Liria e Shprehjes dhe e Informimit si një e Drejtë Kushtetuese

I.  Liria e Shtypit dhe e Drejta për të Paditur Shtypin

E drejta për një shtyp të lirë është një e drejtë Kushtetuese në shumë vende.
Ligjvënësit dhe drejtuesit e lartë (presidentë dhe kryeministra) nuk mund të aprovojnë
ligje të cilat kufizojnë lirinë e gazetarëve në dhënien e informacioneve.  Qeveritë kanë të
drejtën të përdorin çensurimin, pra të kufizojnë shtypin në rastet e çështjeve që kanë të
bëjnë me sigurimin kombëtar.  Megjithatë ky kufizim duhet të shqyrtohet ngushtësisht
nga gjykata.  Eshtë liria nga çensura ose ndonjë formë tjetër e ndërhyrjes qeveritare, në
mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve, që përbën thelbin e kuptimit të lirisë së
shtypit.
 
Liri e shtypit nuk do të thotë që gazetarët në mënyrë të vetëdijshme të publikojnë
gënjeshtra apo gabime trashanike.  Në qoftë se gazetarët shkruajnë diçka që e dinë se
është e rreme ose publikojnë fakte për të cilat duhet ta kishin ditur ose duhet të kishin
dyshuar se janë te rreme dhe nuk bëjnë asnjë përpjekje për të përcaktuar saktësinë e
tyre, atëherë ata mund të paditen për shpifje, përfolje ose përgojim të personalitetit.
Shpifja (një shkrim që është në mënyrë të qartë apo qëllimisht i rremë dhe që dëmton
reputacionin e personit, e bën atë objekt përbuzje dhe urrejtje nga publiku ose cënon
reputacionin e biznesit të tij), përfolja (e njëjta gjë sikurse edhe shpifja, me përjashtim
të faktit se transmetohet gojarisht) dhe përgojimi (përsëri, e ngjashme me shpifjen dhe
përfoljen përveç faktit se informacioni i rremë, i transmetuar me gojë ose me shkrim,
ka për qëllim të dëmtojë reputacionin e personit për të cilin bën fjalë informacioni) janë
format e padive të cilat mund të ngrihen nga një person, reputacioni, kariera, biznesi
apo familja e të cilit janë dëmtuar nga transmetimi i informacioneve (fakteve) te
pavërteta.
 
Eshtë e rëndësishme të dihet se shpifja, përfolja dhe përgojimi janë të drejta të individit
dhe jo të drejta të shtetit.  Qeveria nuk mund të padisë shtypin për shpifje, përfolje apo
përgojim.  Gjithashtu, është e rëndësishme të dihet se këto përbëjnë padi civile, që do
të thotë se demshpërblehen në para.  Në një demokraci asnjë gazetar nuk duhet të
burgoset sepse shkruan artikuj, nuk ka rëndësi se sa të pasakta apo të papëlqyeshme
mund të jenë ato.  Përfundimisht, këto padi civile ngrihen ndaj gazetarëve dhe shtypit
pasi artikulli është shpërndarë dhe lexuar.

II.  Liçensimi i Kanaleve Radio-Televizive


Në ndryshim nga gazetat, të cilat mund të shtypen dhe të shpërndahen pothuajse pa u
kufizuar në numër, dhe që ndryshojnë në madhësi nga të përditshme kombëtare deri në
fletëpalosje të vogla, media radio-televizive duhet të konkurrojë për një numër të
kufizuar kanalesh në mënyrë që të transmetojë mesazhin e saj.  Në shtetet
demokratike, për shkak të këtij numri të kufizuar, qeveria e rregullon shpërndarjen e
kanaleve nëpërmjet liçensimit të kompanive radio-televizive.  Ndaj qeveria  u akordon
kanale kompanive radio-televizive të regjistruara dhe të liçensuara (liçenca është një
leje e dhënë nga një agjenci qeveritare për të ushtruar një biznes ose profesion, subjekt
rregullimi nga qeveria).  Në disa vende demokratike (si në Britaninë e Madhe) shteti
është pronar i disa kompanive radio-televizive, ndërsa në vende të tjera demokratike të
gjitha këto kompani janë private.  E rëndësishmja që duhet të kemi parasysh për sa i
përket liçensimit të kompanive radio-televizive në një demokraci është se liçensimi
shërben për të rregulluar shpërndarjen e një numri të caktuar kanalesh, por në të
njëjtën kohë nuk duhet t’i shërbejë qeverisë për të fituar mbulim favorizues apo për të
patur kompani radio-televizive çensuruese e kritike.

III.  Statusi i Fjalimeve Irrituese

Ata, të cilët besojnë vërtet në të drejtën e fjalës së lirë nuk mund të pajtohen me
mendimin se qeveria mund të çensurojë ndonjë fjalim mbi bazën e përmbajtjes së tij.
Këta avokatë të fjalës së lirë evokojnë spektrin e fjalës së lirë si një treg idesh.  Ata do
të debatonin, për shembull, se në qoftë se ju jeni ulur në një bar dhe jeni duke
diskutuar në mënyrë të zjarrtë me shokët tuaj, asgjë nuk mund t’ju ndalojë ju ose
shokët tuaj t’i thoni njëri-tjetrit gjëra që janë të pakëndshme ose aq më tepër irrituese.
Përkrahës të flaktë të fjalës së lirë besojnë se përhapja e pikëpamjeve irrituese i
ndihmon ata të tregojnë fuqinë e tyre dhe në të njëjtën kohë ndihmon të tjerët të vënë
në dukje gabimet, papajtueshmëritë dhe komentin e këtyre pikëpamjeve.
 
Njerëzit që vijnë nga shoqëri në të cilat fjalimet irrituese kanë çuar në diktatura dhe në
varfëri të plotë, shpesh nuk janë partizanë në mbrojtje të fjalimeve irrituese.  Nga
këndvështrimi i tyre, fjalimi irritues është një xhind i lig i cili duhet të qëndrojë i mbyllur
në shishen e vet.  Njerëzit që besojnë në rregullimin e fjalimeve irrituese nuk besojnë se
parandalimi i fjalimeve irrituese është në kundërshtim me qëllimet dhe idetë që
qëndrojnë fshehur në konceptin e fjalës së lirë.
 
Një nga vështirësitë më të mëdha në rregullimin e statusit të një fjalimi bazuar në
përmbajtjen e tij, qëndron në përcaktimit e përkufizimit të fjalimit irritues.  Një fjalim që
mund të përcaktohet si  irritues nga një person ose grup personash  në të njëjtën kohë
mund të parqesë një gjykim të shëndoshë të së vërtetës për një tjetër person ose grup
personash.  Për këtë arsye, në mungesë të një pikëpamje universale të përcaktuar për
fjalimet irrituese dhe në mungesë të fakteve të pakontestueshme se lejimi i përhapjes së
fjalimeve irrituese dobëson shoqërinë civile dhe minon të drejtat themelore të njeriut,
shumë teoricienë dhe avokatë të fjalës së lirë kundërshtojnë çensurën që përcakton
nëse një fjalim është ose jo irritues.  Megjithatë në rastin kur një qeveri demokratike
vendos të merret me rregullimin e statusit të fjalimeve irrituese, gjykatat duhet të
tregohen shumë vigjilente në mënyrë që të diferencojnë fjalimet që nuk gjejnë
popullaritet nga fjalimet irrituese.  Ato duhet të mbrojnë të parat dhe të parandalojnë
këto të fundit.

IV.  E Drejta për të Marrë Informacion

E drejta për të marrë informacion është një e drejtë e individit dhe jo një e drejtë e
shtetit.
Në një shoqëri demokratike një person ka të drejtë të marrë informacion shoqëror,
kultural, politik, ligjor, etj, të paçensuruar nga qeveria.  Kjo e drejtë nuk përfshin të
drejtën që individë, qeveri apo organizata të marrin informacion privat mbi qytetarë të
veçantë, apo të drejtën që qytetarët të marrin nga qeveria informacione lidhur me
sekrete ushtarake apo emra të të miturve që arrestohen për krime.
 

E drejta për të marrë informacion është një ballancim midis të drejtës së popullit për të
ditur dhe për të marrë informacion nga njëra anë dhe të drejtës së tij për jetën private.
Duhet shtuar këtu që qeveria ka të drejtë që disa informacione t’i mbajë sekret për të
mirën e kombit dhe të popullit.

V.   Konkluzion

Liria e fjalës, mbrojtja e shoqërisë civile nga ata që duan të përdorin liritë për të
shpërndarë urrejtje dhe intolerancë, e drejta për të marrë informacion janë që të gjitha
të drejta demokratike të rëndësishme.  Por si edhe pjesa më e madhe e të drejtave
demokratike, ato nuk janë absolute dhe pa kufizime.  Të drejtat Kushtetuese në një
demokraci ballancojnë gjithmonë interesa të ndryshme në një mënyrë që të mbrojë së
bashku shoqërinë dhe individin.

Punuar nga Përfaqësuesi i CEELI-t John Kelley
Organizata e Juristëve Amerikanë (ABA) Iniciativa Ligjore për Europën Qëndrore
dhe Lindore (CEELI)
Rr. Ismail Qemali, Pall. 34, Ap. 2
Tiranë, Shqipëri
Tel:  355-42-346 24
Fax:  355-42-331 97
E-mail:  [email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1