Si Ndodh që një Gjyqtar të Bëhet Gjyqtar?

I.  Kualifikimet Gjyqësore

Zakonisht, për t’u bërë gjyqtar, fillimisht kërkohet që personi që dëshëron të bëhet
gjyqtar të përmbushë disa kritere specifike.  Kjo nuk kërkohet gjithmonë dhe në
disa sisteme gjyqësore nuk ka kritere të tjera përveç moshës mbi 18 vjeç dhe të
qënurit qytetar i atij shteti.

Megjithatë, pjesa më e madhe e sistemeve gjyqësore kanë kritere gjyqësore
specifike.  Zakonisht, kandidati për gjyqtar duhet të jetë jurist.  Mendojmë se
arsyeja e përmbushjes së këtij kriteri, dhe shpresojmë që ky të jetë i drejtë, është se
juristët do ta kuptojnë më mirë se sa jo-juristët arsyen për ligjet.  Gjithashtu besojmë
se juristët do të dinë më mirë të zbatojnë ligjet në çështje të ndryshme dhe do të dinë
efektin që do të kenë vendimet e tyre mbi ligjet, shoqërinë dhe individët që
përfshihen në çështjet e ndryshme.  Juristët, gjithashtu e kuptojnë sistemin ligjor,
praktikën dhe proçedurën, më mirë se sa një jo-jurist.

Shpesh herë egziston një përcaktim i moshës minimale e maksimale që specifikon se
një jurist duhet të ketë mbushur një moshë të caktuar,  por nuk duhet të ketë arritur
një moshë specifike (për shembull, kandidati për gjyqtar duhet të ketë moshë jo më
të re se 35 vjeç dhe jo më të madhe se 60 vjeç).  Arsyeja për kriterin e moshës
minimale egziston sepse kandidati për gjyqtar duhet të ketë  eksperience të
mjaftueshme për të kuptuar kërkesat e vendit të punës,  maturinë për të dhënë
vendime të drejta dhe gjithashtu sjellje dinjitoze për një gjyqtar.  Arsyeja për kriterin
e moshës maksimale egziston sepse kandidati për gjyqtar duhet të jetë aq i ri dhe
energjik sa të mundë të përmbushë kërkesat dhe të përballojë ngarkesën e punës së
gjyqtarit.

Nuk është e pazakontë për një jurist, ose nëse është e lejuar për një jo-jurist, që
pasi ka marrë detyrën e gjyqtarit t’i kërkohet të heqë dorë nga të gjitha detyrat ose
pozicionet që mund të ketë patur.  Gjithashtu, në qoftë se para marrjes së detyrës,
gjyqtari ka qenë aktiv në jetën politike ai duhet të heqë dorë nga pjesmarrja në
arenën politike.  Arsyeja e përmbushjes së këtyre kritereve është se gjyqtari duhet
të jetë i paanshëm dhe të paraqitet si i tillë në çdo situatë.  Në qoftë se ai mban një
tjetër vend pune apo pozicion gjatë kohës që është duke punuar si gjyqtar, në
mënyrë të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme ai mund të favorizojë shoqërinë
ose biznesin për të cilin punon, ose në mënyra të tjera të mos jetë apo të mos
paraqitet si i paanshëm.  Për këtë arsye, në mënyrë që të mënjanohet sa më shumë
që të jetë e mundur gjithçka që mund të shihet si arsye që ndikon mbi paanësinë e
gjyqtarit, shumë shtete kufizojnë në mënyrë maksimale gjithçka, vende pune apo
pozita në organizata, që mund të përfytyrohen apo të shihen si arsye që ndikojnë në
paanësinë e gjyqtarit.


Në disa vende kryhet një verifikim mbi të kaluarën e kandidatit për gjyqtar.
Verifikimi mbi të kaluarën është një hetim  mbi jetën dhe historinë personale të
kandidatit për gjyqtar.  Hetimi kryhet për të qenë të sigurtë se në jetën dhe në të
kaluarën e kandidatit nuk ka ose nuk ka patur asgjë që mund të ndikojë ose që
mund të përdoret për të ndikuar  vendimet e tij.  Verifikimi kryhet gjithashtu për të
qenë të sigurtë se nuk egziston asgjë në jetën ose në të kaluarën e kandidatit për
gjyqtar që mund të vërë në pozitë të vështirë sistemin gjyqësor (për shembull, bëhet
verifikimi për të qenë të sigurtë se kandidati nuk figuron i regjistruar në regjistrin e
prokurorit).

Përveç arsyeve që u përmenden më sipër, ka edhe tre arsye të tjera që justifikojnë
rigorozitetin  e proçesit përzgjedhës.  E para, nevoja për imunitet gjyqësor
(mbrojtja nga përgjegjësitë apo hakmarrja që vinë si rezultat i veprimeve të
ndërmarra nga gjyqtari në rolin e tij si gjyqtar) kjo do të thotë që gjyqtari mund të
shkarkohet nga detyra vetëm në bazë të arsyeve të qëndrueshme.  Duhet të
egzistojë një arsye për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit (për shembull,  nje gjyqtar i
korruptuar mund të shkarkohet nga detyra).  Vendime të padrejta, arsyetime të
gabuara madje edhe thjesht pamaturia e gjyqtarit nuk janë arsye të mjaftueshme për
ta shkarkuar atë nga detyra.

Afati i ushtrimit të detyrës është i lidhur me imunitetin (periudha e kohës gjatë së cilës
gjyqtari ushtron detyrën i lirë nga fakti se mund të pushohet në mungesë të
parregullsive).  Përderisa gjyqtarët janë të emëruar për një periudhë të caktuar
kohe, nga një vit deri në fund të jetës, është e rëndësishme që gjyqtari i përzgjedhur
të jetë shumë i kualifikuar dhe shumë i ndershëm (sidomos në rastin e emërimit për
një periudhë të gjatë kohe).  Përzgjedhja e gjyqtarit të gabuar do të thotë se egziston
mundësia që për një periudhë të gjatë kohe ky gjyqtar të marrë vendime të varfra që
do të ndikojnë në kah të kundërt në administrimin e drejtësisë.

Arsyeja e fundit që justifikon domosdoshmërinë e egzistencës së një proçesi rigoroz
përzgjedhjeje qëndron në faktin se gjyqësori është një pjesë integrale e sistemit të
kontrollit dhe ekuilibrit (check and balances system) që është i rëndësishëm në çdo
demokraci vitale.  Në mënyrë që një demokraci të funksionojë në realitet ashtu siç
përshkruhet në teori, është e domosdoshme që gjyqtarët, të cilët janë çelësi i çdo
sistemi gjyqësor, të jenë të aftë të përmbushin detyrën e tyre si mbrojtës të drejtësisë
dhe të të drejtave të njeriut.

II.  Emërimi i Gjyqtarëve

Në qoftë se verifikohet se kandidati për gjyqtar i plotëson të gjitha kriteret e
kërkuara personi kalon nga kriteri i kualifikimit në proçesin e përzgjedhjes.  Qeveri
të ndryshme demokratike ndjekin rrugë të ndryshme në përzgjedhjen e gjyqtarëve
që shërbejnë në sistemin gjyqësor.

Një metodë e zgjedhjes së gjyqtarëve është nëpërmjet emërimit.  Kur gjyqtarët
emërohen problemi qëndron në faktin se kush i emëron gjyqtarët.  Shtete të
ndryshme demokratike përdorin metoda të ndryshme për emërimin e gjyqtarëve.
Gjyqtarët mund të emërohen nga drejtuesit e lartë, presidentë ose kryeministra,
komisionet parlamentare, ligjvënësit ose nga organe të tjera të shtetit.  Në mënyrë të
pashmangshme, politika përfshihet në proçesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve pa
marrë parasysh se cila metodë përdoret.  Megjithatë, cilado metodë emërimi
zgjidhet, kompromisi është i domosdoshëm në mënyrë që proçesi i emërimit të jetë
efektiv.  Partitë politike që janë të përfshira në proçes në mënyrë të pashmangshme,
duhet të sigurojnë faktin që kandidati për gjyqtar nuk duhet të jetë më shumë ofensiv
se ç’duhet ndaj palëve të përfshira në proçes.

III.  Zgjedhja e Gjyqtarëve

Një mënyrë tjetër për t’i dhënë detyrën një gjyqtari është nëpërmjet zgjedhjes.
Gjyqtarët mund të zgjidhen nga populli në përgjithësi ose nëpërmjet zgjedhjeve të
organizuara në komunitetin e juristëve ose të gjyqtarëve.

Avantazhi i zgjedhjeve (në mënyrë të veçantë i zgjedhjeve të përgjithshme) është se
populli mund ta thotë direkt fjalën e tij në këtë proçes.  Disavantazhi qëndron në
faktin se gjyqtari mund të lejojë konsideratat politike të ndikojnë në vendimet e tij,
në mënyrë të veçantë ne qoftë se ai është në prag të rizgjedhjes në të ardhmen e
afërt.

IV.  Konkluzion

Me sa duket, kualifikimet gjyqësore janë pjesa më e lehtë dhe më pak e
diskutueshme e proçesit të vendosjes së gjyqtarëve në kategoritë gjyqësore.

Secila nga metodat e zgjedhjes së gjyqtarëve, ajo e emërimit apo ajo e zgjedhjeve,
kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre.  Megjithatë, cilado metodë përzgjedhjej të
preferohet,  qëllimi duhet të mbetet i njëjtë, zgjedhja e gjyqtarëve që janë të
paanshëm, të drejtë, të arsimuar dhe me njohuri të plota mbi ligjin.  Do t’i mbetet
popullit shqiptar të vendosë se cili proçes i përzgjedhjes së gjyqtarëve do të jetë më
i favorshëm në mënyrë që të ndihmojë në krijimin e një sistemi gjyqësor Shqiptar që
do të jetë i drejtë, efektiv dhe frytdhënës.

Përgatitur nga Përfaqësuesi i CEELI-t John Kelley
Organizata e Juristëve Amerikanë (ABA) Iniciativa Ligjore për Europën
Qëndrore e Lindore (CEELI)
Rr. Ismail Qemali, Pall. 34, Ap. 2
Tiranë, Shqipëri
Tel:  355-42-346 24
Fax:  355-42-331 97
E-mail:  [email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1