E DREJTA E PRONES PRIVATE
 

I.  Hyrje.

Kur njerëzit flasin për pronën private të gjithë duket se bien dakord në një pikë--që është shumë e rëndësishme të kemi pronë private. Për t’u siguruar që e drejta e pronës private është e garantuar, kjo e drejtë shkruhet në Kushtetutë. Por njëkohësisht Kushtetuta zakonisht lejon edhe kufizime mbi të drejtën e pronës private. Prona private nganjëherë quhet “ e drejtë e shenjtë dhe e paprekshme”,  si në Deklaratën Franceze të të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve të 1789. Tradita më liberale e sheh atë si një të drejtë të pakufizuar dhe ekskluzive të pronarit mbi pronën e tij. E thënë me fjalë më të thjeshta, prona private është ajo që na jap të drejtën të themi në jetën e përditshme “kjo shtëpi ëhstë e imja; unë dhe vëllai jemi bashkëpronarë të një dyqani; etj.” Në të njëjtën kohë kjo e drejtë na vë përpara një serie detyrimesh dhe kufizimesh ligjore, në cilësinë e pronarit privat.

II.  Cfarë është e drejta e pronës private?

A.  Përshkrim i të drejtës së pronës private:  E drejta e pronës private mund të përshkruhet si:
a) Njohja e të drejtës së një njeriu;
b) Të përdorë;
c) Një pronë private të miratuar;
d) Duke u krijuar mundësinë njerëzve të bashkëpunojnë dhe të zhvillojnë një rrjet marrëdhëniesh.

Prona private nënkupton këto gjëra: personi duhet të ketë qëndrueshmëri të pronësisë; ai/ajo duhet të jetë në gjendje të transferojë pronën me pëlqim; duhet të ketë respekt për pronën e të tjerëve. Nuk mund të ketë liri absolute në lidhje me gëzimin e të drejtën së pronës private.

B.  Prona private dhe prona publike:  Eshtë e rëndësishme të mbahet parasysh që prona private egziston së bashku me pronën publike. Të drejtën e pronës private mund ta gëzojnë personat juridikë dhe fizikë, por edhe shteti mund të ketë të drejtë pronësie mbi disa prona. Eshtë e rëndësishme për ekonominë e një vendi dhe për zhvillimin e tij ekonomik dhe shoqëror të ketë forma të ndryshme pronësie.

C. Pranim i pronës private—egzistenca e pronës private—rregullat ligjore:
E drejta e pronës private mund të shihet në tre aspekte: në një anë kemi njohjen e pronës private të ligjëruar; brenda kësaj prone individi ka mundësi të veprojë lirisht mbi pronën e tij; prona private mund të gëzohet në kuadrin e shtetit ligjor dhe respektimit të ligjeve. Kërkesa paraprake për egzistencen e saj—ligji si një tërësi rregullash që i lejojnë individit të sigurohet në cdo kohë mbi të drejtën që ka secili për të bërë veprime të caktuara me pronat private.

Njohja e pronës private është hapi i parë i rëndësishëm. Ajo është kaq e rëndësishme saqë dallimi midis njeriut të qytetëruar nga ai primitiv është që ky i fundit nuk njihte ende pronën. Prona private mund të quhet atribut i shoqërisë së civilizuar. Kjo e drejtë duhet pranuar nga shoqëria dhe sistemi në të cilin jetojmë. Për shkak të rëndësisë  thelbësore pranimi i pronës private nuk bëhet me gojë, por shkruhet në dokumentin më të rëndësishëm të vendit—në Kushtetutë. Duke e vënë në formë të shkruar tregohet vullneti për ta respektuar këtë të drejtë, për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e saj. Kushtetuta e shumë vendeve garanton të drejtën e pronës private në tërësi.

Me qëllim që të ushtrohet e drejta e pronës private praktikisht, individi duhet të zotërojë një pronë private të njohur si e tillë. Mendoni për një cast për sistemin tonë të mëparshëm që konsideronte të gjithë pronën si pronë e përbashkët domethënë pronë e askujt ose e gjithkujt. Nëse prona private nuk njihet nga Kushtetuta dhe nuk pasqyrohet në ligje të tjera, mungesa e saj lejon dhe inkurajon vjedhjen, keqpërdorimin e pronës dhe krijon pengesa për zhvillimin e vendit.

      Pasi njihet prona private, është shumë e rëndësishme që të merren masa për mbrojtjen dhe sigurimin e saj dhe për këtë të jepen garanci nga shteti.

D.  Përdorime të pronës private:  Individi mund të përdorë pronën private në cdo formë ligjore. Kjo është aftësia e individit të vendosë vetë mbi përdorimin e sendeve të vecanta duke respektuar normat e përcaktuara me ligj. Ai mund të zotërojë pronën, ta përdorë dhe gëzojë atë, të përjashtojë cdo njeri tjetër nga ndërhyrjet në pronën e tij, dhe ta transferojë dhe trashëgojë atë në përputhje me ligjin. Ja disa shembuj. Mund të jetoni lirisht në pronën tuaj pa i shkaktuar shqetësime fqinjëve; mund të vendosni t’i jepni një të drejtë kalimi fqinjit ngjitur për të kaluar nëpër tokën tuaj  për të dalë në kopshtin e tij; mund të vendosni të jepni me qera banesën; t’i transferoni pronësinë ligjore mbi banesën fëmijës suaj edhe në kohën që jeni gjallë duke vazhduar të jetoni në të për pjesën tjetër të jetës. (kjo quhet e drejta e uzufruktit.)

III.  Kufizime mbi mënyrën e përdorimit të pronës; shpronësime nga Shteti.

A.  Mund të kufizohet përdorimi i pronës?  Përvec gjërave që mund të bëni me pronën tuaj, ka edhe gjëra që nuk janë të lejuara. Përdorimi i pronës private mund të ketë kufizime të ndryshme. Ja disa shembuj. Mund të bëni një festë dhe të gatuani në oborr, por është e ndaluar nga ligji të digjni goma të vjetra ose shishe plastike, edhe pse ndodheni brenda pronës suaj. Mund të ndërtoni në tokën tuaj, por duhet të respektoni largësinë e caktuar nga dritarja apo muri i fqinjit. Mund të hapni një vrimë në mur, por është e ndaluar të përdorni një makineri që dëmton murin e fqinjit dhe pronën e tij për shkak të tronditjeve që shkakton. Në këto raste respektimi i zakoneve të mira dhe rregullave të caktuara në ligj është udhërrëfyes i mirë.

B.  Kufizime të tjera:  Mbrojtja e mjedisit dhe respektimi i rregullave të ndërtimit mund të shkaktojë kufizime të tjera mbi përdorimin e pronës suaj private. Ja disa shembuj të tjerë. E drejta për të ndërtuar në tokën tuaj mund të kushtëzohet nga marrja e një lejeje ndërtimi nga autoritetet përkatëse.  Nga ana tjetër mund të nxirren rregullore apo ligje për të parandaluar ngritjen e një fabrike në një zonë turistike që është planifikuar të shërbejë për pushime dhe qetësi. Rregulla të tjera mund të ndalojnë në mënyrë legjitime ngritjen e një pallati me 10 kate në një zonë rezidenciale ku rregullat e ndërtimit lejojnë vetëm shtëpi një ose dy katëshe.

C.  Shpronësimet:  Në pothuaj të gjitha vendet demokratike, shteti ka të drejtën të shpronësojë pronarët nga prona e tyre private për interesa dhe qëllime publike, por veprime të tilla duhet të autorizohen nga ligji dhe të bëhen duke kompensuar në mënyrë adeguate pronarët. Kushtetuta e re do të lejojë shpronësimin për interesa publike si psh ndërtimin e aeroporteve, autostradave, rrugëve, hidrocentraleve. Shpronësimet nga shteti të pronës private sidoqoftë duhet të lejohen vetëm kur kryhen sipas kritereve strikte kushtetuese dhe ligjore.

D.  Prona private dhe zhvillimi ekonomik:  E drejta e pronës private, bashkë me inkurajimin dhe forcimin e saj krijojnë bazat e rritjes ekonomike dhe zhvillimit. Pronësia i jep individit shtysën për ta përmirësuar pronën, për të ndërtuar në të dhe pranë saj. Prona gjithashtu krijon interesa ekonomike dhe sociale më të gjera. Le të supozojmë se zotëroni një copë tokë ku vendosni të ndërtoni një fabrikë të vogël. Keni bërë një investim që e bën pronën tuaj private më me vlerë dhe interesante. Më pas gjeni një ortak biznesi i cili investon pajisjet e nevojshme për të prodhuar këpucë për shembull. Ju krijoni një firmë prodhuese dhe merrni në punë njerëz të tjerë. Kështu ju po bashkëpunoni dhe po ndërtoni një rrjet që modelon shoqërinë dhe krijon më shumë të ardhura. Prona private është ajo që bën të mundur evolucionin e një bashkëpunimi gjithnjë në rritje, spontan dhe vullnetar. Ky është themeli për të ndërtuar botën e tregtisë private, rritjes industriale dhe ekonomike, prosperitetit të mëtejshëm dhe mirëqenies.

E.  Shpërblime për dëmet:  Pyetja lind në këtë pikë se cfarë ndodh nëse prona private dëmtohet, shpronësohet joligjërisht ose goditet në mënyra të tjera. Pronari mund të përpiqet në fillim të zgjidhë konfliktin jashtë gjykatës, me marrëveshje. Nëse nuk ka sukses, alternativa mbetet zgjidhja gjyqësore. Në raste shpronësimesh, nëse ai bazohet në ligj ose veprimi bie ndesh me të drejtën  kushtetuese të pronës private, kjo është një cështje që mund të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese.

IV.  Konkluzione.

Deri tani pamë sesi individët duhet të kenë të drejtë ekskluzive mbi pronën private; ata duhet te jenë gjithashtu të mbrojtur nga ndërhyrjet e paligjshme. Megjithatë të drejtat mbi pronën private mund të kufizohen në disa rrethana të caktuara dhe ato duhet të egzistojnë në kontekstin e të drejtës së njerëzve të tjerë për të gëzuar të drejtat e tyre.

Qeveria duhet të jetë e fortë për të mbrojtur të drejtën e individit për të gëzuar pronën private, por pushteti i saj mbi pronën private duhet të jetë i kufizuar. Marrëdhëniet individuale sjellin si rrjedhojë bashkëpunimin, rritjen, zhvillimin dhe prosperitetin. Askush nuk ka të drejtë të godasë pronën private dhe të pretendojë se vlerëson ligjin dhe shtetin ligjor.

Përgatitur nga Evis Bozo, Avokate e Zyrës së OSBE-së
Zyra Juridike e OSBE-së
Rruga Donika Kastrioti, Vila 6
Tiranë, Shqipëri
Telefon:  355 42 35993
Fax:  355 42 35994
 

Hosted by www.Geocities.ws

1