Një nga elementët kryesorë të shtetit qëndron
në mundësinë e përgatitjes së rregullave te
detyrueshme të krijuara për të mbajtur dhe disiplinuar
vetë shtetin, marrëdhëniet e tij me
shtetet e tjera, marrëdhëniet e shtetit me qytetarët
si dhe marrëdhëniet e qytetarëve midis
tyre. Këto rregulla të detyrueshme për të
gjithë, dhe për vetë ata që i nxjerrin, përbëjnë
burimet e së drejtës së një shteti. E drejta
në kuptimin e vet të gjerë është një
grumbull rregullash sjelljeje të përshkruara nga autoriteti
kontrollues dhe kanë
fuqi ligjore të detyrueshme. E drejta e një vendi mund
të krijohet në mënyra të
ndryshme. Mënyrat e ndryshme të krijimit çojnë
në identifikimin e burimeve të ndryshme
të së drejtës. Kështu: “Është burim
i së drejtës çdo element, fakt ose akt
pavarësisht nga forma, që parashikon një rregull të
detyrueshëm për anëtarët e
një shoqërie të caktuar.” Rregullat e detyrueshme
ndahen në rregulla apo burime
formale (burime-akte) dhe rregulla apo burime joformale (burime-fakte).
Kështu kemi
rregulla të shkruara siç janë kushtetutat, ligjet,
dekretet, vendimet e gjykatave, por edhe
rregulla zakonore të pashkruara, të bazuara mbi nevojën
e të prejardhura nga tekstet
fetare.
Pjesa më e madhe e sistemeve juridike kanë zgjedhur sistemin
formal të disiplinës së
burimeve të së drejtës: ata parashikojnë shprehimisht
cilat janë mënyrat e krijimit të së
drejtës. Shumë i rëndësishëm është
edhe raporti ndërmjet burimeve. Në çdo sistem
ndeshemi me disa burime të së drejtës. Ekzistenca
e disa burimeve çon në përdorimin e
një sistemi vlerësimi midis tyre. Përdoret parimi
hierarkik sipas të cilit burimi më i lartë
mbizotëron ndaj burimit më të ulët. Shembulli
më i qartë mund të jepet në fushën e
burimeve të shkruara: kushtetuta kushtëzon burimet e tjera
të së drejtës, si p.sh. ligjet e
parlamentit, të cilat duhet t’i përshtaten kushtetutës
sigurisht pa e ndryshuar atë. Në
praktikë, mund të themi se në të gjitha sistemet
mund të dallojmë të paktën tre shkallë
burimesh: aktet kushtetuese; aktet ligjore (të nxjera nga parlamenti)
dhe aktet nënligjore
me karakter zbatues (të nxjerra nga qeveria). Megjithatë
kjo ndarje nuk është e vetmja.
Burimet mund të qëndrojnë edhe në raport barazie:
kështu p.sh. në kuadrin e së drejtës
ndërkombëtare dy ose më shumë kushtetuta që
i përkasin dy ose më shumë shteteve të
ndryshme janë në pozita të barabarta; në kuadrin
e së drejtës kombëtare dy ose më
shumë urdhëresa lokale kanë pozita të barabarta.
Në ditët e sotme ligji është në dukje burim
kryesor, pothuajse ekskluziv i së dretjës. Në
të gjitha vendet e së drejtës së shkruar juristët
kërkojnë mbi të gjitha të identifikojnë
rregullat dhe zgjidhjet e çështjeve duke u ndihmuar në
radhë të parë nga tekstet
legjislative ose rregulloret të nxjerra nga parlamenti ose nga
autoritet qeveritare apo
administrtive. Detyra e juristëve është kryesisht
ajo e identifikimit, me anë të procedurave
të ndryshme, të zgjidhjes që në çdo rast
konkret korrespondon me vullnetin e legjislatorit.
Kështu burimet e ndryshme nga ligji duket se zënë një
vend dytësor, dhe të një rëndësie
shumë më të vogël, në krahasim me pozitën
e shkëlqyer që ka ligji.
Në fakt kjo analizë, megjithëse është shumë
e përhapur, është tejet larg realitetit. Ajo nuk
është pranuar asnjëherë tërësisht nga
praktika dhe edhe në nivel teorik po pranohet
gjithnjë e më tepër se sovraniteti absolut i ligjit
është një koncept jo real: pranë ligjit ka
vend edhe për burime të tjera të së drejtës.
Të ngatërrosh të drejtën me ligjin do të thotë
të identifikosh në ligj burimin eskluziv të së
drejtës: një gjë e tillë është në kundërshtim
me
gjithë traditën e së drejtës. E drejta nuk
mund të kërkohet vetëm në tekstet e së drejtës
së shkruar; në këtë mënyrë do të
ndryshonim përkufizimin e vetë së drejtës, duke mos
parë më në të shrehjen e drejtësisë,
por dëshirën e drejtuesve dhe udhëheqësve të shtetit.
Është e vërtetë që në vendin tonë,
anëtarët e gjykatave dhe juristët nuk ndihen mirë nqs
nuk përmendin, gjatë zgjidhjes së një çështjeje
juridike, një ose disa tekste ligjesh. Në
qoftë se dëshiron t’i drejtohesh gjykatës duhet të
vërtetosh se është shkelur një ligj. Ky
qëndrim të krijon përshtypjen se në vendin tonë
e drejta dhe ligji janë një gjë e vetme dhe
identike. Legjisatori mund, dhe duhet, të kontribuojë
për të përcaktuar se cila është e
drejta, por nga ana tjetër e drejta është një gjë
e ndryshme nga ligji. Ligji është bërë
elementi parësor për njohjen e së drejtës, por
kjo nuk presupozon përjashtimin e
elementëve të tjerë.
Hierarkia e burimeve formle është:
Kushtetuta dhe/ose Ligjet Kushtetuese;
Traktatet Ndërkombëtare;
Ligjet;
Dekretet me Karakter Normativ të Presidentit të Republikës;
Vendimet dhe Rregulloret me Karakter Normativ të Këshillit
të Ministrave;
Vendimet dhe Udhëzimet me Karakter Normativ të Ministrave.
Kushtetuta dhe/ose Ligjet Kushtetuese: Në shkallën më
të lartë të kësaj hierarkie
gjenden ligjet kushtetuese. Pjesa më e madhe e shteteve
kanë kushtetuta të shkruara dhe
përmbajtjes së tyre u njihet një prestigj i veçantë.
Në disa vende ky prestigj ka vetëm
karakter politik. Në disa vende përmbajtja e kushtetutës
mund të ndryshohet vetëm me
anë të një procedure të caktuar, por nga pikëpamja
juridike kanë të njëjtën vlerë si edhe
ligjet e zakonshme. Përmbajtja e kushtetutës nga pikëpamja
juridike kanë një vlerë të
ndryshme nga ajo e ligjeve të zakonshme: autoriteti i tyre i veçantë
shprehet edhe me anë
të një pozicioni kontrollues mbi ligjet e tjera. Me
fjale të tjera ç’ka është shkruar në
kushtetutë është parimi dhe rregulli bazë të
cilit duhet t’i binden të gjitha autoritetet e tjera
të shtetit, duke përfshirë edhe parlamentin gjatë
ushtrimit të funksioneve të tij ligjvënëse.
Rëndësia e kushtetutës qëndron në faktin se
ajo parashikon krijimin dhe organizimin e
organeve kushtetuese, kopetencat e tyre, marrëdhëniet e këtyre
organeve më njëri-tjetrin
dhe marrëdhëniet midis autoritetit publik dhe lirive dhe
të drejtave të individit.
Traktatet: Një trajtim të ngjashëm me ligjet kushtetuese
kanë edhe traktatet
ndërkombëtare. Disa kushtetuta parashikojnë shprehimisht
se traktatet kanë një autoritet
më të lartë se ligjet e zakonshme. Disa vende
nuk e parashikojnë një gjë të tillë në
kushtetutë. Traktatet ndërkombëtare duhet të
ratifikohen nga parlamenti që të marrin fuqi
ligjore brenda vendit. Në pjesën më të madhe
të këtyre të fundit, parlamenti duhet të
nxjerrë legjislacionin e duhur për zbatimin e këtyre
traktateve.
Ligji: Në kushtet e botës moderne, si edhe për
arsye të natyrës filozofike dhe politike,
sot përgjithësisht mendohet se një nga mënyrat
më të mira për të arritur në një zgjidhje
të
çështjeve juridike është të bazohesh në
dispozitat e ligjit. Ligji për precizionin me të cilin
është shkruar, duket se është teknika më e
mirë për të përcaktuar norma të pastra dhe të
qarta. Dispozitat e së drejtës së shkruar, të
nxjerra nga organi ligjvënës, të cilat juristët
janë të detyruar të interpretojnë dhe zbatojnë
gjatë zgjidhjes së çështjeve ligjore,
paraqiten në një shkallë të caktuar hierarkike.
Ligjet nxirren nga parlamenti dhe janë të
detyrueshëm për të gjithë, edhe vetë ata që
i nxjerrin. Shkelja e tyre dënohet me një sërë
mënyrash, që nga gjobat deri tek burgimi, nga Shteti.
Dekretet me Karakter Normativ të Presidentit të Republikës:
Në raste të
caktuara Presidenti i Republikës ka të drejtë të
nxjerrë dekrete me karakter të
detyrueshëm. Në Republikën e Shqipërisë,
kjo kompetencë e i njihet Presidentit midis dy
legjislaturave: nga momenti mbylljes së një legjislature,
gjatë gjithë kohës së zgjedhjeve
dhe deri në mbledhjen e legjislaturës së re. Gjatë
kësaj periudhe Presidenti i Republikës
është i vetmi organ që nxjerr legjislacion. Puna
e parë që bën Parlameti i ri është miratimi
i këtyre Dekreteve, përndryshe ato nuk kanë më
fuqi detyruese. Në vende të tjera
kompetenca për nxjerrjen e dekreteve me karakter normativ mund
t’i njihet presidentit
edhe në raste të tjera.
Vendimet dhe Rregulloret e Këshillit të Ministrave: Ky grup
përbëhet nga
rregulloret e nxjerra për dhe në zbatim të ligjit.
Këto janë kryesisht vendime me karakter
të përgjithshëm të nxjerra nga ekzekutivi dhe janë
të detyrueshme për të gjithë. Pse
ekzistojnë këto rregullore? Në kohët e sotme
ka lindur nevoja e rregullimit të
marrëdhënieve gjithnjë e më të ndërlikuara
dhe e ndeshjes së çështjeve nga më të
ndryshmet. Kështu nuk mund të pritet nga Parlamenti
të rregullojë me ligj të gjitha
aktivitetet e mundshme dhe të imagjinueshme të kësaj
bote. Disa herë ai ia delegon
ekzekutivit nxjerrjen e këtyre akteve për dhe në zbatim
të ligjeve në të cilat legjislatori
parashikon vetëm parimet e përgjithshme.
Udhëzimet dhe Rregulloret me Karakter Normativ të Ministrave:
Menjëherë pas
vendimeve dhe rregulloreve me karakter normativ të Këshillit
të Ministrave vijnë
Udhëzimet dhe Rregulloret me Karakter Normativ të Ministrave.
Ato janë shumë të
detajuara dhe kanë karakter të theksuar zbatues dhe janë
të detyrueshme për të gjithë.
Ato shtjellojnë në detaje ato ç’ka parashikuar legjislatori
në ligj. E drejta për të nxjerrë
udhëzime dhe rregullore për dhe në zbatim të ligjeve
dhe vendimeve të Këshillit të
Ministrave u jepet atyre në mënyrë të shprehur
në ligjin apo në vendimin për dhe në
zbatim të të cilit ato dalin.
Vendimet Administrative: Presidenti i Republikës, Këshilli
i Ministrave, Ministrat dhe
Funksionarët e pushtetit lokal mund të nxjerrin respektivisht
dekrete, vendime apo
urdhëresa me karakter thjesht administrativ ose individual dhe
jo normativ. Kjo do të
thotë që urdhëresat e para nuk kanë karakter të
detyrueshëm për të gjithë. Ato kanë
lidhje vetëm me një çështje konkrete shume specifike
dhe shpesh i drejtohen vetëm një
personi. Një shembull i tillë është urdhri
i Ministrit për emërimin apo pushimin nga puna të
njërit prej vartësve të tij ose dhënia e një
license për ushtrimin e një aktiviteti specifik.
Burimi Zakonor (e drejta zakonore) ka pasur dhe ka një rëndësi
të veçantë ndonëse
me kalimin e kohës janë preferuar burimet e shkruara.
Kjo edhe për dëshirën e
institucioneve shtetërore dhe politike të cilat e konsiderojnë
të drejtën zakonore
tradicionaliste dhe konservatore.
Doktrina dhe Jurisprudenca: E drejta doktrinale ose doktrina
është formuar mbi
bazën e analizës dhe zhvillimeve racionale të zhvilluara
nga studiuesit e së drejtës.
Studiuesit e së drejtës japin mendimet e tyre mbi interpretimin
e teksteve të shkruara të
ligjeve dhe akteve që janë të detyrueshme për të
gjithë. Ky interpretim përfshin përsiatje
dhe pikpamje të vetë studiuesve e shumë shpesh kanë
vizion ndërkombëtar. Ky lloj
burimi ka qenë burim bazë i së drejtës në
Evropë prej shekullit XIII deri në shekullin XIX
për arsye se gjatë kësaj periudhe e drejta përpunohej
kryesisht në universitete. Vetëm
në kohët moderne supermacia e ligjit ka zëvendësuar
atë të doktrinës si rezultat i fitores
së ideve demokratike dhe kodifikimit të së drejtës.
Jurisprudenca ose e drejta që rrjedh nga aktiviteti i gjyqtarëve
nëpërmjet precedentëve ka
marrë një zhvillim të rëndësishëm kryesisht
në sistemin anglo-amerikan. Në këto vende
precendentët gjyqësor, ose parimi i së drejtës
i zbatuar në një rast konkret janë një burim
shumë i rëndësishëm i së drejtës dhe
kanë karakter të detyrueshëm nëse janë të
vendosura prej gjykatës më të lartë të atij
juridiksioni. Le ta shpjegojmë më në hollësi.
Një gjyqtar i shkallës së parë në sistemin
anglo-amerikan për të zgjidhur një çështje është
i detyruar të zbatojë atë parim të së drejtës
që ka zbatuar një gjyqtar në shkallën më të
lartë të juridiksionit të tij në një çështje
të njëjtë ose shumë të ngjashme me atë që
ai po
shqyrton. Ndryshimi në vendet e së drejtës civile
qëndron në faktin se në këto të fundit
precedentët gjyqësorë nuk janë të detyrueshëm
për një gjyqtar të cilit do t’i duhet të
marrë një vendim për një rast të njëjtë
ose të ngjashëm. Përjashtim në këto raste
bëjnë
vendimet e gjykatës kushtetuese. Ato janë të detyrueshme
për të gjithë dhe
përfundimtare. Megjithatë, edhe në vendet e së
drejtës civile mudn të themi se vendimet
gjyqësore të shkallëve më të larta janë
në një farë mënyre të detyrueshme për faktin
se
nqs çështja dërgohet për gjykim në shkallët
më të larta, vendimi i marrë nga gjyqtari i një
shkalle më të ulët mund të rishikohet në dritën
e interpretimeve që gjyqtarët e shkallës më
të lartë i kanë bërë ligjit për t’u zbatuar
në një rast të ngjashëm. Për këtë
arsye, më të
gjitha vendet e të drejtës civile, përveç Shqipërisë,
vendimet e gjykatave më të larta në
hierarkinë gjyqësore, si dhe vendimet e rasteve të reja
të dala nga praktika botohen dhe
studiohen prej studentëve të drejtësisë.
Konkluzion: Sot në të gjithë botën ligji po fiton
statusin e burimit më të rëndësishëm të së
drejtës. Më shumë se sa ndryshimet, në sistemet
kombëtare mund të shohim
ngjashmëritë. Kjo sepse sensi i drejtësisë
për qëniet njerzore është më i ngjashëm se
sa i
ndryshëm. Ligji formom skeletin e sistemit juridik, po ky
skelet duhet të marrë jetë nga
faktorë të tjerë. Ligji nuk duhet të konsiderohet
vetëm në tekstin e tij. Shumë shpesh
këto interpretime janë të zgjeruara, në të
cilat del në pah fuqia krijuese e gjyqtarëve dhe e
studiuesve të së drejtës. Përfundimisht mund
të themi se e drejta e një vendi gjendet
në aktet e tij kushtetuese, ligjore dhe nënligjore, të
interpretuara nga gjykata e
tij, dhe në mungesë të një ligji të shkruar
në vendimet e marra nga gjykatat, në
doktrinat e përpunuara nga studiuesit e së drejtës,
ose në zakonet e pashkruara.
Punuar nga Erinda F. Ballanca
accapp/qaccapp
Rr. “Donika Kastrioti” Vila 6
Tirane, Shqiperi
Tel.355-42-40672
Fax: 355-42-40673
E-mail: [email protected]