Qëllimi dhe Kufizimet e Pushtetit Legjislativ
 

Demokracia është një fjalë që vjen nga greqishtja dhe që do të thotë që populli duhet të
vetqeveriset.  Ky koncept është interpretuar gjithmonë që përfaqësuesit e popullit duhet
të kenë rolin e tyre në administrimin e vendit. Qytetarët janë kryesisht të përfaqësuar në
parlament, kongres ose kuvend, (si quhet në shqip), si institucione ku mblidhen  “të
zgjedhurit” e tyre.

Ky institucion në përgjithësi quhet “legjislatori”, fjalë që vjen nga latinishtja dhe që
nënkupton një grup njerëzish të cilëve u është besuar që të bëjnë ligjet e një Shteti.

Për këtë arsye, kompetenca e përfaqësimit dhe e bërjes së ligjeve janë konceptet
kryesore që duhen mbajtur parasysh kur flitet për degën e legjislativit.  Përfaqësimi, në
njërën anë, shpjegon përse anëtarët e parlamentit janë në gjendje të marrin vendime të
cilat në fakt do të kenë efekt mbi të gjithë popullsinë.  Ligjet nga ana tjetër, janë
instrumenta në bazë të së cilave merren vendime që kanë një shtrirje të përgjithshme.

Ndarja e Pushtetit Lokal dhe Qëndror në Funksionet Legjislative

Veprimet e parlamentit në mënyrë të natyrshme duhet të kenë disa kufizime.  Kufizimi i
parë vjen nga ndarja e pushteteve midis qeverisë lokale dhe asaj qëndrore.  Legjislacioni
për disa çështje të caktuara apo për zbatimin e tij, i është njohur në disa vende
organizmave përfaqësues lokalë në vëzhgim të parimit të qeverisjes lokale.  Sipas kësaj,
vendimet duhet të merren në nivelin që është më afër popullsisë.  Autoritetet lokale në
disa raste janë shumë herë më të informuara mbi situtatën e një zone të veçantë dhe
rrjedhimisht edhe më në gjendje për të marrë vendime.  Ky kufizim është më i
përshtatshëm për shtetet federale sesa për një vend si Shqipëria që është një vend i vogël
dhe nuk është e nevojshme t’i japë pushtetit lokal kopetenca legjislative.

Delegimi i Kompetencave

Në disa raste parlamentet kanë të drejtë të kufizuar për t’ia deleguar atributet e tyre
legjislative ekzekutivit.  Delegimi i kompetencave është konsideruar i përshtatshëm në
rastet që kërkojnë njohuri teknike ose kur është e nevojshme për t’i dhënë një hapësirë të
kuptueshme disiplinës që do të prezantohet.  Delegimi i kompetencës legjislative, për
shembull, është përdorur më shpesh për të bashkuar në një tekst të vetëm të gjithë
legjislacionin mbi tatimet dhe taksat ose mbi ndërtimin e shtëpive.  Zakonisht delegimi i
kometencave legjislative i bëhet ekzekutivit si një i tërë dhe jo ministrive të vetme, dhe i
jepet vetëm për një çështje të caktuar dhe për një periudhë kohe të  kufizuar: në të gjitha
këto raste parlamentet duhet të përcaktojnë parimet dhe kriteret drejtues.


Racionalja prapa këtyre kufizimeve qëndron në faktin se parlamenti është organi i veshur
me pushtetin legjislativ dhe duhet ta kufizojë veten e tij në këtë drejtim vetëm kur është e
nevojshme, me arsye të forta dhe për çështje të veçanta.  Në disa sisteme, legjislacioni i
miratuar nga qeveritë përmes delegimit prej parlamentit e humbet fuqinë e tij në qoftë se
nuk njihet më tej nga parlamenti ose nuk është ratifikuar prej tij.  Hartuesit shqiptarë të
kushtetutës duhet të konsiderojnë nëse duhet ta përfshijnë ose jo në kushtetutën e
ardhshme, kapacitetin për të deleguar pushtetin legjislativ.

Buxheti dhe Lufta

Parlamentet si përfaqësues të popullit, kanë kompetenca mbi buxhetin.  Buxheti përmban
treguesit tatimor e shpenzimet dhe është një dokument themelor për të kuptuar politikat
dhe zgjidhjet e qeverisë mbi burime të kufizuara të të ardhurave.  Shumë kushtetuta
parashikojnë se buxheti duhet të miratohet nga parlamenti.  Arsyeja për këtë është se
parlamenti duhet të autorizojë shpenzimin dhe mbledhjen e taksave dhe tatimeve; të tjerët
argumentojnë se ligji mbi miratimin e buxhetit nënkupton miratimin e një plani politik dhe
financiar të qeverisë.  Cilidoqoftë interpretimi i kësaj kompetence, përfaqësuesit e popullit
kanë të drejtën e fjalës për këtë çështje.

Parlamentet zakonisht janë të veshur me kompetencën pushtetin për të deklaruar gjëndjen
e luftës ose për të autorizuar shpalljen e luftës.  Një deklaratë e tillë e trishtueshme,
gjithmonë e lidhur me pasoja të paparashikueshme dhe të rënda, duhet që të marrë
patjetër miratimin e parlamentit dhe jo të lihet thjeshtë vetëm në duart e ekzekutivit.

Pushteti për të Caktuar Autoritetet dhe Ombudsman-in.

Shumë parlamente kanë gjithashtu të drejtën për të caktuar autoritete të institucioneve të
rëndësishëm, siç për shembull, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kreun e televizionit
shtetëror, ose Ombudsman-in.  Ky i fundit është një organ shtetëror që mund të
prezantohet në Shqipëri, në një kohë që është njohur si i tillë në një sërë vendesh, nën
emra të tillë si Avokati i Popullit, Mediatori, Mbrojtësi i Popullit dhe kështu me radhë.
Këto emra mund të ndihmojnë të ilustrojnë funksionet kryesore të këtij institucioni, i cili
është për të vëzhguar drejtësinë dhe ligjshmërinë e administrimit publik.

Më specifikisht, zyra e Ombudsman-it egziston për të mbrojtur të drejtat e individit që
beson se është bërë pre e një akti të padrejtë të administratës shtetërore.  Kështu,
Ombudsmani merr ankime nga qytetarët dhe heton mbi këto ankime.  Ai ose ajo
zakonisht do të veprojë si një mediator midis individit të prekur dhe qeverisë.
Ombudsmani caktohet zakonisht nga parlamenti, por në disa vende është përgjegjësia e
kryetarit të shtetit, të cilit duhet edhe t’i raportojë ky institucion.

Në qoftë se Shqipëria vendos ta ketë këtë post, kushtetuta, ose legjislacioni i zakonshëm
duhet që të zgjidhin edhe çështje të tjera.  Një listë klauzolash duhet të përfshijë
përgjegjësinë për caktimin e Ombudsman-it, aktivitete të papajtueshme nga ky post,
gjatësinë e kohës për këtë zyrë, kompetencat (kompetencat e vënies në lëvizje me
iniciativën e tij?), nëse një ankues duhet që në fillim të përdorë të gjitha shkallët e apelimit
gjyqësor dhe administrativ, privilegjet dhe imunitetet,e tij dhe kështu me radhë.
 


Ndryshimet e Kushtetutës

Mund të duket e çuditshme të flasësh për ndryshime në një kushtetutë e cila ende nuk
është hartuar.  Megjithatë, rezultati nuk mund të jetë perfekt ose thjesht nuk mund të
pritet të jetë në gjëndje të përballoj sfidat politike të së ardhmes për Shqipërinë.  Prandaj
sistemi i rishikimit të kushtetutës duhet të përcaktohet që tani, në mënyrë që të
korrespondojë me ndryshimet që ndodhin në një shoqëri si dhe në komunitetin
ndërkombëtar.  Në anën tjetër, kushtetutat nuk mund të jenë objekt i ndryshimeve të
mazhorancës dhe të politikave partiake.  Ato duhet të ndryshohen vetëm kur arrihet një
konsensus i gjërë në të gjithë spektrin politik.

Zakonisht parlamentet lejohen të propozojnë projekt-ndryshime në kushtetutë, por me
kufizime shumë herë më të forta sesa ato për ligjet e zakonshme.  Shumë kushtetuta
parashikojnë që mund të rishikohen vetëm klauzolat.  Në disa vende nuk mund të
rishikohen, forma e qeverisjes, mosdhunimi i të drejtave bazë, ndarja e pushteteve.  Disa
kushtetuta duhet të rishikohen nga dy legjislatura të veçanta.  Një ndryshim duhet që të
miratohet së pari nga shumica absolute  e anëtarëve, dhe pastaj, pas një zgjedhje tjetër,
nga një shumicë kualifikuese (siç mund të jetë 2/3 ose 3/5) e anëtarëve të parlamentit të
sapozgjedhur.  Qëllimi është që të sigurojë kujdesin e nevojshëm nga përfaqësuesit e
zgjedhur si dhe pjesëmarrjen e elektoratit për t’u mbrojtur nga një rishikim i nxituar.

Kushtetuta të tjera përcaktojnë që ato mund të ndryshohen me anë të një ndryshimi ose
miratimi të një ligji kushtetues.  Propozimet duhet të kalohen nga të dyja dhomat e
legjislativit në dy votime të njëpasnjëshme me një interval prej të paktën 3 muajsh.
Propozimi mund t’i nënshtrohet referendumit në qoftë se një gjë e tillë kërkohet nga një
pjesë e caktuar e anëtarëve të parlamentit, nga një numër i caktuar i qytetarëve, ose një
numër i organizmave të pushtetit lokal.

Kushtetuta e Zelandës së Re parashikon zgjidhje të ndryshme për shtesat ose për
rishikimet e përgjithshme.  Rasti i parë kërkon vetëm një shumicë të kualifikuar, ndërkohë
që e dyta kërkon zgjedhjen e një asambleje kushtetuese dhe miratimin nga një shumicë e
kualifikuar.

Konkluzione

Megjithëse dega e legjislativit është e njohur kryesisht si organizmi ligjbërës, është e
rëndësishme të kuptohet që ka edhe shumë përgjegjësi të tjera të rëndësishme.  Arsyeja
për këtë është se parlamenti, i cili është në themel të demokracive të vendeve
perëndimore, përfaqëson njerëzit dhe opinionet dhe zgjedhjet e tyre të ndryshme politike.
Kompetencat e tij nuk janë të pakushtëzuara dhe është kushtetuta ajo që duhet të
përcaktojë se ç’mund të bëjë një parlament, dhe se si është në gjëndje ta bëjë këtë gjë.

Punuar nga Giovanni Favilli
Komisioni i Venecias
Këshilli i Europës
F-67075 Strasbourg Cedex
Francë
Tel: +33 3 8841 20 00 (Switchboard)
Tel: +33 3 8841 30 48 (Linje direkte)
Fax: + 33 3 8841 37 38
E-mail: [email protected]
 
 

Hosted by www.Geocities.ws

1