I. Hyrje
Një kushtetutë mund të përshkruajë strukturën
e sistemit gjyqësor. Një kushtetutë mund
të përcaktojë numrin e përgjithshëm të
gjykatave të vendit. Ajo mund ta copëzojë
sistemin gjyqësor në nivele të ndryshme. Gjithashtu
kushtetuta mund të përshkruajë
përmbajtjen e juridiksionit dhe shpërndarjen gjeografike
të gjykatave. Kushtetuta mund
të ndalojë krijimin e gjykatave të jashtëzakonshme
tek të cilat adresohen çështje të
veçanta.
Fakti se çfarë do të parashikojë Kushtetuta për
sistemin gjyqësor dhe se sa specifike do
të jetë ajo në përshkrimin e këtij sistemi,
varet nga personat që punojnë me projektin e
Kushtetutës dhe nga ç’ka ata besojnë se do të
jetë më e mira për Shqipërinë.
Megjithatë, është e rëndësishme të kemi
parasysh se çdo sistem gjyqësor ka pikat e tij të
qëndrueshme ashtu si edhe ato të dobëta. Një
kushtetutë thjesht përcakton parametrat
për sistemin gjyqësor. Detyra më e rëndësishme,
ajo e sigurimit të një sistemi gjyqësor që
funksionon ashtu siç duhet, mbetet në duart e gjyqtarëve,
juristëve, punonjësve të
gjykatës dhe qytetarëve. Cdo shqiptar është
i interesuar të shohë se sistemi gjyqësor
funksionon në mënyrë të drejtë dhe të
paanshme për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ky
proçes fillon me Kushtetutën, sepse Kushtetuta është
baza mbi të cilën ngrihet sistemi
gjyqësor.
II. Numri i Përgjithshëm
Numri i përgjithshëm i gjykatave është një
nga problemet më të rëndësishme për të cilat
duhet të vendosë populli shqiptar. Kjo sepse numri
i gjykatave do të ketë një ndikim
direkt në mundësinë e qytetarit shqiptar për të
hyrë në sistemin e drejtësisë. Megjithatë,
për të vendosur numrin e nevojshëm të gjykatave
duhet të bazohemi në një studim të
kujdesshëm që do të tregojë numrin e gjykatave
që duhet të egzistojnë. Krijimi dhe
mirëmbajtja e gjykatave kushtojnë shumë, për këtë
arsye gjykatat duhet të vendosen
vetëm atje ku janë vërtet të nevojshme.
III. Nivelet e Ndryshme
Numri i përgjithshëm i gjykatave do të përfshijë
nivelet e ndryshme të tyre. Kjo do të
thotë që përveç gjykatave të shkallës
së parë, gjykata në të cilat qytetarët drejtohen
fillimisht për të zgjidhur problemet e tyre ligjore, do të
ketë gjithashtu gjykata në të cilat
qytetarët mund të drejtohen për të apeluar vendimet
(të kërkojnë përsëri gjykimin e
çështjes) të cilat kanë qënë të
padrejta sipas mendimit të tyre. Numri i gjykatave të apelit
(gjykata në të cilat qytetarët mund të kërkojnë
apelimin e vendimeve) do të varet nga
populli shqiptar. Megjithatë, nuk është e pazakontë
egzistenca e tre niveleve të ndryshme
të gjykatave: Një gjykatë e shkallës së
parë (vendi ky qytetarët regjistrojnë fillimisht
paditë e tyre), një gjykatë apeli (gjykata në të
cilën qytetarët apelojnë vendimin e gjykatës
së shkallës së parë) dhe gjykata e lartë (gjykata
e arbitrimit përfundimtar të vendimit).
IV. Përmbajtja e Gjykatave
Përmbajtja e juridiksionit të gjykatës do të thotë:
Cilat çështje mund të gjykojë gjykata.
Në disa vende është e normale që gjykatat të
kenë juridiksion mbi çështje të veçanta.
Për shembull, ndarja më e zakonshme është gjykata
penale prej asaj civile. Gjykata
penale gjykon vetëm çështjet penale dhe jo ato civile
(çështje jo penale). Gjykata civile
gjykon vetëm çështjet civile (paditë midis individëve
ose organizatave) dhe asnjëherë
çështje penale. Arsyeja e kësaj ndarjeje është
se besohet dhe shpresohet që personeli i
gjykatave dhe gjyqtarët do ta kuptojnë më mirë
të drejtën si edhe çështjet e veçanta në
qoftë se ata dhe gjykata do të specializohen në një
fushë të caktuar. Ky arsyetim ka çuar
në një ndarje të mëtejshme të sistemit gjyqësor.
Në disa vende sistemi gjyqësor po bëhet
çdo ditë e më tepër i specializuar. Tani
egzistojnë gjykata që shqyrtojnë ekskluzivisht
çështje si për shembull të së drejtës
familjare, ose çështje falimentimi, apo çështje
të të
miturve (Gjykatat e të Miturve gjykojnë vetëm çështje
që kanë të bëjnë me të miturit).
Megjithatë, ndarja mund të bazohet në çdo fushë
të ligjit në të cilën nevoja është më
e
madhe. Përsëri, do të mbetet në duart e popullit
shqiptar të vendosë për krijimin ose jo
të gjykatave të specializuara.
V. Shpërndarja Gjeografike
Gjykatat në Shqipëri duhet të shpërndahen sipas
nevojave ligjore të popullit në këtë
fushë. Megjithatë, situata gjeografike unike e Shqipërisë,
malet dhe infrastruktura e saj,
duhet të mbahen parasysh në vendosjen e numrit të nevojshëm
të gjykatave.
Shqipëria është një vend i vogël, por megjithatë
duhet një kohë e gjatë të udhëtosh nga
një qytet që konsiderohet i madh ose i mesëm në
një tjetër qytet të tillë. Eshtë e
zakonshme që në vende të tjera qytete të mëdha
ose të mesme të kenë gjykatë dhe kjo
duhet të aplikohet gjithashtu edhe në Shqipëri.
Fakti që çdo qytet i madh ose i mesëm si edhe disa
qytete të vogla kanë gjykatë, nuk
duhet të jetë një barrë financiare aq e madhe sa
mund të duket. Kjo sepse gjykatat e
disa qyteteve të mesme e të vogla kanë stafe e buxhete
shumë të vogla.
Një alternativë tjetër që duhet të kemi parasysh
gjatë proçesit të shpërndarjes gjeografike
të gjykatave është përdorimi i gjykatave të
qarqeve dhe gjykatave shëtitëse. Gjykata e
qarkut është një lloj gjykate që mbulon nga ana
gjyqësore zonat pak të populluara dhe të
vështira për t’u arrirë. Pjesërisht kjo është
situata në Shqipëri. Për këtë arsye kjo
zgjidhje mund të sigurojë ndihmë gjyqësore për
zonat malore pak të populluara. Mënyra
e punës së gjykatës së qarkut apo gjykatës
shëtitëse mund të variojë. Megjithatë, në
përgjithësi një gjyqtar dhe stafi i tij udhëtojnë
në qytete apo fshatra të largëta në ditë të
caktuara dhe sigurojnë ndihmë gjyqësore në këto
vende që nuk kanë gjykata të
përhershme. Ky sistem ka dy avantazhe kryesore: kushton
më pak se sa një gjykatë e
përhershme e një zone pak të populluar dhe përsëri
siguron ndihmë gjyqësore për
popullsinë e këtyre zonave të thella e pak të populluara.
Eshtë i diskutueshëm fakti nëse numri përfundimtar
dhe lokalizimi gjeografik i gjykatave
duhet të përcaktohet në Kushtetutë. Avantazhi
i këtij përcaktimi është se populli do të
ketë të drejtën për të pasur një numër
të caktuar gjykatash në një numër të caktuar
rrethesh ose zonash. Dizavantazhi qëndron në faktin
se në qoftë se numri dhe lokalizimi i
gjykatave përcaktohet në Kushtetutë mund të gjendemi
në një situatë në të cilën sistemi
gjyqësor nuk ka fleksibilitet. Për shembull, mund të
ulet popullsia e një rrethi i cili do të
ketë më pak nevojë për sistemin gjyqësor që
është specifikuar në Kushtetutë, ndërsa
popullsia e një rrethi tjetër mund të rritet dhe si
rezultat rritet nevoja për sistemin gjyqësor
ndryshe nga ç’është specifikuar në Kushtetutë.
Mund të jetë e nevojshme që Kushtetuta
të amendohet për të korrigjuar situatën.
Megjithëse kjo situatë mund të mos shihet si
problematike, ekspertët besojnë se një kushtetutë
duhet të amendohet shumë rrallë dhe
vetëm për çështje madhore. Ka njerëz
që e konsiderojnë vendosjen dhe përmbajtjen e
juridiksionit të gjykatave më tepër një çështje
të administrimit të gjyqësorit sesa një
çështje me dimensione kushtetuese.
VI. Gjykatat e Jashtëzakonshme
Gjykatat e jashtëzakonshme janë në një farë
mënyre të ngjashme me gjykatat e
specializuara. Edhe ato gjithashtu janë gjykata që
trajtojnë çështje me një subjekt të
caktuar. Megjithatë, në ndryshim nga gjykatat e specializuara,
gjykatat e
jashtëzakonshme janë më pak të lidhura me problemet
ligjore të përditshme dhe të lidhura
më ngushtë me çështje specifike që kanë
të bëjnë me shtetin, me individë apo grupe të
veçanta. Për shembull, një gjykatë e jashtëzakonshme
mund të trajtojnë vetëm çështje që
kanë të bëjnë me sigurimin kombëtar ose me
çensurën.
Problemi kryesor me gjykatat e jashtëzakonshme është
se ato mund të ndjekin penalisht
një person ose një grup personash. Për shembull,
në qoftë se qeveria vendos se nuk ka
simpati për dikë ose mendon se një person ndërhyn
në një farë mënyre në qeverisjen e
shtetit, qeveria mund të krijojë një gjykatë të
veçantë vetëm për ta ndjekur penalisht këtë
person.
Për këtë arsye, kushtetutat e disa vendeve duke përfshirë
edhe ligjin shqiptar “Për
Dispozitat Kryesore Kushtetuese”, e ndalojnë krijimin e gjykatave
të jashtëzakonshme.
VII. Konkluzion
Si do të jetë struktura e sistemit gjyqësor shqiptar?
Kjo është një çështje me shumë
rëndësi për shqiptarët. Por ata duhet të
shqyrtojnë në mënyrë të kujdesshme se ç’farë
dispozitash mbi sistemin gjyqësor duan në Kushtetutë.
Në qoftë se Kushtetuta përfshin
një numër të madh dispozitash në lidhje me administrimin
e përditshëm të sistemit
gjyqësor atëherë ky sistem do të bëhej jo
fleksibël për t’iu përgjigjur rrethanave të
ndryshueshme. Në qoftë se Kushtetuta përfshin
një numër të vogël dispozitash, ajo mund
të mos e mbrojë sistemin gjyqësor në mënyrë
të mjaftueshme nga ndërhyrjet politike.
Punuar nga Përfaqësuesi i CEELI-t John Kelley
Organizata e Juristëve Amerikanë (ABA) Iniciativa Ligjore
për Europën Qëndrore
dhe Lindore (CEELI)
Rr. Ismail Qemali, Pall. 34, Ap. 2
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355 42 346 24
Fax: 355 42 331 97
E-mail: [email protected]