Kushtetuta është një kontratë shoqërore, një
marrëveshje midis të gjithë qytetarëve dhe
qeveritarëve të tyre. Kjo kontratë përcakton
se çfarë të drejtash kanë drejtuesit dhe
çfarë të drejtash kanë qytetarët.
Pasi është përfunduar, kjo kontratë duhet të shërbejë
si
garanci thelbësore e të gjitha të drejtave të qytetarëve
dhe e formës së regjimit. Ndërsa
një shumicë qytetarësh mund të ndryshojë drejtuesit
me anë të çdo zgjedhjeje, koncepti i
kushtetutës është që disa struktura bazë t’i
kalojnë politikat elektorale, dhe të mund të
sigurojnë një sistem që të qëndrojë në
vend pavarësisht nga zgjedhjet. Ndërsa kjo
strukturë mund të drejtohet nga shumica, ajo mund të
sigurojë gjithashtu respekt për të
drejtat e pakicës. Kushtetutës i jepet përgjithësisht
një status special suprem, pasi ajo
duhet të shërbejë si bazë për organizimin
e punëve të të gjithë qytetarëve. Rrjedhimisht,
çdo ligj apo akt administrativ është i pavlefshëm
për aq sa është në kundërshtim me
kushtetutën. Kjo supremaci ka për qëllim ta vendosë
kushtetutën jashtë sferës së
politikave normale.
Për ta nxitur këtë supermaci, kushtetutat në përgjithësi
përfshijnë disa parime të
qeverisjes. Parimi bazë dhe më i përgjithshëm
është se duhet të ekzistojnë tri ndarje
themelore brenda qeverisjes: pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor
të ndarë nga
njëri-tjetri. Kjo “ndarje e pushteteve” ka origjinë
të vjetër që në shkrimet e filozofit grek
Aristotelit, dhe ka mbetur një koncept thelbësor në
erën moderne të konstitucionalizmit,
siç mund të shihet në punën e juristit dhe filozofit
francez Monteskje. Sot, ndarja e
pushteteve është konsideruar si themeli bazë mbi të
cilin është ndërtuar një demokraci
kushtetuese.
Rëndësia e ndarjes së pushteteve qëndron në
krijimin e një sistemi të kontrolleve dhe të
ekuilibrave. Nëpërmjet këtij sistemi, pushtetet
e pavarura janë vendosur në tri degë në
lidhje me qeverisjen duke krijuar një sistem nëpërmjet
të cilit secili ushtron pushtetin e
kontrollit mbi tjetrën. Për shembull, legjislativi
kontrollon në mënyrë tipike procesin
legjislativ. Gjithashtu, ekzekutivi ka në përgjithësi
kompetencën për të rishikuar
legjislacionin, për të sugjeruar ndryshime në legjislacion,
dhe për të vendosur veton mbi të
nëse e gjykon të papërshtatshëm. Në
mënyrë të ngjashme, sistemi gjyqësor ka fuqinë
të
marrë vendime mbi zbatimin e saktë të ligjit, dhe në
disa raste hedh poshtë dispozita të një
ligji apo rregulloreje. Për më tepër, pushteti
gjyqësor ka të drejtë të veprojë në këtë
mënyrë pavarësisht nga mendimi i ekzekutivit apo legjislativit.
Kur sistemi i ndarjes së pushteteve dështon, pushteti përqëndrohet
në një degë të veçantë
të qeverisjes. Si rregull, kjo çon në shfuqizimin
e kontratës shoqërore, që është në themel
të të gjitha kushtetutave të suksesshme. Për
shembull, ekzekutivi duke pasur mundësinë e
zgjedhjes dhe të pushimit lirisht të gjyqtarëve, do
të fillojë në mënyrë të natyrshme të
pushojë gjyqtarët që marrin vendime në kundërshtim
me interesat e ekzekutivit. Pas një
farë kohe, gjyqësori do të bëhet aq i politizuar
sa qytetarët nuk do të mund të mbështeten
më tek sistemi gjyqësor për të nxjerrë vendime
gjyqësore kundër ekzekutivit. Ekzekutivi
do të jetë kështu i lirë të nisë çështje
dhe të kontrollojë përfundimet e tyre. Kur ndodh
kjo, të drejtat e njeriut të parashikuara në kushtetutë
bëhen të pavlefshme, përveç rastit
kur një qytetar njeh pushtetarët e ekzekutivit të plotfuqishëm.
Qytetarët nuk mund të
mbështeten tek drejtësia për të mbrojtur interesat
e tyre. Në këtë pikë, është e qartë
se
kontrata bazë shoqërore është prishur, dhe nuk
mund të thuhet më se qytetari gëzon
garanci kushtetuese. Në terma ligjore, kjo ngjarje do të
thotë shkatërrim i shtetit të
bazuar mbi “sundimin e së drejtës” dhe paraqitje e një
shteti të bazuar mbi sundimin e
individit.
Pasi është kompromentuar ndarja e pushteteve, historia ka
treguar se qytetarët priren të
mbështeten mbi mardhëniet personale, nepotizmin, dhe korrupsionin
për të siguruar
vendin e tyre në shoqëri. Meritat individuale, puna
e gjatë, dhe idetë e reja bëhen çështje
të dorës së dytë. Në këtë
mjedis, lulëzojnë sistemet e centralizuara të komunizmit
dhe
fashizmit. Me vënien e theksit nga ana e tyre mbi lidhjet
personale dhe përkatësitë
partiake, këto sisteme zënë rrënjë në
shoqëri që përfshijnë mardhëniet personale,
nepotizmin, dhe korrupsionin, dhe në mënyrë të
menjëhershme përjashtojnë ndarjen e
pushteteve që mund të nxjerrë fitimtare të drejtat
dhe meritat individuale kundër “të
drejtave të popullit dhe të shtetit.”
Sigurimi dhe mbrojtja e një demokracie kushtetuese, dhe e kontratës
shoqërore që ajo
reflekton, kërkon një qytetari aktive. Kushtetuta mund
të ndihmojë në krijimin e një
kontrate shoqërore, por popullsia vetë duhet të jetë
përgjegjëse për mbrojtjen dhe
forcimin e saj. Demokracia kushtetuese përparon vetëm
kur qytetarët janë të vullnetshëm
të sakrifikojnë interesat e tyre vetjake imediate për
një sistem që do të garantojë liri
afatgjatë. Përfitimi imediat që mund të sigurohet
nga vullneti i tyre për të përfituar vetëm
mbi bazën e mardhënieve personale, nepotizmit, dhe korrupsionit
vjen me një çmim të
lartë: shkatërrimin e sistemit kushtetues modern të
qeverisjes.
Ky angazhim nga ana e qytetarëve, megjithëse i paprekshëm,
është thelbësor, dhe efekti i
tij është dramatik. Mbretëria e Bashkuar (UK)
është një shembull i qartë. Megjithëse
Mbretëria e Bashkuar nuk ka një kushtetutë të shkruar
në kuptimin klasik, ajo ka një
traditë kushtetuese të pasur që fillon me Magna Charta
(Karta e Lirive dhe të Drejtave të
Njeriut) në vitin 1215. Ky angazhim i madh nga ana e qytetarëve
ka siguruar dhe ka
mbrojtur kontratën shoqërore të demokracisë kushtetuese
dhe e ka bërë Mbretërinë e
Bashkuar një shembull të përfitimeve të saj.
Kjo është e vërtetë, pavarësisht nga fakti që
Mbretëria e Bashkuar nuk ka një tekst të thjeshtë
kushtetues.
Pasi miratohet, kushtetuta është një plan për një
shoqëri demokratike, por ndërtimi
përfundimtar i kësaj shoqërie bazohet në pjesmarrjen
e vazhdueshme dhe aktive të
qytetarëve. Qytetarët duhet të kenë garanci
të përfshira në kushtetutë dhe të ushtrojnë
në
mënyrë rigoroze të drejtat e tyre kushtetuese, për
të krijuar një klimë në të cilën mund të
përparojë demokracia kushtetuese. Kushtetuta e një
vendi gëzon një status special në
hierarkinë e ligjeve, ajo konsiderohet përgjithësisht
si ligji suprem. Sidoqoftë, në fund të
fundit, supremacia aktuale e saj vjen nga qytetarët, të cilët
ruajnë zbatimin e saj.
Punuar nga Scott Carlson
accapp/qaccapp
Rr. “Donika Kastrioti” Vila 6
Tirana, Albania
Tel.355-42-40672
Fax.355-42-40673
[email protected]