Institutet Legjislative të Demokracisë Direkte
 

“Sovraniteti buron nga populli dhe i takon atij”

Në shtetet e sotme moderne, është pranuar se kur bëhet fjalë për pranimin ose jo të
parimeve demokratike të qeverisjes, nënkuptohet pjesmarrja e drejtpërdrejtë e popullit
në përmbushjen e funksioneve shtetërore.  Në fakt, do të ishte ideale që qeverisja e një
vendi të bëhej drejtpërdrejt nga vetë shtetasit.  Por numri tepër i madh i shtetasve,
normalisht nuk lejon aplikimin e kësaj mënyre të administrimit të punëve të shtetit
(përmbushjen e funksioneve shtetërore).  Eshtë gjetur zgjidhja e detyruar që gjithë
veprimtaria e administrimit të punëve të shtetit, t’i besohet vetëm një grupi individësh të
zgjedhur në mënyrë e formë të tillë, që të konsiderohen si përfaqësues të të gjithë
kolektivit popullor.  Nga kjo rrjedh edhe ndarja që bëhet midis DEMOKRACISE
DIREKTE dhe DEMOKRACISE INDIREKTE.  Kjo e fundit është pothuajse e zhdukur
në kuptimin e saj më të pastër.  Por së fundi, është pranuar në shtetet e ndryshme
moderne në formën e INICIATIVES LEGJISLATIVE dhe REFERENDUMIT.

Çështja e iniciativës legjislative.

Eshtë e njohur nga të gjithë se në shtetet ku aplikohet parimi i ndarjes së pushteteve,
organi i cili ka funksionin e ligjvënies (nxjerrja e ligjeve) është Parlamenti.  Janë këto ligje,
në të cilat më pas do të mbështetet qeveria, në administrimin efektiv të jetës së vendit.
Do të jenë gjykatat ato që të zgjidhin mosmarrveshjet eventuale që dalin nga zbatimi në
praktikë i ligjeve.  Pra, shihet se i gjithë ky administrim i punëve të shtetit bëhet vetëm mbi
bazën e normave juridike, ku pjesën më të rëndësishme e zënë LIGJET (aktet normative
të nxjerra nga Parlamenti).  Fazat e bërjes së një ligji në parlament janë:
1. Iniciativa legjislative (faza hyrëse)
2. Diskutimi dhe aprovimi nga Parlamenti (faza e ndërtimit të ligjit)
3. Dekretimi dhe publikimi (faza e hyrjes në fuqi të ligjit)

Iniciativa legjislative që ushtrohet përvec qeverisë dhe deputetëve dhe nga një herë edhe e
Presidentit, i njihet edhe popullit.  Pra vetë shtetasve i njihet e drejta që të paraqesin
drejtpërsëdrejt në Parlament një projektligj së bashku me relacionin mbi të.  Kur thuhet
iniciativë popullore nuk duhet kuptuar se për të paraqitur një projektligj drejtpërsëdrejti
në parlament duhet pëlqimi i të gjithë shtetasve të vendit, as edhe nga shtetas të veçantë.
Ideja, apo ajo që duhet të vihet në dukje me atë që quhet iniciativë popullore, është fakti
se, një kërkesë për të nxjerrë një ligj vjen drejtpërdrejt nga shtetasit.  Kuptohet që të dyja
alternativat ekstreme, pra qoftë marrja e iniciativës nga të gjithë shtetasit, qoftë marrja e
iniciativës nga një shtetas i vetëm janë të papranueshme (njëra alternativë është praktikisht
e pamundur kurse tjetra është inkonveniente dhe potencialisht abuzive).


Duhet gjetur pra një numër i caktuar shtetasish, që të shmangë abuzivitetin dhe që
njëkohësisht çdo shtetas për problemet më preokupuese dhe të rëndësishme për të, të
shikojë tek iniciativa legjislative popullore një mundësi me anë të së cilës shoqëria do t’i
kushtojë vëmendje.

Praktikisht iniciativa popullore mund të arrihet duke ia paraqitur publikut për të marrë
pjesë në iniciativë vetë propozimin e ligjit, më pas, pasi është arritur numri i kërkuar
(mund të vendoset që mbledhja e firmave mund të bëhet brenda një afati të caktuar), njëri
prej firmatarëve të parë, do të dëgjohet në seancë parlamentare.  Por kjo paraqitje e ligjit
në parlament, mund t’i besohet edhe qeverisë, me qëllim që kjo paraprakisht të bëjë të
ashtuquajturin “verifikim teknik” d.m.th., që qeveria të njihet me ndryshimet që do të sillte
ligji nëse do miratohej në programet financiare të hartuara që më parë nga qeveria.

Çështja e referendumit

Nëse iniciativa legjislative popullore konceptohet si një formë e demokracisë direkte, ku
populli merr pjesë drejpërsëdrejti në procesin e ligjbërjes në fazën hyrëse të tij,
referendumi mund të konceptohet si pjesmarrje e popullit po në procesin e ligjbërjes, por
tashmë në fazën e diskutimit dhe aprovimit (në fazën e konstituimit të ligjit).  Bëhet fjalë
këtu, për atë që quhet referendum abrogativ (pra me anë të të cilit i jepet fund fuqisë
ligjore të një ligji).

Në kuptimin e tij më të pastër, referendumi presupozon një ndërhyrje në procesin
legjislativ nga ana e shtetasve me pikpamje politke, prejardhje kombëtare, shoqërore,
fetare të ndryshme, për çështje tepër të rëndësishme që nuk përfshihen në çështjet e
debatit politik ndërpartiak.

Sot në shtetet moderne demokratike, (kur është pranuar kjo formë e demokracisë
direkte), njihen klasifikime të ndryshme të referendumit p.sh., në bazë të kriterit lëndë
kemi referendum kushtetues ose legjislativ dhe administrativ, në bazë të kriterit kohë
ndahen në suksesiv dhe programatik.  Në bazë të efikasitetit, njihen referendumet
konsultative (kur kërkohet t’i jepen këshilla prevetive legjislatorit), konstituive (kur
kërkohet konfirmimi i vlefshmërisë dhe efikasitetit të një norme), dhe abrogativ (kur
kërkohet thjesht abrogim i një norme që është në fuqi e që nuk mund të zëvendësohet nga
një tjetër).

Dy janë më të rëndësishmit: referendumi kushtetues dhe abrogativ.

a. Referendumi Kushtetues.  Kuptohet që me anë të këtij referendumi arrihet marrja e
pëlqimit popullor mbi aktin themeltar të shtetit.  Si i tillë, referendumi kushtetues
përcaktohet si formë e ushtrimit direkt të sovranitetit popullor.  Marrja e pëlqimit të
popullit mund të përcaktohet herë si pjesë organike e procesit të hartimit të kushtetutës e
herë të tjera mund të konceptohet si fazë e cila i jep fuqi juridike aktit kushtetues të
sapohartuar.

b. Referendumi Legjislativ.  Eshtë një formë që përfaqëson kuptimin e referendumit si
pjesmarrje e drejtpërdrejtë e popullit në fazën e diskutimit dhe të aprovimit të ligjit.  Në
kuadrin e referendumit,

më i aplikuari sot është ai që njihet si referendumi abrogativ.  Me anë të këtij referendumi
shtrohet për tu votuar dhënia fund e fuqisë ligjore të një ligji ose të një akti administrativ
qëndror.

Probleme në lidhje me referendumin.

I.  Një nga problemet më të mëdha në lidhje me referendumin abrogativ, përveç limiteve
proçeduriale që mund të dalin gjatë aplikimit në praktikë të tij është sesi do të zgjidhet
çështja kur Parlamenti pas abrogimit të ligjit nxjerr një ligj tjetër si ai që është abroguar.
Çështja reduktohet në atë se cila shprehje e vullnetit të popullit do të marrë përparësi: ajo
që materializohet në zgjedhjet parlamentare (parlamenti konsiderohet se përçon vullnetin e
pastër të popullit,) apo ajo që materializohet tek referendumi.  Në këto raste është
mbështetur e dyta, pra n.q.s me referendum i jepet fund fuqisë së një ligji atëherë
parlamenti nuk duhet ta prekë më atë lëndë, të paktën deri në fund të asaj legjislature.
Kjo ndodh sepse në rastet e referendumit pjesmarrja e popullit është më e drepërdrejtë
se në rastin e zgjedhjeve parlamentare (ku janë deputetët ata që bëjnë ligjet.)  Po kështu
kjo shprehje e vullnetit kronologjikisht është e mëvonshme se në rastin e zgjedhjeve
parlamentare.  Po për këtë arsye i njihet e drejta legjislaturës pasardhëse që të mund të
trajtojë çështjen e ligjit të abroguar me referendum.

II.  Demokracia indirekte e ka bazën e saj tek pohimi: parlamentarët përçojnë vullnetin e
popullit.  Por egziston edhe një mënyrë tjetër e shprehjes së vullnetit të popullit dhe
pikërisht me anë të sistemit te partive politike.  Pra presupozohet që çdo person i sheh
interesat e veta të shprehura e të mbrojtura në një nga partitë politike, pjesmarrëse aktive
në diskutimet e argumentave politike.  Në këtë kuadër referedumi në një sistem modern
konstitucional shihet si një instrument i jashtëzakonshëm por i arsyeshëm i kontrollit
kundër dy komplekseve organike që normalisht shprehin vullnetin e tij: parlamenti dhe
sistemi i partive.  Por në një vështrim më të rëndësishëm, nuk është shumë e thjeshtë për
arritjen e këtyre qëllimeve.  Konkretisht egzistojnë tre faktorë të cilët e fusin në krizë
institutin e referendummit duke bërë që të humb diçka nga ai imazh i pastër i ushtrimit të
kontrollit të drejtpërdrejtë nga populli:

a) Kërkesat e përsëritura të grupeve të ndryshme shoqërore (zakonisht janë grupe
minoritare) me kërkesat për referendum, bëjnë që të ndodhë fenomeni i “lodhjes së
elektoratit”.  Ky fenomen bën që në referendumet e mëpasme të ndodhë “greva e
elektoratit” pra mospjesmarrja në votime.

b) Fenomeni i referendumit të mazhorancës.  Ndodh që mazhoranca në parlament,
çështje të rëndësishme por që bëjnë pjesë në sferën e diskutimit politik i hedh për
aprovim me referendum (sepse është e sigurt për përfundimin pozitiv) duke shmangur
kështu debatin ndërpartiak.  Kjo mund të konsiderohet si një manipulim i së drejtës së
popullit për pjeasmarrje të drejtpërdrejtë në administrimi e punëve të shtetit.  Kështu,
referendumi del nga skemat e jashtëzakonshme dhe nuk është më shprehje e interesave të
ndryshme të popullsisë për një problem që kapërcen ndasitë politike.


c) Ndodh që iniciuesit e referendumit të kërkojnë më tepër sesa miratimin e kërkesës
konkrete, arritjen e një qëllimi të pastër politik, i cili është i thjeshtë për tu kuptuar duke
bërë një interpretim politik të përfundimit të referendumit.  Pra kërkohet të arrihet një
vlerësim pozitiv i pozicionit të tyre politik, duke treguar popullin si një gjykatë superiore.

Si konkluzion del se referendumi është i zbuluar ndaj rrezikut të shndërrimit në një
instrument të demokracisë indirekte.

Punuar nga Enkeled Alibeaj
Shkolla Shqiptare e Magjistraturës
Rruga e Elbasanit
Prane Fakultetit të Gjeologji-Miniera
Tiranë, Shqipëri
Tel: 355-42-64943
Fax:  355-42-64940

Hosted by www.Geocities.ws

1