Çështje në Lidhje me Sistemet për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut

A. Sistemi Monist vs. Dualist

a) Respektimi i normës ndërkombëtare nga shtetet që e kanë pranuar këtë normë është një
nga momentet më të rëndësishme por edhe më problematike të vetë së drejtës
ndërkombëtare. Kjo për faktin se jo të gjitha shtetet që bien dakort në plan ndërkombëtar
janë po aq të gatshme që t’i “përkthejnë” këto angazhime ndërkombëtare edhe në planin e
brëndshëm. Rëndësia e këtij momenti del më tepër në pah në rastin e angazhimeve
ndërkombëtare që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pozitën juridike të popullsisë në një shtet
të caktuar. Një normë kushtetuese që do të qartësonte juridikisht vlerën e këtyre
angazhimeve ndërkombëtare do të ishte kyçi jo vetëm i qartësimit të vlerës juridike të
normës ndërkombëtare për subjektin e së drejtës shtetërore por nga ana tjetër do të
paraprinte edhe problemet eventuale të shtetit në arenën ndërkombëtare.

b) Sistemi monist nënkupton që e drejta e brëndshme dhe e drejta ndërkombëtare bëjnë
pjesë në të njëjtin sistem juridik kushtetues, ndërsa sistemi dualist nënkupton që këto dy të
drejta janë përfaqësuese të dy sistemeve të ndryshme juridike, i pari një të drejte shtetërore,
i dyti një të drejte mbi shtetërore.

Zgjedhja e njërit apo e tjetrit sistem ka rëndësi për individin për faktin se ai duhet të ketë
mundësi të dijë nëse për norma ndërkombëtare që prekin pozitën e tij juridike, ai mund t’u
drejtohet atyre drejtpërdrejt, pas ratifikimit, në gjykatat e brëndshme dhe eventualisht
ndërkombëtare apo duhet që shteti i tij të nxjerrë norma të brëndshme ligjore për
respektimin e këtyre angazhimeve ndërkombëtare që ai ka marrë përsipër.

c) Në lidhje me dy proçedurat e lartpërmendura duhet thënë se sejcila prej tyre paraqet
përparësitë dhe të metat e veta. Megjithatë sistemi monist duket si më i përdorshmi nga
vende të ndryshme të botës, për faktin se përmban një pozicionim më të qartë dhe më të
sigurt të normës ndërkombëtare brënda sistemit shtetëror normativ. Dhe pikërisht këtë gjë
vende të ndryshme e bëjnë që në kushtetuta, duke i caktuar në radhët e tyre një vend të
caktuar normës ndërkombëtare, natyrisht, të pranuar nga shteti përkatës. Në këtë mënyrë
vlera e normës ndërkombëtare është e qartë për operatorin juridik dhe organet normative
nuk kanë nevojë as për hartimin e një legjislacioni të veçantë për t’iu përshtatut angazhimeve
të tyre ndërkombëtare. Shumica e këtyre vendeve në kushtetutat e tyre i japin vlerën e ligjit
normës ndërkombëtare.

Megjithatë një sistem i tillë u ofron të gjitha llojeve të normave ndërkombëtare të njëjtën
vlerë juridike në sistemin e brëndshëm, pa asnjë diferencim, duke mbartur kështu në vetvete
një të metë; a kanë të gjitha llojet e ndryshme të normave ndërkombëtare, një rëndësi të tillë
sa në sistemin e brëndshëm normativ të marrin vlerën e ligjit.


Sistemi dualist përfaqëson një proçedurë krejt tjetër, në bazë të së cilës norma
ndërkombëtare për të fituar fuqi në sistemin normativ duhet të vishet ose të “thithet” nga një
normë e brëndshme. Përparësia e këtij sistemi qëndron tek mundësia për të bërë një
klasifikim dhe një veshje juridike të normës ndërkombëtare me norma të brëndshme në
përputhje me vlerën e tyre në legjislacionin e vendit. Në po këtë moment, megjithatë,
qëndron edhe e meta e këtij sistemi, pikërisht tek mundësia për gabime në këtë klasifikim
normativ. Një tjetër e metë e këtij sistemi qëndron në rastin e normave ndërkombëtare që
përmbahen në self-executive agreements, pasi vonesat në hartimin e legjislacionit të
brëndshëm mund të sjellin në vetvete përgjegjësinë e shtetit për mosrespektim të angazhimit
ndërkombëtar.

B. Marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut

a) Në kohët e sotme mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të lirive të tij
themelore, për vetë natyrën juridike të këtyre koncepteve, i janë besuar në nivelin më të lartë
organizmave ndërkombëtare. Në këtë plan instrumentat dhe mekanizmat e këtyre
organizmave duhet të gjejnë mundësi efektiviteti të plotë në sistemet shtetërore të veçanta
për të arritur një mbrojtje dhe një garantim të plotë dhe të njëjtë për të gjithë njerëzit.

E drejta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, mund të themi, është momenti ku dalin më
qartë në pah arritjet dhe problemet e respektimit të normës ndërkombëtare si dhe të
sistemit, monist apo dualist, të zgjedhur për këtë qëllim. Kjo për faktin se norma
ndërkombëtare me një karakter të tillë ka të bëjë drejtpërdrejt me pozitën juridike të
individit, dhe si rregull janë norma self-executing.

b) Problemi i marrëdhënieve me organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut është një
nga çështjet më themelore që duhet të sqarohen nga dokumenti kushtetues që është në
vetvete edhe dokumenti që shpreh juridikisht në një akt, sovranitetin e popullit. Në këtë akt
pra do të përcaktoheshin mundësitë që themelori i sovranit, me anë të vetkufizimit të
sovranitetit, u jep organizatave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut që të kryejnë hetime
ose që vendimet e tyre të kenë fuqi ligjore në sistemin e brëndshëm shtetëror. Në këtë
mënyrë mund të shihet qartë se cilat organizata ndërkombëtare kanë të drejtë të ushtrojnë
kompetenca në Shqipëri dhe çfarë kompetencash. Në kahun tjetër, duke patur parasysh
këto kompetenca edhe individët, mund të reklamojnë pranë këtyre organizatave shkelje për
të cilat të mund të gjejnë një mbështetje eventuale që nuk e kanë gjetur në sistemin e
brëndshëm ligjor.


c) Në lidhje me kompetencën e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të
dhënë vendime të detyrueshme për subjektet brënda shtetit ose për të bërë hetime brënda
vendeve të ndryshme anëtare, pra në lidhje me një transferim sovraniteti nga shtetet e
veçanta në favor të këtyre organizatave, kushtetutat si rregull nuk shprehen. Duke patur
parasysh faktin që këto kompetenca të organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të
drejtat e njeriut parashikohen nga aktet e tyre themeluese që nuk janë asgjë tjetër veçse
traktate ndërkombëtare, të cilat nënshkruhen ose në të cilat aderojnë shtetet e ndryshme.
Këto kompetenca e gjejnë bazën e tyre juridike në aktin e përfundimit ose të aderimit të
shteteve të veçanta në traktatet themeluese të këtyre organizatave. Pra në një plan më
konkret në qoftë se një shtet i caktuar në kushtetutën e tij thekson se normat ndërkombëtare
të pranuara prej tij kanë fuqinë e ligjit - pra ka pranuar sistemin monist - dhe një normë e
tillë ndërkombëtare parashikon kompetenca vendimore ose kontrolli për një organ të
caktuar të një organizate ndërkombëtare atëhere vetë këto kompetenca e gjejnë bazën e
tyre juridike tek vetë norma ndërkombëtare që i parashikon - traktati themelues, pra - dhe
që në bazë të kushtetutës së vendit në sistemin e brëndshëm normativ ka vlerën e ligjit. I
njëjti arsyetim mund të bëhet edhe në rastin e sistemit dualist të raportit e drejtë
ndërkombëtare - e drejtë e brëndshme. Ky ngelet arsyetimi bazë për vlerën juridike të
akteve të organizatave ndërkombëtare në sistemin e brëndshëm.

Megjithatë ka edhe raste kur kushtetuta të vendeve të ndryshme parashikojnë mundësinë e
“kufizimeve të sovranitetit” në favor të organizatave që kanë qëllime paqen dhe drejtësinë.
Edhe në raste si ky, që është ai i Kushtetutës Italiane, megjithëse organizata nuk thuhet
shprehimisht, kuptohet që bëhet fjalë në momentin e hartimit të saj për OKB-në dhe në
vazhdim ky nen është interpretuar nga jurisprudenca kushtetuese italiane edhe për organizata
të tjera.

Sidoqoftë, respektimi dhe vënia në jetë e akteve dhe vendimeve qoftë administrative, qoftë
gjyqësore apo interpretuese të organeve të ndryshme të organizatave ndërkombëtare varet
nga angazhimi që një shtet i caktuar ka marrë ndaj organizatës në fjalë, dhe një
mosrespektim do të angazhonte veçse përgjegjësinë ndërkombëtare të shtetit dhe sipas rastit
edhe pezullimin ose largimin e tij nga organizata.

Në mbështetje të arsyetimeve të mësipërme mjafton të shohim nenet 32/4 dhe 53 të
Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

C. Kufizimet e të drejtave të njeriut
Kufizime të lejueshme vs. kufizime të palejueshme

a) Mbrojtja e të drejtave të njeriut para së gjithash bazohet në parimin e gëzimit të të
drejtave të parashikuara nga të gjithë pa asnjë dallim.
Megjithatë një mbrojtje absolute dhe plotësisht e njëllojtë e të gjitha të drejtave në të gjitha
kushtet, për të gjitha shtetet në përgjithësi, por për ato në zhvillim në veçanti, do të ishte
praktikisht e pamundur.

Historia e lindjes dhe zhvillimit të njohjes dhe mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut ka çuar në një ndarje klasike e të drejtave të njeriut, që haset veçanërisht në Paktet e
O.K.B.-së të vitit 1966, në të drejta civile dhe politike dhe në të drejta ekonomike, sociale
dhe kulturore, e cila në momentin e hartimit të një të drejte pozitive, themelore mendoj se
nuk do të ishte e përshtatshme. Për të patur një mbrojtje sa më efektive nga shteti dhe nga
organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut mendoj se ndarjet do duhet të bazohen
në garancitë ligjore dhe në karakterin e këtyre.


b) Ky është në fakt momenti më i rëndësishëm për individin subjekt të këtyre të drejtave dhe
për organet shtetërore apo ndërkombëtare me funksionin e respektimit të këtyre të drejtave,
për arsyen se të parët duhet të dinë se deri në ç’masë duhet t’i kërkojnë dhe t’i pretendojnë
të drejtat e tyre, ndërsa për të dytët si do të duhet të garantojnë respektimin sa më efektiv të
këtyre të drejtave por edhe kur dhe deri ku do të mund t’i shkelnin kur u kundërvihen një
interesi më të lartë dhe të përgjithshëm. Për këtë është më se e domosdoshme për individët
por edhe për organet shtetërore dhe ndërkombëtare që duhet t’i respektojnë, të njohin
mundësitë që këto të drejta ofrojnë, mënyrën dhe hapësirën e zbatimit të tyre, por edhe
kufizimet që ato mund të pësojnë në raste të caktuara.

c) Në lidhje me ndarjen që propozojmë të ndiqet në të drejtën pozitive, që synon mbrojtjen
e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, na duket më e saktë dhe rezultative klasifikimi
që u bëhet të drejtave të njeriut në bazë të shkallës së garancive të mbrojtjes të këtyre të
drejtave dhe lirive themelore dhe të mundësisë të derogimit nga ky garantim dhe respektim.

Së pari, në bazë të këtij klasifikimi duhet të dallojmë të drejtat absolutisht të pacënueshme
ose parë nga këndvështrimi tjetër të drejta që nuk lejojnë kufizime. Këtu hyjne, si të
shpallura unanimisht me një karakter të tillë, absolutisht të pacënueshëm, e drejta e jetës, e
drejta për të mos iu nënshtruar torturës apo trajtimeve çnjerëzore ose degraduese, e drejta
për të mos u mbajtur në skllavëri ose robëri dhe së fundi e drejta e ligjshmërisë së dënimeve
për vepra penale. Megjithatë disa dokumenta të veçantë futin në këtë kategori edhe disa të
drejta të tjera si ajo non bis in idem, nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, apo
seria e të drejtave absolutisht të pacënueshme që shtohen nga Pakti ndërkombëtar lidhur me
të drejtat civile dhe politike, deri tek shtrirja maksimale që i bën kësaj kategorie të drejtash
Konventa Amerikane e të Drejtave të Njeriut. Për Shqipërinë, natyrisht rëndësi do të kishin
parashikimet e bëra nga dy dokumentat e parë.

Në lidhje me të drejtat e njeriut që përmbajnë në vetvete një koefiçient relativiteti, duhet
patur parasysh një kriter, mendoj shumë i rëndësishëm, domosdoshmëria apo jo e
rrethanave të jashtëzakonshme për kufizimet ndaj këtyre të drejtave. Në lidhje me
karakterin e këtyre rrethanave të tre dokumentat e përmendura në paragrafin e mësipërm
përpiqen t’i përmbahen një përcaktimi strikt të tyre si dhe të kufizimeve si dhe përpiqen të
bëjnë një ndarje në të drejta që mund të pësojnë kufizime vetëm në prani të rrethanave të
jashtëzakonshme dhe në të drejta që mund të kufizohen edhe në periudhë normale. Në
përgjithësi si të drejta të pakufizueshme në periudhë normale, pra vetëm në prani të
rrethanave të jashtëzakonshme, konsiderohen të drejtat në lidhje me lirinë e mendimit, të
besimit dhe të fesë, e drejta për shkollim, të drejtat në lidhje me gjykimin e drejtë dhe për
një rekurs efektiv, si dhe të drejtat politike. Ndërsa si të drejta ndaj të cilave mund të bëhen
kufizime edhe në periudhë normale, por duke qënë gjithmonë kufizime të domosdoshme në
një shoqëri demokratike, për mbrojtjen e vlerave të saj më të larta, konsiderohen të drejtat
në lidhje me respektimin e jetës private dhe familjare, të banesës dhe të korrespondencës,
lirinë e shprehjes, të tubimit paqësor, e qarkullimit të lirë, etj.

Së fundi theksi mund të vihet në të drejtat programative, të parashikuara në dokumenta
ndërkombëtare, mund të themi të kohëve të fundit, të cilat me sistemin e tyre à la carte
synojnë në një garantim sa më maksimal që të jetë e mundur të disa të drejtave të caktuara.

Punuar nga Ledi Bianku
Fakulteti i Drejtësisë
Tiranë, Shqipëri
 
 

Hosted by www.Geocities.ws

1