Në jetën e përditshme takohemi, jetojmë me njerëz
të tjerë, me të cilët ndajmë hallet,
shqetësimet, gëzimet, shkëmbejmë urime, ngushëllime.
Pra jemi pjesëz e asaj që quhet
shoqëri, të cilën çdokush nga ne e mbush me mënyrën
e tij të të jetuarit dhe punuarit.
Kjo shoqëri, pjesë e së cilës jemi edhe ne vetë,
udhëhiqet nga parime të cilat në shekuj
kanë marrë forma të ndryshme, duke filluar nga kanunet,
ligjet, kodet, pse jo edhe
kushtetutat. Të gjitha këto kanë pasqyruar në një
formë ose në një tjetër vullnetin e
shoqërisë, pra vullnetin e çdo njeriu të thjeshtë,
i cili s’mund të shkojë kundër vullnetit
të shumicës. Të gjitha këto, në fund të
fundit për të rregulluar sa më mirë atë pjesëz
të
jetës shoqërore, jetën tonë, që është
pjesa më e rëndësishme dhe ajo që na intereson
mbi çdo gjë.
Për këtë ne ndërtuam shtete, makina që shtypnin
njerëz, trekëmbësha, kampe
përqëndrimi, e përse? Gjithmonë duke synuar
një jetë më të qetë, më të sigurtë.
A ia
arrijmë gjithmonë? Do thosha jo, dhe ja sepse:
Jeta jonë është e lidhur aq sa s’mund të ndahet
me jetën e njerëzve të tjerë, pra me
shoqërinë dhe me pjellën e saj, shtetin. Secili prej
nesh merr pjesë në atë që quhet jetë
shoqërore, por secili prej nesh ka edhe atë që ai e
quan jetë private. Këdo që të
pyesësh se çfarë kupton ai ose ajo me jetë private
do të të pergjigjej me fjali të
ndryshme, që pak a shumë po ti përgjithësonim do
të dilte një ide e llojit: “jetë private
do të thotë pavarësi fizike dhe morale e njeriut, duke
përfshirë edhe jetën e tij
seksuale”.
Çdokush ka të drejtë ta jetoje jetën e tij ashtu
siç i pëlqen. Asgjë e re në këto që po
them. Të gjithëve u pëlqen kjo, por shumica stepen,
nuk e jetojnë jetën ashtu siç ju
pëlqen. Pse? Shoqëria dhe shteti reagon. Më fuqishëm
dhe më dhimbshëm shteti i cili
ka polici, burgje. Shteti do të sakrifikonte më mirë
dhe pa dhimbje një jetë private sesa
të lejonte një shoqëri të “çthurur”.
Në këtë mes kundërshtari më potencial i jetës
private të njeriut është shteti. Ky shtet
qeveriset nga ligjet, ky shtet respekton individin dhe fuqinë
e tij. Ky shtet është
shndëruar në një shtet të njerëzve që
jetojnë në një vend të caktuar, por në momente
të
caktuara ky shtet mund të bëhet i rrezikshëm. Po atëhere?
Kush do ta bënte individin
ta perballte fuqinë e shtetit që po ndërhyn në
jetën e tij private? Përgjigjja e të gjitheve
do të ishte ligji. Cili ligj? Kushtetuta? Kodi Civil apo Penal?
Kushtetuta ka parimet më të përgjithshme që udhëheqin
dhe qeverisin jetën e një
vendi. Ligjet e tjera marrin jetë prej saj. Jeta private e njeriut
është më e shenjta për të,
dhe a s’duhet që ajo të shpallet dhe të mbrohet nga
ligji themelor i një shteti,
Kushtetuta? Kjo gjë do ta bënte më të ndërgjegjshëm
shtetin me makinat e tij. Kjo do
të ishte nje garanci më e madhe per individin dhe jetën
e tij private ndaj shtetit.
Jeta private e individit është shumëformëshe. Ne
komunikojme me njerëzit e tjerë me
fjalë, gjeste etj. Të gjithë ne duam që ky komunikim,
për sa kohë është i fshehtë të
mbetet i tillë, dhe askush të mos zbulojë ato gjëra
që në jetën tonë private i quajmë të
tilla, prandaj duam garanci. Duam që ditari, letra apo çdo
gjë tjetër që shkruhet nga ne
dhe ka pjesëza nga jeta jonë, të mos lexohet nga të
tjerët përderisa ne nuk synojmë një
gjë të tillë.
Një pjesë të madhe dhe shumë të rëndësishme
të jetës sonë e zë jeta jonë seksuale.
Çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë seksin
që i pëlqen, pasi është jeta e tij dhe e askujt
tjetër, por këtu ngre kokë përsëri shoqëria
dhe shteti. Morali shoqëror është i
pamëshirshëm ndaj atyre që zgjedhin seks të njëjtë
me atë që kanë vetë. Ne vetë
flasim, shajmë këta njerëz, duke harruar se është
jeta e tyre private, se asgjë e keqe
s’na vjen prej saj, se ne shohim një rrezik të mundshëm
të cilin nuk mund ta motivojmë,
se të gjithë ne bëhemi më egoistë se ç’duhet,
se të gjithë ne e kemi të shenjtë jetën tonë
private, por cënojnë atë të të tjerëve.
Po shteti? Deri vonë në Shqipëri homoseksualizmi dënohej
si vepër penale, njëlloj siç
dënohej vjedhja, rrahja etj. Përse? A s’janë edhe këta
njerëz që duan ta jetojnë jetën e
tyre pa u ndërhyrë kush, derisa ata me veprimet e tyre nuk
i cënojnë të tjerët? Në këtë
drejtim, nuk flitet kurrsesi për tolerancë tonën ndaj
këtyre njerëzve, apo tolerim të
shtetit, por për mosndërhyrje në jetën e tyre private.
Çdokush prej nesh që ka një familje, ka të drejtë
të jetoje me të. Çdokush prej nesh
ka të drejtë që të jetojë me bashkëshortin
dhe me fëmijët e tij. Kjo është ajo që
shoqëria jonë dhe çdo shoqëri moderne ka dëshiruar
në shekuj. A duhet që kjo të
shpallet në një ligj themelor si Kushtetuta? Askush veç
shtetit do të ndërhynte në jetën
e një familjeje, ose askujt veç shtetit do ti binte barra
për të garantuar të drejtën e
kujtdo për të jetuar së bashku me familjen e tij. Mendoni
për një moment ato qindra e
mijëra familje refugjatësh shqiptarë të cilët
tashmë janë ndarë prej vitesh, ata
bashkëshortë që kanë kohë që nuk shohin
njëri-tjetrin dhe fëmijët e tyre. Shoqëria
është e pafuqishme për të ndihmuar që këta
njerëz të jetojnë së bashku me familjet e
tyre. Këtu s’mund të flasim veçse për atë
që quhet detyrim pozitiv i shtetit, pra shteti të
veprojë. Që shteti të veprojë, duhet së pari
ai ta ndjejë një detyrim të tillë. Kjo fillimisht
duke shpallur ketë të drejtë në një dokument
themelor si kushtetuta. Së dyti, i takon
shtetit shqiptar të punojë në drejtim të politikës
shtetërore, për të arritur një gjë të tillë.
Deri tani folëm për liri dhe të drejta. Deri tani folëm
vetëm për të drejtën për të jetuar
jetën tonë private në të gjitha anët e saj.
Në shoqërinë tonë, mes nesh ka edhe njerëz
të cilët nuk i kuptojnë siç duhet të drejtat
dhe liritë e tyre, dhe harrojne se liria e njeriut
fillon aty ku mbaron liria e tjetrit. Pra jemi ne, me parimet dhe moralin
tonë, që
vendosim kufizime mbi liritë dhe të drejtat. Ka njerëz
që nuk i kuptojnë siç duhet këto
liri dhe të drejta, duke menduar se ato janë absolute. Këta
njerëz abuzojnë, duke u
kthyer në një rrezik për shoqërinë. Shtetit
i duhet të ndërhyjë, për të shmangur një
rrezik më të madh, duke shkaktuar një dëm më
të vogël, p.sh.duke kufizuar liritë dhe të
drejtat e një apo disa individëve, apo duke ndërhyrë
në jetën e tyre private.
Në këtë rast individi përballet me shtetin. Shtetit
i duhet të ndërhyjë. Në këtë moment
shteti bëhet i rrezikshëm. Shumicën e rasteve që
shteti ndërhyn në jetën private të
individit, mund t’i shkaktojë atij një dëm shumë
të madh. Mënyra më e mirë për të
shmangur ndërhyrjen abuzive të shtetit, është që
ndërhyrja e tij të bëhet në rrethana të
paracaktuara mirë dhe për arsye bindëse.
Në radhë të parë, shteti që të ndërhyjë
në jetën private të individit duhet që ta bëjë
këtë duke u bazuar në ligj. Së dyti, kjo ndërhyrje
duhet të jetë e nevojshme për vetë
shoqërinë demokratike.
Vetëm me ketë frazë, shtetit do t’i liheshin shumë
hapësira, pasi ndërhyrjet e shtetit do
të mund të justifikoheshin gjithmonë si të nevojshme
për shoqërinë, dhe individi përsëri
do të ishte i pambrojtur përballë shtetit. Për
këto arsye duhet që ndërhyrja e shtetit të
bëhet për motivet më të forta, dhe gjithmonë
për ato motive të cilat do të justifikonin
ndërhyrjen në gjënë më të shtrenjtë
për individin, jetën e tij private.
Të tilla motive do të ishin mbrojtja kombëtare, siguria
publike ose mirëqënia
ekonomike e vendit, parandalimi i çrregullimit ose krimit, mbrojtja
e shëndetit ose
moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të
tjerëve.
Të gjitha këto motive do të justifikonin ndërhyrjen
e shtetit në jetën private të individit,
por përsëri këto i lënë vetë shtetit
mundësinë për të vlerësuar se kur është
një rast i tillë
që do të kërkonte ndërhyrjen e shtetit. Në
këtë rast do të ishte në interes të secilit prej
nesh që në ligjin themelor të shtetit të përmendeshin
se kur dhe si duhet të ndërhyjë
shteti në jetën private të individit.
Punuar nga Irena Reso
Avokate Private
Rr. “Labinoti”, Nr.24
Tiranë, Shqipëri