Kompetenca Për të Kundërshtuar Aktet Administrative
 

Megjithëse më të ultat në hierarkinë e ligjeve, aktet administrative munden megjithatë të
rregullojnë qytetarët në një mënyrë të detajuar.  Ato mund të marrin formën e rregullave
të zbatimit të përgjithshëm, ose të vendimeve të zbatimit specifik.  Në të njëjtën mënyrë
që ligjet shërbejnë për të përpunuar parimet brenda një kushtetute, aktet administrative
përpunojnë rregullat e  një ligji.  Legjislaturat moderne nuk janë të pajisura për të
specifikuar të gjitha detajet e nevojshme për vënien në zbatim të një ligji, dhe shpesh këto
detaje i lihen për t’u përcaktuar  ekzekutivit nëpërmjet akteve administrative.  Nuk është
e pazakontë për tekstin e një rregulloreje të kalojë gjatësinë e ligjit për dhe mbi të cilin
është bazuar.  Në demokracitë kushtetuese më moderne, aktet administrative përcaktojnë
shprehimisht qindra detaje që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.

Për shembull, një ligj mund të shpallë një parim të përgjithshëm, që të gjithë personat që
zotërojnë një kamion, duhet të paguajnë një shumë të caktuar si tatim vjetor për
kamionin, dhe rregullorja shoqëruese do të përcaktojë kur, ku, dhe si do të paguhet
tatimi.  Rregullorja duhet të përcaktojë gjithashtu se si një person të kërkojë kthimin e të
hollave nga tatimi, në rastet kur ai ose ajo kanë paguar gabimisht më shumë.  Kështu një
vendim i veçantë qeverie mund të nxirret, për të përcaktuar nëse personit i duhen kthyer
të hollat për një vit specifik ose jo.  Rrjedhimisht, pronarëve të kamionëve do t’i kërkohet
çdo vit, të ndjekin detaje specifike të rregullores për të siguruar që ata i paguajnë
saktësisht taktimet dhe marrin çdo kthim të hollash që i detyrohet, dhe në disa raste, atyre
i duhet të kërkojnë një vendim administrativ të bazuar në rregullore.

Që qytetarët të veprojnë në përputhje me një akt administrativ, ata duhet të
ndërgjegjësohen së pari për ekzistencën dhe përmbajtjen e tij.  Kështu që është detyrë e
qeverive të botojnë të gjitha aktet administrative që kanë synim të kenë forcën e ligjit.  Në
mënyrë tipike, kushtetutat sigurojnë që të gjitha akteve të pabotuara t’i mohohet e drejta
për të pasur forcën e ligjit.  Një dispozitë e tillë është në harmoni me ndalimin e ligjeve
sekrete, parim përgjithësisht mbizotërues në demokracitë kushtetuese moderne.

Përveç kërkesës për botimin e të gjtiha akteve administrative, kushtetuta duhet të sigurojë
edhe faktin që qytetarëve t’u garantohet e drejta për ta kundërshtuar këtë akt.
Përndryshe, ekzekutivi do të përfitonte një të drejtë mbi qytetarët që do të mohonte të
drejtën e tyre për të kërkuar rregullime kundrejt qeverisë.  Pavarësisht nga sistemi i
qeverisjes, demokracitë kushtetuese moderne (për shembull, Gjermania dhe Shtetet e
Bashkuara) sigurojnë që nxjerrja e akteve administrative nga ana e ekzekutivit, të jetë e
kufizuar nga e drejta e qytetarëve për të kërkuar rregullime.


Për shembull, në shembullin e mësipërm të tatimit, qytetarëve të një demokracie
kushtetuese, vetëm do t’i kërkohet të paguajnë tatimet duke ndjekur një rregullore që
është botuar dhe që është e vlefshme ligjërisht.  Qytetarëve duhet t’i garantohet e drejta e
kundërshtimit të zbatimit të të gjitha rregulloreve të pabotuara, ose të rregulloreve të
pavlefshma ligjërisht.  Në mënyrë të ngjashme, subjekt i kundërshtimit, duhet të jenë edhe
vendimet administrative që janë të bazuara në regullore të pabotuara ose të cilave i
mungon baza ligjore.

Në shumë demokraci kushtetuese, metoda specifike për kundërshtimin e akteve
administrative është e përfshirë në kodin e procedurës administrative.  Ky kod përcakton
se si mund të kundërshtohen rregulloret dhe vendimet.  Kodi administrativ, mund të
kërkojë edhe që të gjitha rregulloret të botohen në formë projekti, kështu që publikut i
lejohet të komentojë të gjitha rregulloret përpara se ato të finalizohen.  Ky nivel shtesë i
transparencës, lejon që zyrtarët e qeverisë të marrin mendime nga profesionistë privatë
dhe OJQ-të e specializuara në fushën e rregulloreve.  Me këtë kontribut, ata janë të aftë
të hartojnë rregulloret përfundimtare që janë më të detajuara, të pranueshme nga palët e
interesuara, dhe të kuptueshme nga publiku i gjerë.

Ndërsa e drejta administrative mund të përcaktojë procedurën për kundërshtimin e
akteve administrative, është pranuar përgjithësisht që e drejta thelbësore e qytetarëve për
të kundërshtuar aktet administrative ka origjinë kushtetuese.  Kështu, edhe pse në
mungesë të një kodi të procedurës administrative, qytetarët duhet të kenë të drejtën për
të kundërshtuar aktet administrative.

Nëse kjo e drejtë nuk përfshihet në kushtetutë, vihen në rrezik ose humbin të drejta të
tjera thelbësore.  Kështu, në shembullin e tatimit, nëse autoritetet tatimore kanë të drejtë
të mbledhin gjoba, ose të konfiskojnë pasuri mbi bazën e vendimeve ose rregullave
sekrete, të cilat nuk janë të bazuara në ligj ose rregullore të vlefshme, e drejta e qytetarit
për pasuri private zhduket.  Pa njohje të ligjit, nuk mund të pritet që qytetarët ta ndjekin
atë, dhe nuk mund të verifikojnë nëse zyrtarët e qeverisë e ndjekin apo jo ligjin.  Në këto
rrethana, qytetarët shndërrohen në krejtësisht të varur nga shteti për mbrojtjen e të
drejtave të tyre.  Kështu që, nuk do të ekzistojnë më të drejtat individuale.

Në një demokraci kushtetuese, konfiskimi i pasurive apo imponimi i gjobave në këto
kushte, është e njëjtë me heqjen e pasurisë pa procesin e duhur.  Nëse kjo lloj procedure
tolerohet, shfuqizohet kështu e drejta e pronës private, dhe pushteti ekzekutiv lejohet të
dhunojë të drejtat individuale të qytetarëve.  Kjo lloj praktike, kompromenton themelet e
demokracisë kushtetuese dhe krijon një mjedis të përshtatshëm për qeveri autoritare, të
korruptuara dhe të centralizuara.  Me pushtet të pakontrolluar, autoritetet ekzekutive janë
të lira të kërkojnë rryshfete për vendime gjyqësore të favorizuara, sepse qytetarët nuk
kanë mjete efikase për të kundërshtuar autoritetin e tyre.  Me kalimin e kohës, kjo
praktikë çon në sundimin e individëve dhe në shkatërrimin e “sundimit të së drejtës”.
Kështu, përqëndrimi i tillë i pushtetit në degën ekzekutive, është në mënyrë të qartë,
kundër parimeve themelore të një demokracie kushtetuese.


Nëse një kushtetutë i shërben qëllimit të saj për të rradhitur të drejtat bazë të qytetarëve,
ajo duhet të përcaktojë gjithashtu strukturat që sigurojnë forcimin e këtyre të drejtave
bazë.  Fuqia për të kundërshtuar vendimet administrative, është në thelb të këtij koncepti
të rëndësishëm.  Dështimi i krijimit të bazave për kundërshtimin e vendimeve
administrative brenda një kushtetute, është kështu një shqetësim themelor.  Nëse një
kushtetutë nuk i garanton qytetarëve këtë të drejtë thelbësore, mund të jetë vetëm një
çështje kohe, përpara se dega ekzekutive e qeverisjes të fillojë, qëllimisht ose jo, të
shkelë mbi një sërë të drejtash të tjera themelore, dhe kur këto shkelje kalojnë pa
rregullime, vihet në pikpyetje vetë baza e demokracisë kushtetuese.
 

Punuar nga Scott Carlson
accapp/qaccapp
Rr. “Donika Kastrioti” Vila 6
Tirana, Albania
Tel.355-42-40672
 Fax.355-42-40673
[email protected]
 

Hosted by www.Geocities.ws

1