Funksioni i Presidentit
 

Sot në botë egzistojnë shumë forma të qeverisjes demokratike.  Megjithatë, në të gjitha
format e demokracive është vetëm një person që drejton këtë qeverisje.  Ky drejtues
mund të jetë Mbreti ose Mbretëresha, në një sistem monarkie kushtetuese, Kryeministri,
në një sistem parlamentar, ose Presidenti, në një sistem presidencial.  Egziston mundësia
që një shtet të ketë një sistem hibrid, ku për shembull, kompetencat ekzekutive ndahen
midis presidentit dhe kryeministrit.

Kushtetuta më e vjetër e botës, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte kushtetuta
e parë që i veshi presidentit kompetenca ekzekutive.  Neni 2 i Kushtetutës së Shteteve të
Bashkuara specifikon në mënyrë shumë të qartë përgjegjësitë dhe kompetencat e
presidentit, si edhe mënyrën e zgjedhjes dhe të shkarkimit nga detyra të presidentit.

Në bazë të Ligjit shqiptar për Dispozitat Kryesore Kushtetuese (Kushtetuta e
përkohshme e Shqipërisë), Presidenti i Republikës është Kryetari i Shtetit.  Nenet 24 -
32 të këtyre dispozitave përshkruajnë kompetencat, përgjegjësitë, privilegjet, etj., të
postit të Presidentit të Republikës.  Shqiptarët mund të dëshirojnë të përfshijnë në
kushtetutën e re të gjitha, një pjesë, ose asnjë nga dispozitat e këtij ligji që rregullojnë
postin e presidentit.  Megjithatë, pavarësisht nga fakti i përfshirjes ose jo të dispozitave të
Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në kushtetutën e re, shqiptarët mund të marrin
në konsideratë çështjet e paraqitura më poshtë:

1. Kriteret që duhet të plotësojë presidenti:  Mosha; Arsimimi; Kombësia
2. Zgjedhja e presidentit: Votimi Parlamentar kundrejt Votimit Popullor; Votim i
Fshehtë kundrejt Votimit të Hapur
3.  Afati i mandatit presidencial:  Për sa kohë mund të qëndrojë në detyrë; Sa
herë mund të  zgjidhet
4.  Shkarkimi i presidentit nga detyra:  Bazat për shkarkimin; Si kryhet
5.   Kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit
6.   Privilegjet dhe imuniteti i presidentit
 

Kriteret


Ka mundësi që problemi i parë që duhet të merret në konsideratë gjatë përzgjedhjes së
një presidenti është se cilat janë kriteret kushtetuese që duhet të përmbushen.  Nuk është
e pazakontë që në një kushtetutë të kërkohet që kandidati për president të ketë mbushur
një moshë të caktuar (duhet të jetë mbi 35 vjeç sipas Kushtetutës së Shteteve të
Bashkuara dhe 40 vjeç sipas Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në Republikën e
Shqipërisë) dhe të jetë shtetas i vendit, president i të cilit dëshiron të bëhet (çdo shtetas
shqiptar mund të zgjidhet president i Republikës në bazë të Ligjit për Dispozitat Kryesore
Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, ndërsa Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara
është akoma më strikte në këtë pikë, duke vënë kriterin sipas të cilit vetëm personat që
kanë lindur në Shtetet e Bashkuara mund të kandidojnë për postin e presidentit).
Shqiptarët mund të dëshirojnë të përfshijnë ose jo në kushtetutën e tyre kritere të tjera--të
tilla si një nivel i caktuar arsimimi.  Megjithatë, një numër i madh kriteresh të përcaktuara
nga kushtetuta do të zvogëlonte numrin e personave të përshtatshëm për postin e
presidentit.  Për këtë arsye, shqiptarët duhet të tregohen të kujdesshëm për sa i përket
zgjedhjes së kritereve të cilat ata duan t’i përfshijnë në kushtetutën e tyre.
 

Zgjedhja e Presidentit

 Një problem i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë është:  në çfarë mënyre do
të zgjidhet presidenti?  Presidenti do të zgjidhet nga legjislatura ose parlamenti apo do të
zgjidhet nëpërmjet një votimi popullor?  Në qoftë se presidenti do të zgjidhet nga
legjislatura apo parlamenti, do të ndiqet proçedura e votimit të fshehtë apo votimi do të
jetë i hapur ashtu si edhe votimet e tjera të legjislaturës apo parlamentit?  Prezumohet që
në qoftë se presidenti do të zgjidhet me votim popullor proçedura do të jetë ajo e votimit
të fshehtë.
 

Afati i Mandatit Presidencial

Së bashku me problemin e përzgjedhjes së kandidaturës ose zgjedhjes sw presidentit,
merret në konsideratë edhe afati i mandatit presidencial dhe fakti nëse presidenti mund të
rizgjidhet.  Afati i mandatit presidencial varion nga një shtet në tjetrin ( për shembull,
mandati i presidentit në Shtetet e Bashkuara është katër vjet, në Shqipëri pesë vjet--në
bazë të Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese--ndërsa në Francë shtatë vjet).
Megjithatë, në ndryshim nga afati i mandatit të kryeministrit i cili mund të rezultojë shumë i
shkurtër, sidomos në rastin kur ai drejton një qeveri koalicioni dhe humbet mbështetjen e
partnerëve të tij, afati i mandatit të presidentit është i përcaktuar.  Në përgjithësi,
presidenti mund të shkarkohet nga detyra vetëm nëpërmjet një proçesi specifik (si
akuzimi për një krim, në Shtetet e Bashkuara) ose nëpërmjet dorëheqjes (shih nenin 27 të
Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë).
Së bashku me afatin e mandatit presidencial, duhet marrë në konsideratë edhe çështja e
numrit të mandateve gjatë të cilave presidenti mund të kryejë këtë detyrë.  Kushtetutat e
disa vendeve e kufizojnë numrin e mandateve gjatë të cilave një person mund të zgjidhet
president (për shembull, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e kufizon numrin e
mandateve në dy, pra tetë vjet, ndërsa Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në
Republikën e Shqipërisë kufizon zgjedhjen në postin e presidentit për dy afate të
njëpasnjëshme, pra për 10 vjet, por nuk kufizon numrin e mandateve presidenciale për të
cilat një person mund të zgjidhet në postin e presidentit).
 

Shkarkimi i Presidentit nga Detyra


Përderisa një president, në përgjithësi, qëndron në këtë detyrë gjatë gjithë mandatit,
problemi i shkarkimit të tij nga detyra është shumë i rëndësishëm për t’u marrë në
konsideratë.  Proçesi i shkarkimit të  presidentit nga detyra duhet të përfshihet në
kushtetutë, veçanërisht nëse kompetencat ekzekutive i janë veshur kryesisht atij.
Gjithashtu, edhe mënyra e shkarkimit të presidentit duhet të specifikohet në kushtetutë.

Ekzistojnë disa mënyra për të shkarkuar presidentin nga detyra.  Një nga këto është
nëpërmjet peticionit popullor.  Sipas kësaj mënyre, qytetarët të cilët janë të pakënaqur
me presidentin mund të marrin nismën e nënshkrimit të një peticioni për të shkarkuar
presidentin nga detyra.  Normalisht, në rastet kur lejohet organizimi i një peticioni, ai
duhet të nënshkruhet nga një numër i caktuar nënshkruesish para se të lejohet zhvillimi i
proçedurës për një votë mosbesimi ndaj presidentit.  Por në qoftë se kjo proçedurë
realizohet, në shumë vende që kanë këtë sistem, një votë mosbesimi për presidentin që
fiton me një diferencë të vogël votash, është e mjaftueshme për ta shkarkuar atë nga
detyra.  Një mënyrë tjetër për të shkarkuar presidentin nga detyra është nëpërmjet
legjislaturës.  Kjo është edhe metoda që përdoret në Shtetet e Bashkuara për të
shkarkuar presidentin nga detyra.  Sipas sistemit të Shteteve të Bashkuara, i cili është
përdorur vetëm një herë, dhoma e ulët (Dhoma e Përfaqësuesve) mund të votojë me
shumicë votash shkarkimin e presidentit nga detyra.  Kur kjo proçedurë ka përfunduar,
dhoma e lartë (Senati) voton për të shkarkuar ose jo presidentin nga detyra.  Megjithatë,
Senati duhet të votojë me një shumicë absolute votash, prej 2/3, për të shkarkuar
presidentin nga detyra.  Në një kohë që Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në
Republikën e Shqipërisë nuk parashikon ndonjë mekanizëm të ngjashëm, në bazë të nenit
31 të këtij ligji, imuniteti i presidentit për veprimet zyrtare mund të hiqet nga Kuvendi
Popullor “nëpërmjet votimit sekret dhe me një shumicë absolute votash të 2/3 së
deputetëve”.  Në këtë rast efekti do të jetë shkarkimi presidentit në bazë të nenit 27 të
Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë.  Por, për arsye
se aftësitë e legjislaturës shqiptare nuk janë shprehimisht të qarta në Ligjin për Dispozitat
Kryesore Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, shqiptarët mund të dëshirojnë të
marrin në konsideratë krijimin dhe përfshirjen në kushtetutën e re të një mekanizmi për
shkarkimin nga detyra të presidentit.
 

Përgjegjësitë e Presidentit

Përgjegjësitë e një presidenti mund të variojnë në një shkallë të gjërë në varësi të
kushtetutës që është adoptuar.  Për shembull, në bazë të disa kushtetutave roli i
presidentit është pak më tepër se ceremonial (si në Irlandë dhe Gjermani).  Nga ana
tjetër, në disa vende, të tilla si Shtetet e Bashkuara, presidenti është përgjegjës për
funksionet e ekzekutivit dhe ushtron kompetenca dhe influencë të jashtëzakonshme.
Ndërmjet përgjegjësive të presidentit të Shteteve të Bashkuara, të përcaktuara në
kushtetutë, mund të përmendim:

1. Kompetencën për të nënshkruar traktate dhe marrëveshje ndërkombëtare.
2.   Kompetencën për të emëruar ambasadorët, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe
gjykatave të tjera federale dhe ministrat.
3.  Pozicionin e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura.


Megjithatë, ka mundësi të egzistojë  një sistem hibrid që kombinon sistemin presidencial
me atë parlamentar.  Kushtetuta aktuale franceze (1958) është shembull i këtij tip sistemi.
Në Francë,  kompetencat ekzekutive janë ndarë midis presidentit dhe kryeministrit.  Disa
nga përgjegjësitë dhe kompetencat e presidentit francez përfshijnë:

1. Emërimin dhe shkarkimin e kryeministrit.
2.   Pjesmarrjen në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
3.   Vendosjen e vetos mbi ligjet.

Në bazë të Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, roli i
Presidentit, në dukje, është i dorës së dytë në krahasim me atë të Kryeministrit.  Disa nga
kompetencat që Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë i
ka deleguar Presidentit janë:

1. Emërimi dhe pranimi i dorëheqjes së kryeministrit.
2. Emërimi, shkarkimi dhe pezullimi me dekret presidencial i ministrave dhe
anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave, në bazë të propozimit të
Kryeministrit.
3. Emërimi dhe shkarkimi i përfaqësuesve diplomatikë, në bazë të propozimit të
Kryeministrit.
4. Përgatitja e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi ose
refuzimi i atyre që nuk janë egzaminuar nga Kuvendi Popullor.
5. Presidenti është Komandant i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit
të Mbrojtjes.

Privilegjet dhe Imuniteti

Duke patur parasysh përgjegjësitë e mëdha të një presidenti veçanërisht në një
sistem të pastër presidencial si ai i Shteteve të Bashkuara, zakonisht është e
këshillueshme të zgjerohen disa privilegje dhe imuniteti i presidentit në kryerjen e
detyrës së tij.  Ndërkohë që kushtetuta e sistemit presidencial më të fuqishëm në
botë nuk i përcakton shprehimisht imunitetin dhe privilegjet e presidentit, ato i njihen
këtij të fundit.  Parimet e imunitetit dhe privilegjeve të presidentit, në Shtetet e
Bashkuara, bazohen në doktrinën e ndarjes së pushteteve në tre degë të
veçanta--ekzekutivi, gjyqësori dhe legjislativi.  Imuniteti i presidentit shtrihet në
veprimet që ai ndërmerr në bazë të pozicionit të tij zyrtar.  Shtrirja e këtij imuniteti
nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë.  Megjithatë, rreziku i akuzave për kryerje
krimesh  ka aftësinë të parandalojë gabimet e presidentit.

Ka mundësi që kushtetuta shqiptare të përcaktojë në mënyrë të qartë qëllimin e
imunitetit presidencial ashtu siç është i përcaktuar në Ligjin për Dispozitat Kryesore
Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë (neni 31).  Megjithatë, është e mira të
merret në konsideratë koncepti i njëfarë imuniteti në qoftë se nuk merret në
konsideratë  imuniteti absolut për veprimet zyrtare të presidentit.

Zgjerimi i konceptit të imunitetit dhe gjithashtu krijimi i mekanizmave për heqjen e
imunitetit presidencial janë çështje që duhet të diskutohen nga të gjithë shqiptarët.

Konkluzion

Shqiptarët do të jenë ata që do të vendosin nëse shteti i tyre duhet të ketë një president.
Posti i Presidentit, në bazë të kushtetutës së re shqiptare do të jetë një pozicion qeverisës
shumë i rëndësishëm edhe në qoftë se ky post do të jetë kryesisht ceremonial.  Për këtë
arsye, atëherë kur shqiptarët do të vendosin se si duhet të jetë Posti i Presidentit, cilat do
të jenë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij, ata duhet të konsiderojnë me shumë kujdes si
kulturën dhe historinë e Shqipërisë ashtu edhe kushtetutat e vendeve të tjera.

Përgatitur nga Përfaqësuesi Ligjor i CEELI-t:  John Hutchinson Kelley
Organizata e Juristëve Amerikanë (ABA) Iniciativa Ligjore për Vendet e Europës
Qëndrore dhe Lindore (CEELI)
Rr. Ismail Qemali, Nr. 30
Tiranë, Shqipëri
Tel/Fax:  355 42 349 50
E-mail:  [email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1