Marrëdhëniet e Kryeministrit me kabinetin qeveritar reflektojnë me besnikëri nuancat e sistemit kushtetues. Këto marrëdhënie kushtëzohen nga faktorë politikë dhe organizativë.
Në thelb mund të thuhet se raportet midis kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit kanë si elemente hierarkike ashtu edhe kolegjiale. Në sisteme të ndryshme ndeshemi me zgjidhje të ndryshme, herë në favor të hierarkisë, e herë në favor të kolegjialitetit. Më poshtë do të përpiqemi të identifikojmë faktorët që ushqejnë njërën apo tjetrën tendencë.
Siç u tha më lart, këta faktorë mund të jene politikë ose organizative. Le të fillojmë me faktorët politikë.
Një faktor i tillë është pa dyshim tradita kushtetuese. Në disa sisteme qeveria konceptohet, dhe në fakt vepron, si organ politik (psh Britania e Madhe). Kjo do të thotë se qeveria nuk merret me çështje konkrete të administrimit por thjesht identifikon rrugët në të cilat do të ecë jeta e vendit, psh do të ketë privatizim apo shtetezim të ekonomisë, do të vihet theksi tek shteti social apo tek ekonomia e lirë e keshtu me rradhë.
Në disa sisteme të tjera (tipikisht në Austri), qeveria është thjesht organi më i lartë i administratës shtetërore dhe ajo kryen detyra klasike të administrimit si identifikimi i sektoreve që do të privatizohen dhe studimi i rentabilitetit të tyre, vlerësimi i pasojave sociale të ekonomisë së tregut etj., megjithatë në shumicën e sistemeve, qeveritë paraqesin tipare të përziera sa politike ashtu edhe administrative.
Ajo që është e rëndësishme për qëllimet e kësaj eseje, është konkluzioni se në ato sisteme ku qeveritë janë organe politike, marrëdhëniet midis kryeministrit dhe ministratve të tjerë janë më hierarkike. Në sistemet ku qeveria është thjesht administrative, kolegjialiteti është më i spikatur.
Një tjetër faktor politik që ndikon në marrëdhëniet midis kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit është edhe procesi i formimit të qeverisë. Në këtë kuadër mund të dallohen kabinete përbërja e të cilave është rrezultat i kompromiseve midis forcave politike (qeveri të koalicionit) dhe kabinete përbërja e të cilave përcaktohet ekskluzivisht nga vullneti i forcës më të suksesshme politike (qeveri njëngjyrëshe).
Sigurisht që në rastin e qeverive të koalicionit marrëdhëniet e kryeministrit me kolegët e tij ministra janë shumë më kolegjiale. Mjafton të kujtoni tentativën e lënë përgjysëm nga Kryeministri Nano për të bërë ndryshime në kabinetin e tij. Ky është një shembull që tregon qartë natyrën e raporteve midis kryeministrit dhe ministrave në një sfond të tillë politik. E pra, në Shqipëri koalicioni nuk është i domosdoshëm (të paktën në aspektin matematik) për të realizuar qeverisjen. Imagjinoni sesa e pashpresë do të ishte një tentativë e tillë e ndërmarrë, psh nga Prodi në Itali.
Krejt e kundërta ndodh në kabinetet e ashtuquajtura njëngjyrëshe. Këtu vihet re një dozë e theksuar hierarkie në marrëdhëniet Kryeministër-Ministra. Ndodh kështu sepse në kabinete të tilla postet ministeriale nuk zihen për shkak të përkatësive politike por si rrezultat i aftësive personale dhe preferencave të kryeministrit.
Si u tha më lart, ka edhe faktorë organizativë që në një mënyrë apo tjetrën ndikojnë në marrëdhëniet midis kryeministrit dhe ministrave. Është fakt se numri i anëtarëve të kabineteve qeveritare ka pësuar një rritje të ndjeshme, sidomos në dekadat që pasuan përfundimin e luftës së dytë botërore. Sot është mëse normale që një kabinet të përbëhet nga 20 apo 30 anëtarë. Kjo rritje ka sjellë edhe formalizimin e mbledhjes së qeverisë e cila tashmë zhvillohet sipas rregullave të detajuara procedurale.
Një tjetër zhvillim organizativ është krijimi, në pothuajse të gjitha vendet me sistem parlamentar, i të ashtuquajturave komitete qeveritare ose ndërministrore.
Këto ndryshime organizative dhe strukturore kanë bërë të domosdoshme ekzistencën e një doze hierarkie në jetën e brendshme të kabineteve, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet midis kryeministrave dhe anëtarëve të tjerë të kabineteve.
Pavaresisht nga specifikat që përcaktohen nga faktorët e lartpërmendur, ka një konkluzion të sigurtë në lidhje me natyrën e marrëdhënieve në fjalë. Konkluzioni është ai që në të gjitha sistemet vihet re një tendencë për promovimin e rolit të kryeministrit në raport me ministrat e tjerë dhe vendosjen e raporteve midis tyre në baza hierarkike.
Punuar nga Gent Ibrahimi
Këshilltar Ligjor tek Ministria e Reformës Legjislative
Rr. Myslym Shyri, P.60, Sh.2, Ap.23
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355 42 290 84
Fax: 355 42 284 10