zgjedhur, të
cilët kanë shëbyer në detyrën e tyre për një kohë të caktuar.  Zgjedhjet periodike, u japin
ligjvënësve një arësye të shëndoshë për të konsideruar nevojat e popullit, dhe në të
njëjtën kohë u japin qytetarëve mundësinë për të zëvendësuar përfaqësuesit e tyre, të cilët
nuk e kanë kryer mirë detyrën e tyre.

Republikat kanë përshtatur një shumëllojshmëri parimesh për sa u përket zgjedhjeve,
duke e pranuar si kërkesë bazë të drejtësisë faktin që ligjvënësit duhet të zgjidhen.  Në
votim mund të marrë pjesë i gjithë populli i cili voton për partitë politike, pra në këtë
mënyrë vendet në parlament ndahen proporcionalisht në bazë të numrit të votave që ka
marrë secila parti.  Populli mund të votojë lokalisht, pra me një individ të vetëm i cili
përfaqëson një zonë të tërë.  Populli mund të votojë për një organ ekzekutiv i cili më pas
emëron anëtarët e legjislaturës.  Populli mund të votojë për organe lokale të cilat më pas,
emërojnë anëtarët e legjislaturës. Gjithashtu, egzistojnë edhe shumë mundësi të tjera.

Tashmë, pjesa më e madhe e republikave kanë sistemin e legjislaturës dy-dhomëshe,
duke përdorur një parim të ndryshëm përfaqësimi në secilën prej dhomave.  Në mënyrë
tipike, egziston një dhomë më e madhe (200-500 anëtarë) të zgjedhur direkt nga populli,
në varësi të numrit të popullsisë, si dhe një dhomë më e vogël (20-70 anëtarë) që
përfaqëson zonat gjeografike të vendit.  Ky sistem i dyzuar i përfaqësimit pajton vullnetin
e popullit si një i tërë, ose të shumicës, me nevojat dhe shqetësimet e pakicave krahinore,
të cilat në të kundërt do të ishin të nënshtruara ose nënvleftësuara.

Zakonisht, në një legjislaturë, dhoma me numrin më të madh të anëtarëve përzgjidhet në
bazë të përfaqësimit sipas sistemit proporcional, duke përfaqësuar të gjitha partitë politike
në bazë të përkrahjes relative që ato gëzojnë në popull.  Avantazhi qëndron në faktin se
legjislatura do të jetë një reflektim i saktë i popullit.  Ndërsa, dizavantazhi qëndron në
faktin se ligjvënësit do të ndahen në një numër të madh fraksionesh, të cilat do të
bashkëpunojnë me vështirësi.


Dhoma e legjislaturës që ka numrin më të madh të anëtarëve, zakonisht, i nënshtrohet
zgjedhjeve të shpeshta, në mënyrë që anëtarët e saj të jenë në kontakt të vazhdueshëm
me mendimet e popullit.  Avantazhi i kësaj praktike është se e bën të qartë mbështetjen
që gëzojnë aktivitetet shetërore në popull.  Nga ana tjetër dizavantazhi qëndron në faktin
se legjislacioni i nënshtrohet luhatjeve të përkohëshme të opinionit publik.

Dhoma e dytë e legjislaturës, e cila ka numrin më të vogël të anëtarëve, zakonisht,
qëndron në detyrë për një kohë më të gjatë.  Avantazhi është se përfaqësuesit kanë më
tepër pavarësi dhe më tepër kohë për të reflektuar për të mirën e kombit.  Dizavantazhi
qëndron në faktin se kjo praktikë, në një farë mënyre i largon anëtarët e kësaj dhome nga
nevojat e votuesve të cilëve ata u shërbejnë.

Konkluzion

Ka një kohë të gjatë që është kuptuar se nevojat themelore strukturale për një qeverisje
të mirë kërkojnë legjislatura dy-dhomëshe, të përcaktuara, nga popullsia për njërën
dhomë dhe nga ndarja gjeografike për dhomën tjetër, me qëllimin e të dy dhomave
prioriteti i të cilave është hartimi dhe aprovimi i ligjeve.

Përgatitur nga Dr. Mortimer Sellers
Drejtor i Qëndrës së së Drejtës Ndërkombëtare dhe Krahasuese
Profesor i së Drejtës në Universitetin e Baltimorës
U.S.A.
 

Hosted by www.Geocities.ws

1