Ideja e shqyrtimit juridik të legjislacionit rritet së bashku
me shqetësimin e nevojës për
sigurimin e respektimit të klauzolave kushtetuese nga ana e Parlamentit:
ndërkohë që
bashkësia shoqërore ka rënë dakort me disa parime
bazë të përcaktuara në kartën
themelore, bëhet më shumë e rëndësishme ruajtja
e asaj që quhet “ngurtësi” e
Kushtetutës, në mënyrë që të parandalohet
miratimi i ligjeve që vijnë në kundërshtim me
ato parime. Asambleja legjislative zakonisht mund ti bëj
shtesa Kushtetutës vetëm
përmes një proçedure të veçantë.
Megjithatë, garancia e një Kushtetute mund të shkelej
shumë lehtë në qoftë se parlamentet do të
lejoheshin të miratonin akte ligjore që bien në
thelb në kundërshtim me Kushtetutën pa ndonjë formë
kontrolli, qoftë në mënyrë
paraprake apo të mëpastajme. Prandaj, çdo sistem
institucional i bazuar në superioritetin
e Kushtetutës duhet të ngarkojë një organizëm
me kapacitet juridik, me detyrën e
rishikimit të legjislacionit.
Në qoftë se do të bënim një shikim krahasues
të eksperiencave të demokracive
kushtetuese do të zbulonim që rishikimi juridik i legjislacionit
sigurohet në dy mënyra të
ndryshme: në njërën anë, kemi traditën amerikane
(rishikimin e “shpërndarë”), sipas të cilit
çdo gjyqtar ka për detyrë të mos zbatojë
një ligj që ai e konsideron si jokushtetues; dhe
në anën tjetër, është tradita Kontinentale
(Evropiane), e bazuar në rishikimin e
përqëndruar nga ana e një Gjykate Kushtetuese.
Sipas sistemit të parë, aplikimi i parë i të cilit
daton me vitin 1803 (çështja Marbury vs.
Madison përpara Gjykatës Supreme të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës) çdo gjyqtar
është konsideruar si një roje e Kushtetutës, për
të cilën çdo qytetari i është garantuar e
drejta e ndërhyrjes në rastet kur një ligj (ose
një akt ekzekutiv për zbatimin e këtij ligji)
bie në kundërshtim me Kushtetutën. Vendimi i gjyqtarit
ka fuqi vetëm për rastin në fjalë;
megjithatë, një vendim erga omnes mirret në parim nga
Gjykata Supreme të cilës i
kërkohet të vendosë në një çështje
të veçantë, sepse të gjithë gjyqtarët duhet
të zbatojnë
parimin e stare decisis (vendimi i Gjykatës Supreme konsiderohet
si një preçedent
gjyqësor që ka fuqi).
Modeli kontinental i drejtësisë kushtetuese ka origjinën
e tij në kushtetutën e
Çekosllavakisë dhe të Austrisë të vitit
1920, me iniciativen e Hans Kelsen, një jurist i
madh i të drejtës kushtetuese të kohës. Ideja
kryesore ishte krijimi i një organizimi të
ndarë nga gjykatat juridike të zakonshme, për shkak
të faktit që, sipas opinionit të
Kelsenit, vendimet gjyqësore përfaqësojnë një
nga pushtetet më të mëdha të Shtetit, në
lidhje me, dhe në disa raste edhe në kundërshtim me
pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.
Pra, mbrojtja e kushtetutës si ligj suprem mund të arrihet
më mirë me ngritjen e një
gjykate qëndrore të veçantë, të përbër
me anëtarë të zgjedhur ose të emëruar nga të
gjitha pushtetet, në mënyrë që të marrë
vendime të paanshme dhe të sigurojë uniformitetin
e ligjit kushtetues. Ndërhyrja e Gjykatës mund të bëhet
para hyrjes në fuqi të një ligji
(Kontrolli parandalues), siç ndodh edhe në Francë,
ose pas hyrjes në fuqi të një ligji, siç
parashikohet nga Kushtetuta Italiane. Kjo mënyrë e
rishikimt gjyqësor është zbatuar në
përgjithësi në të gjitha vendet e Evropës
perëndimore dhe nga pothuajse të gjitha
demokracitë moderne lindore.
Të dyja sistemet janë njëlloj të pranueshme nga
një shtet demokratik, dhe përpiluesit e një
kushtetute të re fare drejt mund të zgjedhin midis të
dyjave. Për më tepër, rishikimi
juridik është thjesht një nga funksionet që kryhet
zakonisht nga Gjykata Kushtetuese,
prandaj edhe një adoptim i sistemit amerikan të rishikimit
juridik nuk do të thotë
pamundësi të krijimit të Gjykatës Kushtetuese me
synimin për tu marrë me çështje të tjera
më të rëndësishme si për shembull:
Zgjidhja e konflikteve midis pushteteve kryesore të shtetit: ka
raste ku është e
nevojshme përcaktimi i qartë i kufijve të sferave të
kompetencës të pushteteve të
ndryshme (p.sh. ekzekutivi kundër legjislativit, gjyqësori
kundër ekzekutivit...);
Gjykata jep vendime përfundimtare dhe kur është rasti,
ajo shfuqizon një akt që
bie në kundërshtim me ndarjen e drejtë të pushteteve;
Zgjidhja e konflikteve midis grupimeve territoriale brenda Shtetit:
është tipike për
vendet me strukturë komplekse territoriale; në raste të
tilla, klauzolat kushtetuese
nuk përcaktojnë gjithmonë ndarjen e pushtetit qoftë
ndërmjet territoreve apo në
lidhje me marrëdhënien midis autoriteteve lokale dhe të
pushtetit qëndror të
Shtetit. Gjykata është në gjëndje të
zgjidhë këto konflikte kompetencash;
Përputhja e traktateve ndërkombëtare me Kushtetutën:
ky kontroll është ushtruar
nga gjykata përpara ratifikimit të marrëveshjes, dhe
Gjykata Kushtetuese
verifikon nëse Kushtetuta kërkon shtesa në mënyrë
që ta njohë traktatin si një
normë me karakter ligjor brenda Shtetit;
Gjykimi i apelimeve individuale në lidhje me shkeljen e të
drejtave të njeriut: kjo
është në përgjithësi e lidhur me një
veprim individual të pushteteve publike (jo një
normë ligjore të përgjithshme) të cilin një
individ e konsideron si shkelës të të
drejtave themelore të përcaktuara në Kushtetutë.
Edhe në qoftë se vendimi ka
një ndikim direkt për një rast të veçantë,
arsyetimi i ndjekur nga Gjykata arrin në
dimensione të përgjithshme zbatimi të dhënë
autoriteteve publike për të ardhmen;
Verifikimi i kushtetueshmërisë së partive politike: kjo
gjë është përcaktuar në disa
kushtetuta evropiane (p.sh. ajo e Gjermanisë), dhe është
një mjet për ndalimin e
krijimit të shoqatave politike me qëllime që bien në
kundërshtim me Kushtetutën;
Kontrolli mbi proçedurat elektorale dhe mbajtja e referendumeve:
e para i është
dhënë në disa raste për kompetencë Gjykatës
Kushtetuese në mënyrë që të
garantojë një vendim të paanshëm në rregullsinë
e zgjedhjeve. Për sa i përket
referendumeve, ndërhyrja e Gjykatës mund të bëhet
para mbajtjes së
referendumit (për të gjykuar pranueshmërinë e votimit
popullor në çështjet e
përcaktuara, siç ndodh për shembull në Itali)
ose pas votimit (për të parë
rregullsinë e tij);
Gjykimet në çështjet që përfshijnë
zyrtarë të lartë (Presidenti i Republikës,
ministritë...): në mënyrë që të respektohet
parimi i ndarjes së pushteteve, është
përcaktuar që gjykimet në raste të tilla
nuk mund ti kalohen për kompetencë një
gjykate të zakonshme. Në disa karta themelore, është
përcaktuar që vetëm disa
gjyqtarë të njohur janë zgjedhur për të marrë
pjesë në gjykim, dhe kjo për të
siguruar sovranitetin e popullit në kryerjen e kësaj detyre
të rëndësishme.
Punuar nga Dimitri Girotto
Komisioni i Venecias
Këshilli i Europës
F-67075 Strasbourg Cedex
Francë
Tel: +33 3 8841 20 00 (Switchboard)
Tel: +33 3 8841 30 48 (Linje direkte)
Fax: + 33 3 8841 37 38
E-mail: [email protected]